Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Shqipërinë në Europë e çojnë veprat
E hene, 16.09.2013, 07:56 PM
SHQIPËRINË NË EUROPË E ÇOJNË VEPRAT E JO FJALËT
Nga Frank
Shkreli
Të hënën,
Kryeminsitri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama fillon një vizitë dy ditëshe në
Bruksel, për takime me udhëhqsit e komunitetit europian. Ndërsa, javën që kaloi, u mblodh kuvendi i ri
i Shqipërisë në seancën e tij të parë. Ndër deklaratat e para pozicionuese nga të dy
palët kryesore në kuvend -- Partisë Socialiste që do udhëheqë vendin për katër
vitet e ardhëshëm dhe Partisë Demokratike në opozitë -- u theksua dëshira nga të dy forcat kryesore politike të
vendit, për të shpejtuar procesin e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kryeministri i ardhëshëm i Shqipërisë, Z. Edi
Rama u citua të ketë thënë se inaugurimi i qeverisë së tij të re, "Është
një moment jashtzakonisht i rëndësishëm -- është momenti për të mos lënë që
treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë
e më parë..." u prononcua, Z. Rama, madje duke bërë integrimin europian të
vendit, pikën e parë të programit të qeverisë së re, si një objektiv që, sipas
tij, i shërben demokratizimit të shoqërisë shqiptare, bazuar në “vlerat
europiane”.
Edhe
udhëheqsi i ri i Partisë Demokratike, Z.
Lulzim Basha u shpreh se, "në opozitë do të japim të gjithë mbështetjen
për proceset e integrimit europian, dhe jo duke e bllokuar atë siç bëri e
majta", tha kryetari i ri i demokratëve.
Në mesazhin e parë si kryetar i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Z. Ilir
Meta gjithashtu u shpreh se, "Synimi ynë është që të arrijmë integrimin e
vendit në Bashkimin Europian".
Kësaj
fryme entuziazmi të pro-integrimit europian të Shqipërisë, nga zyrtarët më të
lartë të vendit, ndonëse i kanë dëgjuar këto premtime edhe më parë nga
politikanët shqiptarë, iu bashkuan edhe përfaqsuesit më të rëndësishëm
perëndimorë në Tiranë, ambasadori amerikan, Z. Aleksandër Arvizu dhe
përfaqsuesi i Bashkimit Europian, Z. Ettore Sequi. Të dy këta i bënë thirrje --për të njëqintën
herë -- klasës politike shqiptare që të përqendrohet seriozisht tek integrimi i
Shqipërisë në Europë. Madje, përfaqsuesi
i lartë europian Sequi, me të drejtë e cilësoi integrimin europian të
Shqipërisë, "një përparësi kombëtare".
Të gjithë
flasin me ngulm që sa më parë të hipin në ''trenin'' e Evropës, në të vërtetë
flitet kështu për 20-vjetë tani, nga të gjitha palët dhe nga të gjitha qeveritë
e dy dekadave të fundit. E duam
Shqipërinë si Evropa, thuhej dikurë. Por
për të hipur në trenin e Europës, duhet paguar bileta. Pjesë e kësaj "bilete", ndër të
tjera, është ndarja e vlerave të përbashkëta
dhe rregullave të lojës me Europën.
Një prej këtyre vlerave të Europës është edhe ballafaqimi me të kaluarën
komuniste të Shqipërisë, duke kujtuar viktimat e regjimit komunist. Ndryshe nga Shqipëria, shumica e vendeve
ish-komuniste europiane, tani anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s, kanë
treguar gatishmërinë e tyre duke marrë masa konkrete për t'u përballur me
trashëgiminë tragjike të historisë së vet komuniste të shekullit të kaluar, dhe
njëkohsisht kanë dënuar masakrat e regjimit komunist dhe në emër të shtetit u
kanë kërkuar falje viktimave dhe familjeve të tyre. Shqipëria, fatkeqsisht, megjithëse kishte regjimin
më të egër komunist në Europë, falë interpretimeve të kundërta të kësaj
historie, nuk ka treguar kurrë ndonjë vullnet për t’u përballur seriozisht me
këtë histori. Shqipëria mund të jetë i
vetmi vend europian, ku shteti dhe
qeveritë e ndryshme shqiptare të të dy palëve, nuk kanë kërkuar asnjëherë falje
për krimet monstruoze të komunizmit. Për
më tepër, klasa e përndjekur nga komunizmi, disa nga anëtarët e së cilës janë
ende gjallë, por duke u shuar dita ditës falë moshës dhe vuajtjeve, nuk janë trajtuar
aspak mirë nga qeveritë dhe parlamentet e mëparshme shqiptare. Madje ata janë denigruar dhe janë cilësuar,
si “plehra” dhe si “mbeturina”, nga disa politikanë shqiptarë. Megjithëse
Europa e konsideron dhe e kërkon si një detyrim moral përballimin e saj me të
kaluarën komuniste dhe fashiste, qeveritë e një pas njëshme shqiptare kurrë nuk
dënuan krimet, dhunën dhe torturat e regjimit komunist ndaj shqiptarëve. Duket sikurë politika shqiptare ka rënë në
një kllapi morale, megjithëse temperaturat e kësaj kllapie vazhdojnë të jenë në
një nivel të lartë, me pasoja të dëmshme për zhvillimin dhe përparimin e
demokratizimit të shoqërisë, bazuar në standardet dhe vlerat europiane.
Bota
Përendimore, të cilës klasa politike shqiptare pretendon se dëshiron t’i
bashkohet, kurrë nuk pushon së kërkuari të vërtetën historike duke vazhduar të
hedhë dritë mbi vërtetën, duke kujtuar publikisht viktimat e krimeve të
nacizmit dhe të komunizmit. Zbulimi i së
vërtetës është një proces të cilit kurrë nuk i skadon afati. Dy raste të kohëve të fundit më tërhoqën
vëmendjen. Gjatë vizitës para disa
ditësh në Rusi, Presidenti amerikan Barak Obama, në takimet e tija me zyrtarët
rusë, u interesua për fatin e diplomatit suedez, Raoul Wallenberg, fati i të
cilit nuk dihet ende, ndonëse në vitin 1944, ai ishte arrestuar nga forcat
sovjetike në Hungari, pasi shpëtoi dhjetëra mijëra hebrejë nga nazistët duke u
dhënë atyre pasaporta për tu larguar nga vendi.
Rusët kurrë nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të kënaqshme ndaj arrestimit
dhe zhdukjes së këtij heroi, por këjo nuk i pengon udhëheqsit amerikanë, që
edhe pas 70-vjetësh të përpiqen të zbulojnë të vërtetën duke kërkuar gjithnjë
shpjegime nga Moska. Zbulimi i së vërtetës mbi fatin e këtij heroi, sipas
Presidentit Obama, është e nevojshme jo vetëm për të kujtuar një dëshmi humbje
jete të një heroi, por edhe si një angazhim, që raste të tilla të mos
përsëriten më. Rasti tjetër i kohëve të
fundit, ishte ai në Gjermani, ku prokurorët gjermanë, 70-vjetë pas mbarimit të
Luftës së dytë Botërore njoftuan javën e kaluar se ata do të ndjekin penalisht
një numër ish rojesh që janë ende gjallë në Gjermani dhe gjetkë, e të cilët
dyshohen se kanë shërbyer në kampet e vdekjes në Auschwitz. Gjermania, në të vërtetë, është shembëll për
të gjithë botën, si vendi që është përballur dhe vazhdon të përballet me
historinë e saj naziste dhe komuniste, si një proces i vazhdueshëm pajtimi me
veten dhe me të tjerët.
Në të
vërtetë, Gjermania dhe e gjithë Europa kanë caktuar 23 Gushtin si ditën zyrtare
për të përkujtuar anë e mbanë kontinentit europian, viktimat e deportimeve,
masakrave dhe burgjeve, si dhe të kampeve të përqendrimit të komunizmit dhe të
nazismit. Parlamenti europian i ka
cilësuar krimet e komunizmit dhe të nazismit si “krime lufte dhe krime kundër
njerëzimit”.
Për më
tepër, Parlamenti europian me një rezolutë tjetër mbi “Ndërgjegjën Europiane
dhe Totalitarizmin” të vitit 2009, ka
dënuar krimet e regjimeve totalitare komuniste dhe naziste të Europës Lindore
duke u bërë thirrje vendeve të kontinentit europain që të njohin dhe të pranojnë, “trashëgiminë e përbashkët
historike të komunizmit dhe nazismit” dhe njëherazi parlamentarët europianë
kërkojnë që në çdo vend të zhvillohet “një debat i ndershëm dhe i gjithanshëm,
mbi të gjitha krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar.” Njëkohësisht, rezoluta u bën thirrje vendeve
anëtare që të marrin masa për të informuar vazhdimisht publikun dhe për ta bërë
atë të vetdijshëm mbi krimet e regjimeve totalitare të shekullit të kaluar në
Europë. Një gjë e tillë, sipas rezolutës së Parlamentit Europian,
është e nevojshme për të treguar respekt për të gjitha viktimat e regjimeve
komuniste në Europë, duke theksuar,
“rëndësinë për të ruajtur të gjallë kujtimet e së kaluarës pasi, sipas
rezolutës europiane, “nuk mund të ketë pajtim shoqëror pa zbulimin e së
vërtetës dhe pa kujtuar viktimat”, e komunizmit. Rezoluta e Parlamentit Europian gjithashtu
rithekson qëndrimin e përbashkët kundër çdo regjimi totalitar dhe njëkohësisht
u “shpreh viktimave të këtyre krimeve dhe familjeve të tyre, simpatinë,
mirëkuptimin dhe njohjen e vuajtjeve të tyre.”
Europa e
ka deklaruar disa herë seriozitetin e saj ndaj nevojës për dënimin e krimeve të
komunizmit përfshirë edhe Deklaratën e Vilnius-it, të vendeve anëtare të
OSBE-së të vitit 2009, e cila ndër të tjera dënon gjithashtu, edhe
“glorifikimin e regjimeve totalitare”.
Europa
pra, të cilës Shqipëria – si objektiv kombëtar -- dëshiron t’i bashkohet, si
kontinent por edhe vendet e anëtare të saj, individualisht, e kanë thënë me
kohë fjalën e tyre duke dënuar dhe duke kërkuar falje për krimet e komunizmit
dhe nazismit, si një shprehje e vullnetit
të fortë që ato krime kundër njerëzimit të mos përsëriten më.
Për të
mirë të Shqipërisë, kryeministrit të ri dhe qeverisë së tij, i duhet uruar
sukses në punën që e pret. Kryeministri Rama ka thënë, me të drejtë, se
Shqipëria meriton më shumë, pasi sipas
tij, ajo ka vuajtur, “kryekreje prej pushtetesh që kanë ndërruar ngjyrë e jo
natyrë, radhë e jo zakon, vend e jo model.”
Këtë nuk
e meriton Shqipëria! Madje si asnjë vend
tjetër, kur të merren parasyshë vuajtjet e shqiptarëve. Por nuk mund të fshehi skepticizmin që kam unë, por edhe shumë të
tjerë që ia duan të mirën Shqipërisë dhe kombit shqiptar, se si Zoti Rama do të
ndërtojë, “Shqipërinë e Gjeneratës Tjetër” me gjeneratën e vjetër.
Unë
bashkohem me Profesor Sami Repishtin, i cili në një letër të botuar kohët e fundit, drejtuar Kryeministrit të ri
Z. Rama, shkruan se që Shqipëria me të
vërtetë të rilindë, Profesori i nderuar dhe i ish-burgosuri i regjimit komunist
hoxhist, me të drejtë thotë se në Shqipëri,
“Duhet ndërtue nji shoqëni shqiptare bashkëjetese harmonike dhe vlerash
e parimesh të gjithëpranueme! Nji lumë
gjaku, nji moçal çnjerëzimi, nji mal vuejtjesh të pameritueme, e nji frymë e
thellë hakmarrjeje akoma ndanë Atdheun tonë dhe gozhdon në vend përparimin e
frymën e qytetnueme të shoqënisë shqiptare.
Duhet shtri dora e pajtimit, duhet kultivue fryma e pendimit për fajin
dhe falja e fajit, duhet përqafue bashkëpunimi për të mirën e përbashkët. E kundërta do të sjellë mallkimin e nji popullsie
të pafajshme për ju…dhe për të gjithë ata që sot heshtin!”, përfundon ish i
burgosuri Profesor Sami Repishti letrën e tij drejtuar Kryeministrit të ri të
Shqipërisë, Z. Edi Rama.
Mos
heshtni, pushtetarë të ri dhe të vjetër, pozitë dhe opozitë. Por mbani gjallë kujtesën, çoni zërin lartë
në mbrojtje të së vërtetës historike dhe dinjitetit njerëzor për viktimat e
komunizmit. Këjo është vlerë
europiane! Por mbi të gjitha duhet të
jetë edhe vlerë kombëtare. Nëqoftse
integrimi i shqiptarëve në Europë, është çështje numër një në programin e
qeverisë së re, atëherë le të trajtohet si e tillë. Drejtë Europës shkohet me vepra dhe jo me
fjalë, se fjalëve u doli boja tash 20-e sa vjetë. Nuk ka rrugë tjetër drejtë Europës! Shqipëria e ndarë dhe e përçarë politikisht
nuk do të pranohet kurrë si e tillë në Europën e bashkuar.