Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Debati mbi ndërhyrjen ne Siri
E enjte, 05.09.2013, 09:44 PM
DEBATI
MBI NDËRHYRJEN NË SIRI
Nga Frank Shkreli
Këtë
javë, zyrtarët më të lartë të diplomacisë dhe të mbrojtjes të
administratës së Presidentit Barak
Obama, u paraqitën para Kongresit Amerikan, për t'u bërë thirrje ligjëvenësve
që të mbështesin planin e Presidentit Barak Obama për t'u hakmarrë kundër regjimit dictatorial të Sirisë, për
përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë civile. Zyrtarët e lartë të prirë nga Sekretari
Amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, përfshinin Sekretarin Amerikan të Mbrojtjes,
Çak Hejgël dhe kryetarin e Shtatmadhorisë të Forcave të Armatosura, Gjenerali
Martin Dempsi. Sekretari Amerikan i
Shtetit, Xhon Kerri, i tha Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit se
rreziqet e mos ndërhyrjes janë më të mëdha se sa një sulm ushtarak i kufizuar
që synon të dëmtojë rëndë aftësinë dhe kapacitetin e regjimit sirian të Asadit
që përdorë përsëri armët kimike,
përdorimi i të cilave është shpallur ilegal me marrveshje ndërkombëtare, ç'prej
Luftës së Parë Botërore.
Sekretari
Kerri, i cili po kryeson përpjekjet e administrates Obama për të bindur jo
vetëm Kongresin dhe publikun amerikan, por edhe botën se një sulm i tillë është
i doemosdoshëm, i tha Komisionit të Punëve të Jashtëme të Senatit amerikan se
tani, “Këjo nuk është koha që të jemi spektatorë të një masakre. As vendi ynë dhe as ndërgjegja jonë nuk mund
të tolerojnë këtë situatë, duke heshtur e duke mos bërë asgjë.”
Presidenti
Obama, pas shumë debatesh mbrenda dhe jashtë vendit, është shprehur se ka
ardhur në përfundimin se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërmarrin një sulm
kundër Sirisë si ndëshkim për përdorimin e armëve kimike kundër popullësisë
civile, duke vrarë muajin e kaluar mbi 1400 veta, përfshirë lartë nga
400-fëmijë. Ai u shpreh fund javën e
kaluar se Amerika duhet të zhvillojë këtë debat, sepse, sipas tij, këto janë
çështje të një rëndësie të madhe. Për
këtë qëndrim , duket se presidenti Obama po bindë dal nga dalë edhe udhëheqsit
më të lartë të të dy partive kryesore në Kongres, se një ndërhyrje e kufizuar
në Siri është e doemosdoshme për të dëmtuar mundësitë dhe kapacitetin e
regjimit të Asadit, që të përdorë rishtas armë kimike kundër popullit të vet.
Ndonëse
disa senatorë, sidomos në radhët e Partisë Republikane, kanë shprehur dyshimin
e tyre në lidhje me propozimin e administratës së Presidentit Obama për një sulm kundër Sirisë, udhëheqësit
më të lartë të Partisë Republikane në opozitë, kanë thënë se është e
rëndësishme që të mbështetet Presidenti Obama kur dy dhomat e Kongresit të
votojnë, javën që vjen, për të autorizuar presidentin që të ndërmarrë një sulm
të tillë. Presidenti Obama i bëri
thirrje Kongresit që ta autorizojë atë të ndërmarrë një sulm të tillë kundër
regjimit sirian, duke thënë se, "Përfaqsuesit e popullit duhet të kenë një
zë dhe të shprehen në lidhje me masat që Amerika ndërmerr jashtë vendit",
duke shtuar se, "ka ardhur koha t'i tregohet botës se Amerika e mban
fjalën e dhënë për angazhimet tona."
Sekretari
Xhon Kerri, duke iu përgjigjur Senatorit
republikan Rand Pol, i cili është shprehur kundër ndërhyrjes amerikane
në Siri, tha se “Presidenti nuk është duke kërkuar prej jush autorizim për të
shpallur luftë. Thjeshtë, ai kërkon që
të ndërmarrim një masë (të përkohëshme dhe të kufizuar) që do të dëmtojë rëndë
mundësitë dhe kapacitetin e një
udhëheqsi despot, i cili është i gatshëm
të vrasë popullin e vetë,” me armë kimike, përdorimi i të cilave si një
mjet lufte, është ndaluar nga e gjithë bota, pothuaj para 100-vjetëve. Presidenti Obama, po kërkon autorizim nga
Kongresi për një përgjigje të shpejtë dhe të kufizuar ndaj përdorimit të armëve
kimike nga regjimi sirian i diktatorit Asad, ndërsa publiku amerikan dyshon
nëse ndërhyrja e Amerikës në Siri është masa e duhur në këtë kohë, në një vend
ku ndër të tjera, grupe të ndryshme militantësh islamikë, në bashkpunim me
terroristë po luftojnë kundër një
diktatori, vet regjimi i të cilit është
i lidhur me terroristë të ngjyrave të ndryshme të Lindjes së Mesme.
Ndërkohë,
në një frymë bashkpunimi midis dy partive kryesore të këtij vendi, Senatori
republikan dhe ish-kandidat i kësaj partie për president, Z. Xhon Mekejn, është
deklaruar në mbështetje të presidentit Obama në lidhje me këtë çështje duke thënë
se, "Nëqoftse Kongresi hedhë poshtë një rezolutë të tillë, pasi presidenti
është zotuar publikisht për të ndërmarrë një sulm, pasojat do të ishin
katastrofike." Ndërsa, Kryetarja e
demokratëve në Dhomën e Përfaqsuesve, Nenci Pelosi, tha se "Autorizimi nga
Kongresi për marrjen e masave që kërkon Presidenti, do të bëjë më të fortë
vendin tonë, por edhe përgjigjen ndaj asaj që po ndodhë në Siri." Ajo shtoi se me përdorimin e armëve kimike,
regjimi i Asadit e ka qitur veten jashtë, “rrethit të sjelljeve të botës së
qytetëruar.”
Kryetari
i Dhomës së Përfqsuesve, republikani Xhon Bejner, tha se “Shtetet e Bashkuara
kanë armiqë anë e mbanë botës të cilët duhet ta kuptojnë se ne nuk do të
tolerojmë sjellje të tilla.” Edhe
kongresisti Eliot Engel, nënkryetar i Komisionit të Punëve të Jashtëme të
Dhomës së Përfaqsuesve, i cili është i njohur mirë për lexuesin si përkrahës
i shqiptarëve, tha me këtë rast se, “Të përdorësh armët kimike të shkatërrimit
në masë kundër popullit tëndë, është gjëja më e urryer që mund të jetë. Nëqoftse ne nuk i përgjigjemi këtij akti,
atëherë i themi çdo despoti,
gangsteri çdo diktatori, dhe grupi
terrorist, anë e mbanë botës, se ju mund të kryeni krime lufte dhe të vrisni
popullin tuaj pa asnjë ndëshkim dhe se asgjë nuk do tu ndodhë”, përfundoi Z.
Eliot Engel.
Ndërkohë
që në Kongresin amerikan duket se po shtohet përkrahja për një sulm kundër
regjimit të Asadit në Siri, bota sikurë bën ser duke pritur, por kryesisht duke
kritikuar Shtetet e Bashkuara, si
gjithmonë në raste të tilla, për të parë se ç’po bën Amerika. Sekretari i Përgjithëshëm i Organizatës së
Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon paralajmëroi kundër përdorimit të forcës për
të ndëshkuar përgjegjësit e përdorimit
të armëve kimike, duke thënë se një masë e tillë nuk është ligjore pa
autorizimin e Kombeve të Bashkuara. Ban
Ki Moon e bëri këtë deklaratë ndërkohë që organizata botërore që ai kryeson, njoftoi se llogaritet
që lartë nga 2 milionë refugjatë sirianë janë larguar nga vendi i tyre dhe kanë
gjetur strehim në vendet fqinje. Një
komisioner i Kombeve të Bashkuara u citua nga rrjeti televiziv NBC të ketë thënë se, “Siria është bërë tragjedia
e madhe e këtij shekulli.” Ndërsa përfaqsuesi i vet OKB-ës që merret me
refugjatët, e ka përshkruar situatën në Siri si, “një katastrofë e turpshëme
humanitare”, duke i cilësuar vuajtjet dhe shpërnguljen e refugjatëve sirianë si
të “pashembulltë në historinë botërore”.
Në mes të
kësaj krize, Presidenti Obama është nisur të marrë pjesë në mbledhjen e vendeve
anëtare të grupit 20, më të zhvilluara ekonomikisht të botës, që do të mbahet
dy ditët e ardhëshme në Shën Petersburg të Rusisë. Ndërkohë që parlamenti britanik nuk
autorizoi javën e kaluar pjesmarrjen e forcave britanike në një sulm të
mundëshëm kundër Sirisë, i vetmi përkrahës, tani për tani për një sulm të
tillë, duket se është Presidenti i Francës, Francois Hollande.
Natyrisht
se Shtetet e Bashkuara do të preferonin
që ndërhyrja në Siri të ishte një ndërmarrje ndërkombëtare e autorizuar
nga Kombet e Bashkuara. Por këjo nuk do
të ndodhë. Si Rusia ashtu dhe Kina,
anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, kanë thënë se do përdornin
veton ndaj çdo rezolute që do bënte thirrje për një sulm të tillë për të
dëmtuar kapacitetin e regjimit të Asadit për të përdorur armët kimike. Gazeta amerikane Çikago Tribune, sugjeron në
një editorial se duke marrë parasyshë vrasjen e milionave njerëzve të pafajshëm
gjatë dekadave nën regjimin komunist sovjetik, a është e
mundur që Presidenti Obama të pyesë presidentin rus, Vladimir Putin,
gjatë takimit në Shën Petersburg, “nëse rusët kanë harruar tanimë përvojën e
tyre me varsjet në masë”, gjatë periudhës komuniste.
Ndoshta bota duhet të mbajë përgjegjëse Rusinë dhe Kinën për skenat e vrasjeve barbare në Siri, sidomos ato të fëmijeve, trupat e pajetë, të fikur nga armët kimike të regjjimit Asad, e të cilëve ishin hedhur nepër korridoret e spitaleve, siç thane dëshmitarët, pa pikë gjaku në trupat e tyre të njomë.