Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Media e lirë - tmerri i tiranëve
E marte, 10.09.2013, 09:37 PM
LIRIA E
MEDIAS NË EUROPËN JUG-LINDORE
MEDIA E LIRË SI TMERI I TIRANËVE DHE DASHAMIRËSE E POPULLIT
Nga Frank
Shkreli
Javën që
vjen, Zyra e Përfaqsuesit Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Europë
(OSBE-së), që merret me lirinë e medias, në bashkpunim me zyrën e kësaj
organizate në Shqipëri, organizon konferencën e tretë të saj të radhës në
Tiranë.
OSBE-ja
njofton se Konferenca mbi gjendjen e medias në Europën Jug-Lindore është e
treta e radhës e këtij lloji ç'prej vitit 2011, që mbahet për të diskutuar
gjendjen e medias në përgjithësi dhe të
lirisë së medias në veçanti në vendet e Europës Jug-lindore, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, Maqedoninë, Malin e
Zi dhe Serbinë. Në njoftimin e
konferencës së radhës që do të mbahet me 18 deri më 20 Shtator në kryeqytetin
shqiptar, thuhet se gjatë dy viteve të fundit, gjëndja e lirisë së medias në
vendet e Europës Jug-Lindore, "jo vetëm që nuk ka bërë asnjë përparim, por
në të vërtetë është keqësuar dukshëm."
Në
paralajmërimin e konferencës së Tiranës
mbi lirinë e shtypit në vendet e Europës Jug-Lindore javën që vjen, thuhet se,
"raportet nga këjo zonë flasin për përpjekje për të shuar zërat kritikë''
në media, dhe vazhdon duke thënë se në këtë rajon, "flitet për raste ku
autoritetet përzihen duke futur hundët në punën e gazetarëve, si dhe nënvijohen rrethana ku miratohet
legjislacioni ose raste ku ligjet ndryshohen mbrenda 24 orësh, për të bërë më
të vështirë lirinë e të shprehurit dhe lirinë e medias", duke penguar
kështu përparimin që duhet bërë tanimë në këtë fushë. Zyra e Përfaqsuesit të OSBE-së për Lirinë e
Medias, deklaron botërisht se ka ardhur koha se ''diçka duhet bërë" në
lidhje me këtë situatë të lirisë së medias, ose mungesës së saj.
Konferenca
për Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që mbahet çdo vit në një vend të
ndryshëm të këtij rajoni, sipas njoftimit, sjellë ekspertë të njohur në këtë
fushë, nga rajoni dhe më gjërë, duke krijuar kështu një platformë për dialog
mbi sfidat e tanishme, me të cilat përballet liria e medias, si dhe për të
biseduar mbi hapat që duhen marrë për përmirësimin e kësaj gjëndjeje.
Sipas
njoftimit të OSBE-së, konferenca e Tiranës do të diskutojë zhvillimet më të rëndësishme me të cilat
përballet sot media si dhe sfidat e mëdha në fushën e lirisë së medias në
vendet e Europës Jug-Lindore, duke përfshirë ndër të tjera, rregulloret,
çështjet didgjitale, lirinë e internetit, vet-censurimin nga gazetarët,
zbatimin e legjislacionit mediatik dhe transparencën në vet radhët e medias.
Në
konferencën e parë të OSBE-së mbi Lirinë e Medias në Europën Jug-Lindore, që u
mbajt në Sarajevë në tetor, 2011 u miratua Deklarata e titulluar, “Në Rrugën Drejt Lirisë së Medias”. Deklarata, ndër të tjera, theksoi se “liria e
të shprehurit është një e drejtë themelore e njeriut dhe njëra ndër shtyllat
kryesore të qeverisjes së mire dhe e funksionimit të shtetit ligjor”. Deklarata, “ripohon rëndësinë themelore të
lirisë së të shprehurit dhe lirisë së medias – përfshirë parimet e pavarësisë, pluralizmit dhe
shumëllojshmërisë, si mjete jetike në mbrojtje të të gjitha të drejtave të tjera,
që janë gurthemeli i demorkacisë dhe zhvillimit shoqëror”. Deklarata e Sarajevës, e miratuar nga
përfaqsues të vendeve të Europës Jug-Lindore tre vjetë më parë, thekson
gjithashtu se “vetëm media që është me të vërtetë e pavarur nga pikëpamja politike,
redaksionale dhe ekonomike, mund të luaj
rolin kyç që i takon në një shoqëri demokratike.’’ Në deklaratën e miratuar nga të gjithë,
thuhet gjithashtu se roli i medias është
që të funksionojë si të thuash si
një kujdestare dhe mbikqyrëse e punëve të qeveritarëve dhe të biznesit dhe të
informojë publikun mbi aspektet e rëndësishme të jetës, në mënyrë të drejtë dhe
pa marrë anën e asnjerës palë. Duke
pasqyruar gjithashtu pikëpamje të ndryshme, me qëllim që të mundësojë individët
dhe shoqëritë që të marrin vendimet e tyre, bazuar në informacione të
sakëta dhe të paanëshme, kur zgjedhin dhe vlerësojnë punën e qeverive të tyre.
Zbatimi i
plotë i këtyre parimeve për lirinë e gjithanëshme të medias në zonën e Evropës
Jug-Lindore, nuk ësht askund më i nevojshëm se sa në Shqipëri, Kosovë dhe në
trojet tjera shqiptare në Ballkan, ku media është aq e influencuar nga partitë
politike dhe interesa të ndryshme ekonomike e të tjera. Zbatimi i këtyre parimeve për zhvillimin e
një medias vërtetë të lire, nuk do të ndodhë për derisa, jo vetëm interesat e
ndryshme politike dhe ekonomike – por edhe vetë gazetarët – nuk kuptojnë ose
nuk duan të kuptojnë se pa liri të plotë të fjalës dhe të medias, nuk ka as
demokraci të vërtetë as zhvillim normal të shoqërisë.
Le të shpresojmë
që konferenca e Tiranës të jetë një hap përpara në “Rrugën Drejtë Lirisë së
Medias” në trojet shqiptare, dhe të mos jetë vetëm një konferencë e
sponsorizuar nga ndërkombëtarët (kësaj radhe nga Holanda) për të biseduar mbi
teoritë e lirisë së medias dhe jo mbi zbatimin serioz të standardeve dhe
praktikave ndërkombëtare të lirisë së medias,
larg influencave politike e partiake.
Këjo është një sfidë me të cilën përballen Shqipëria, Kosova , si dhe vendet e tjera të
Europës Jug-Lindore, në përpjekjet e tyre për integrim europian, pasi këto janë
sfida dhe rregulla të “klubit’’ të përcaktuara, jo vetëm nga OSBE-ja, por edhe
nga Bashkimi Europian, për të garantuar pra, pluralizmin dhe lirinë e plotë dhe
të pa penguar të medias, si dhe zhvillimin
normal të demokracisë.