E shtune, 27.07.2024, 02:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Rezart Palluqi: Gjuha ime, sa e shëmtuar...

E enjte, 12.09.2013, 07:31 PM


Gjuha ime, sa e shëmtuar, sa e egër, sa e zymtë sa e hidhur!

Nga Rezart Palluqi

Nuk është gjuha shqipe e bukur, por zëri i nënës tonë i bukur dhe i ëmbël. Po, po, asnjë gjuhë nuk është e bukur ose e shëmtuar. Është zëri i nënës ose babait ai që i jep asaj bukuri, ëmbëlsi ose hidhësi. Më vjen për të vjellë, por edhe tërbohem kur dëgjoj shpesh popujt të thonë: si gjuha jonë nuk ka, është më e bukura, më e dlira, më ...e pasura, më e zhdërvjellta.

Unë jam biri i një nëne me zë të trashë si buall,lindur në një lagje të kryeqytetit. Mamaja ime qeshte rrallë, ose hiç. Edhe ato pak herë kur më këndonte, zëri i saj më gërvishte më shumë veshët, se sa më kurdiste buzët e shpirtit për të qeshur. Gjoks nuk më dha, sepse sipas saj, i shëmtoheshin siset, gjë kjo që babai nuk e dëshironte kurrë. Biberonin me qumësht ma rraste me forcë në gojë. Kur qaja, më mallkonte.

Në shkollë, mësuesi më kërkoi të mësoj përmëndësh vargjet ë Naimit

Gjuha jonë, sa e ëmbël, sa e dlirë, sa e pastër sa e mirë,.

Të nesërmen unë recitova këto vargje:

Ndoshta nëna jote Naim kishte gjuhë të ëmbël, por imja jo. Gjuha e saj kullon kripë si shkëmbijtë e detit.

gjuha ime, sa e shëmtuar, sa e egër, sa e zymtë sa e hidhur.

Ai më vuri direkt notën 4 dhe më kërkoi urgjentisht të njoftoj mamanë për t’u takuar me të.

Zëri i mamasë ndaj meje u trash trefish, njëlloj sikur kishe bashkuar pesëdhjetë zëra stuhishë, i kishe ngjitur ato. Aq i trashë, dhe egër tingëlloi ai ndërsa më qortonte për sjelljen time tradhtare, të paparë.

-Të kam rritur me mundime dhe ti më fëlliq me vjershat psikopatike që reciton në shkollë.

-Fajin e ka zëri yt nënë. Gjoksi yt, i tharë, i rryshkur nga dashuria. Nuk më ke kënduar kurrë ëmbël, bananet m’i hedh si qen në ajër për t’i ngrënë. Kur dua të të përqafoj, ti gjithnjë më shtyn tutje me preteksin: ik se nuk kam kohë, kam punë- iu hakërrova.

Ajo më dënoi tre ditë të mos dal jasht. Babai, aprovoi menjëherë masëarrestin e saj.

Ato tri ditë shkrova shumë, ndër të tjerash edhe shënimet e mëposhtme:

Fjala lule është më e bukur e bute dhe eremire se sa fjala, nëna ime.

Fjala qiell, është më e bukur se sa fjala, babai im.

Gjuha, cilatdo qoftë ajo, nuk është gjë tjetër veçse miljarda kokrriza breshëri, që në shpirtin e nënës së ngrohtë, në zemrën e trëndafiltë të nënës, treten magjishëm dhe shndërrohen në një shirup magjik, i cili gjuhën e saj, e lag gjithnjë. Fjalët në gjuhën e saj tingëllojnë hyjnore, të buta si mëndafsh, krahë fluture.

Ndërsa, gjuha, ose miljarda kokrrizat e breshërit, nuk shkrihen kurrë në zemrën e ftohtë, në mendjen e zymtë të nënës dhe babait tim.

Zemra dhe mendja e tyre është pothuajse gjithmonë një qiell dëbore, qiell breshëran. Nga fyti i nënës time, fjalët,ose kokrrat e breshërit, të mëdha sa një bërthamë kumbulle, dalin të papërtypura, të patretura, dhe ato më lëndojnë fytyrën, zemrën rëndë. Ato më bëjnë ta urrej gjuhen shqipe. Të mos dashurohem kurrë me të.

Dhe unë nuk jam i vetmi adoleshent që ndan një fat të tillë. Ata janë me mijëra, jo vetëm në Shqipëri por edhe kudo në botë.

Por edhe unë sikur të isha lindur nga një nënë relativisht e lumtur, ashtu si shoku im i klasës, Altini, prap nuk do të besoja se gjuha shqipe përshëmbull, është gjuha më e bukur e botës. Jo, jo, marrëzi e kulluar, nacionalizëm qesharak dhe barkbosh, është ky.

Janë nëna dhe babai, vëllai, motra, xhaja, tezja, fqinji dhe stërfqinji, ata që një gjuhë e bëjnë të bukur ose të shëmtuar.

Gjuha italiane, kineze, angleze më është dukur shpesh më e bukur, se sa shqipja kur nënat, aktore filmi, i këndonin ninulla fëmijve të tyre.

Dhe të mos shkoj më larg! Kam ëndërruar shpesh të isha vëllai i shokut tim të klasës, Altinit,ose biri i nënës së tij, Mimozës, dhe kjo, jo sepse ajo flet shqip, jo, aspak, por sepse kraharori i saj, ashtu si gjiri i një trëndafilishte, është i mbushur me ngrohtësi, vetbesim, farë lulesh, mustaqe trëndafili, ninulla, mencuri, sakrifica për djalin e saj.

Kaq kisha. Mësuesi, poetët ose shkrimtarët kokëfyellë nuk e kuptojnë këtë shpesh duke këmbëngulur se gjuha e tyre amtare, është më e bukura e botës.

Marrëzi.

Vetëm nënat më kuptojnë mua. Vetëm ato nëna, në kraharonin e nxehtë të të cilave, fjalët piqen dhe lulëzojnë në gjuhën, sytë, fytyrat e tyre si qepujka tulipanësh…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora