Kulturë
Qazim Shehu: Shpend Topollaj - ''Unë kam qenë ...''
E enjte, 18.07.2013, 07:37 PM
FIGURA E
AHMET ZENEL ÇEKAJ, DËSHMI E VUAJTJES DHE KRENARISË
Shënime për romanin:”Unë kam qenë në Mathauzen”, të autorit Shpend Topollaj
Nga Qazim Shehu
Poeti,
shkrimtari, kritiku i talentuar Shpend Topollaj, gjithnjë e më tepër po dëshmon
se është në vlugun e një krijimtarie të suksesshme, me zgjerimin e një game
tematike që vjen përherë duke marrë konture të reja të shfaqjes; njëkohësisht
ai është nga ata të rrallë shkrimtarë që manifeston një narracion të mbushur me
bulëza jete dhe i përket detyrimisht imponimit të natyrshëm për ta çuar deri në
fund.Ky mendim më është krijuar që herët, po m`u përforcua teksa lexova romanin
e tij të fundit, një roman biografik, të cilin m`u desh të mos e lëshoj nga
dora prej magjisë së rrefimit dhe stilit elegant, ku ishte thënë ajo që duhej e
asgjë më tepër. Kjo tregon se kur shkrimtari e njeh mirë lëndën dhe ka pasionin
për ta trajtuar atë brenda fuqisë së vet krijuese, larg çdo mode apo poze,
vepra të tilla dalin mirë dhe të gëzojnë e duhen vënë re, duhen rekomanduar në
këtë tollovi leximesh.
Romani që
po paraqesim është mbështetur në një figurë, Ahmet Çekaj, malësor nga Shipshani
i Tropojës, i cili është një nga heronjtë e Rezistencës kundër fashizmit, një
nga luftëtarët e lirisë, që e pagoi këtë rezistencë në kampet famëkeqe të
nazizmit dhe që vetëm fati e shpëtoi gjallë. Edhe pse kanë kaluar disa dekada
nga ajo kohë, edhe pse janë shkruar për këtë temë nga shkrimtarë të tillë
si,Erih Maria Remark, romani në fjalë paraqet një dëshmi të re, paraqet një
kolor të ri artistik, larg çdo ngjashmërie brenda ngjashmërisë së tmerrit dhe
të lojës së përgjakshme, makabre që kreu nazizmi mbi njerëzit. Në këtë kuptim
romani i Shpendit e sjell pa droje, me freski, skenën e përgjakshme të
fashizmit në gjithë çuditë e saja ngjethëse,dhe pasuron këtë temë me një nerv
të ri artistik.
I gjithë
romani, vënë në vetën parë, nga rrëfimi
i Ahmet Çekajt-na dëshmon atë luftë të përhershme që bënë këta njerëz kundër
pushtimit dhe pushtimeve, dke mbajtur të gjallë idenë e lirisë dhe të shpresës,
dashurinë për njerëzit dhe jetën, besimin se një e ardhme më e mirë do të vinte
pas zhdukjes së kolerës fashiste.Kjo ide, që jepet në indet e një narracioni të
tejdukshëm e të ngrohtë, universalizohet në çdo kohë dhe merr kuptime të
sentencave filozofike, kur është fjala për të përballur të keqen, mungesën e
lirisë, për të mos toleruar dhunën. Kështu ideja aktualizohet dhe merr
konotacione shprehëse, jashtë çdo modifikimi, brenda natyrshmërisë së vet.Kjo
ide të bën krenar se ajo sillet edhe si trashëgimi nga brezat paraardhës, nga
ata prindër me moral të fortë e me dashuri të pafundme për familjen dhe fisin,
për njerëzit në tërësi, që kishin instiktin e kohës dhe të ndërgjegjshëm
manifestuan urtësi në përballjen e sfidave të saj. Për këtë ndihet krenar edhe
i biri i Ahmetit, Faslli Çekaj, avokat i
nderuar.Kjo krenari merr vlera të shumëfishta sot,kur gjithnjë na duhet t`i
rikthehemi së kaluarës për të parë vlerat e saj më të bukura, sa herë tronditen
vlerat e sotme. Edhe këtë ide e realizon bukur romani i Shpend Topollajt,
gjithnjë duke i qëndruar besnik një kompozicioni të ngjeshur, në largim ndaj
pjesëve të tepërta.Në letërsinë shqiptare është shkruar për temën e tmerreve te
fashizmit nga Petro Marko, apo ndonjë autor tjetër. Petro Marko e ka pasë më të
lehtë për të shkruar, sepse i ka përjetuar vetë, ndërsa Shpend Topollaj ka
pasur vështirësi, por duke pasë imagjinatën e shkrimtarit,dashurinë për temën,
një material të bollshëm lëndor, ai ka arritur ta nënshtrojë këtë temë në
kufijtë e një natyrshmërie të besueshme, duke na dhënë gjithë autencitet
traditat zakonet në Malësinë e Gjakovës, marrëdhëniet fisnore, dialogjet dhe
mendësitë e njerëzve në kohë, sjelljet e tyre, veprimet që kodifikohen e marrin
vlerë prej një rryme qindravjeçare, rastësitë fatlumtura pas një tmerri të
gjatë që provokohet nga vdekja që të rri mbi krye, rastësitë që sjellin gjëmën
dhe të papritua të tjera herë të këndshme e herë të pakëndshme.
Romani i
Shpend Topollajt e sjell figurën e Ahmet Çekajt në disa plane, si njeri i një
krahine të caktuar, Shipshanit, i lindur nënjë mjedis ku njihet burrëria, besa,
maturia, kujdesi për njerëzit e familjes dhe respekti tradicional i malësorit
tonë për gjithë njerëzit të cilët në roman përmenden me emra reale dhe të
profilizuar brenda natyrës së tyre;si njeri që i bashkohet rezistencës për liri
dhe provon rreziqe të pafundme në përpjekjet për ta realizuar këtë liri,
atëhere kur zymtia e luftës nuk jepte shpresë; si një njeri që provoi tmerrin e
Mathauzenit, tmerr që përshkruhet në faqet më të gjëra të romanit.
Tentativa
e shkrimtarit për të dhënë dimensionet e jetës njerëzore në rrethana të
disfavorshme, nuk është e pasukseshme, përkundrazi në këtë përpjekje të
përshkrimit ravijëzohet bukur portreti i njeriut që nuk e humbi kurrë kurajon,
as shpresën dhe qëndroi ballëhapët përballë vështirësive të panumërta që
lejonte kjo luftë mizore dhe absurde.Në faqet e romanit të Remarkut për kampet
shfarosëse jepen me dhjetra skena nga tmerri,dhuna, poshtërimi i njeriut dhe
denatyrimi i një force të verbër të bishës naziste. Ky roman është “Shkëndija e
jetës”, të cilin një masë e madhe lexuesish e njeh mirë. Por personazhi Ahmet
Çekj sjell pamje të cilët nuk janë të njohura ose plotësojnë një tipologji të
krimit. Ato pamje dhe raste të makabritetit nazist për të cilat fantazia më e
shfrenuar do lodhej duke i prodhuar.Dhe në të gjithë këtë spikat dashuria për
jetën, sakrifica dhe vetësakrifikimi i shqiptarit i, cili u masakrua në vend të
polakut,megjithëse ishte më i fortë se ai, pse ai,polaku kishte një familje që
e priste. Vitet do bëjnëtë tyren dhe i biri,Faslliu,do shkojë një ditë në
muzeun Mathauzen, e atje, tek tyta e pushkës
në skulpturën e partizanit shqiptar ai do të gjejë një lule, para se ta
vendoste ai. Ishte djali i polakut që vinte çdo vit aty dhe vendoste këtë lule
në shenjë mirënjohje ndaj shqiptarit trim që u sakrifikua për babanë e
tij.Raste të tilla jo vetëm janë poetike -dramatike,po ato japin nënshtresën e
një ideje të madhe sublime:popujt, njerëzit, janë njësoj, humanizmi dhe
sakrifica është sa e lashtë aq e re, ajo është filli i artë që i lidh njerëzit,
ndërsa janë ideologjitë dhe klanet mashtruese oligarkike që i prodhojnë ato si
mashtrim i verbërt që i hedh popujt në luftë kundër njëri tjetrit.Ahmet Çekaj
nuk u bë dëshmitar i kësaj, u bë i biri, Faslliu, po kjo e madhëron edhe më
shumë atë sakrificë sublime të luftëtarit të lirisë.Romani i Shpend Topollajt e
sjell figurëne Ahmet Çekajt në rrethana të ndryshme; shpëtimi nga ky kamp
famëkeq,i ngjet një balade popullore, nga ato baladat tip të popullit që kanë
të bëjnë me rikthimin e njerëzve që nuk priten më, as shpresohen se do vijnë.
Kthimi i
Ahmetit në shtëpi, ku nuk e njohin fëmijtë e vegjël të cilët ai nuk i njohu, i
ngjan pikërisht baladës popullore, i ngjan atyre rasteve të jashtëzakonshme të
jetës në rrethana mizore ku humbet çdo shpresë.
Me
romanin e vet, Shpend Topollaj rreh një temë që pakkush e ka trajtuar, jë temë
të largët, të rrahur nga letërsia europiane dhe nga letërsia dokumentare, po
merita e tij është se duke kapur një jetë njerëzore në rolin e protagonistit të
luftëtarit të lirisë,ai e plotëson këtë temë, madhëron kuptimin e saj, e sjell
gjithë lëndën jo thjesht si një përshkrim kujtimesh, sado të bukura qofshin, po
më shumë në ide, të cilat mbeten të freskëta dhe aktuale.Pasi e lexon me një
frymë romanin të mbetet në mendje figura e këtij malësori trim,të urtë bujar,
me një përkushtim të madh ndaj familjes dhe shokëve dhe ndaj atdheut dhe
lirisë. Duke e shkëputur nga rrethanat konkrete për ta sjellë atë në përafrimin
e një personazhi letrar, mund të themi se si personazh letrar ai mbetet tepër i
realizuar, kthehet në një vlerë përfaqësuese të gjithë atyre njerëzve të mire,
të cilët nuk kursyen asgjë për nder e dinjitet, të cilët sakrifikuan çdo gjë
dhe treguan trimëri të pashoqe në aspiratat e tyre njerëzore duke materializuar
në karakterin e tyre vlerat më të mira të shqiptarit.Vetë përshkrimi në vetë të
parë, jo vetëm që e bën më bindës romanin -një mënyrë rrëfimtare që afron
distancat shpirtërore-,po ai kohën dhe individin i kalon sa herë në planet e
njëri tjetrit, duke e nënvizuar idenë se çdo kohë sado e verbër dhe e
paarsyshme që mund të jetë-ajo kurrë nuk mund ta shënojë veten pa vullnetin e
njerëzve që shënojnë atë.Dhe fatmirësisht,vullneti i njerëzve në Luftën e Dytë
Botërore që shënuan sakrificat dhe përpjekjet për liri, qe më i madh se
vullneti i atyre që dëshironin të kundërtën.Prandaj dhe triumfoi liria….