E hene, 05.05.2025, 02:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Qerimi: Kuptimnjëjtësia dhe Kuptimkundërtia

E hene, 15.07.2013, 07:49 PM


KUPTIMNJËJTËSIA  DHE KUPTIMKUNDËRTIA  SHPREHJESORE

(SINONIMIA DHE ANTONIMIA FRAZEOLOGJIKE)

Nga Bajram QERIMI

  këtë  studim  shprehjesor , do të  trajtojmë çështjen e  kuptimnjëjtësisë (sinonimisë)  dhe të  kuptimkundërtisë (antonimisë)   shprehjesore  (frazeologjike)  të gjuhës shqipe,  i cili përbën  kaptinën e katërt  teorike    Fjalorit  frazeologjik-idiomatik  dhe  sinonimik-antonimik të gjuhës shqipe, i cili fjalor  njëherazi  është  edhe  fjalor  i shprehjeve (frazave)  kuptimnjëjtësore (sinonimike)  dhe kuptimkundërtore (antonimike) të gjuhës shqipe,  fjalor    u mungon   pothuaj  të gjitha  gjuhëve botërore pa përjshtim. Pra, ky fjalor, njëherazi është edhe fjalor i sinonimeve e antonimeve frazeologjike shqipe, fjalor i parë  i tipit të veçantë në frazeografinë botërore.

Disa fraza, në pikëpamje kuptimore, shprehin, pasqyrojnë raporte të njëjta  dhe  të kundërta kuptimore, shprehin, pasqyrojnë  raporte sinonimike dhe antonimike, marrëdhënie  kuptimnjëjtësore  dhe kuptimkundërtore.

Pra, disa  shprehje, fraza në mes vete kanë  marrëdhënie, raporte të njëjta ,të barabarta  ose të afërta kuptimore, ndërsa, disa sosh, në raport, në marrëdhënie me këto, kanë  marëdhënie të kundërta, kundërvënëse, kundërtore kuptimore. Në këto marrëdhënie, raporte  kuptimore  të shprehjeve,  frazave zë fill  sinonimia dhe antonimia frazeologjike, kuptimnjëjtësia  dhe kuptimkuntërtia shprehjesore.

Për shkak të strukturës së ndërlikuar dhe, për shkak të pasurisë e shumësisë së kuptimeve  stilistikore, çështja e sinonimisë së frazave  është  e ndërlikuar.

Sinonimet e frazave kanë strukturë të ndryshme të elementeve përbërëse dhe kuptime të ndryshme fytyrore, stilistikore, nga njëra anë, ndërsa, në mes vete, kanë kuptime të njëjta  ose të afërta semantike, nga ana tjetër. Nga sa vëmë re, del se, sinonime frazeologjike, i quajmë   ato shprehje, ato fraza , që kanë strukturë të ndryshme  të elementeve përbërëse dhe që kanë kuptim të njëjtë ose të afërt semantik  në mes vete.

Antonimet e  shprehjeve, frazave, po ashtu kanë strukturë të ndryshme të elementeve përbërëse dhe kuptime të ndryshme fytyrore, stilistikore, por, të cilat kanë kuptime të kundërta, kundërvënëse  me frazat tjera, me frazat paraprake  ose me frazat sinonime. Kundërvënia  kuptimore e frazave  antonimike sendërtohet në raport me frazat  sinonimike.

Struktura më e vogël e sinonimeve  dhe e antonimeve është çifti  sinonimik, antonimik,  ndërsa, struktura më e madhe e sinonimeve dhe e antonimeve është vargu sinonimik, antonimik ose vargu i sinonimeve, antonimeve.

Çifte sinonimike ose çifte sinonimesh  janë, bie fjala, çiftet  sinonimike  shprehjesore (frazeologjike):

bëhet carbë (trokë) (foshnja) laget, përmirret shumë, së tepërmi (foshnja)

bëhet e ditës diçka- bëhet dukuri diçka- (bëhet e rëndomtë, e zakonshme diçka)

bëhet dordull (dyshek) (bagëtia)- (fryhet shumë, pa masë, së tepërmi nga ngrënia e tepërt (bagëtia)

i bëhet dyfish (kurrizi, trupi) dikujt- i thyhet më dysh (kurrizi, trupi) dikujt- (i kërruset, i përkulet, i kërrutëzohet, i gërmuqet  shumë, pa masë (kurrizi, trupi) dikujt, gërmuqet dikush nga pleqëria, nga sëmundja etj.)

bën bisht e ikën dikush-ia bën dushk dikush- (ikën, largohet pa u parë, fshehurazi,  pa u diktuar, pa u hetuar, pa u kuptuar dikush)

E bën çungur dikë dikush-e bën duk dikë dikush- (e lidh fort, shtrëngueshëm dikë dikush sa nuk mund të lëvizë, nuk e lë    lëvizë dikë dikush)

e bën ujë (mësimin etj.) dikush- e mëson ujë (mësimin  etj.) dikush  (e mëson pothuaj përmendësh a fare mirë (mësimin etj.) dikush

i bie beja tamam dikujt-i bie beja mbarë dikujt (del ashtu si garanton, premton a betohet, parasheh, thotë dikush, i del parashikimi i një pune dikujt , i del dikujt ashtu siç thotë)

bie drapri (në ara)- hyn drapri (në ara) korren (arat)

bie në dyshek të pambuktë dikush-e gjen një çufrrog të mirë dikush- (e gjen një qoshe të ngrohtë a një vend të rehatshëm  dikush)

brumë i keq-dru i shtrembër – (njeri i keq, njeri që prish punë)

ta çon mjekrën te brezi dikush- të fryn nga noçkat dikush (të mërzit, të bezdis, të lodh  shumë, pa masë dikush duke I folur për ta bindur a duke e zgjatur muhabetin)

del si erë e marrë dikush-del tym e mjegull dikush ( del furishëm, rrëmbyeshëm, me shpejtësi të madhe dikush)

E di gjithë bota diçka- e di dynjaja diçka- (e dinë të gjithë (njerëzit) diçka)

E di zhurin e detit dikush-i di drakulitë e botës dikush- e di dreqin ku bën ve dikush di shumë gjëra dikush,nuk ka gjë që nuk e di dikush

duhen si dielli e bora- këqyren si ujku e dhia  (në mes vete)-(nuk duhen fare, urrehen në mes vete)

I dhemb dhëmballa (gjetiu, gjetkë) dikujt-i rrah çekani (gjetiu, gjetkë) dikujt- (synon diçka tjetër dikush, e ka qëllimin, synimin, hallin  gjetiu, gjetkë dikush,  ka synim, qëllim, hall tjetër dikush)

Ecën me ballë lart dikush-shkon si cjapi me trokaçë dikush – (ecën krenar, me krenari dikush)

Është arrë (dushk) diçka-  (është e terur, e tharë, e thatë  shumë, tej mase diçka)

Është prapa botës (dynjasë) dikush –( është i paditur, i prapambetur dikush)

Është si det(i) diçka-është shtatë pashë nën dhe  diçka (është shumë e thellë diçka)

Është prerë me gërshërë diçka- është prerë me thikë diçka (është e vendosur prerë diçka)

Është qull (ujë) dikush a diçka është shumë i lagur dikush a diçka, është i qullur dikush a diçka

Flet me plot gojën dikush, flet plot gojën dikush; flet sikur e ka peshkun në grep dikush (flet me siguri dikush, flet pa asnjë farë dyshimi dikush). Ant. i lëshon fjalët ishqilas dikush

Fuçi baruti- vatër zjarri  (vend ku mund lehtë të shpërthejë lufta, vend me gjendje të nderë, shpërthyese)

Hahet me rrobat e trupit dikush-hahet me trarë të shtëpisë dikush (është grindavec i madh, i pashoq dikush)

I hedh lotët përpjetë dikush-i mbushen shuajt me lot dikujt- (nuk i vjen fare keq dikujt për vdekjen e ndonjë të afërmi, bën gjoja sikur pikëllohet ose qan shumë dikush)

I hedhur në erë-i lënë udhëve të botës ( i lënë në mëshirën e fatit, i lënë jashtë çdo kujdesi e mbështetjeje)

I hyn dreqi (zjarri) (në shtëpi) dikujt –( i hyn grindja, përçarja (në shtëpi) dikujt

I ikën nëpër duar dikujt dikush, i ikën nga duart dikujt dikush –(i vdes dikujt dikush  në (për) pak kohë dhe papritmas, i vdesshpejt  e pa u hetuar dikujt dikush)

I ikën për duarsh  dikujt dikush- i ikën duarsh dikujt dikush(i ikën, i shpëton shumë shpejt, pa u hetuar, pa u kuptuar dikujt dikush)

*i kanë ikur iliqet (disa iliqe) dikujt ; bën (një) jetë të lëshuar dikush (shthuret  dikush,  prishet moralisht dikush)

Jep nën duar dikush- paguan nën dorë dikush- (mitos dikush,  jep mitë, ryshfet dikush, korrupton dikush)

s’ ka rrënjë dikush- është mbi ujë dikush  (është i pasigurt, jostabil, i paqëndrueshëm dikush)

kafshon dhe (dheun) diçka- e merr dheun (dhenë) diçka (ikën, largohet, zhduket diçka, s’ mbetet më, mbaron, merr fund, perëndon diçka)

kalon si beg dikush-kapërcen si edhi në dërrasë dikush - (kalon, kapërcen shumë mirë më së miri dikush)

nuk e kthen duarthatë dikë dikushia njom dorën dikujt dikush (i jep diçka dikujt dikush kur ka nevojë, nuk e lë pa gjë  dikë dikush kur ka nevojë)

ku i rrah çekani dikujt- ku i dhemb e ku i djeg dikujt (ku e ka qëllimin, hallin dikush)

nuk lë erë e fërkem për diçka dikush- nuk lë gjurmë për diçka dikush (nuk lë shenjë zbulimi, hetimi për atë që bën dikush)

I lidhen (i zihen) duart dikujt- (mbetet pa punë dikush pasi e pengon dikush a diçka, nuk mund të bëjë dot gjë dikush)

S’luan bari po nuk fryn era-nuk ka tym pa zjarr – (asgjë nuk ndodh pa pasur një shkak, asgjë nuk mund të ndodhë, asgjë nuk mund të ketë  pa shkak, pa shkaktar (kryesor)

Nuk e mban dera dikë- e kapërcen kufirin e durimit dikush- (nuk durohet dot më dikush)

Mban me dhëmbë e nxjerr me këmbë dikush-ruan me trastë  e prish me thasë dikush (kursen pak e prish (harxhon, shpenzon) shumë dikush)

E mbërrin hënën e diellin dikush- I gjen vezët e thëllëzës dikush  (arrin, bën diçka pothuajse të pamundur dikush)

Me duar në kokë-me gojë hapur- ( i habitur, i çmeritur, i shastisur)

Me duar lidhur (të lidhura)-me duar të zëna (i penguar në punë, në veprime, jo i lirë në punë, në veprime)

Me duart e veta-me thonjtë e duarve (me punën dhe djersën e vet)

Me peshoren e farmacistit- me torua –(me kujdesin më të madh, me kujdes të veçantë

E merr dërrmën dikush;ikën me qafë të thyer dikush (ikën i dërrmuar dhe i shpartalluar dikush)

E merr në dorë diçka dikush-e merr në duart e veta (në duart e tij) diçka dikush(e zgjidh, e vendos vetë diçka dikush

I ndajnë dhentë e dhitë në mes vete-i qërojnë hesapet  në mes vete (i zgjidhin çështjet, problemet, kontestet me dhunë a konflikt të drejtpërdrejtë fizik)

I ndajnë dhentë e dhitë në mes vete- ndahen për përrua në mes vete (i prishin marrëdhëniet  në mes vete)

I ngacëllon sytë dikush -i ndrit sytë si maçoku në pastërma dikush (sheh, shikon me lakmi të madhe dikush)

E ngul fjalën me pullë dikush i zë vend fjala dikujt (flet me vend, me arsye dikush,  ia dëgjojnë fjalën dikujt, e dëgjojnë të tjerët dikë)

Një çast- sa kërcen gjeli tra më tra- ( fare pak kohë)

Pa fije dhembjeje- pa fije mëshire (fare pa mëshirë, barbarisht, egërsisht, mizorisht)

I plas në dorë (në duar) dikujt (i zbulohen papritur qëllimet, synimet dikujt)

Rrip daulleje- pulë pa krye (njeri i trullosur, i shastisur, i humbur)

rritet me dy pale mëma dikush; rritet në prehër të nënës dikush (rritet me përkëdheli e me shumë kujdes dikush)

rrotullohet në bark e në shpinë dikush-shtrihet si bualli në lerë dikush- (zhgërryhet, shkarëzehet, shtrihet  gjerë e gjatë dikush)

si drita e syrit ; si sytë e ballit (shumë i çmuar, i shtrenjtë)

shitet për një copë bukë diçka-shitet për dhjamë qeni diçka- (shitet fare lirë, shumë lirë, pothuaj falas, falë diçka)

shkon pas erës (pas gjurmës) dikush  (nuhat dikush)

i vringëllon armët dikush- e zhvesh pallën dikush- (i kërcënon të tjerët hapur  dikush)

zë pusi (pritë) dikush (rri e pret, përgjon i fshehur në një vend dikush për të (ta) sulmuar në befasi dikë)

i zgjidhet goja (gjuha) dikujt- fillon të flasë lirisht dikush, fillon, nis  ta thotë, ta shprehë hapur, botërisht mendimin e tij dikush)

Çiftet sinonimike, çiftet e sinonimeve, që  i sollëm  si shembuj të çifteve sinonimike  frazeologjike, janë  çifte  absolute  sinonimesh, sepse, këto  çifte  sinonimike  përputhen  plotësisht kuptimisht në mes vete. Pra, te këto çifte  sinonimesh kemi  përputhje të plotë kuptimore në mes vete, dhe, të cilat    çfarëdo konteksti   mund  ta zëvendësojnë njëra tjetrën ose mund të përdoren në vend të njëra tjetrës.

Çifte antonimike ose çifte antonimesh  janë, bie fjala, çiftet  antonimike frazeologjike:

fle si lepuri në dëllinjë dikush  (fle me frikë dikush)- fle zbathur dikush (fle pa frikë dikush)

*nuk e bën dreqi rehat dikë- nuk rehatohet, nuk qetësohet dot dikush- i zënë rehat brinjët dikujt- rehatohet, qetësohet dikush

*është me duar çlirë (t)  dikushështë i lire,i çlirë, i shpenguar- është me duar lidhur (të lidhura) dikush është i penguar  dikush

*është me duar të lara dikush-është i pastër dikush, nuk është i  përzier në një vepër të pahijshme dikush-është me duar të përlyera dikush- është i përzier në një vepër të pahijshme dikush

e humb gjakftohtësinë dikush (nuk e mban, nuk e përmban dot veten dikush ,e humb kontrollin dikush, e humb aftësinë për ta bërë zap veten dikush)-e ruan gjakftohtësinë dikush (vepron me maturi e pa u nxitur dikush, nuk nxitohet, nuk rrëmbehet, nuk ngutet për ta shprehur zermërimin, nevrikosjen, mërinë etj.  dikush, por frenohet)

*me dyer të hapura  (që bëhet a zhvillohet duke pasur të drejtë të marrin pjesë edhe njerëz të tjerë, me hyrje të lirë, me prani të publikut (për një gjyq, për një mbledhje etj.), hapur, botërisht, publikisht)-me dyer të mbyllura  (që bëhet a zhvillohet vetëm në praninë e personave zyrtarë, pa praninë e publikut (për një gjyq, për një mbledhje etj.) jo botërisht,  jo publikisht, ku nuk mund të marrë pjesë kushdo, ku marrin pjesë vetëm njerëzit që janë drejtpërdrejt  të interesuar dhe që janë të autorizuar e të lejuar zyrtarisht, pa njerëz të huaj të pranishëm (për gjyqet, mbledhjet etj.)

e shtron këmishën dikush (shtrohet në punë dikush)- nuk ngroh vezë dikush (nuk shtrohet në punë dikush).

Çiftet antonimike, çiftet e antonimeve, që  i sollëm  si shembuj të çifteve antonimike  frazeologjike, janë  çifte  absolute  antonimesh, sepse, këto  çifte  antonimesh   kanë kundërvënie  të plotë kuptimore në mes vete.

Përveç  çifteve sinonimike antonimike ,që pasqyrojnë  strukturë më të vogël  sinonimike antonimike të frazeologjisë, kemi edhe vargje sinonimike e antonimike, që pasqyrojnë  struktura të  mëdha të sinonimeve e antonimeve frazeologjike.  Përveç vargjeve  të shkurtra,  kemi vargje të mesme e të gjata  sinonimike e antonimike, që pasqyrojnë  strukturat e mëdha  të sinonimeve e antonimeve frazeologjike. Vargjet e mesme sinonimike e antonimike përbëhen  prej  dhjeta e dhjeta  sinonimesh e antonimesh, ndërsa vargjet e gjata  përbëhen prej disa  qinda  sinonimesh  e antonimesh dhe përbëjnë strukturën më të pasur me sinonime e antonime  frazeologjike.  Po  i sjellim vetëm nga tre  shembuj  të vargjeve të mesme e të gjata  sinonimike e antonimike nga Fjalori, si bie fjala :

Shembulli  i parë :

JANË NJË AJAR fr.fol.,ftill.-janë njëlloj, njësoj, janë të njëjtë, të njëllojtë, të barabartë, përputhen, puqen   njëri me tjetrin  (në mendime e karaktere), nuk kanë ndonjë dallim në mes vete, nuk ndryshojnë njëri prej tjetrit, pajtohen  në mes vete, i përshtaten shumë njëri tjetrit, janë si njëri ashtu edhe tjetri, shkojnë, përshtaten, ujdisen  shumë me njëri tjetrin.-Cfurkuthi edhe nepërka janë një ajar. (p.a. te: st. dialekt. f. 53).S.aty-aty janë; u bien fijet (penjtë, telat) në mes vete; çatia çatisë do t’ i flasë; hyjnë në një palë duqe; hyjnë në një thes;  janë si ara fara; janë (si) arnë (si arna) për thes; janë si arra me palcën ( me palën);janë ashkë e bujashkë; janë aty-aty; janë një bajgë që e ka ndarë më dysh rrota; janë një bathë e një kokërr; janë bathë e (të) një gëzhoje; janë nga ai brumë, janë nga një brumë, janë të një brumi, janë  një brumë; janë nga i njëjti brumë; janë i njëjti brumë; janë brumë i një mielli; janë (si) bukë e një mielli;  janë një bylmet; janë të një çanaku;  janë çerep e vegsh të një dheu; janë derdhur në një kallëp;  janë si derri dhe dosa; janë të një dore; janë një dore; janë si e ëma dhe e bija; janë të një fare; janë si fiku me arrën; janë gatuar nga një baltë; janë e njëjta gjë;  janë si Gjoci  e Mrici; janë si Hasa Kasa; janë si Hasa Kasa, si thesi trasta;  janë si Hysa Hasa; janë të një kallëpi; janë si këmbët e dhisë; janë si lata, sëpata; janë si lunga e brenga; janë si dy lunga në një rrënjë; janë miell i një thesi; janë një; janë  si njëri ashtu edhe tjetri; janë si njëri (dhe, edhe) tjetri; janë një okë e dhjetë, një okë pa dhjetë; janë një okë e pesë, një okë pa pesë; janë një palë opinga; janë ortakë; janë të një orte; janë pe për  (një)  gëzof; janë si peri gëzofi; janë pesë më shumë, pesë më pak; janë të prerë me një gërshërë; janë të një radhe; janë në një rang; janë të një rangu; janë një rraxhë;janë si rrushi e koshi;janë rrush i (të) një vreshti; janë si saçi kulaçi; janë si tenxherja dhe kapaku; janë si Tosku e Bosku; janë si thesi trasta;janë si dy pika uji;janë një varg qepë;janë si vegshi rrasa; janë një yrnek, janë të një yrneku; kanë një biçim; kanë një kokë  (një mendje, një turi); kape njërin, biri (bjeri) tjetrit;i ngjan çetelja çeteles; një sëpatë i ka prerë; i ka prerë një gërshërë (një sharrë); u puqen fitilat në mes vete; shkojnë si arra me palën; shkojnë si fiku me arrën; vijnë deng; ziejnë në një kazan. Ant. janë si baruti e zjarri; janë si bolla e bokës me ngjalën e Valbonës

Vargjet antonimike, vargjet  kundërvënëse kuptimore,  të vargut sinonimik (JANË NJË AJAR), sipas shkurtesës Ant  janë vargjet antonimike : janë si baruti e zjarri; janë si bolla e bokës me ngjalën e Valbonës, si bie fjala :

JANË SI BARUTI E ZJARRI fr.fol.,ftill.,krah.-nuk bëjnë dot bashkë, nuk pajtohen dot, i kundërvihen njëri tjetrit  (njëra tjetrës), nuk qëndrojnë, nuk rrinë dot bashkë dy gjëra të kundërta, të papajtueshme në mes vete, janë të papajtueshëm, të padurueshëm në mes vete, nuk pajtohen, nuk durohen dot në mes vete, po u takuan të dy, do të zihen keqas pa tjetër në mes vete. (HB-FPD f.433). nuk bien më një; egjra e gruri s’ bëjnë bashkë; nuk fle delja me ujkun bashkë;  janë një më hu e një më kërcu; janë një shtëpi e dy palë shkallë; janë si uji e zjarri; janë si zjarri me vajgurin; nuk kullot delja me ujkun bashkë; nuk rrinë (nuk shkojnë) bashkë (gjërat); zjarri e baruti  s' rrinë  asnjëherë tok; nuk rrinë dhia e ujku në një torishtë. Ant. janë një ajar

JANË SI BOLLA E BOKËS ME NGJALËN E VALBONËS në mes vete fr. fol., ftill.,krah.- janë tërësisht, plotësiht të kundërt në mes vete, janë krejt të ndryshëm në mes vete,  nuk kanë të krahasuar në mes vete me asgjë, nuk mund të krahasohen dot në mes vete, kanë dallime, ndryshime të mëdha në mes vete, ndryshojnë shumë në mes vete. (PETZE-FSHFRR f. 27).S.  S.as binjakët nuk janë njëlloj; janë  i (të)  një brumi tjetër; janë brumë  tjetër;  janë si dielli e hëna në mes vete; janë si dita me natën në mes vete; s’ janë të gjithë gishtërinjtë  njësoj; janë larg njëri-tjetrit;  janë njëri mi, tjetri kaci;  janë si nata me ditën , si nata e dita në mes vete; janë si uji me zjarrin në mes vete; kanë kodra në mes vete;   kanë një mal në mes; i ndan një det (i tërë) në mes vete; i ndan një hendek në mes vete;i ndan një mal i tërë; ndryshojnë si nata me ditën në mes vete; në një grykë dalin; qëndrojnë larg njëri-tjetrit. Ant. janë një ajar

Shembulli i dytë :

E KA BRISK me dikë dikush fr. fol.,iron.- ka marrëdhënie  të këqija, armiqësore  me dikë dikush, është  shumë keq me dikë dikush,  nuk shkon mirë me dikë dikush, shkon   keq me dikë dikush, është  në armiqësi me dikë dikush. (ART-III f. 151). S. bëhet copë (finjë) me dikë dikush; nuk bën çorap me dikë dikush;  bie copë me dikë dikush; bren hekur me dikë dikush; është brisk e thua me dikë dikush; është çark më çark me dikë dikush; është dhëmb për dhëmb  me dikë dikush;  është majë më majë me dikë dikush; është thikë e brisk me dikë dikush; është thikë më thikë me dikë dikush; është si ujku e dhia me dikë dikush;  ha bukë e helm (zehër) me dikë dikush; hahet si qentë me dikë dikush; e ka brisk e thua me dikë dikush; e ka keq me dikë dikush; i ka qiqrat të ftohta me dikë dikush; e ka thikë e brisk  me dikë dikush; shkon në bri (brijas, brijza) me dikë dikush; shkon brisk me dikë dikush; shkon brisk e thua me dikë dikush; nuk shkon as të erret, as të zbardhet me dikë dikush; shkon gjak e lak me dikë dikush; shkon në majë e në bisht me dikë dikush; shkon majë e brisk me dikë dikush; shkon majë më majë me dikë dikush; shkon thikë e brisk me dikë dikush; shkon si ujku e dhia me dikë dikush. Ant. e ka dhjamë me dikë dikush

Vargu antonimik, vargu i kundërt, kundërvënës kuptimor i  vargut sinonimik (E KA BRISK me dikë dikush ), sipas shkurtesës Ant   është  vargu antonimik :  (E KA DHJAMË me dikë dikush) , si bie fjala :

E KA DHJAMË me dikë dikush fr.fol., id.- ka marrëdhënie shumë të mira me dikë dikush,e ka shumë mirë me dikë dikush, kalon, shkon shumë mirë me dikë dikush, i ka punët shumë mirë me dikë dikush. (FGJSSH f. 407, 581,598, 2104). S. është derë me dikë dikush; është gjalpë e vaj me dikë dikush; ha bukë e mjaltë me dikë dikush; hyn e del me dikë dikush; ka derë (dhënie e marrje) me dikë dikush; e ka të grunjtë me dikë dikush; e ka grurë (gjalpë, gjalpë e vaj, mjaltë e gjalpë, mjaltë e qumësht, mjaltë e sheqer) me dikë dikush;e ka punën grurë me dikë dikush; e ka pupa (pushkë, qerre, vaj) me dikë dikush; shkon me dorë në qafë me dikë dikush; shkon gjalpë e vaj (vaj) me dikë dikush. Ant. e ka brisk me dikë dikush

Shembulli i  tretë :

I BËHET BISHT SAKICËS dikush fr.fol.,id.- është shumë i zoti, i aftë, i shkathët   dikush, i vjen gjithçka përdoresh  dikujt, s’ lë punë pa bërë dikush, i bën ballë çdo pune, çdo pengese, çdo vështirësie dikush,  është  i gjendshëm në çdo punë a në çdo situatë, nevojë, shtrëngesë  dikush,e bën pothuaj të pamundurën dikush. (PETZE-FSHFR f. 23).S. i bëhet balta flori  dikujt;bën birë në tel të çiftelisë dikush;  bëhet çelës për të gjitha dyert dikush; ia bën dora ç’ i sheh (ç’ i zë)  syri dikujt; bën kodra përmbi det dikush; bën konak në udhë të madhe dikush; e bën krepin fushë dikush; i bën malet fushë dikush; e bën pazarin që te dera dikush; e bën prapshtinë rudinë bjeshke dikush; ta bën rrugjen capua dikush; bën shiun dhe diellin dikush; bën shtëpi në mes të udhës  dikush; bën top të gorrictë dikush; e bën ujin djathë dikush; i bie detit tej për tej dikush; ta blen mendjen me të pame  dikush; bren çelik me dhëmbë dikush, e bren çelikun (gurin, hekurin, plumbin) me dhëmbë dikush; ç’ i sheh  syri ia bën ( ia punon) dora dikujt; të çan ashka në maje të kresë dikush; çan detin dikush; e çan dërrasën me spicë dikush;  çan shtatë male e një fushë dikush; ta çan pishën në kokë dikush; çka ta prekë me dorë e shkrin dikush; i del detit në këmbë dikush; del nëpër vrimë të gjilpërës dikush; di të dredhojë (të dredhojë e të zhdredhojë) dikush; di të qepë me dyzet gjilpëra dikush;  është bar (bari) i staneve dikush; është bytha e dreqit  dikush; është çelës për krejt drynat dikush; është derr i dhenve dikush; është me duar të praruara dikush; është dhelpër gushti dikush; është engjërdhi dikush; është flakë me dru bungu  dikush; është flakë e gjallë dikush; është kopil dikush; është qime e gjallë dikush; është qiqër dikush; është qyq në degë dikush; është sëpatë me dy presa (me dy tehe) dikush; është i shejtanit e i mejdanit dikush; është shpatë (shpend) me krahë dikush; është shpuzë dikush; të fut në det e të nxjerr pa u lagur dikush; e fut djallin (dreqin) në shishe dikush; e fut kaun për birë të gjilpërës dikush; të fut në lumë (në pus) e të nxjerr pa u lagur dikush;  e fut  shejtanin në shishe dikush; të fut në ujë e të nxjerr pa u lagur dikush;  e fut ujkun në kular dikush; të fut në vrimë të gjilpërës dikush; i gacullojnë sytë si dhelprës dikujt; gjen tëmbël mushku dikush; gjuan  grep e zë me rrjetë dikush; t’ i ha arrat dikush; të ha babanë në vesh  dikush;  të ha të bardhën e syrit dikush; nuk e ha bukën kot dikush; e ha çelikun (dheun, gurin, hekurin, plumbin) me dhëmbë dikush;  të ha me dhëmbë (çdo punë) dikush; nuk ia ha macja përsheshin dikujt; ha edhe malin me dhëmbë dikush;  nuk ia ha pula bukën në dorë dikujt; nuk ia ha qeni shkopin dikujt; ha re dikush; të hedh e të pret në majë të gishtit dikush; t’ i heq këpucët nga këmba dikush;  ta heq qimen në sy dikush; hyn e del nëpër brimë të gjilpërës dikush;i jep përgjigje shejtanit dikush; të jep ujë me bisht (me shpinë) të lugës dikush; të jep ujë në shpinë të dorës (të  lugës) dikush; të jep ujë me (në) shoshë dikush; ta jep venë pa të kuq dikush; të jep vezë pa të kuq (pa të verdhë) dikush;  jeton në rrasë të gjallë dikush; e ka çapin e madh dikush; s’ ka derë që e pret dikë; e ka dorën në koshare dikush; i ka duart të argjendta dikush; i ka duart ari dikush; ka duar të arta dikush; i ka duart dukat (flori) dikush; i ka duart e (të) florinjta dikush; i ka duart e praruara dikush; e kafshon frerin me dhëmbë dikush; e kalon buallin në vrimën e gjilpërës dikush; të kalon në vrimë të gjilpërës dikush; ta kap pa e nxjerr mirë dikush;(i) kapërcen dhjetë sinore dikush; t’ i këndon letrat në xhep dikush; kërcen si  pehlivani dikush; kërcen në tepsi dikush;  e kërkon detin me shkop dikush;  të korr killën dikush; e kthen  detin dikush; e kthen edhe lumin përpjetë dikush; të lan në shpatull dikush;  ta (të) lë bishtin në dorë dikush; të lë me gojë hapët dikush;  ta lë gjakun ndër thua dikush; të lë gjakun në majë të thoit dikush; nuk lë gjë për sofër dikush; ta lë plumbin në lëkurë dikush; të lidh me fjalë dikush;  të lidh me retrat e opingave dikush; të lidh e të zgjidh dikush;  lundron në dy (në një)  gisht ujë dikush; ta mat kaplloqen me të pame dikush; ta mat kokën me fije dikush;  mban prush me krahë dikush; mban ujë me shoshë dikush;e mbath dreqin dikush; i mbath (i mbërthen) potkonjtë pa gozhdë dikush; mbetet gjallë në guri të thatë dikush; e mbulon diellin me shoshë dikush; ta mbush mendjen me kapul dikush;  (i) mbyll dymbëdhjetë dyer me një shul dikush;  nuk ia merr arrën prej dore dikujt; ta merr fjalën nga goja dikush;  të merr gjak në vetull dikush; ta (të) merr kokrrën (koqen) e melit para gjelit dikush;ta merr kokrrën në sy dikush; ta merr pa e nxjerrë mirë dikush; të merr thelën e plëndësit nga vorba dikush; të merr plëndësin në vorbë dikush; (e) mjel (edhe) morrin dikush;e ndal buenën me këmbë dikush; e ndan çikën dysh dikush;  e ndan qimen (e flokut) (më) dysh (katërsh, shtatësh) dikush; e ndan xhilitin përgjysmë dikush; (e) ndez zjarrin me ujë dikush; (e)  ngre ujin përpjetë dikush; ngul parmendën në shkëmb dikush; e ngjall të vdekurin nga varri dikush;ngjitet edhe pa shkallë dikush; noton në dy (në një) gisht ujë dikush; noton pa vozar dikush; nxjerr dhjamë (edhe) nga peshku (nga pleshti, prej peshkut, prej pleshtit) dikush; e nxjerr nga guri diçka dikush;  nxjerr dy lëkurë nga një berr (nga një dele) dikush; nxjerr mjaltë nga guri dikush; e nxjerr paranë (paren) prej  gurit dikush; e nxjerr paranë në majë të gjembit dikush;  e nxjerr në rrasë të gjallë diçka dikush; nxjerr sheqer nga ujët e detit dikush; nxjerr ujë (vaj) nga guri dikush; nxjerr ujë në vatër dikush;  nxjerr vaj bërsish dikush; nxjerr edhe të vdekurin nga varri dikush; të nxjerr viçin nga barku i lopës dikush; të nxjerr zorrët pa çarë barkun dikush; të peshon në këmbë (me të pame) dikush; (i) përpin retë dikush;i pi retë dikush; pi ujë në valë të lumit dikush; s’ prek në tokë dikush, s’ e prek tokën dikush;  ia pret mendja dikujt; e pret perin dikush; s’ ia pret njeri perin (qimen) dikujt; të qan qoshen dikush; qep me shtatë (me njëqind) gjilpëra dikush; qep edhe pa gjilpërë dikush; qet dhjamë nga pleshti (prej  pleshtit) dikush; qet grep e zë me rrjetë dikush; e qet prej gurit diçka dikush; qet mjaltë (ujë, vaj)  nga guri dikush; të qëron të bardhën e syrit dikush; (i) ruan katër stane dikush; e rrah telin dikush; ta rrëmben bukën e djathin nga dora dikush; të rrëshqet si njala (nga duart) dikush; (e) rrëzon edhe hënën dikush; (e) rrëzon hënën mbi kokë dikush; (e) rrëzon hënën përdhe dikush; (i) rrëzon malet dikush; e rrjep morrin nga bishti dikush; (i) shemb malet dikush; të shikon edhe kurrizin dikush; e shkarkon grurin në majë të gjembit (majë gjembit) dikush;  të shkel hijen (prapa) dikush;të shkon në vrimë të gjilpërës dikush; shkurton dru me gjilpërë dikush; e shpërthen (e shpon) telin dikush; e shqyen edhe malin dikush; e shtie  djallin (dreqin) në shishe dikush; e shtie morrin në hell dikush;  e shtie shejtanin në shishe dikush; t’ i ter potkonjtë dikush; (e) turbullon detin me shkop dikush; të than qoshen dikush; të thith me të parën dikush;   ta thyen arrën në dorë dikush; të vë në bisht të lugës dikush; ta vë mëngën pa ildisur dikush; e vë morrin në hell dikush; i vjen dore ( doresh, ndore, për dore) çdo punë (për çdo punë) dikujt; të vret me pambuk dikush; e zbraz pushkën që në sup dikush; i zë dora dikujt; ia zë dora  ç’ i sheh (ç’ i zë) syri dikujt; e zë edhe dreqin për fyti dikush; zë peshk në (me) bar dikush; i zoti e ngre gomarin nga balta; i zoti e ngre kandarin prej bishtit; i zoti e ngre (e nxjerr, e qet) gomarin nga balta.Ant. nuk e ka arën hambar dikush; nuk e ke për asgjë dikë; i ka duart cung dikush;  e ka dorën e rëndë dikush,  ka dorë të rëndë dikush

Vargjet  antonimike, vargjet  e kundërta, kundërvënëse kuptimore të vargut sinonimik (I BËHET BISHT SAKICËS dikush ), sipas shkurtesës Ant  janë  vargjet antonimike :  (nuk e ka arën hambar dikush; nuk e ke për asgjë dikë)

NUK E KA ARËN HAMBAR dikush fr. fol.,iron.- nuk është fare i zoti, i aftë për një punë dikush, nuk është i zoti, i aftë për asgjë dikush,  nuk të kryen dot një punë dikush. (PETPA-LU f. 179).S. as zbraz, as mbush dikush; s’ bën as për dhe çerepi  dikush; s’ bën as për gaxhavell kopshti dikush; nuk i bën hije as vetes dikush; s’ bën lundër marina;  bërcaku nuk zihet, as nuk piqet; nuk ia çojnë barrët në lloç dikujt; nuk  e çon lepurin nga strofulla dikush; nuk di nga lidhet gomari dikush; nuk di t' ia ngjesë bishtin sakicës dikush;  nuk di nga pëshurr pula dikush; nuk di ta shtijë perin në gjilpërë dikush; nuk di të nxjerrë qimen nga qulli dikush; nuk di të fshijë qurrat dikush; nuk është për asgjë dikush; është avull kungulli dikush; është baltë që s' bëhet ponicë dikush; s’ është baltë për tjegulla dikush; është bar i qullur dikush; është barrë e lagët dikush; s ' është brumë për petulla  dikush; është brumë i thartë  dikush; s’ është për cjap as për këmborë dikush; është cung dikush; nuk është cung që shqyen  dikush; është çorap i i lagët (i lagur)  dikush; s' është as për çorbë, as për çervish dikush; është dekan i vrarë ore dikush; nuk është dru për gardh dikush; është dru i varreve dikush; është dyfek i plasur dikush; është pushkë e plasur dikush; është dyfek i shtogët dikush; s' është as për dhjamë,  as për lëkurë dikush; është si gomar i shkundur dikush; nuk është për gjë dikush; s’ është as i lavrës, as i gavrës dikush; është si mushkë plakë dikush; s' është as për prush, as për bujashkë dikush; është si pushka  pa çark dikush; është shoshë e shpuar dikush; furet në praqet e veta dikush; gjuan (qet) në lepur e vret zagarin dikush; gjuan lepurin e vret zagarin dikush; ia ha bukën gomari dikujt; ia ha gjeli qurrat dikujt; ia ha macja bukën në dorë dikujt;  ia ha macja përsheshin (në sahan) dikujt; ia ha lopa kungujt dikujt;ia ha pula bukën në dorë (nga dora) dikujt; ia ha pula qurrat dikujt; i (ia) ha qeni cakullin dikujt; i (ia) ha qeni shkopin  dikujt; nuk ka bythë për brekë  dikush;  s’ ka bythë as krye dikush; e ka dorën cung dikush; i ka duart cung dikush; i ka duart të thara dikush, i ka duart e thata dikush; s’ ka gisht për kavall dikush;  s’ e ke për asgjë (për gjë) dikë; nuk e ke as për një gjë dikë; nuk e ke as për një hall dikë; nuk e ke as për pishë, as për bishtuk dikë; e lëshon konopin zhag dikush; s’ mbath dot brekët e veta dikush; mbytet me lotët e vet dikush; ia merr macja (pula) bukën nga dora (prej dore) dikujt; merr në thua në furkë të grave dikush; nuk mund ta nxjerrë macen prej përsheshi dikush;  i myket buka  dikujt; nuk ia ngrehin qerren thatë dikujt; nuk e nxjerr  dot gomarin nga balta  (lepurin nga strofulla, macen prej përsheshi   pulën nga kopshti, qimen nga qulli)  dikush; s’ e pret macen prej përsheshi  dikush; i qan puna në dorë (në duar) dikujt; nuk qet gjë në treg dikush;  nuk e qet lepurin nga strofulla dikush; s’ e qetn mizën nga tambli dikush; ia rrëmben macja thelën nga dora dikujt; s’ i rri pisha ndezur dikujt;  shko për gjah me zagarët lidhur  dikush; i shkon miu në mustaqe dikujt; i shtypin kripë në  kokë (në krye) dikujt; nuk e tund dot këmborën dikush; i vret pas kodre dikujt; s’ vyen  as për hu, as për thupër dikush; nuk vyen as për pykë të sajës dikush;  s’ i zë dora diçka dikujt; e zë plumbi i gropave dikë. Ant. i bëhet bisht sakicës dikush

NUK E KE PËR ASGJË dikë fr. fol.,iron-nuk është i zoti, i aftë për asgjë, për asnjë punë dikush, nuk është fare i punës dikush, nuk të bën, nuk të mbaron dot  punë dikush,  është fare, krejt i paaftë,i pazoti, monugqqqqqyqar dikush, nuk ia shkrep fare dikush. (VK-II f. 94, FGJSH f.450, FGJSSH f.1611, PETZE-FSHFRR f.46).S.as zbraz, as mbush dikush;  s' bën as për dhe çerepi dikush;nuk bën as për gaxhavel kopshti dikush; nuk i bën gjaku pesë para dikujt;  nuk i bën hije (as) vetes  dikush; nuk i bën lëkura një para dikujt; nuk ia bën shkrap dikush; ia bren miu pallën dikujt; nuk  çon dot  lepur (nuk e çon dot lepurin) nga strofulla dikush; nuk di të fshijë hundët dikush;  nuk di t' i fshijë qurrat  dikush; s’ di të lidhë as balçin  e tëlinave dikush; nuk di nga lidhet gomari dikush; nuk di t' ia ngjesë bishtin sakicës dikush; nuk di të nxjerrë qimen nga qulli dikush; nuk di nga pëshurr pula dikush; nuk di ta shtijë perin në gjilpërë dikush;  po i djeg drutë e huaja dikush; s’ është as për arë, as për pazar dikush; s’ është  për arë e farë dikush; nuk është për asgjë dikush; s’ është për gjë dikush; s’ është gjë  puna e dikujt; është për të hedhur në baltë  dikush; është barrë e vrarë dikush; është cung dikush; nuk është cung që shqyen dikush; nuk është për gjë dikush; është bar i qullur dikush; është bishtuk i fikur në terr dikush; është breshkë ugari dikush; është breshkë uji dikush; nuk është as për çorbë, as për çervish dikush;  është dorë e shuar dikush; nuk është dru për gardh dikush; është dru i varreve dikush; është dyfek  i zbrazur dikush; s' është as për dhjamë, as për lëkurë  dikush; është si eshkë e lagur dikush; është gjysmë mi, gjysmë rabeckë dikush; nuk është për hudhra dikush; është me krye në cumër e me shpinë në fier dikush; nuk është as i lavrës, as i  gavrës (vllaçës)  dikush; është mizë pa kokë (pa krye) dikush; është si  mushkë plakë  dikush; është ndiz e shuaj dikush; është pemë pa kokrra dikush; s’ është as për prush, as për bujashkë dikush; është pus pa ujë dikush; është si pushka pa çark dikush; është si qymyr i shuar dikush; është rritur me fletë laboti dikush; është për të sharë dikush; është shkozë thane dikush; është shoshë pa rreth dikush; është shoshë e shpuar dikush; është për tokë dikush;  s’ është as për tutje, as për tëhu dikush; është një zero dikush; gjuan lepurin e vret zagarin dikush; ia ha bukën gomari dikujt; ha copën e qenit dikush;  ia ha gjeli qurrat dikujt; ia ha lopa kungujt dikujt;  ia ha macja bukën në dorë dikujt; ia ha macja përsheshin (në sahan) dikujt; ia ha pula bukën në dorë (nga dora) dikujt; ia ha pula qurrat dikujt; e ha qeni qorr dikë; ia  ha qeni shkopin dikujt;nuk e hip dot gomarin e tij (gomarin e vet) dikush;  e humb udhën në oborr dikush; i jep lepurit qepë dikush; nuk e ka arën hambar dikush; nuk ka bythë për brekë dikush;  nuk ka bythë as krye dikush; e ka dorën cung dikush; i ka duart cung dikush; ka duar të thara dikush, i ka duart e thata dikush; s’ e ka një gacë dikush;  nuk ka gishta për kavall dikush; s’ ka grurë e bluan egjër dikush; s’ ka as lesh në furkë, as përshesh në bludë dikush; nuk ka ku t’ i ngjitet ferra dikujt; e ka vrapin të shkurtër dikush; nuk e ke as me dhen, as me dhi dikë; nuk e ke as për një gjë dikë; nuk e ke për gjë dikë; nuk e ke as për pishë, as për bishtuk  dikë; e lëshon konopin zhag dikush;llomishtrat e djathit i duken mëshere dikujt; s’ e mban bashkën e vet dikush; e mban zjarrin me dy shkarpa dikush; nuk mbath dot brekët e veta dikush;  mbetet  kripë e hirrë dikush; mbetet kripë e lëng turshish dikush; mbjell rrush e i del larushk dikujt; mbytet me lotët e vet dikush; ia merr macja (pula) bukën nga dora (prej dore) dikujt; i myket buka  dikujt;  s’ nget qetë, s’ nget as buajt dikush;  nuk të nxjerr nga balta dikush; s’ e nxjerr (dot) çizmen nga lluca dikush; nuk e nxjerr dot gomarin nga balta dikush; nuk nxjerr dot lepur (nuk e nxjerr dot lepurin) nga strofulla dikush; nuk e nxjerr dot macen nga përsheshi (prej përsheshi) dikush; nuk e nxjerr dot mizën nga dhalli dikush; nuk e nxjerr dot pulën nga kopshti dikush; nuk nxjerr punë nga dora dikush; nuk e nxjerr (dot) qimen nga qulli dikush; i përmjerr këpucët dikush; i qan puna në dorë dikujt;  nuk  qet dot lepur (nuk e qet lepurin) nga strofulla dikush; s’ e qet mizën nga tambli dikush; ia rrëmben macja thelën nga dora dikujt; nuk i rri pisha ndezur dikujt; nuk i shkon për dore asgjë dikujt; shkon për gjah me zagarët lidhur dikush; shtron fund e jo sofër dikush; i shtypin kripë në kokë dikujt; nuk e tund dot këmborën dikush; nuk i vlen lëkura as për argsh dikujt; nuk i vlen lëkura një para dikujt; i vret pas kodre dikujt; nuk vyen (as) për pykë të sajës dikush. Ant. i bëhet bisht sakicës dikush

Nga shembujt e sinonimeve e antonimeve frazeologjike  dalin në pah  raportet e rëndësishme kuptimore , raportet  njëjtësore e kundërtore kuptimore në mes të vargjeve  sinonimike e antonimike, që njëherazi  e përfaqësojnë dhe e pasqyrojnë  sinoniminë dhe antoniminë frazeologjike shqipe në përgjithësi dhe  sinoniminë e antoniminë  frazeologjike (të komponentës  sinonimike e antonimike frazeologjike) të fjalorit tonë. Shembujt  konkretë të  vargjeve  të sinonimeve e të antonimeve frazeologjike hyjnë në punë si dëshmi konkrete, se sinonimet e antonimet, jo vetëm që kanë strukturë të ndryshme të elementeve të tyre përbërëse fjalësore, por kanë në mes vete edhe njëjtësi e kundërti  kuptimore semantike.

Sinonimet dhe antonimet frazeologjike, përkatësisht  vargjet sinonimike dhe antonimike  kanë rëndësi dhe vlerë të pamohueshme në mënjanimin e të  shprehurit  monoton, konvencional  të pasqyrimit     situatave  e të  atmosferave  të ndryshme me saktësi e përcaktueshmëri më interesante, më konotative, më kumtimore e më fytyrore. Vargjet  sinonimike e antonimike  hyjnë në punë, shërbejnë  për intensifikim të fytyrësisë, figurativitetit e    shprehësisë, ekspresivitetit  ligjërimor, pasqyrimor  e përshkrimor  të situatave e mjediseve të ndryshme e të nduarnduarshme.

Kemi sinonime të mirëfillta frazeologjike dhe sinonime të pamirëfillta. Sinonime të mirëfillta frazeologjike janë ato  sinonime frazeologjike ,që kanë aftësi e mundësi  zëvendësimi të njëra tjetrës, ndërsa, sinonime të pamirëfillta frazeologjike, janë ato sinonime që nuk kanë aftësi e mundësi zëvendësimi  të njëra tjetrës.

Sinonimet, për nga përputhja kuptimore në mes vete, janë dyjare: absolute dhe relative.  Sinonime absolute janë ato sinonime, që kanë përputhje të plotë  kuptimore më mes vete, dhe, që në  çfarëdo konteksti   mund  ta zëvendësojnë njëra tjetrën ose mund të përdoren në vend të njëra tjetrës.

Sinonime relative, janë ato sinonime, që kanë përputhje jo të plotë, të pjesëshme ose  të afërt kuptimore  dhe që në çfarëdo konteksti, nuk mund ta zëvendësojnë njëra tjetrën ose nuk mund të përdoren në vend të njëra tjetrës.

Varësisht  nga njëjtësia  ose afria kuptimore, sinonimia e frazave del dyjare: absolute dhe relative. Sinonimi absolute të frazave kemi  atëherë  kur në mes të frazave sinonimike  kemi përputhje të  plotë  kuptimore, ndërsa, sinonimi relative të frazave kemi atëherë kur në mes të frazave  sinonimike kemi  përputhje  jo të plotë, të pjesëshme ose të përafërt  kuptimore. Në të shumtën e herës, kemi sinonimi relative  të frazave, ndërsa , në raste  të rralla, kemi sinonimi absolute. Në vargje të mesme e të gjata  sinonimike,  e gjejmë të gërshetuar, e, madje, edhe të përzier sinoniminë relative me atë absolute, ose anasjelltas, e gjejmë  të gërshetuar, e, madje  edhe të përzier  sinoniminë absolute me atë relative.

Nga gjithë sa u mor në shtjellim e përimtim, del se,   dy fraza  ose  dy vargje   kuptimnjëjtësore (sinonimike) në mes vete mund të kenë  kuptime të njëjta, të afërta  ose të kundërta  kuptimore ose mund të kenë  marrëdhënie, raporte të njëjta  ose  kundërvënëse  kuptimore. Dukuria e këtillë gjuhësore  quhet   kuptimnjëjtësi (sinonimi) dhe  kuptimkundërti  (antonimi)   shprehjesore  (frazeologjike).



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx