E premte, 19.04.2024, 12:01 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Të dua moj…qëne…

E diele, 14.07.2013, 05:55 PM


Të dua moj…qëne…

Refleksione mbi një varg të këngës popullore

Nga Timo Mërkuri

Të dua moj…qëne….

1- Është  varg i një kënge shumë të njohur  iso-polifonike, madje i një kënge shumë të suksesëshme, e cila këndohet  e përpunuar, nga këngëtarë shumë  të njohur të skenës shqiptare. Dikush mund të thotë se, do jetë një varg i rastësishëm, një lapsus në këngët tona, duke patur parasysh faktin, se në këngët tona popullore, për femrën në përgjithësi dhe për vajzën e zemrës në veçanti, artisti popullor ka rezervuar figurat më brilante, që rrezëllinjë finesë e shpirtëri edhe sot. Për këtë arsye, kjo përqasje e vajzës që dashuron me qenin  tingëllon pak si paradoksale. Më favorizuesja do ishte pranimi i një rastësie, i një lajthitjeje momentale në përpilimin e këtij vargu. Por duke patur parasysh se në këngët e popullit, asnjë fjalë e jo më një varg, nuk është e rastësishme, por është latuar e gdhëndur nga “ustai” dhe pastaj është vendosur në “murin “ e vargut, duke u matur me gone dhe duke u peshuar me plumçe, atëherë  më lejoni t’ju  them se edhe ky varg nuk është aspak i rastësishëm, por i zgjedhur, gdhendur e latuar, matur e peshuar dhe qëndron mirë e bukur në këngë. Këtë e përforcon edhe llogjika e thjeshtë se,  po të ishte  një varg i rastësishëm, do të ishte haruar me kohë e me vakt. Por fakti që këndohet në  këngë të ndryshme iso-polifonike, në variante të ndryshme, madje edhe në këngën popullore të përpunuar, në disa variante, bile me shumë sukses edhe sot, do të thotë se ky varg është , më së paku, në vendin e…duhur.

Dikush do thotë (ose do mendojë) se me këtë varg fyhet femra, por duke e njohur psikologjinë e krijimit të këngës popullore unë ju them se, jo vetëm që s’ka kurfarë fyerje (qoftë edhe në rastet e “tradhëtisë” ) por te ky varg ka shumë …dashuri dhe …finesë.

Le të bisedojmë së bashku për këtë.

2-Pse poeti popullor ka përdorur qënin si figurë poetike krahasuese, ka një shpjegim të thjeshtë. Ai gjithë figurat poetike i ka marë nga jeta që njeh. Ai përmënd në këngën e tij, pemët dhe lulet, lumin dhe malin, borën dhe shiun. Vajzën e ka quajtur …gjeraqinë, kanarinë, sorkadhe, nepërkë, vitore, lule mali e lule fushe etj etj. Atëherë pse ta lëjë pa përmëndur qenin, shokun dhe mikun e tij më besnik të jetës dhe të punës? Pse jo, edhe rojen besnike të…mikes së tij…Është një qën, a u tërboftë…O qën o belec i bardhë/Lere mikenë të dalë/Të dalë jashtë në shkallë/Ti them nja tri-katër fjalë…

3-Fakti që ai e krahason vajzën me …qenin është e shpjegueshme, në të dy rastet: në pabesinë dhe besnikërinë e qenit.

Unë gjithmon kam menduar se …pabesia e qënit, është thjeshtë besnikëria e tij ndaj të zotit.  Ky mësim më ka kushtuar …një kafshim qeni në fëmijërinë time, kur bashkë me djalin e xhaxhait filluam të përkëdhelnim e të loznim me qënin e tij, të lidhur te një fik. Loza mirë e bukur me qenin, madje i dhashë dhe bukën që kisha me vete, të cilën ai e kapërdiu, por kur unë ngrita dorën të këpusja një kokër fiku, qeni më nguli…dhëmbët te kyçi i dorës e s’më lëshonte, as nga të bërtiturat e mia dhe as nga goditjet e djalit të xhaxhait.I bërtiti xhaxhai nga larg, pra më lëshoi. Unë e shava..qen i pabesë, sepse më kafshoi, por më von pranova se ai i kishte qëndruar besnik  të zotit të tij. Me mua s’kishte ndonjë …kontratë…tolerance për fiq.

3.a-Shpesh përdoret shprehja…qen i pabesë…Duke u larguar nga krahasimet politike  patriotike ose dhe nacionaliste të tipit…pushtuesi (turk) ishte qen i pabesë, … revizionistët x, qen tradhëtarë në shërbim të imperializmit y, krahasimi i vajzës që dashuron ose ëndëron (se) që e dashuron, me qenin, ka një shpjegim shumë të thjeshtë. 

3.b-Djemtë e rinj ëndërojnë për vajzat,  sikur lozin me to, siç lozin me qentë lëndinave, ku kullosin bagëtitë .  Vjen një moment që i besojnë ato që ëndërojnë. Madje mendojnë se edhe vajza që dashurojnë, mendon dhe ëndëron njësojë për ata.  Një shikim të ngrohtë të lëshoje vajza (rastësisht ose qëllimisht) është ura e hedhur mbi lumin e dyshimit, ndrojtjes, frikës (së djemve) nga mungesa e eksperiencës, urë, mbi të cilën djemtë nisen turavrap.

Ky është momenti që ata guxojnë të bëjnë propozimin e pare,duke bëlbëzuar… (Asnjë djalë nuk e mba mënd se çka “dërdëllitur” në propozimin e parë, por kjo s’prish punë, se asnjë vajzë nuk e ka patur mëndjen te fjalët që thoshte djali. Ajo jetonte …poezinë e …propozimit të parë. Më pas filloi …proza).Vajzat, fillimisht të gjitha refuzojnë, duke shpresuar për një ripropozim, madje më romantik se i pari. Pse jo edhe më të guximshëm, më konkret. Ato refuzojnë, (me gojë dhe jo shpirtërisht) gati instiktivisht dhe nuk mund ta kuptojnë që ky refuzim, është si një goditje  tokmaku mbi ëndrat dhe shpresat e djalit, i cili në vend që të  insistojë dhe avancojë, bie në dëshpërim. E quan tradhëti nga ana e vajzës këtë refuzim, sepse në ëndrat e tij, ajo i kishte pranuar, premtuar etj.

Të dashurosh do të thotë të jetosh  në ëndër (nuk e di në e kam lexuar diku këtë ) . Kështu jetojnë djemtë kur u troket dashuria, u ikën gjumi dhe jeta u bëhet ëndër. Dhe në këtë jetë-ëndër ata jetojnë vetëm me… vajzën që duan, ndaj dhe refuzimi i saj quhet pabesi prej tyre. Dhe krahasimi më i afërt për pabesinë është…qeni.

Besëqënia më gënjeu/Më dha fjalën(në ëndër) dhe ma ktheu/Gënje moj qëne gënje/Në ta bëfsha me ile,( me siguri e ka fjalën për ripropozimin,ku do shkojë me më shumë mënd)…këndon ai me dëshpërim, e pse jo, edhe me disa lotë në faqe (se shpirti i është bërë det nga lotët )

4-Dëshpërimi është i madh, por ama dhe në këtë dëshpërim, ai nuk e cënon figurën e vajzës. Ai e ruan të pastër figurën e saj, duke ruajtur në këtë mënyrë pastërtinë e dashurisë  së tij. Ai vërtet e quan … qëne…,duke femërizuar emrin mashkullor qen, por ama ai i  shmanget me lezet  përdorimit të emrit ofendues femëror të qenit (bushtër), emër cilësues për femra me vese, i përdorur vetëm nëpër debate të ashpëra pijanecësh nëpër mejhane dhe  që nuk është hasur në asnjë  këngë popullore. Populli  nuk e ka ndyrë tempullin e këngës, as në grindje gjaknxehta dhe as në pije e sipër.

5-Pastaj, pas ripropozimit dhe pranimit të vajzës, ai vijon ta thërasë  me këtë emër me përkëdheli, duke na kujtuar lodrat që bëjnë zakonisht djemtë e rinj me qentë e vegjël, duke lozur nëpër livadhe. Madje shpesh edhe fëmijën vajzë e quan  me përkëdheli…kone.

6-Dhe së fundi, besnikëria e qenit ndaj të zotit është proverbiale. Këtë besnikëri të përjetëshme dëshiron dhe  djaloshi i dashuruar nga  mikja e tij, në jetën e tyre të përbashkët..

7-Pra, ky cilësim nuk ka asgjë ofenduese, në konteksin e krijimtarisë popullore, por mbart në vetvete dashuri, pjekuri dhe finesë.

Kemi shumë nevojë për të tria këto veti, për krijimtarinë tonë.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora