Kulturë » Mërkuri
Timo Mërkuri: Mjalti në hoje
E enjte, 11.07.2013, 08:06 PM
Mjalti në hoje
Mendime mbi vëllimin poetik “Peng midis Ekuinoksesh” të Ymer Nurkës
Nga Timo Mërkuri
Është i njohur
fakti që, poezia lirike, si një ndër krijimet më të lashta letrare, me fillesë
qysh në kohën kur njeriu filloi të mendojë dhe të flasë, fillimisht vetëm
këndohej me lirë( prej nga e ka
origjinën edhe emri i saj), duke u bërë kështu
indirekt edhe mbështetëse e tezës darviniane se, njerëzimi ka
komunikuar, së pari, nëpërmjet këngës
(tinguj, melodi dhe tekst i kënduar) dhe më von nëpërmjet fjalës së artikuluar.
Nuk e di pse mu
kujtua ky fakt, ndërsa lexoja vëllimin
me lirika të Ymer Nurkës ... ”Peng midis ekuinoksesh”. Kjo ndoshta edhe
nga përshtypja tjetër, se ndërsa kaloja nga një poezi në tjetrën, më dukej se
asistoja në një festival folklorik, ku çdo grup përfaqsohej nga një poezi, apo
anasjelltas. Jo dhe aqë nga tema dhe mënyra tradicionale e të shkruarit se sa
nga meloditë që emetonin vargjet poetike. Sepse më shumë se vargje ato janë
mbartëse melodish, ashtu si hojet në pite dylli, janë thjeshtë mbajtëse mjalti.
Veçse këtu ky mjaltë të shijon ta marësh
me gjithë hoje.
1-Shume lirika e
kanë fillesën te kënga popullore, madje
autori edhe specifikon vargjet tipike të këtyre këngëve. Por ndërsa është marë
fillesa, motivi, shtrati i lirikës është ngritur në një nivel bashkëkohor artistik,
duke na dhënë një poezi fine. Por edhe kjo është realizuar në disa mënyra:
1.a-Psh te “Kënga e
Siles së bukur”, ndërsa në variantin popullor është vajza që këndon për kaçakun
Shahin Matraku me vargjet (cituar edhe nga autori): Do ta prish shtëpinë, do ta
bëj lëndinë/Do ta mar moj Dado kapetan Shahinë….te lirika e Ymer Nurkës është
kapedan Shahin Matraku që vuan e rënkon…Tridhjetë ditë sëmurë, na kishte
kaçaku/ S’bënte derman mjalti,s’bënte as farmaku…për të mbritur te vargjet
brilante….Çelën lulet çelën, oh në tre livadhe/Po puthej ariu, bashkë me një
zorkadhe.
1.b-Në disa poezi
autori vijon motivin popullor, në të njëjtën linjë, si te
poezia “Çup e Veli Beut”, ku vargjet dhe shtrati origjinal, na japin një skicim portreti të
një vajze të bukur…Në mes të Përmetit, një zambak i bardhë/Çup e Veli beut me
nishan në ballë... , poezia e Ymerit
vijon me kalimin e plotësimit dhe
“ngjyrosjen” e portretit, dhe ajo që ka më shumë rëndësi, është fakti se
ky portret është, në lëvizje …Bijë e vogël ishe, thesar i babait/ Shtatë a
tetë sylina, çezmat e sarajit/Më freskoje gjinë të ndezur prej Majit/Të dehur
prej moshës, të drojtur prej fajit…Mushka me revan,kali yt me trok-ë/Si
s’këputej beli, sa dy çepirok-ë… Citimi në vargje i mënyrës së ecjes së
kafshëve, shoqëruar me përsosjen e portretit fizik të vajzës, nënkupton një rrugëtim krushqish, që shpien nusen të
dhëndëri. Kjo saktësohet te vargjet fine të mëposhtëme … Ah, po te bandilli,
vajzë kur të shpunë/Tri dit e tri net, s’fjeti syri gjumë/Ti më ishe shtrati ,
ai derdhej lumë/Ai ishte dielli, ti
ndrije më shumë…
1.c-Te kënga“ Të rrëmbeu bandilli”, motivit të
njohur popullor me vargjet …Të rrëmbeu bandilli për gishtrinjt e dorës/Në qafë
ç’na more, Sofik e Borovës”, ndërsa i qëndron besnik në linjën poetike, e
sposton vëmëndjen te varfëria e
skajëshme e vajzës, duke na e dhënë edhe këtë me një finesë artistike….Të
gjithë po flinin, ti syrin filxhan/Vështroje shtëpinë, ç’të merje nishan/Për
belin e hollë s’pate një kollan/Për gushën e bardhë s’u gjend një gjerdan….Sa
e sa vajza u martuan kështu, duke marë për pajë…Një shami mëndafshi,plot për
plot me ëndra…
2-Në letërsinë
shqipe është e njohur lirika, e
peisazhit, trajtuar, si nga Naim Frashëri, De Rada, Çajupi, etj, për të aritur
majat te Lasgush Poradeci. Në këto poezi, autorët me një ndjeshmëri dhe
finesë të lartë artistike, kanë çfaqur
bukuritë e natyrës shqiptare. Ndjenjat e tyre të dashurisë për atdheun i kanë
derdhur në peisazhet e poetizuara. Kujto, psh, Bagëti e Bujqësi të Naimit ose
poezinë Poradeci të Lasgushit, për të parë se si shpirti i poetit është derdhur
në peisazhet shqiptare, të pikturuara poetikisht prej tyre.
2.a-Por te Ymer
Nurka nuk është shpirti në shërbim (pasqyrim) të peisazhit, por është peisazhi
dhe elementët e tij në shërbim (dëshmi) të shpirtit. Qysh në vargjet e para, që
shpesh janë “peisazhiste” e kupton se vjen “tërmeti” i ndjenjave…
…Pllajë moj me lule
shumë/A s’mi vë shqerat në gjumë/Se vjen syzeza në shtrugë…
….Dy shtëpi me
plloça, anash me ballkone/…/Seç ma solli fati, të kem dy gjitone…
…Ky curill i kroit,
në një fije peri/Varet e s’këputet, ç’paska vall i mjeri…(Vetiu të kujtohet
vargu lasgushian…Kroi i fshatit tonë, tetë sylinjarë/Në tetë krahina qënkej
kroi i parë..) Do mjaftonte vetëm ky krahasim për ta konkretizuar idenë e
raportit peisazh-ndjenjë dhe specifikën e këtij raporti te poezia e Ymer
Nurkës.
3-Tema e lirikave
të Ymer Nurkës është tema e dashurisë me hovet,
brengat, dhimbjet e lotët e saj, të cilat , të pasqyruara poetikisht e
bëjnë më të bukur, më sublime këtë ndjenjë. E pra, është bukur të vuash nga
dashuria si në lirikat e Ymer Nurkës.
Aty gjen që nga :
a- hiret e
vajzës…Faqen porsi kartë,buzën gurgule/Floku
yt i artë, supesh kadife… Të zbret pal e flokut gjer në maj të thoit… …
Cipëlara në flori…Porsi brum i ardhur të kërcejnë gjinjtë…Syt e tu të kthjellur
porsi dy burime.. Sumbullat e gjirit si rubin i prushtë/Njera ridhte mjaltë
tjetra pikon musht..etj
b-deri te ndrojtja
dhe frika e njohur e djemve, përpara vajzës që ata dashurojnë…Ti më the një
fjalë, unë të thash një lutje…Duke ëndëruar të gjorët nuk fjetën…Nga hiret që
mbaje, djemtë se çi çmënde….Me një reze syri,çma dogje fitilë…
c-Por ajo që duhet
theksuar edhe në këtë rast, është fakti se, pikturimi i këtyre portreteve dhe
ndjenjave është bërë me penelata të holla ngjyer te arti popullor, ndajë dhe është plot dritë natyrale. Të duket sikur
autori është ulur diku në një lëndinë
pranverore, zgjat dorën e këput lule dhe me petalet e tyre krijon
mozaikun poetik të dashurisë. Prandaj vargjet e Ymer Nurkës emetojnë te
lexuesi, si rrallë në poezinë shqipe ( duhet thënë me përjashtim të Lasgushit)
edhe aromën e natyrës shqiptare.
4-Poezia lirike e
Ymer Nurkës është plot melodi, ashtu si hojet e bletëve janë mbushur plot
mjaltë në pranverë. Kjo jo vetëm te poezitë me fillesë këngë të njohura
popullore, të cilat lehtësisht këndohen me motivin e tyre fillestar, por edhe
te poezite e krijuara prej tij, me burim
fantazinë e autorit.
Le të lexojmë
vargjet e poezisë Fllad…Farfurin kjo gusha,fërfërin fustani/Tek fërgëllon
shpirti, më flladitet xhani… Shikoni pak, melodia buron te gërma”f”, e
foljeve farfurin (gusha),fërfërin(fustani),fërgëllon(shpirti),flladitet (xhani)
dhe kjo është një melodi e ëmbël që të imponon nje ngritje koke dhe tundje të
supeve. Kjo është e shpjegueshme, sepse flitet për hiret e vajzës që duam.
Ndërsa kur autori flet për brengën e tij…Për zjarret që ndeze, mua më del
tym-ë/…Unë të lyp si vesa, ti tretesh si brymë/Më shket nëpër gishta, si të
ishe frymë…, natyrshëm që këndohet me dhimbje, madje duke tundur kokën në
pozicionin gjysëm ulur, si të tregosh që mbi supe ke një peshë të madhe brenge.
…Këmbëshkelura
në vesë/Ç’deshe që më re në pjesë/…Un’ një hap e ti hedh pesë/Më bëre burim në
djersë… thotë autori te poezia Margaritar dhe unë ju ftoj që ta krijoni
vetë melodinë. Në rast se do bënim një sondazh mbi melodinë që ju do ti afronit këtij teksti, unë ju
siguroj që melodia popullore do kishte prioritet, madje shumë do sugjeronin
edhe tipin e valles së të rinjve që do ta shoqëronte atë.
Mos doni të këndojmë
këngën e gushëbardhës…Gushëbardha si fildishi/Obobo mëndjen çma prishi/Vishi
moj të linjtat vishi/Vishi se më ngjethet mishi…Lere fare se vërtet na
ngethi mishin kjo këngë. E pra, ne thamë
ta këndojmë këngën dhe jo të lexojmë
poezinë.
5-Sepse vërtet
lirikat e Ymer Nurkës e kanë
melodinë(mjaltë) brenda “hojeve”
të gërmave, fjalëve e vargjeve. Ato më mirë këndohen se sa lexohen.
6-Kjo shpegohet
thjeshtë. Lirikat e Ymer Nurkës janë mjalti i “ri”, prodhuar nga nektari i
luleve të kësaj pranvere, që bleta poet e derdhi në hojet e formatit të lashtë.
Por dallohet lehtësisht që mjalti është i ri, sepse kanë aromën e luleve të
reja, të çelura në shpatmalin e sotëm të shpirtit të popullit,
dhe si të tilla, marin ushqimin që të afron ky mal, plot burime melodish.
…Ndërsa nën sqetull
mbaje dy sepete/Njërin plot me këngë, tjetrin plot me derte..
… Me këmbën e
zbathur, më shkelje ndër zalle/Cili t’erdh i vdekur edhe ti s’e ngjalle/Çtë
lidhte magjia e zgjidhje me falle…
…Trëndafil i çelur
priste njëzet maje/Ritur e vesitur me lot prej sevdaje….
…Ç’ne e solli fati
të kem dy gjitone/Njera prish dy botë, tjetra shëmb dy frone…(Ore Nurkë,
mos do e shesësh gjë shtëpinë, se ta blej unë.Për hatër të gjitoneve).
7-Te Ymer Nurka
hasim, si te të paktë poetë, bukurinë
magjike të gjuhës popullore shqipe. Me
fjalë gati të haruara, nga mospërdorimi, ai krijon një mozaik poetik të
këndshëm, ku të ngelen të fiksuar sytë e mëndjes dhe shpirti brof plot
ngazëllim, sikur të ketë gjetur një thesar të humbur dikur... Poeti e dashuron
gjuhën shqipe, ndajë dhe me fjalë gati të haruara krijon relieve vargjesh me
një tingëllimë melodioze, duke marë në
mbrojtje e duke dëshmuar lashtësinë, por edhe elegancën e brishtësinë e kësaj
gjuhe. Unë do të thosha se studiuesit e gjuhës shqipe kanë se ç’të vjelin në
“vreshtin “ e vargjeve të lirikës së
Ymer Nurkës
…Çdeshë me mua u puqe……Faqen
porsi kartë, buzën gurgule……Ky curil i kroit në fije të
perit……Plaste sher e bëhej gjëma…Në një vërsë me ty u rrita……Me
tamlin që rjedh ndër cica……Si nepërka ndër shullëre……Ritur me pekule…etj
etj duke i trajtuar këto fjalë, jo si relike në stendat e muzeut, por si fëmijët të rikthyer në shtëpi, pas një emigrimi të gjatë, në krye të sofrës.
8-Vargëzimi i disa
shprehjeve popullore i ka shtuar koloritin lirikës së Ymer Nurkës, duke e bërë
atë më shumëngjyrëshe dhe më melodioze. Dhe kjo shumëngjyrshmëri e melodi është
si një ylber që krijohet në kaskadat e vargjeve dhe të mendimit, ku shpërthejnë
stërkalat e shprehjeve…
…Unë dridhem në
ethe,ti më ndez kongjillë….Detet t’i dhashë blu, ti mi do jeshilë… …Po më
shteri vaji, ç’e dua kandilë…...Këpucët e larta me taka si urë/Me qejf do të
shkonte për nën to çdo burrë……Dhe në jam i marrë, jam se jam i gjallë/Se nuk ka
të vdekur që të vij vërdallë……Ç’të mirë i kish bërë që të mirë s’gjeti/Mori për
dhuratë shtatë ball tërmeti …
Me këtë rast mu
kujtua shprehja e Lasgush Poradecit se …asnjë poet s’mund të krijojë pa
studiuar poezinë popullore….
Ymer Nurka, jo
vetëm që e ka studiuar, por edhe e ka përvehtësuar. E ka bluar në shpirtin e tij grurin e poezisë popullore dhe
me miellin e tij, ka gatuar lirikat, aqë fine të këtij vëllimi poetik,duke
ardhur para nesh si një poet modern.
9-Të kuptojmë dhe
të pranojmë një gjë,Ymer Nurka është një poet shqiptar, por njëkohësisht ai
është edhe një poet modern
shqiptar.Lirika e tij çfaqet edhe si një dukuri europiane, qoftë për lirizmin e
saj, qoftë edhe për nivelin e lartë
artistik. Në lirikat e tij, ka një dëndësi maramëndëse figurash artistike, por
që çuditërisht, ato nuk pengojnë njera tjetrën, por të duket se janë lule të një peme, dëndësia e të cilave tregon
se është …stina e lulimit.Ai shkruan thjeshtë dhe qartë, pa u përpjekur të
imitojë apo të vihet në garë për t’ja kaluar poetëve të tjerë. Ai i “kreh” vargjet shpejt e shpejt, siç kreh
një vajzë flokët para pasqyrës me nxitim, se dëgjoi befas sinjalin e djaloshit
që e fton në takim.Poeti nuk e ka problem
pse kjo vajzë është veshur me …tumane. E pra, poezia e tij është dashuria shqiptare tek lëviz në “odat” e vargjeve, në pritje të
atij sinjali dashuror, që përmban gjithë muzikën e …lumturisë.
Poeti e dashuron
këtë botë, plot muzikë e poezi. Ajo edhe e ka shpëtuar shpirtin e tij nga
“ndotjet” akustike dhe “mbetjet” urbane. Aty gjithë vitin ka gjelbërim, muzikë,
vajza të dashuruara e trima të ndrojtur para vashave, që s’flasin me fjalë por
bisedojnë me sy, që ja lexojnë fjalët njeri tjetrit që te shpirti ku lindin, pa
pritur të mbrijnë te buzët. Këtu dhe dimri është verë .Këtu ka lotë të ëmbël,
të një dhimbjeje që dëshiron ta keshë gjithë jetën.
Këtu, në botën e
tij magjike, Ymer Nurka ka mbetur peng
midis Ekuinoksesh dhe sdo të largohet prej andej. Ai, aty është në shtëpinë e
tij.
Le të shkojmë ne te
ai.
Të mrekullohemi.