E shtune, 27.04.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Poezi nga Shefqet Sulmina

E diele, 07.07.2013, 06:54 PM


Shefqet Sulmina

 

 

Çdo ditë

 

Përditë shohim

Dhe kjo ngjanë normale

Që Ledi Makbeth

Lan duart e përgjakura

Në trupin e kohës së hutuar.

 

Përditë përtypim

Sikur të ishte natyrale

Kockat e një mendimi të mbetur

Nga një troje e rrënuar.

 

Çdo ditë udhëtojmë

Vetveten për të kuptuar

Çdo ditë qeshim e qajmë

Për të kuptuar.

 

 

Anna Frank

 

Vite e vite marinar i lumit tënd të shkurtër,

Dhe nuk mundem akoma

Të numëroi të gjithë pëllumbat e tu të bardhë

Që fluturojnë të lirë nëpër fletët e librit tënd.

Madhore për të qenë e vogël,

E vockël për të qenë e vdekur...

Eja të të fsheh nëpër trëndafilat e bardhë të reve

Sepse nuk mund të të marrë më vdekja.

 

 

Miqësia

 

Miqësia është zjarr

Brenda saj.

Qeshim e qajmë,

Bërtasim e shajmë;

E duke sharë,

Shkrihemi në vaj,

E të heshtur

Ulemi prapë në prehrin e saj.

 

 

Në brigjet e Vlorës

 

Ky është deti që të përshëndet e të përqafon,

Autostrada më e gjatë dhe më e gjerë në botë,

Stacioni më i madh për lumenjtë dhe yjet

Që njerëzit dashuron dhe mashtron gjithmonë.

Kjo është nata ku shpërthejnë trëndafilat,

Nata ku përplaset varfëria dhe trishteca,

Nata ku prishet kufiri i qetësisë dhe vdekjes.

Nata që të ndan nga të dashurit dhe toka jote,

Dhe lë vetëm shkumën e bardhë të vuajtjes,

Në lotet e nënave veshur me të zeza,

Që nuk shndërron asgjë veç ngjyrës se saj të tmerrshme,

Se jo,vetëm trëndafila,trëndafila ku fillon heshtja e përhershme.

 

 

Hëna nuk përgjigjet

 

Hëna e ngrirë s'përgjigjet ku je.

As deti.

Rrugët s'i njoh

Dhe s'i flas dot gjatësisë së tyre pa fund

plot kryqe semaforësh të panjohur.

Në ç'shtrat zgjohen sytë e tu,

Kurmi yt në ç'shtrat?

O zot!

Je kaq larg.

 

 

Kaq larg...

 

Erdhi një dallgë e më përqafoi

(Pata dëshirë të ta ktheja ty)

Erdhi një tjetër më puthi në sy

(Fillova të zhvishesha për ty)

Pastaj një tjetër mu ulë në zemër

(Siç di të ulësh ti)

Pastaj...

Një pulëbardhë midis dallgësh të larta

(Jo!...)

Ti, veshur me të bardha!...

 

Nga malli për ty sa deti u hapa....

 

 

Ditët e perjetuara me ty

(kushtuar Mimozes)

 

Ditët e përjetuara me ty,

Janë poezi të bukura,

                   që dal-ngadalë janë publikuara për herë të parë

                   në sytë e tu.

Kështu është dashuria,

Kështu do jetë dashuria,

Më e bukura poezi

                   që shkruhet me rrezet e diellit

                   dhe botohet së pari

Në sytë e saj që të do.

 

 

Deti dhe oret kriminele

 

Prapë sot duart i keni zgjatë në krim

Dhe doni te mbuloheni me nate.

Fytyrën e viktimes

E copëtuat krejtësisht,

Sytë ia hodhët

Në fluido mister.

Ia shkulet zemrën nga gjoksi

Dhe ia mbollët pastaj

Në rërën e lagur

Dhe të rëndë

Dy hapa larg detit,

në breg...

Tani doni të fshiheni...

 

Ore kriminele,

Është e kotë,

Deti, dëshmitar

U err,

U bë pus,

Duket,do të marrë gjithë brigjet e krimeve të juaja,

Më kot vraponi, më kot

Para kësaj qenie të madhe e potente.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora