E shtune, 27.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Cikël me 10 poezi

E shtune, 06.07.2013, 05:55 PM


Cikël me 10 poezi

 

Nga Ndue Dedaj

 

Poezi e një poeti të veçantë

“Poezia e Ndue Dedajt është mbrujtur me atë maja shpirti që bën thirrje për dashurinë ndaj njerëzve të tokës sonë. Kjo është dhe kredoja më e zgjedhur e tij dhe unë besoj se në botën e tij shpirtërore kjo kredo nuk është pozë, por një ndjenjë e vërtetë, e marrë qysh atëherë, kur fryma mbase i qëndroi mbi supe si një pëllumb i bardhë dhe uji i lagu shpatullat... Kjo është poezia e këtij poeti të veçantë që derdh vargjet e tij plot njomëzi, me një gjuhë të bukur e fjalë të zgjedhur...” - DHORI QIRIAZI

 

NË QIELLIN E KOSOVËS, UNË NJERIU-SHPEND...

 

TUNG

 

O ju bjeshkë të nalta orësh e zanash, tung!

O ju dete që përkundeni në duart e mia, tung!

O ju fusha të gjëra e male të larta naimjane, tung!

O ti nipthi im që sapo ke ardhur në jetë, tung!

O ti vashë që kryet s’e kthen më në udhë si dikur, tung!

O ti që ke humbur një dashuri e ke fituar një brengë, tung!

O ju shqipe që shqipnoni kahdo botës, tung!

O Itaka e Bekim Fehmiut, tung!

 

Verë 2010

 

 

PRIZREN

 

Më duhen shtatë ura të gurta

për të kaluar Lumbardhin,

Shtatë mijë vjet për të prekur fillet e historisë,

Miliarda yje për të kalëruar qiellin tënd

Me shqiponjën dykrenore në duar,

Unë njeriu-shpend…

 

 

PLAVA

 

Qyteti ku kam qenë vetëm me sy.

Qyteti që e mbaj përditë në pëllëmbë

Si një borxh që ia kam vetes…

 

Si një borxh që ma kanë shekujt!

 

 

FJALËSHKRIM NË GUR

 

Nëse nuk do të ishte shpikur shkrimi

Do të bëja dhe unë zakonin e stërgjyshërve,

T’i latoja gurët për bazilika,

Si princërit e Arbnit blatuar

D

i

k

n

a

e

 

N

a

t

i

o

n

i

(Kombit të Denjë.)

 

 

ALI PODRIMJES

 

Poetit iu deshën tri ditë për të vdekur…

Tri

mijë

vjet

për

qenë

Homer.

 

Korrik 2012

 

 

KUR TË SHKOJ NË GJAKOVË

 

Kur të shkoj në Gjakovë

Kam me u pa me vëllaun tem Din Mehmeti,

Poetin “zog i diellit” të dheut të vet.

 

O Din Mehmeti, ku je?

Tash njëqind vjet që pyes për ty.

Pyes krojet e rudinat,

Pyes (dy) detet dhe (dy) Drinat,

Pyes gjyshin dhe atin,

Pyes Europën dhe fatin...

 

Kur të shkoj në Gjakovë

Kam me pyet ku asht ujëvara e njerëzve të bukur,

Rruga me stola për kalimtarët.

Udha pa pluhur...

 

Por ti a do të jesh?

 

 

AI BURRË

 

Ai burrë ngrihej në këmbë sa herë kalonte ajo grua.

Kjo se ai kishte dalë nga një grua!...

 

Ai burrë kishte gjetur nën dhè një lotore shtatë mijë vjeçe,

Loti nuk duhej të binte në tokë!...

 

Ai burrë sa herë shkonte në Gur të Shpue ngatërronte këpucët,

Shenjë se do të kthehej për një miqësi...

 

Ai burrë kur të vdesë do të rrojë dhe një jetë,

Se nuk e lë pahu i asaj gruaje të ikë!

 

 

GRYKA E RUGOVËS

 

1

Kush nuk ka shkelur ende këtu,

T’i shpejtojë hapat nëpër kristale të purpurt

Se janë duke flatruar zanat e fundit…

Prej kësaj gryke vetëm hyhet e nuk dilet

Si brenda një dashurie idilike bjeshkësh

Që kurrë nuk shuhet, kurrë nuk kryen!...

Ylberet këtu vetëm lindin e nuk vdesin.

 

2

Tre shpirtra më zgjasin nga një gjethe rudine,

Shkruar aty mrekullimi nga fillesa!

Salvadori, stërnip i shëlbuesit të botës,

Bardhyli, bir i tokës së paxanë

Gjoni, rishtar kangjellash të vona…

E unë kërkoj nëpër fillin e një palimpsesti

Zanin e gjeraqinave të epra si një trill

Prej jehonash, bubullimash, orteqesh…

 

3

Gryka e Rugovës doli prej shpirtit të një pikëllime

E u bë vashë që kërkon të dashurin tash sa mot

E u bë re që rrëshqet mbi kreshtat pingule,

E u bë lot.

Grua je ti që më tërheq furishëm pas xhubletës së erës?

A zanë je?

Unë robi yt e ti robina ime!

Më thuaj, ku po më shpie kështu,

Ndër njerëz, a ndër zota?

 

Kosovë, tetor 2010

 

 

KU BURON SHALA

 

Kam qenë njëherë aty ku buron Shala,

Kam prekur me dorë rrënjët e lumit,

Lumi i gjithi është derdhur në mua,

Përanash lumit shkonte një vashë

Djalit të bjeshkëve i thoshte të dua.

Unë atë burim e kam prapë nëpër duar

Shoh ëndrra shaliane, mirazhe diellore,

Shoh kahdo shkoj diej të purpurt...

Kam qenë njëherë atje ku buron Vjosa,

Kam prekur me dorë rrënjët e lumit,

Lumi i gjithi pihej në mua,

Përanash lumit shkonte sykaltra

Djalit të Jugut i thoshte të dua.

Unë ato buronja i kam ndër gishta,

Si një melodi që kurrë s’shterron,

Pi ujë buronjash me grushta:

A je si je, Ilirian Zhupa?

 

 

BJESHKËT E NAMUNA

 

Më duhet t’i zgjoj orët prej hirit të fosileve,

T’i shprish flokët e të gjitha gjysheve,

T’i dëshifroj fjalët e të gjitha perëndive;

Si u lëshue mbi dhè gjithë ai mrekull,

Sa t’ju bënte ju, vargmale të nëmun!

 

Kush ju gjuajti me shigjeta qiejsh në pranverë,

Ua faroi kreshtat më fort se të gjitha rrufetë

Që motmoteve mbi ashtin tuaj ranë,

Ua përzhiti gurrat ku Ajkuna përkundte djepin

Me foshnjën e saj as dek as gjallë?

 

Qysh se ju u mallkuat prej robit a Zotit,

Qysh se ju u shituat prej kreshnikësh a krajlash,

Përditë e përnatë dhe unë mallkoj

Sipas ritit të gjyshes sime tri mijë vjeçe,

Mallkoj me namët tuaja!

 

E prapë namët-breshër bien mbi mua...



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora