E hene, 29.04.2024, 04:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Bajram Qerimi: Njëkuptimësia dhe Homonimia

E marte, 02.07.2013, 09:01 PM


NJËKUPTIMËSIA  (MONOSEMIA) DHE HOMONIMIA  FRAZEOLOGJIKE

A.NJËKUPTIMËSIA (MONOSEMIA)  FRAZEOLOGJIKE

Nga Bajram QERIMI

Te  disa fraza, që  i cilëson njëkuptimësia,  vëmë re,  se gjymtyrët kryesore, gjymtyrët kyçe kuptimbarëse, mbarë frazës i përcaktojnë një kuptim. Këto  fraza kanë kuptim fjalësor, leksikor. Kuptimi i tyre fjalësor njëherazi  është kuptim i tyre kryesor, themelor, parësor, kuptim i tyre i mirëfilltë, i  drejtpërdrejtë. Te këto  fraza  fjalësore,  vëmë re, se  veçoria kryesore:  gjymtyra e tyre kyçe, kuptimbarëse, mbarë frazës i përcakton, i jep  kuptim të drejtpërdrejtë, të mirëfilltë,  kuptim parësor, sepse, ajo vetë ka kuptim të këtillë.

Frazat te të cilat kuptimi tërësor, kuptimi kryesor del, kushtëzohet, përcaktohet nga kuptimi i drejtpërdrejtë, i mirëfilltë, i parë, themelor, i gjymtyrëve kryesore, i  gjymtyrëve  kuptimbarëse, i gjymtyrëve përfaqësuese, quhen fraza fjalësore (leksikore).

Kuptimi mbizotërues, kuptimi tërësor i frazave fjalësore qëndron në raportin e mëvetësisë, pavarësisë kuptimore të gjymtyrës kryesore, gjymtyrës kyçe, gjymtyrës kuptimbartëse. Frazat fjalësore  e ruajnë  komponentën njëkuptimore, e ruajnë kuptimin e tyre  kryesor fjalësor. Këto fraza dallohen me njëkuptimësi, me monosemi, sepse, njëkuptimësimi i mbarë frazës ka të bëjë me njëkuptimësimin përmbajtësor të gjymtyrës kryesore,  gjymtyrës kyçe, gjymtyrës kuptimbartëse,  që mbarë frazës  i jep, i kushtëzon  marrëdhënie, raport  njëkuptimor, monosemik.

Fraza  njëkuptimore, monosemike janë ,bie fjala, frazat  fjalësore  nën a) e merr në  (për) analizë diçka (një çështje etj.) dikush, ;(e)  merr në (për) trajtim diçka (një çështje etj.) dikush, (e) merr për shtjellim diçka (një çështje etj.) dikush, (e) merr për shtjellim diçka (një çështje etj.) dikush, e merr në  shoshitje  diçka (një çështje etj.) dikush, e merr në përimtim  diçka dikush, e merr në shqyrtim diçka dikush, e fut  në andralla dikë dikush  a diçka, i nxjerr andralla dikush dikujt, i  sjell andralla dikush dikujt, e  shtie në andralla  dikush dikë, bie në brengë dikush, e zë brenga dikë, i jep brengë dikujt dikush, e këllet në brengë dikë  diçka, i sjell brengë dikujt diçka, e shtie në brengë dikë diçka, e vë në brengë dikë diçka, merr cytje (nxitje (shtysë, shtytje, yshtje) dikush  etj.

Te frazat e mësipërme e të mëposhtme  fjalësore, nën a) , ndodh  akti, procesi  i kuptimësimit, përkatësisht i njëkuptimësimit nën ndikimin  mbizotërues të gjymtyrës kryesore, gjymtyrës kyçe, gjymtyrës kuptimbartëse (analizë, trajtim, shtjellim, shoshitje, përimtim, shqyrtim, andrallë, brengë, cytje, nxitje shtysë, shtytje, yshtje etj.

Le të analizohen me vëmendje  radhazi  shembujt  e mëposhtëm  frazave fjalësore:

a)  e merr në  (për) analizë diçka (një çështje etj.) dikush fr.fol.,fj.- (e) analizon  diçka (një çështje etj.) dikush, e shqyrton, e trajton, e shtjellon mirë e mirë, hollë e hollë, hollë e mirë  diçka (një çështje etj.)dikush;(e)  merr në (për) trajtim diçka (një çështje etj.) dikush fr.fol.,fj.- e shtjellon, e trajton, e vlerëson a e zgjidh diçka (një çështje etj.) dikush në një mënyrë të caktuar; (e) merr për shtjellim diçka (një çështje etj.) dikush fr.fol.,fj.- e shtjellon, e parashtron, e shpjegon, e sqaron,e vlerëson diçka (një çështje etj.) dikush në hollësi e në mënyrë të caktuar; e merr në  shoshitje  diçka (një çështje etj.) dikush fr.fol.,fj.- e shqyrton me imtësi e me kujdes diçka (një çështje etj.) dikush, e rrah mirë e nga të gjitha anët diçka dikush, e shkoqit hollë-hollë  diçka (një çështje etj.) dikush, e heton me kujdes diçka (një çështje etj.) dikush; e merr në përimtim  diçka dikush  fr.fol.,fj.-e shqyrton, e zbërthen diçka me shumë imtësi, hollësi diçka dikush,e  shqyrton  diçka duke hyrë  edhe në hollësitë më të vogla, e përimton  diçka dikush;  e merr në shqyrtim diçka dikush  fr. fol., fj. - e shqyrton diçka dikush; e fut  në andralla dikë dikush  a diçka fr.fol.,fj.-e andrallos, e brengos, e shqetë-son, e mundon,  e merakos dikë  dikush a diçka, i sjell, i shkakton kokëçarje, halle, telashe dikush a diçka dikujt; i nxjerr andralla dikush dikujt fr. fol.,fj.- e andrallos, e brengos, e shqetëson, e merakos dikush a diçka dikë, i sjell, i shkakton kokëçarje, halle, telashe dikush a diçka dikujt; i  sjell andralla dikush dikujt fr. fol.,fj.-e andrallos, e brengos, e shqetëson dikush dikë, i sjell kokëçarje dikush dikujt; e  shtie në andralla  dikush dikë fr. fol., fj.- e andrallos, e brengos, e shqetëson, e merakos dikush a diçka dikë, i sjell, i shkakton kokëçarje, halle, telashe dikush a diçka dikujt; bie në brengë dikush fr. fol.,fj.-brengoset, shqetësohet, hidhërohet, pikëllohet dikush; e zë brenga dikë  fr.fol.,fj.- shqetësohet, brengoset, merakoset dikush;i jep brengë dikujt dikush fr.fol.,fj.- e brengos, e shqetëson, e merakos, e mundon dikë dikush, i shkakton kokëçarje, halle, telashe dikujt dikush; e këllet në brengë dikë  diçka fr.fol.,fj.- e brengos, e shqetëson, e merakos, e mundon dikë  diçka, i shkakton kokëçarje, halle, telashe  diçka dikujt; i sjell brengë dikujt diçka  fr.fol.,fj.- e brengos, e shqetëson, e mundon, e strapacon dikë diçka , i shkakton kokëçarje, halle, telashe dikujt diçka; e shtie në brengë dikë diçka fr.fol.,fj.- e brengos, e merakos,  e shqetëson,  e leqendis  dikë diçka, i shkakton kokëçarje, halle, telashe dikujt  diçka; e vë në brengë dikë diçka  fr. fol., fj.- e brengos, e shqetëson diçka dikë, i shkakton kokëçarje, halle, telashe  diçka dikujt; merr cytje dikush fr.fol.,fj.- nxitet, shtytet, yshtet dikush për të bërë diçka. S.merr nxitje (shtysë, shtytje, yshtje) etj.etj.

Edhe  disa fraza  stilistikore, i cilëson, i karakterizon  njëkuptimësia, sikundër edhe frazat fjalësore.Derisa frazat fjalësore shënojnë, shprehin veprime, cilësi, tipare, rrethana të rëndomta , të mirëfillta,  konkrete veprimi,  frazat stilistikore njëkuptimëshe  shënojnë, shprehin  veprime, cilësi, tipare e rrethana të larta, të fuqishme veprimi, tipare e rrethana intensive fytyrore, figurative.

Frazat  njëkuptimore (monosemike) stilistikore në ligjërim dhe shkrim  letrar-artistik, gazetar-publicistik dhe dijesor, sado që marrin  karakter dhe  kuptim  njëvlerësh stilistikor , megjithatë, me  anën  e tyre  gjen sendërtim  të shprehurit e bukur  kumtimor, komunikativ, fluganor, dinamik, tërheqës, shprehës, ekspresiv  dhe fytyror,  figurativ.

Frazat stilistikore njëkuptimëshe, monosemike,  edhe pse me vlera   njëkuptimëshe fytyrore,hyjnë në punë  për të  intensifikuar shprehjen letrare-artistike shqipe, për t’ i dhënë kësaj  karakter dhe shkallë  të lartë, të fuqishme, të gjallë, të bukur, fytyrore kumtimore, komunikative.

Fraza njëkuptimëshe, monosemike  stilistikore, janë, bie fjala, frazat nën b)  fraza metaforike: bëhet afion dikush,  fraza ironike: bie dielli anë e mbanë,  fraza idiomatike: bie dielli mbi diell,  fraza metonimike:  po bie dielli përdhe,  fraza perifrastike: dalë e pa dalë dielli,  fraza metaforike: është dhëmb  i vjetër dikush, fraza ironike : e heq në baltë dikë dikush, fraza  idiomatike: ka baltë në thua dikush, fraza ironike: hyn në baltë dikush, fraza metonimike: ngrihet nga balta dikush, fraza metonimike: e nxjerr nga balta (prej  balte)  dikë dikush, fraza idiomatike: i zë thoi baltë dikujt, fraza ironike: sharron në baltë dikush, fraza ironike: i (ia) qëron baltën e thoit dikujt dikush, fraza ironike: ia ngjet balushën  dikujt dikush, fraza ftillimore: del me ballin përpjetë  dikush, fraza metonimike: e ka ballin të larë dikush, fraza metonimike: ia lan ballin e zhiguar dikujt a një vendi dikush, fraza metonimike: e mban ballin lart, fraza  ftillimore: e lë cung e rrah   dikë dikush,  fraza ironike: flet të trasha dikush  etj.etj.

Le të analizohen me vëmendje  radhazi  shembujt  e mëposhtëm  frazave stilistikore:

b)  bëhet afion dikush fr.fol.,met.- zverdhet shumë, pa masë dikush ; bie dielli anë e mbanë fr.fol., iron.- bëhet shumë vonë, ka kohë që ka lindur dielli; bie dielli mbi diell fr.fol.,id.- e gjen njëri tjetrin, janë njëlloj, njësoj, kanë tipare, cilësi të njëjta; po bie dielli përdhe  fr.fol., meton.- bën shumë vapë, bën vapë e padurueshme, e madhe; dalë e pa dalë dielli fr.ndf., per.- shumë herët, pa aguar, pa gdhirë mirë, ndaj të gdhirë; është dhëmb  i vjetër dikush fr.fol.,met.- është i mësuar në jetë dikush, ka përvojë të mirë dikush,e njeh mirë jetën dikush, i njeh mirë njerëzit dikush ; e heq në baltë dikë dikush fr.fol.,iron.-e shpie në udhë të keqe, të shtrembër dikush dikë, e çon në rrugë  të keqe, të gabuar dikush dikë; ka baltë në thua dikush fr. fol., id.- është në gjendje të mirë ekonomike dikush, është mirë nga gjendja ekonomike dikush, është i kamur, i pasur dikush, jeton shumë mirë dikush; hyn në baltë dikush fr.fol.,iron.-gabon shumë keq, shumë rëndë dikush, ngatërrohet keq në ndonjë punë a çështje dikush; ngrihet nga balta dikush fr.fol.,meton.-del a shpëton nga një gjendje e vështirë, e keqe, kritike, e ngushtë dikush, shpëton nga një hall a vështirësi, e keqe dikush; e nxjerr nga balta (prej  balte)  dikë dikush fr.fol.meton.-e ndihmon , e përkrah dikë dikush që të dalë nga gjendja e vështirë në të cilën ndodhet, e shpëton dikë dikush  nga një hall  a vështirësi, e keqe; i zë thoi baltë dikujt fr. fol., id.-fillon ta marrë veten ekonomikisht dikush, nis të dalë nga gjendja e keqe ekonomike dikush, mëkëmbet dikush, arrin në një gjendje të mirë ekonomike dikush; sharron në baltë dikush fr.fol.,ron.- njolloset, poshtërohet, shpërnderohet fare dikush, komprometohet keq dikush; i (ia) qëron baltën e thoit dikujt dikush fr.fol.,iron.- e zbulon se kush është dikë    dikush,  ia zbulon të fshehtat dikujt dikush, ia nxjerr rrenat, të palarat në shesh dikujt dikush; ia ngjet balushën  dikujt dikush fr.fol.,iron.-e bën me turp para të tjerëve, para botës dikush dikë, e turpëron botërisht dikush dikë, e diskrediton, e komprmeton e njollos, e damkos dikush dikë; del me ballin përpjetë  dikush  fr.fol.,ftill.- del pa frikë, pa u frikuar dikush, del krenar dikush; e ka ballin të larë dikush  fr.fol.,meton.- është i pastër, i papërlyer, i panjollë,i pafajshëm, i ndershëm dikush, nuk është i përlyer, i përzier në një punë të keqe, të pahijshme, të pandershme  dikush; ia lan ballin e zhiguar dikujt a një vendi dikush fr.fol.,meton.- ia heq turpin dikujt a një vendi dikush, ia kthen  emrin e mirë ose nderin, krenarinë  që i është përlyer dikujt a një vendi dikush, e vë përsëri në vend emrin e mirë ose nderin, krenarinë që gëzonte dikur a më parë dikush a një vend, e bën të qëndrojë krenar, ballëlart dikë a një vend dikush, ia kthen, ia bie  nderin, erzin në vend dikujt a një vendi dikush;e mban ballin lart dikush fr.fol.,meton.-krenohet dikush, është i guximshëm e i  papërkulur dikush ,është krenar, ballëhapur dikush, qëndron  krenar dikush;  e lë cung e rrah   dikë dikush fr.fol.,ftill.- e lë fare të vetmuar dikë dikush, e lë fare vetëm dikë dikush; flet të trasha dikush fr.fol.,iron.- flet gjëra fare pa kuptim dikush, flet marrëzira dikush, flet gjëra të kota, të marra dikush. tj. etj.

Nga sa u mor në shqyrtim e shtjellim, del se,  përveç  frazave fjalësore, njëkuptimësia, monosemia,  i cilëson,  i karakterizon njëherazi edhe disa fraza  stilistikore. Sado që te frazat fjalësore, gjymtyra kyçe, gjymtyra kuptimbartëse, i përcakton mbarë frazës, kuptim parësor, kuptim të mirëfilltë, te frazat stilistikore  ndodh çkuptimësimi ose humbja e kuptimit të gjymtyrëve përbërëse, në të cilin proces zë fill  procesi  i njëkuptimësimit tërësor, njësor i gjymtyrëve përbërëse, njëkuptimësimi përmbajtësor përfytyrimor njësor  fytyror.

Në fund, mund të  nxjerrim si përfundim,  mund të përfundojmë::  frazat  njëkuptimore fjalësore, me vlerat e tyre kuptimore, sendërtojnë  vlera retorike e logjike, ndërsa, frazat  njëkuptimore stilistikore, me vlerat e tyre kuptimore fytyrore, sendërtojnë vlera shprehëse, ekspresive e impresive. Vlerat e frazave   njëkuptimore  fjalësore gjejnë shprehje e sendërtim në ligjërim objektiv, retorik letrar, ndërsa vlerat  e frazave njëkuptimore stilistikore,  gjejnë shprehje e sendërtim, në ligjërim fytyror, figurativ dhe  estetik letrar.

B. HOMONIMIA  FRAZEOLOGJIKE

Shumëkuptimësia,  përkatësisht  dykuptimësia e disa frazave ndryshon, sepse,  përmbajtjet e tyre   të njëjta kuptimore , përkatësisht  dykuptimore, nuk janë më të afërta  në mes vete, por janë më vete, janë përmbajtje kuptimore homonimike.

Frazat  homonimike, ndonëse  dalin  shumëkuptimore, përkatësisht  dykuptimore për nga kuptimi semantik, kuptimet e tyre janë të veçanta dhe nuk përputhen në mes vete, sado që kanë  strukturë të njëjtë  a të përbashkët të elementeve  përbërëse, ndërtimore  gjymtyrore (fjalësore).

Frazat homonimike ironike: rrah ujë në havan dikush, bluan të trasha  dikush, frazat  homonimike metaforike: i derdh balsam dikujt dikush   a diçka, ia këput në cung fr.fol.,met.-1. (dikujt dikush), i ka duart e (të) shkurtra  dikush,  frazat idiomatike : e ha çivinë dikush,  i bie ballas  diçkaje dikush, bën ballë dikush a diçka, frazat ftillimore : ; del me ballë të larë dikush, del me ballë (me ballin) lart dikush, mbetet si cung i zi  dikush, është dorë e fortë  dikush a diçka, duket si dhia në mes të dhenve diçka a dikush etj. etj. bëjnë pjesë në radhën e shumëkuptimësisë, përkatësisht dykuptimësisë  frazeologjike  homonimike.

Pasi  disa fraza për nga natyra semantike kanë strukturë njësore semantike të të gjitha elementeve përbërëse, si pasojë e rrjedhojë,  ndodh   dukuria e çkuptimësimit, desemantizimit  të tyre  të pjesshëm  a    plotë . Kështu, me humbjen e  shumëkuptimësisë, përkatësisht, dykuptimësisë zënë fill  frazat homonimike. Te frazat e këtilla kemi kufij të çlirë në mes të shumëkuptimësisë, përkatësisht, dykuptimësisë  dhe homonimisë.

Te  frazat homonimike bëjnë pjesë shembuj të frazave, te të cilat kuptimet më nuk janë të afërta  ose  kuptimi i parë semantik  e humb lidhjen   kuptimore me kuptimin e dytë semantik  sikundër të ishin dy fraza më vete, dy fraza të mëvetësishme.  Këtë e dëshmojnë   frazat e marra në shtjellim e shqyrtim,  kuptimet   homonimike  të të cilave  po    analizohen me vëmendje  e radhazi, vërtetojnë  pohimet tona,  si bie fjala: rrah ujë në havan dikush fr.fol., iron.- 1.flet kot së koti  dikush, dërdëllit, llomotit, rokanis dikush. 2. e shkon, e kalon kohën kot, duke u marrë me kotësi dikush, merret me diçka të padobishme, të kotë dikush, bën punë të kotë dikush; bluan të trasha  dikush fr.fol., iron.- 1. flet mbarë e prapë dikush, flet, thotë budallallëqe dikush.2. flet pa u menduar dikush, flet pa i kontrolluar fjalët dikush; i derdh balsam dikujt dikush   a diçka fr.fol.,met.-1.e qetëson dikë dikush a diçka .2.e ngushëllon dikë dikush a diçka, ia zbut dhembjet dikujt dikush a diçka;  e ha çivinë dikush fr.fol.,id.-1. e pëson një dëm, një të keqe dikush . 2. mashtrohet, gënjehet dikush ;  i bie ballas  diçkaje dikush fr. fol.,id.-1.i (ia) hyn drejtpërdrejt diçkaje (një pune etj.) dikush.2. e thotë drejt, drejtpërdrejt, pa druajtur,haptazi, çiltërisht diçka dikush, nuk e zgjat diçka dikush, e thotë  prerë, me vendosmëri të plotë diçka dikush ; bën ballë   fr.fol.,id.-1.(dikush) qëndron i fortë dikush, mbahet, nuk  jepet, duron dikush, qëndron, përballon, qëndron i patundur   dikush., nuk dorëzohet  dikush. 2. (dikush a diçka) nis,  fillon të dalë, të duket a të shfaqet dikush a diçka, duket,  duket nga larg, së largu dikush a diçka, duket përnjëherësh dikush a diçka, sapo del, sapo duket, shfaqet, paraqitet dikush a diçka, sapo fillon të duket  dikush a diçka ; del me ballë të larë dikush fr. fol.,ftill.-.1.del me ndërgjegje të pastër dikush, del i pastër dikush, e shlyen një njollë dikush dhe del ballëhapur para të tjerëve dikush, e kthen emrin e mirë ose nderin që i është përlyer dikush, e vë përsëri në vend emrin ose nderin që gëzonte dikur  a më parë dikush, del i pastër, i panjollë, i pafajshëm dikush, e heq përgjegjësinë, fajin nga vetja dikush. 2.  del me nder, me faqe të bardhë dikush, del faqebardhë dikush, del i nderuar dikush, del i panjollë, i ndershëm  dikush ; del me ballë (me ballin) lart dikush fr.fol.,ftill.-1.del krenar,del pa frikë, pa u turpëruar para të tjerëve, para botës dikush.2. del i nderuar, del me nder, del me sukses dikush; ia këput në cung fr.fol.,met.-1. (dikujt dikush) ia thotë prerë, ia thotë me vendosmërinë më të madhe, ia thotë shkurt e pa mëdyshje, ia thotë hapur, drejt, drejtpërdrejt diçka dikujt, i përgjigjet vendosmërisht, prerazi, shkurt dikujt dikush, ia thotë me saktësinë, me  ngulmërinë  më të madhe dikujt dikush diçka.2. e detyron dikë dikush  të sillet a të veprojë si duhet  a në një mënyrë të caktuar, e mban në gjendje të detyruar, të shtrënguar dikë dikush, nuk e lë të bëjë si të dojë dikë dikush,  ia mbledh mirë dikujt dikush, nuk e lë të luajë a të veprojë pas qejfit dikë dikush, e detyron, e shtrëngon  dike dikush  të kryejë një punë a ta zgjidhë një detyrë pa asnjë fjalë, pa asnjë vërejtje, pa asnjë kundërshtim ; mbetet si cung i zi dikush fr.fol., ftill.,krah.- 1. mbetet në vend si i ngrirë, si i ngurosur, si i shtangur (nga habia, frika e madhe)  dikush, mbetet pa lëvizur a pa folur (nga habia, frika etj.)  dikush, shtanget, nguroset në vend dikush (nga habia, nga frika etj.) dikush, nuk mund fare të lëvizë a të flasë  dikush (nga habia, nga frika etj.) dikush.2. pikëllohet, tronditet shumë, pa masë dikush ; është dorë e fortë fr.fol.,ftill.- 1. (dikush) është  i pamposhtur, i paepur, i pathyeshëm, i papërkulur, i pashtruar, i patundur, i palëkundshëm dikush. (HB-FPD f. 87). S. shih sin: është arrë e fortë dikush. 2. (diçka) është mbështetje, ndihmë e fuqishme diçka.- Rezultatet…do të jenë dorë e fortë për shkencën objektive jugosllave, së cilës s’ i ka munguar  fryma objektive. (IA-4 f. 18); i ka duart e (të) shkurtra  dikush fr.fol.,met.-1. është i penguar, i kufizuar në veprime dikush,nuk është i lirë të veprojë, të punojë ashtu si do, si dëshiron a si mendon vetë dikush.2. nuk ka fuqi, pushtet a mundësi për të kryer një punë (jo të mirë) dikush, nuk ka fuqi a mundësi për të shtënë në dorë diçka dikush ; duket si dhia në mes të dhenve) fr.fol.,ftill.-1.(diçka) duket sheshazi, haptazi, vetiu diçka, e sheh çdokush diçka, u bie në sy të gjithëve diçka, s' ka nevojë për shenjë tjetër, është një gjë që duket vetiu, shihet sheshazi, vetiu diçka. (HB-FPD f.102).2.(dikush) bie në sy, dallohet shumë dikush në mesin e të tjerëve (për të mirë a për të keq), veçohet, dallohet prej të tjerëve për diçka dikush, dallohet sheshit, fare qartë prej të tjerëve dikush. (UÇ-3/ 80 f. 137, FGJSSH f. 406, MIHO-DI f. 180)  etj.etj.

Se roli i kontekstit, madje i kontekstit regjional  është i pranishëm  te  homonimitë  frazeologjike, po i marrim dy shembuj frazash homonimike : është dorë e fortë fr.fol.,ftill.- 1. (dikush) është  i pamposhtur, i paepur, i pathyeshëm, i papërkulur, i pashtruar, i patundur, i palëkundshëm dikush. (HB-FPD f. 87). S. shih sin: është arrë e fortë dikush. 2. (diçka) është mbështetje, ndihmë e fuqishme diçka.- Rezultatet…do të jenë dorë e fortë për shkencën objektive jugosllave, së cilës s’ i ka munguar  fryma objektive. (IA-4 f. 18) dhe duket si dhia në mes të dhenve fr.fol.,ftill.-1.(diçka) duket sheshazi, haptazi, vetiu diçka, e sheh çdokush diçka, u bie në sy të gjithëve diçka, s' ka nevojë për shenjë tjetër, është një gjë që duket vetiu, shihet sheshazi, vetiu diçka. (HB-FPD f.102).2.(dikush) bie në sy, dallohet shumë dikush në mesin e të tjerëve (për të mirë a për të keq), veçohet, dallohet prej të tjerëve për diçka dikush, dallohet sheshit, fare qartë prej të tjerëve dikush. (UÇ-3/ 80 f. 137, FGJSSH f. 406, MIHO-DI f. 180).

Kuptimi  i parë  i shembullit të parë të  frazës  : është dorë e fortë dikush,  është kuptim  me kontekst regjional, kuptim që del në trevën e Drenicës (në Kosovë), ndërsa kuptimi i dytë  i frazës në fjalë është kuptim kontekstual  i ligjërimit  dijesor, i kontekstit ligjërimor dijesor  të akademik  Idriz Ajetit në veprën gjuhësore : Studime gjuhësore në fushë të shqipes (4), Rilindja, Prishtinë, 1989 f. 18, si bie fjala :-Rezultatet…do të jenë dorë e fortë për shkencën objektive jugosllave, së cilës s’ i ka munguar  fryma objektive. (IA-4 f. 18).

Kuptimi  i parë  i shembullit të  dytë    frazës : duket si dhia në mes të dhenve , është kuptim  me kontekst regjional, kuptim që del në trevën e Drenicës (në Kosovë), ndërsa kuptimi i dytë  i frazës  së dytë  është kuptim po ashtu me kontekst regjional, me kontekst regjional të Myzeqesë dhe Dibrës, kuptime që i kanë shënuar Uan Çina e Mitat Hoxha.

Dy  kuptimet  e frazës homonimike : duket si dhia në mes të dhenve , janë kuptime të mëvetësishme,  kuptime që dalin më vete në treva e regjione shqiptare : Drenicë, Myzeqe e Dibër.

Shembulli  i fundit i frazës dëshmon  se kemi edhe homonimi  frazeologjike me bazë regjionale.



(Vota: 18 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora