E diele, 28.04.2024, 12:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Sabit Rrustemi: Në fytyrën e një gjethi (7)

E premte, 28.06.2013, 07:51 PM


Sabit Rrustemi

 

E KAM KOSOVËN

(Në ditëvdekjen e Nekibe Kelmendit)

 

Me maska e pa maska

i ranë në shtëpi

 

E mbajti veten

nuk u dha

 

Kur para syve

i a grinë në plumba

burrin djemtë

 

Ajo përpiu lotin

si motin

 

Ty po të lëmë të vetme

u zgërdhinë

 

E kam Kosovën

u tha qetë

 

Po për kë do të jetosh

e tallën sërish

 

Për Kosovën

u tha troç

 

Do ta djegim

do ta bëjmë hi

e kërcënuan

 

Kosova do të lind prapë

në sytë e mi

 

Me sy të kaltër

e timen dashuri

 

(19 qershor, 2012)

 

 

MBI DITËN E LODHUR

 

Nata shtrihet

mbi ditën e lodhur

 

Pa shumë zhurmë

na i zbath këpucët

na i zhvesh rrobat

 

Dhe djersët

dhe atë pluhur të strukur

nënsqetullave

leqeve të gjunjëve

e leshrave të trupit

përmes një dushi e dëbon

kanaleve të nëndheshme të tokës

 

E na shtrinë dhomave

me dritëza të fikura

 

As mizat tek zukasin

as qentë tek lehin

gjumin e parë të natës

nuk e trembin

 

Gjumi

ky shërbëtor i verbër

që shfaqet natës

luan me ndjenjat tona

deri në mëngjes

 

(22 qershor, 2012)

 

 

NJË LAVATRIÇE FJALËSH, JU LUTEM

 

Fjala mashtron dhëmbët

përmes gjuhës

del

merr dhenë

 

Kur është e plotë

ndrit një botë

 

Kur ndërron

ballin rrudh

fytyrën skutëlon

 

po u hëngër

erë

e përerë

 

Verën e bën dimër

dimrin rrallëherë verë

 

Në prag porte

mbin ferrë

 

E dhëmbët

dhëmbët luten pa pra

 

Hyn fjalë

kah dole

se faqen e zezë

vole

 

Kot i lajmë dhëmbët

përditë

e gjuhën s'e rrudhim

 

Një lavatriçe për fjalët

ta shpikim

ju lutem

 

Për hir të fytyrës

e natyrës

 

(22 qershor, 2012)

 

 

BLERËSIT KOHË TJETËR PRESIN

 

Vjelljet publike

nëpër tezga tregu

s'i blen kush

 

Blerësit

një kohë më të flladitshme

presin

 

As zhegiten

për zëra të çjerrë

 

Fytyrat ua ka veshur bloza

të pashije kanë ngelur

si boza

 

Ç'të them tjetër

imzot

 

Ata që vjellin të lehura sot

po harrojnë

ku kanë ngrënë dje

 

Lutu për një shi

e bimë të re

 

Frytin e bekimit tënd

presim ne

 

(23 qershor, 2012)

 

 

PA TEKLIF...

 

(Me këtë Nexhatin tim)

 

Vazhdimet janë duke e hetuar shiun

jo nëpër vranësira

as dete e lugina

 

Po nëpër mëkatet tona të parrëfyera

 

Lëri le të ecin shlirë

le të prekin ku ua merr mendja

sall shiko mos po dredhojnë udhë

e mos pyet po na kapi thatësia

 

Për zotin

na e bën më zi se ngrirja.

 

(4 korrik, 2012)

 

 

SEKUSH MA TREMBI SHIUN

 

U dogja së prituri

nën këtë ombrellë kaltëroshe

e as më flladiti jotja puhi

e as më lagu një re me shi

 

As hoqa dorë nga imja dashuri

 

Sekush ma trembi shiun

dhe një dredhë përpushi

qerpikët pluhur m'i mbushi

 

Mbeta para porte

i vetëm krejt mbeta

as një pikë për be

as dhe ty të gjeta

 

Me cilën re iku shiu

cilën vetëtimë shalove ti

të të ndjek pas me bubullimë

 

Sekush ma trembi shiun

bimën e re ma la të etur

buzët e mia të përndezura

 

(6 korrik, 2012)

 

 

PA NJË ËNDËRR MOLLE S’RROJMË

 

Brenda trupit të kësaj molle

bymuar e rrezbitur kohësh

zunë vend e hoje thurën grerëzat

 

Ziejnë e vlojnë

papritur sulmojnë

udhës duke udhëtuar

a shtegut aty mbi krua

 

Kokërrmollët piqen

zverdhen e rrudhen

pa u shijuar

 

Atë vrimë dreqi

nuk e mbyllin ma bajgat

që ia hedhim mbrëmjeve

në t'ikur

 

As dhe një grusht baltë

që thahet nga e para rreze

 

T'ia vëmë zjarrin trupit të mollës

mbesim pa një ëndërr

pa një lulemollë

 

Ta lëmë nën zukamën e helmët

s'i ta lëmë

një mëkat më shumë

në arrëz fyti do të mbajmë

 

Hajde t'ia lëshojmë krejt ujët e kroit

ta lajmë nga të zezat

që lëshuar shtat brenda kanë

 

Nëse i thua vetit malësor

hapin mos e ndal

 

Pa një ëndërr molle s'rrojmë

 

(11 korrik, 2012)

 

 

NËSE E TAKONI DIKU SHIUN

 

Nëse e shihni diku shiun

apo rastësisht ju ndërhyn në lidhje

mos i mbyllni mobilët

mos i hapni as ombrellat

vetëm buzët çelni

e thoni me afsh

biletën e ke gratis për Çepur

dhe leje qëndrimin sipas dëshirës

në çdo stinë

 

Shiun nëse e takoni diku

mos e bëni zemrën gur

tregojani rrugën për Çepur

 

As dhe një pikë ujë

s'kishte mbetur në zgurrë

 

Vetëm krojet ende

pikojnë buzëve shkrumb

 

Nëse diku shiun e takoni

as një çikëz më

mos e vononi

 

(12 korrik)



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora