Kulturë
Rexhepi: Tefik Selimi - Gjimnazi “Zenel Hajdini”
E merkure, 26.06.2013, 08:29 PM
Tefik
Selimi: Gjimnazi “Zenel Hajdini” i
Gjilanit (1945-2013)
Nga Mehmetali Rexhepi
“68 vjet
ecje drejtë dritës” është një nënvizim iluminist mjaft domethënës, sikurse janë
domethënëse pamjet e hershme të Gjimnazit të dy periudhave, të brezave që
jetuan dhe ende vijojnë t`i përjetojnë nga vistra e shëmbëlltyrave, të atyre që
kishin formësuar modelin e edukatorit e, për edukatorët dhe arsimuesit pasues;
por ballinës dhe përfundimit i mungon dukja e gjimnazit të së ardhmes, ndoshta
edhe parashikimi për periudhën e tretë të rrjedhave të mësimdhënies e
mësim-nxënies: kahet, kriteret, përmbajtjet, mënyrat, metodologjia e zbatimit
të tyre, qasjet, risitë, ritmet dhe
zbatimi i atillë çfarë do ta lypte jeta,
mjedisi njerëzor, gjetja e burimeve të reja, gjithnjë më të zvogëluara,
riciklimi i tjerave për ekzistencë, mirëqenie, lumturi dhe mbarëvajtje të “homo
sapiens - it”, edhe të botës tjetër, të ndërvarur, bimore e shtazore. Me këtë
rast solemn përurimi, e çmoj vullnetin dhe guximin e mikut tim, Tefik Selimi që
i hyri grumbullimit disa vjeçar, renditjes, përpjekjes për të mbarë- shtruar
këtë lëndë të pleksur, të shkapërderdhur, të, pothuajse, shtatë dekadave
funksionimi herë si gjimnaz edukate të imponuar hegjemoniste, herë si shkollë e
drejtuar nga ideologjia e një mendësisë... Duke kurdisur shartime të huaja të
pa shartuara për një trup që kishte rrënjë dhe truall për to, por që spërkatej
me helmin e shovinizmit për t`ia tharë degët.
Nismën e
autorit, për t`i përmbledhur ngjarjet, nyjëtimet e dhjetëvjeçarëve arsimore, të
rrjedhave edukative-mësimore të Gjimnazit të Gjilanit, e kam mirëpritur prore
duke ia theksuar dhe drojën time për një këso projekti të rrëshqitshëm, në
kuptimin e shmangies nga dokumentimi relevant, i lëshimeve për çështje
thelbësore, të asaj që quhet vërtetësi historike, mbetja eventuale e përmasës
madhore jashtë kopertinave, të kënd shikimeve të ngushta nga ndërfutja e
subjektivizmit e të ndonjë prapashtese tjetër.
* * *
E di për
mësymjen e mikut tim Tefik, e kam theksuar dendur fjalën kujdes dhe, natyrisht
togfjalëshin e parimit të çdo shkrim-ëndërruesi “ngutu ngadalë”. Në këtë
pikëpamje Tefik Selimi nuk e përfillte ngurrimin për t`i hyrë qoftë i vetëm
mbledhjes, si bleta, të dëshmive të folura e të shkruara për hartimin e tyre,
të një vistre portretesh, profesorësh me nam, nxënësish cilësorë, të dhënash e
kronologjisë së dëshmuar, dokumentimit me ngjyrime letrare, figurative,
gjithsesi brenda sinorëve të shqiptimit publicistik.
Autori i
librit për Gjimnazin “Zenel Hajdini”, që kap 341 faqe të formatit të librit
monografi, është i vetëdijshëm për lëshimet e mundshme, për ndonjë qasje më të
përqendruar në çështje jo parësore dhe, qasje më pak të përqendruar në çështje
parësore, por ai shfaq me modesti mirëkuptimin e tij. Le ta kuptojmë arsyetimin
e modestisë së tij si të sinqertë, le t`ia bekojmë qëllimin krejtësisht të
çiltër, ngase tashmë në dorë, pa u lodhur fare, e kemi librin më përmbledhës
dhe të vetmin deri tash për Gjimnazin e Gjilanit, si vatër e edukimit,
arsimimit dhe kulturës të shumë brezave me ndikim edhe jashtë trevës së
rajonit, me përmasa kombëtare.
Në
mjedise ku kultivimi i librit ekipor është traditë, përgjegjësinë për bërjen e
një libri të këtillë e marrin grup autorësh dhe, secili nga këndvështrimet e
veta të specializuara.
Pikërisht
këtu reflektoi droja ime për ndonjë rrëshqitje të mundshme.
Si
përmasë zotëruese e vistrës së karaktereve të edukatorëve, të cilët parakalojnë
nga faqja në faqe është spikatur vetëm syprina pozitive e tyre, asnjë dobësi,
as të metat e ndonjërit sish nuk preken. Çfarë t`i themi historisë? Mos vallë
të gjithë arsimtarët tanë kanë qenë të praruar? Askush nuk ka diferencuar? Këtë
rol nuk e mori autori, Tefik Selimi. Pjesa e padukshme e ajsbergut në këtë
monografi, ndoshta do t`iu lihet studiuesve në të ardhmen, të një të ardhmeje
shteruese, jashtë klisheve e hatëreve të së sotmes.
Gjimnazi
i Gjilanit me arsimtarët, nxënësit, prindërit, qytetarët u sprovuan që nga
zanafilla me trajta të ndryshme të trysnive shtetërore, përmes formave finoke
të imponimit deri te shfaqja e hapur e diskriminimit, dhunës ndaj nxënësve e
arsimtarëve shqiptarë, nën gërshërët e censurimit politik, eksperimentimeve të
pa dobishme, orientimit për efekte politike të dijes, të përmbajtjeve mësimore,
diferencimi ideopolitik si gjuhë e përçarjes, helmimet e tmerrshme mbi rininë
shqiptare, si njëra nga shfaqjet më të shëmtuara të urrejtjes serbe, ndrydhja e
veçorive kombëtare, kultivimi i një edukimi nënshtrues dhe dalja në sipërfaqe e
qëndresës së heshtur, mandej gjithnjë më hapur, e kundërshtisë së personelit
shqiptar, mbyllja e shkollës shqipe nga masat policore të hegjemonistëve serbë.
Rrjedhës
kronologjike të këtyre sprovave po kultivohej njëkohësisht sedra e mos
nënshtrimit, e kërkimit të barabarësisë, e forcimit të krenarisë njerëzore e
kombëtare, e ngritjes së vlerave dhe unitetit veprues, moral e profesional,
sjellja e një etike dhe estetike të paluhatshme, vetëmohuese, rikthimi i
besimit te vetvetja, te energjitë e brendshme mobilizuese, të cilat u dëshmuan
në gjirin e popullit dhe për popullin në “shtëpitë - shkolla”.
Gjatë
gjithë këtyre ecejakeve, autori spikati aty-këtu edhe shpirtin flijues të
akëcilës shëmbëlltyrë të arsimdashësve shqiptarë, nxënës, arsimtarë, prindër,
donatorë, gjithnjë pa sharruar në urrejtjen patologjike që e kultivonte
As si
mendësi e shkruar, as si trajtë e barbarisë, shqiptarët nuk e përvetësuan
barbarinë, nuk iu përgjigjën askujt me barbari, nuk e zbatuan mizorinë e saj,
edhe në çastet kur arsyeja njerëzore
errësohej nga epshet e hakmarrjes.
Sado të
jenë paragjykuese e shpifëse përpjekjet e fqinjëve grabitqarë, nuk është
argumentuar dot shfrenimi i shqiptarëve, së paku gjatë periudhës së mesjetës së
vonshme deri në periudhën e globalizmit.
* * *
Kronologjia
dhe logjika e ngjarjeve e sjellë në këtë libër, kërkoi ngjeshje, paraqitje të
dokumentuara të gjitha ngjyrimeve, kthesave, arritjeve, përpos qasjes
sistemuese edhe renditje të ndodhive në vendin dhe kohën e duhur, gamën e gjerë
përgjatë kohështrirjes dhe të thellë të futjes në dukuri, si kronist
gjakftohtë, publicist, përjetues i të ndodhurave, lundërtar i pa anuar, pa u
lëbyrur nga simpatia, por me yllin prijatar të përzgjedhjes vetëm të atyre
bëmave relevante të përtrollitur për kohën dhe meritore për vazhdimësinë e
jehonës tyre. Pa këtë metodologji të pranueshme, do të sillej në një rreth të
mbyllur, pa dalje dhe, pa logjikën e dialektikës.
Jetëshkrimet
e personaliteteve që lanë gjurmë në Gjimnazin “Zenel Hajdini” të Gjilanit dhe
jashtë tij, kush më shumë e kush më pak, kush më shkurt e kush më gjatë, nuk
janë të një dore, përkatësisht të dorës së autorit... Hapësirën për t`i pranuar
portretet e secilit veçmas, autori ua ka lënë në ndërgjegjen e tyre, pa
vendosur kriterin e portretizimit të standardizuar.
Sidoqoftë,
tashmë kemi tërësinë e monografisë së parë për Gjimnazin e Gjilanit dhe, kjo na
bëri nder të gjithëve pa dallim moshash, brezave të shkollarëve e të
arsimdashësve të kësaj vatre edukimi, diturie formësimi kulturor, artistik,
shkencor dhe të drejtpeshimit trupor e mendor.
Tefik
Selimi i bëri nder të veçantë diskursit e vokacionit publicistik, durimit,
përkujdesjes shumëvjeçare për kërkime, gjetje, ruajtje shënimesh, dëshmish,
fotografish, pamjesh ilustruese, faksimilesh 350 sosh, e tjera. Ndërsa sa i
përket stilit, unitetit stilistik dhe kompozimit të monografisë, digresioneve,
hasim s’përputhje të cilat lënë për të dëshiruar ngjeshje, dendësi dhe
përputhje në rishikimin, ri-zgjerimin e ri-shkurtimin përmbajtjesor të temës
dhe motiveve me stilin e gërshetuar ku nuk do të shkelej logjika e
ngritje-rënies së thënies.
Fjalitë
gjithnjë duan rrumbullakime të sakta...
* * *
Një
falënderim i çiltër i takon autorit, përpjekjes për të na bashkuar në një
vëllim libri, për ta evokuar bashkërisht të djeshmen, për ta vlerësuar e çmuar
të sotmen dhe, për t`i zënë ritmet e të përparuarve në botë.
Autorit
shëndet dhe fryte edhe më të pjekura në relievin e shkrimit!
Gjimnazit ngritje në lartësi të reja!