Kulturë
Resmi Osmani: Lakja del në treg
E diele, 23.06.2013, 06:44 PM
Tregim
Nga cikli”Koha e çudirave”
LAKJA DEL NË TREG
Nga Resmi Osmani
Lake
Llullaja, i papunë dhe i ngeshëm, po i binte lartë e poshtë këmbsores mbanë
rrugës. Duhma e rakisë dhe tymi i qofteve që piqeshin i pështjelluan stomakun.
Fyti i ishte tharë si shkarpë për një pikë raki dhe duart i dridheshin, por
s’kishte me se. Paratë e fundit të pensionit kishte blerë ilaçet e tensionit
për të shoqen. I tha mendja të hynte në lokal dhe tia zinte ndonjë të njohuri,
që nga zori do t’i jepte një teke,por nuk e bëri. Nuk donte të thoshnin se
Lakja ishte lapangjoz dhe i binte qylit.Qyteti ishte i vogël dhe gjërat
merreshin vesh shpejt. Ishte kohë krize, kështu thoshin dhe kështu duhet të
ishte, se kokrrën e lekut duhet ta shihje me dylbi. Lakja psherëtiu. Ju kujtua
ajo koha e artë kur me atë të huajin,Mark Daullen, siç e quante ai për lehtësi,
u binin lokaleve pash më pash, zdërhalleshin sa bëheshin rrumbull dhe sikush
këndonte për qejf të tij. Edhe atëhere rrumpallë e rrokopujë ishte, por rakia derdhej lumë. Tashti s’të jepte kush as
ethet e gushtit.
Lakja pa
së largu që po vinte Cufe Zavalli. Ecte ngadalë e me trupin drejtë si të shkuar në hell. Në qafë kishte varur një
tabelë kartoni që i mbulonte gjithë gjoksin. Mbajti këmbët dhe priti sa të
soste aty Cufja. Shkronjat e tabelës, ishin goxha të mëdha dhe të shkruara me
bojë blu. Lakja fshiu sytë që të shihte mirë. “BLej Vota”thoshte tabela.
-Cufe,paske
gjetur punë more zuzar dhe s’më ke thënë gjë!
-Për pak
kohë,-tha cufja,- sa të kalojnë zgjedhjet.
-Por,për
cilin i blen votat more sarraf?
-Për
vete. I blej lirë dhe i shes shtrenjt dhe nxjerr fitimin tim.
-Luaj
more vendit! E ku i gjete ti lekët!
-S’ka
nevojë. Blej veresije dhe ua jap lekët kur i shes.
-Pa shiko
çna qenka! Kush ta shtiu në mendje këtë tregëti?
-E pashë
në televizor. Në Tiranë po bëhet nami!
-Po mua,
sytë më kanë plasur që nuk e kam parë?
-S’të
pjell mendja ty Lake, po se vadite me
atë të uruar raki.
-Po
kështu sheshit fare?
-Po,në
dritë të diellit.
-O dreq!
Demek je bërë me para. E po rroftë sebepi, hajde ta lagim.
-Vetëm
një teke dhe thatë, se s’kam vakt për të humbur.
U ulën në
lokalin e parë që hasën,në tryezat e vendosura jashtë në këmbsoren e rrugës.
Përballë kishin ekranin e madh të televizorit. Harbonte e tërbohej fushata
elektorale. Krerët e partive, zëngjirur, me fjalë, duar e këmbë, u kërkonin me
patjetër votat gjithë shqiptarëve. Premtime, premtime, premtime! Tollovi e
madhe, valëvitje flamurësh, parrullash, mizëri njerëzore, sheshet të
tejmbushur, të thirrura, vërshëllima, brohoritje, duartrokitje. Ca më pas, në
lajme, u duk një gjatovinë,si cironkë e
tharë në tym që fliste nga Brukseli: Një zëdhënëse e zëdhënësit të aksh
komisioneri të BE, po thoshte se: Nga
Shqipëria priteshin zgjedhje “Të lira,të ndershme e të drejta”.
-Kjo i
vuri kapakun, - tha Cufja dhe porositi rakitë. Tabelën e hoqi që të ndihej
rehat. Gota e parë pruri të dytën dhe e dyta të tretën. Cufja që se mbante
pijen e hapi barkun dhe ja rrëfeu shokut gjithë sekretin profesional të asaj
tregtie.
Kur u
ndanë, Lakja e dinte se ç’kishte për te punuar! “Të lira të drejta e të
ndershme”, kishte thënë zonja nga Evropa, por ajo zonja kishte harruar tregun e
lirë që, ashtu siç thoshte shpesh ai Avokati i njohur, ishte kushti dhe mbreti i demokracisë !
Shkoi në
shtëpi shend e verë. Gruaja që e ndjeu së largu erën e pijes, nisi të shante e
mallkonte: Sarahosh, pijanec, qylxhi, lapwrdhar dhe një dyzynë të sharash që
vetëm shpirti i saj i plasur i dinte.
-Mos,- i
tha Lakja,-Sheqerja ime, për kokë tënde! Mos e prish gojën se kam gjetur punë.
Pa më sill rrobet e reja, ato që kam për sebepe.
-Ç’punë
zeza, more dordolec, apo do të venë në ndonjë kopësht të trembish sorrat?
Ai nuk ia
vuri veshin. Ishte mësuar, ajo ashtu e kishte huqin. U rrua dhe u krua për merak. E shoqja e
dëgjonte që ai këndonte mbyturazi nën hundë. U vesh e u pispillos, u pa në
pasqyrë, i shkeli syrin vetes, e kërcënoi me të qeshur, duke tundur gishtin
tregues . Në oborr kishin çelur trandafilat. Kishte parë se kreu i opozitës
vinte një trandafil te xhepi i vogël. Nga ngjyrat ai zgjodhi të bardhën, e
qetë, e sinqertë, paqësore! Bëri yrysh për në Pazar.
U kthye
te një grafist dhe i tha ti shkruante një tabelë kartoni me fjalët “Shes Vota”.
-U bënë
dy.-Tha grafisti. Ka plasur tregëti e madhe. Me ç’ngjyrë i do shkronjat?
Lakja u
mendua, edhe kjo puna e ngjyrave ishte bela më vete. S’dihej si ta merrnin.
-Bëji
jeshile, po ama të mëdhaja e të dukëshme.
Grafisti
e shkroi tabelën, pastaj i shkoi një lidhëse dhe i tha lakes të priste sa të
thahej.
-Të bëhet
puna t’i sjell lekët pasdite, se tani s’më ndodhen?
-Mirë, po
mos harrosh.
Lakja, e
vari në gjoks tabelën “Shes vota”. Me çap të ngadaltë, trupin drejt, u nis
nëpër këmbësore drejt zyrave elektorale të partive. Aty të kënaqeshin sytë:
Flamurë me të gjitha ngjyrat e ylberit, portretet me buzëqeshje ëngjëllore të
kandidatëve dhe shkronjat fillestare të emrave të partive, me ca ndërthurje të
çuditshme e që s’ti merrte e shkreta mendje. Tridhjet e gjashtë shkronja të
alfabetit për gjashtëdhjet e katër parti, voto: PLSHR, ZKRO…. Dhe deri te YVZ
dhe në çdonjerën numri matrikullor në listën e votimit. Valëvitjen e flamurëve
dhe buzëqeshjen e kandidatëve, e bënte më tërheqëse muzika e këngës së zgjedhur
si hymn nga partitë. Ngjarje e madhe. Hare e madhe. Gëzim i madh, por ama,
mendoi Lakja edhe treg i madh dhe shpenzime pa hesap. Bënte kinse sikur nuk
shihte as majtas as djathtas, ecte i shkujdesur me shikim përpara. Ata
kalimtarë rasti që e shihnin, shqyenin sytë, ngërdhesheshin dhe thoshin me
vete, i kanë shkarë dërrasat të shkretit Lake. Vetiu ai ndjeu se dikush iu qep
pas. Nuk e ktheu kokën. Dëgjoi që personi e thirri:
-Zotri,
të lutem, mund të qëndrosh të bisedojmë.
Lakja u
ndal dhe u kthye nga folësi. Ai e ftoi të hynte brenda. Zyra ishte e madhe, me
tryeza, kompjutera, afishe dhe shpallje me togje shtypshkrimesh me ngjyra. Ca
goca të bukura , me dekolte të hapura e minifunde që u linin të dukeshin këmbët
e hatashme, po vinin rregull dhe i sistemonin. Në fund ishte një kthinë që e
mbulonte një perde e rëndë.
-Shet
vota?- hyri drejt në bisedë shefi i zyrës,
pa i thënë as emërin e tij
-Siç e
sheh,- tha Lakja duke shënuar me gisht tabelën.
-Ke
shumë?
-Kam ca.
-Po sa ?
Dreqi e mori!
-Tashti,
këtë çast, timen, të Sheqeres dhe tre fëmijëve. Sapo kam dalë në treg sa për
t’i hedhur një sy.
-Kush
është kjo Sheqerja?
-Nikoqirja
ime. Po ne, mor mik në pyetç, jemi fis i madh, i shtuar si puna e ferrës, nipër
e mbesa me miq, krushq e krushka, kumbarira e shoqëri. Bëhen nja njëqind vota.
Tjetri
shqeu sytë dhe fërkoi duart nga lezeti:
-Mos po e
tepron? Të gjitha shiten?
-Unë për
këtë punë jam,mor zotëri! Po allahile, nuk i gostitni myshterinjtë?
-Mira,
qerase zotrinë me një B52
-Faleminderit,por
nuk i pi ato lënguriqet. Do më pëlqente më shumë një pije për burra, e fortë,
uiski apo një kupë raki.
Raki nuk
u ndodhej, por vajza u hodh te lokali ngjitur dhe pruri një dopio.
Lakja u
ul që ta pinte me nge rakinë, por edhe të bënte pazarin.
-Po
allahile, sa e paguani një votë?
-Një votë
një pako me ushqime: Dy oriz, tre miell, dy sheqer, tre makarona, dy shishe
vaj, sallam konserva peshku....
-Po
ndonjë shishe raki dhe pako me fasule nuk ka?
- Ka,si
s’ka.
-Do
mendohem. Në vend të mallit më pëlqen pagesa me para të thata, lekë ose euro.
Ka të tjerë që paguajnë më shumë. Ju qënkeni të shtrënguar, e si do t’i fitoni
zgjedhjet? Sa për të hapur pazarin, po shes dy votat e mia e të Sheqëeres, të
tjerat nesër, pasnesër, por dua të më jepni një kapar.
-Më parë
letërnjoftimet, - tha shefi.
Lakja ia
dha.Vajza që quhej Mira i skanoi dhe i hodhi në kompjuter. Pas pak, u hap
perdja dhe prej andej morën dy kuti kartoni të mbyllura dhe i futën në një thes
plastmasi të zi që të mos dukeshin.
-Nesër
presim të na sjellësh të tjerat i tha shefi.
-Pa
merak, shef, por mendoni pak për çëmimin.
Lakia e
hoqi tabelën dhe e futi në thes. E hodhi thesin në krahë dhe u nis për në
shtëpi. Rrugës qëndroi te dyqani i Beqos, ku merrte ushqimet me listë, hapi një
kuti dhe këmbeu dy pako miell me një shishe raki.
-Lake,
paske rënë në mall, po ajo lista që ke te mua është trashur shumë.
-Beqo,
mos ki merak, e shumta tre ditë dhe lekët do ti kesh në xhep!
Kur hyri
brënda portës, ai thirri sa i hante zëri:
-O
Sheqere, dil moj nikoqire se mu këput kurrizi. Sheqerja doli dhe ja lehtësoi
barrën. Hynë në kuzhinë dhe hapën kutitë, i vunë pakot mbi bango dhe në
frigoriferin e vogël që ishte fare bosh. Sheqerja shqeu sytë:
-Qoftë
për mirë, po këto ushqime ku u gjendën ,o Lake? Ç’farë rrengu ke punuar o
ditëshkurtër?
-Ranë nga
qielli, po këto nuk janë gjë, hane sa do vinë të tjera! Mos u qederos, i kam
fituar me punë. O sheqere, me këtë rast bëji Lakes tënd pak meze, dhe për drekë
na bëj ca petulla t’i hamë me reçel se më është hidhëruar goja.
Lakja i
ndau detyrat me Sheqeren: ai do të dilte në treg dhe Sheqerja do të mblidhte
letërnjoftimet e hallexhinjve të mëhallës, të farefisit dhe miqësisë sa më
shumë aq më mirë! Të dy palët do të dilnin të fituar.
Lakja, të
nesërmen bëri edhe disa dalje, në ca zyra periferike dhe në zgjuan e shtëpisë u
kthye si bleta me mjaltë. Me aq sa kish sjellë ia hidhnin nja dy muaj.
Mbrëmanet, kur kaloi para zyrave të partisë SHSH (Shpresa e Shqipërisë), partia
e Bujar Topçiut, që kishte kandidat të parin në listë Banush Beqollarin, ai u
shmang. E kishte porosi nga i ndjeri baba: Me tëndin mos bëj allishverish, se
humbet edhe mikun edhe paratë.
Kur
arriti para hotel “Manjifik”. Përballë hotelit, në katin e parë të një pallati
me vitrina që ndrinin e llapsnin nga ndriçimi, hasi zyrat e PLSHR, ku ushtonte
muzika festive. Thoshin se ata ishin pasunarë të rinj, që donin të hynin edhe në politikë dhe e derdhnin lekun pakursim. Logoja e tyre ”AS
MAJTAS, AS DJATHTAS, POR DREJT” zinte kreun e ballinës dhe i pëlqeu Lakes.
Pun’e madhe, le të ishte parti e vogël, nga ferra e vogël del lepuri i madh!
Lakja me tabelën në gjoks, kuturisi e hyri brenda. Shefi i zyrës ishta një div,
katana, mjekrosh e zëtrashë, që Lakja ngriti kokën për ta parë dhe ju duk vetja
i vockël.
Divi u
ngërdhesh:
-Hë, mor
mik, shet vota, apo jo?
-Po, shes
, te ata që duan të blejnë.
-Sa copë
ke?
-Nja
dyzet, por mund të sjell edhe më shumë.
-Goxha
mirë, na duhen. Sa e mban pazarin?
- Dyzet
euro votën.
-Mos
more! E paske pazarin lart. Ule, ule ca. Ç’ u bë këtu? Teqeja e Baba Rexhepit!
-E po,
edhe badiava, si jap dot. Janë vota fukarenjsh! S’na vjen përditë ky rast.
Dhanë e
morën, u shamatuan, bënë pazar, po Lakja nuk hapte udhë. Më në fund divi u
dorëzua. Njëzet e pesë euro vota. Ç’të bënte? I duheshin ato vota. Lakja i dha
letërnjoftimet, tjetri i fotokopjoi dhe i skanoi në kompjuter, pastaj hapi
kasafortën dhe i numuroi paratë: Dhjetë kartmonedha me prerje njëqind euro.
Lakja u emocionua dhe po i dridheshin duart kur mori eurot. Aq lekë s’i kishte
qëlluar as një herë të merrte në dorë. Divi që e vuri re i tha:
-Ki
mëndjen, bablok, mos bëni ndonjë proçkë ditën e votimit, se ne kemi sy e veshë
kudo, edhe atje ku s’ta merr mendja. Ke për ta parë veten me këmbë e krahë të
thyer dhe të ambalazhuar me allçi. Mos thuaj që s’të dola borxhit!
“Shumë i
egër ky shefi i zyrëas së PLSHR” mërmërit Lakja kur doli nga zyra.
Në shtëpi
vuri pirgun e lekëve para, ndau me
drejtësi pjesën e tij dhe atë të të tjerëve. Tregtia kishte shkuar fjollë!
-Ke këtu
i tha Sheqeres, mjaftueshëm që tu japësh pjesën shokëve, të paguash dritat me
këstet e prapambetura, ujin dhe ti japësh Beqos borxhin e listës, se na ka bërë
nder, e ne të mos i bëjmë qeder. Shiko, na bëj për darkë një lakror se i kemi harruar edhe emrin edhe lezetin.
-Prit se
mu prish mëndja, të ka ardhur një zarf me vula qeverie, e ke mbi komodinë. Unë
nuk e hapa.
Ishte një
thirrje për tu paraqitur në prokurori. Lakes iu prenë gjunjët, por e mblodhi
veten që të mos i ngrihej tensioni Sheqeres.
* *
*
Prokurori,
kur mori padinë e Policisë së Shtetit, e gjykoi të lehtë problemin dhe dërgoi
ftesat e paraqitjes për dy persona që bënin kontrabandë votash: Cufe Zavalli
dhe Iliaz Doko, alias Lake Llullaja, por kur e mendoi mirë, çëshja ishte më e
kokolepsur nga sa dukej. Kjo gjë që ngjante si shaka pa kripë, ngërthente ne
vetvete probleme politike, morale, etike, ekonomike dhe doktrinaro-filozofike!.
Ku dreqin shkonin e i binin atij në pjesë të tilla çështje? Dha e mori, po nuk
e ftillonte dot. Në kursin e “Plepave”, nuk ishte shtjelluar ndonjë rast i
ngjashëm.Mungonte precedenti. Më së shumti e mundonte mungesa e “Korpus
delikti”, kapja e të pandehurve me presh në dorë. Mungonte objekti i qënësishëm
,material, lëndor, vota e trupëzuar! Por ç’ishte vota tek e fundit? Një e
drejtë, formë e shprehjes së lirisë, ishte virtuale, si ajri, që as shihej as
dukej, nuk futej në xhep apo portofol, nuk mund ta mbaje me vete apo ta
tregoje. Të pandehurit nuk kishin në çanta apo xhepa votat, as i jepnin as i
merrnin! Por i shisnin ama! Parë asisoj ishte një nul juridik. I vetmi rast që
ajo materializohej ishte fleta e votimit, ajo kutiza ku vihej një kryq. Dhe aq!
Për
pamjen ekonomike të deliktit, ai ftoi në konsultë profesorin e dëgjuar të
Universitetit të Rrogozhinës, Hasan Dorzin, që mbushte gazetat me artikuj dhe
ishte i pranishëm në gjithë emisionet ekonomike të televizionit lokal
”Alfa& Omega”. Profesori, që mbahej rëndë e paguhej mirë, mezi begenisi që
të vinte, por i tha se po e bënte këtë miqësisht.
-Që vota
të shitet,-tha profesori,- duhet të jetë mall. Po a është mall vota? Etërit e
ekonomisë: Smithi, Rikardo, Marksi, e cetera
e cetera, kanë përcaktuar se mall është produkti i punës dhe që ka në vet-vete
punë të materializur e cila kthehet në vlerë.
Shihe atë plepin në oborr...
-Profesor,të
lutem,te vota!
-Mos u
ngut se aty do të dalim. E pra, ai është një objekt natyror, pa vlerë nominale,
por po të pritet, të bëhet trupa, dërrasa, dru për ngrohje, puna e shndërron në
mall që të shitet e të blihet dhe, këtë vlerë ia jep pikërisht puna e gjallë, e
materializuar! Po vota? Do të pyesish ti.
Ajo, miku im, është një e drejtë civile, periodike, vendimmarrëse, nuk
është produkt i punës, as mund të shitet as mund të blihet, thjesht, ajo
përdoret si një e drejtë kushtetuese, civile, politike sipas pëlqimeve të
gjithkujt. Por, për ironi të gjërave dhe të drejtës juridike, votat megjithëse
nuk janë mall, janë shitur edhe në Romën dhe Greqinë e lashtë! Çwmimi i tyre
ndryshon sipas kërkesës dhe ofertës! Sëmundja është po aq e vjetër sa edhe
demokracia. Kjo i bën lëmsh të gjitha! Meriton një studim në nivel doktorate.
Fundi i muhabetit, ti s’i ngarkon dot me faj të paditurit e tu. Nuk ke ku të kapesh e ku ti kapësh.Më
kupton?-Tha dhe i la shëndetin.
Këta
profesorët janë ca tuhafë, u rruat dituria, të shpien te çesma e s’të japin
ujë, ma bëri mendjen ujem. Por ai ishte jurist i gatuar nga ai brumë që
zbatojnë parimin: gjeje fajin edhe atje ku nuk është! Mjerë kush binte në duart
e tij. Ata leckamanët s’kishin për ti shpëtuar. Mjaftonte neni 328 i Kodit Penal, me gjobë ose me burg.
* *
*
Lake
Llullaja dhe Cufe Zavalli prisnin para derës së zyrës së prokurorit.
-Kush na
ka spiunuar?,-pyeti Cufja.
-Mos u
bëj torollak. Spiunin e kishim të varur në qafë.
-Hiç mos
u tut. Fola me avokatin. Mungon objekti material. Ne do ta mohojmë dhe do ti
themi të na e vërtetojë. Ku i ka votat që kemi shitur?
Dera u
hap dhe thirrën emrine Lakes. Ai hyri. Prokurorin, hijerëndë dhe të ngrefosur
ju kujtua se e kishte parë vite të shkuar, kur kishte mbajtur pretencën në
gjyqin e Mjekërziut. Prokurori, akull i ftohtë, e ftoj të ulej dhe Lakja u ul
përball sekretares që rrinte kundruall ekranit të kompjuterit për të mbajtur
procesverbalin.
-Qytetari
Lake Llullaja, policia e shtetit u ka paditur për kontrabandim dhe shitje
votash. E pranoni padinë.
-Së pari,
zoti prokuror ju po më fyeni dhe për këtë mund të ngre padi. Ju ndryshoni
padrejtësisht identitetin tim. Unë jam qytetari Iliaz Doko, ndërsa ju më quani
me nofka fyese!
-Qytetari
Iliaz Doko, e pranoni që keni shitur vota?
-Nuk e
pranoj. Pse ç’u bënë votat,çimçakiza,kikirikë apo fara luledielli që të shiten rrugëve?
Më rrëfe një votë, makar atë tënden që ta shoh dhe të bindem se qysh është
vota! Për vete s’kam parë votë me sy. Si mund të shes atë që se kam?
-Kemi të
dhëna që I ke shitur dhe ke marrë syresh mall dhe para! Përgjigju.
-Zoti
Prokuror. Nuk pranoj të them më asnjë llaf, pa qënë këtu një avokat që do ta
pajtoj për këtë akuzë idiote e të paqenë.
Prokurori
u mendua. I doli më i mençur nga sa e priste.
-Nuk po
të arrestoj. Do të hetohesh dhe gjykohesh në gjendje të lirë, por do të
paraqitesh detyrimisht sa herë të të thërrasim. Mund të shkosh.
Në të
dalë, Lakja i shtrëngoi krahun Cufes për ti dhënë zemër. “Mos prano asgjë dhe
kërko avokat”, i tha. “Ika se Sheqerja do të jetë bërë merak dhe i ka shkuar
tensioni njëzet!”
* *
*
Duhet të
kishte kaluar ora dhjetë e natës, kur Lakja pasi kishte kthyer disa kupa raki
mani tok me Cufen dhe ca hallexhinj të tjerë,
po kthehej në shtëpi duke kënduar lehtë këngën “Moj kasolle ku na
mblodhe”. Kur u afrua te porta, pa ca hije. Ishin të maskuar dhe iu turrën si
skifterë. Breshëri i grushteve e goditi në kokë. Ai mbuloi fyturën që të
mbrohej dhe nuk arriti as të bërtiste për ndihmë. Këmbët nuk e mbajtën më
dhe u rrëzua. Ata ia hynë me shkelma nga
brinjët dhe kërcinjtë. Lakja klithi sa mundi . Njeri prej sulmuesve u përkul
mbi kokë dhe i tha me mllef: ”Sarahosh i mutit, shko, po ta mbajti bytha, shiti
edhe një herë vota PLSHR!”Ata ikën,i përpiu errësira.
Kur doli
Sheqerja me të tre çunat, e gjetën Laken të mbytur në gjak që rënkonte sa të
këpuste shpirtin. E ngritën hopa dhe e shtrinë në divan. Syri i djathtë, i
mavijosur, thuajse i ishte mbyllur nga buhavitja. Në ballë kishte vija dhe
vurrata ngjyrë llullaqi. Ankohej nga brinjët dhe kërcinjtë. I vunë akull në
vëndet e ënjtura.
Çatisën
komshinjtë. E pyetën kush e kishte bërë në atë ditë. U tha se nuk i njihte dhe
se ishin të maskuar. Doktori që erdhi i bëri një kqyrje të imtësishme.
-Thyerje
eshtrash, frakturë, nuk ka,- u tha, -ka ca shembje por që do t’i kalojnë. Sa të
mundni me akull. Do t’u jap dhe një pomadë që do ta lehtësojë. Të shkuara,Lake!
Lajmi u
hap sakaq. Erdhi policia, mjeku ligjor, një hetues. Pyetën e stërpyetën,
mbajtën shënime. Drejtoria e Policisw dha një komunikatë me formulën e njohur
se ”Keqbërësit kishin ikur në drejtim të paditur.” Televizioni “Alfa
&Omega” dërgoi gazetaren e njohur Olta Fusha që e intervistoi Laken dhe
kameramani i bëri disa plane që kur u shfaqën në ekran shkaktuan zemërim dhe
keqardhje për të shkretin Lake, që si binte qafës kurkujt. Nga vetë deklarimet
e të dhunuarit, dhe familjarëve, që ata nuk kishin mosmsrveshje dhe hatërmbetje
me askënd, se Lakja përveç shishes së rakisë, s’i binte qafës askujt,
rezultonte se ky ishte një rast tipik I sulmit politik, një incident që donte
të frikësonte përkrahësit dhe mbështetsit e partisë së re PLSHR. Ngjarja fitoi
peshë politike, shkruan gazetat, buçitën televizionet, komentuan analistët
politikë. U bënë deklarata dhe Laken e mori në mbrojtje kryetari i PLSHR, si
një aktivist të asaj partie. Kësisoj,Lake Llullaja u bë person mediatik dhe i
njohur në tërë vendin.
E vizituan
shokë, miq, aktivistë të organizatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të
njeriut dhe nuk munguan edhe organizata bamirësie që i prunë ndihma materiale
që t’ ia zbusnin disi dhimbjen dhe varfërinë.
Kur Lakia
u bë më mirë dhe iu zbardhën vurratat mavi të fytyrës, i tha Sheqeres të
thërriste në shtëpi gjith ata që i kishin besuar votën atij.
Dhoma u
mbush plot sa s’kishin ku të rrinin. Sheqerja i gostiti të gjithë me kafe,
llokume e ndonjë gotë raki. Ata uruan:”Shyqyr që qe e pakët”. Prisnin fjalimin
e Lakes, po Lakja ishte në zor, nuk kishte mbajtur ndonjë fjalim në jetë të
tij.
-Faleminderit
o miq që mu gjendët. U perpoqa tu “ngrohja” edhe xhepin edhe barkun. Paçka se i
pashë sherrin. S’ke çi bën,qëllon që edhe qari edhe zarari të jenë tok. U
bëfshin mirë ato që morët. Patën dhe dhanë, ne na i kanë marrë.
Sa për
votat, mos çani kokën, pasnesër, jepuani kujt tu dojë zemra.
-Bravo
Lake!- i tha Cufe Zavalli dhe duartrokiti, e duartrokitën dhe të tjerët.
Pa e ditur,Lakja e kishte bërë mitingun e tij.