Kulturë
Gjekë Gjonaj: Hysni Hoxha - Simbolet kombëtare
E merkure, 19.06.2013, 07:28 PM
Simbolet
kombëtare –vepër dinjitoze me vlera kombëtare
Shkruan: Gjekë Gjonaj, Ulqin
Prof.dr.Hysni
Hoxha, pas një pune disavjeçare, me
zell, vullnet e përkushtim të madh, lexuesve shqiptarë u dhuroi edhe një vepër
dinjitoze me vlera kombëtare. Libri i tij më i ri “ Simbolet kombëtare” u botua para pak muajsh nga Shtëpia Botuese “ Faik
Konica”, në Prishtinë me ndihmën e
Drejtorisë për Kulturë të Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ky libër i studiuesit të mirënjohur shqiptar,
i cili me veprat e tij të botuara deri më tani nga fusha e letërsisë shqiptare dhe botërore si dhe të studimeve dhe eseve edhe në gjuhën maqedonase, serbokroate,
sllovene, italiane, rumune dhe hungareze, është një thesar i madh shpirtëror e
kulturor i popullit tonë, sepse trajton
dhe analizon në detaje simbolet tona kombëtare: himnin, flamurin, simbolet
shtetërore të Kosovës dhe autorët që kanë ngritur debatet mbi to.
Autori Hoxha me këtë vepër me peshë në studimet albanologjike, dhe jo vetëm, u
rreshtua në mesin e atyre intelektualëve shqiptarë që kontribuan me rastin e
shënimit të 100-vjetorit të
Pavarësisë së Shqipërisë. Ai këtë
vepër e ka strukturuar dhe ndërtuar në
katër shtylla kryesore. E para “
Flamuri kombëtar”. E dyta “ Himni
kombëtar”. E treta “ Himnet e poetëve tanë”. Dhe e katërta “ Biseda me krijues”.
Libri
fillon me parathënien në të cilën autori
na njofton për idenë e këtij botimi ,
që, siç thotë ai, daton nga vera e vitit 1997, dhe për veprat
dhe studimet për simbolet tona
kombëtare të cilave u është referuar në këtë libër.
Duke lexuar veprën me kureshtje dhe me interesimin
e një njeriu, që është i interesuar shumë për thellimin e njohurive nga kjo
temë kaq e rëndësishme,siç janë simbolet
tona kombëtare, m’u ngjallë krenaria
kombëtare e cila nuk më shuhet
kurrë. Leximi i këtij libri, jo vetëm që
ishte kënaqësi, por edhe një habi, që më mbushi me emocione për analizën
bindëse me mbështetje në vepra të
autorëve më në zë shqiptarë të kohës që
në fokus të tyre kanë pasur himnin dhe flamurin, që nga lashtësia e deri
në ditët e sotme, siç janë : Faik Konica,
Patër Donat Kurti, Jaho Brahaj, Ramadan Sokoli, Ali Hadri, Maksim Zotaj, Shaban Sinani,
Bardhosh Gaçe, Lazgush Poraqeci, Vasil Tole, Valbona Karakaçi, Zeqirja Ballata,
Ismail Kadare, e të tjerë si dhe në
himnet e poetëve dhe atdhetarëve tanë
të devotshëm , si : At Gjergj Fishta,
Hilë Mosi, Asdreni, Ali Asllani, Naim
Frashëri, Fan Noli, Mihail Grameno, Ernest Koliqi, Murat Toptani, Kristo Floqi,
Dhimitër Shuteriqi, Hekuran Zhiti, Filip
Shiroka, Luigj Gurakuqi dhe Xhevahir Spahiu.
Profesor doktor Hysni Hoxha, duke iu referuar librit
”Flamuri i kombit shqiptar” të
studiuesit Jaho Brahaj përmend tri burimet kryesore që flasin për
historinë e flamurit të kombit shqiptar, veprën : Historia e Skenderbeut , e
botuar latinisht në Venedik ( 1508-1510), Histroia e jetës dhe e bëmave të
Skënderbeut të autorit Marlin Barleti
dhe biografia e shkurtër për Skënderbeun i autorit Dhimitër Shuteriqi,
shkruar viteve të para të shekullit XVI
( fq. 33). Studiuesi Hoxha përmend
të dhënat e profesor Shyqyri
Nimanit, i cili në Ekspozitën e Çhikagos, në Hartën Portollane të Mesdheut
të vitit 1456 në mesin e 41 flamujve me
ngjyrë vërejti flamurin tonë kombëtar( fq.34). Profesor Hoxha si
ngjarje tjetër historike të flamurit tonë kombëtar përmend edhe heroizmin
e trimave të Malësisë së Madhe,
kryesuar nga trimi legjendar Dedë Gjo Luli, me çetën e tij të Lekëve, i cili çliroi Deçiqin dhe në malin Bratilë , më 6 prill 1911 ngriti flamurin kuq e zi( fq.35).
Studiuesi
Hoxha pohon se shqiptarët shqiponjën e konsideronin shpend të shenjtë, bamirës
dhe shton se të tillë e konsideronin
edhe në krijimtarinë tonë poetike, në tekstet e konkursit për himnin kombëtar më 1937 ( fq. 51). Ai nuk pajtohet me pyetjen e shtruar të
Maskim Zotaj përkitazi me “ shqiponjën ndëshkuese “ të Zeusit, duke u
shprehur kundër ndëshkimit të titanit Promete i cili u flijua për të mirën
mbarënjerëzore. “ Shqiponja e Zeusit në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohet me
shqiponjën dy krerë të flamurit tonë kombëtar. Nuk mund të krahasohet po ashtu
as me shqiponjën me një kokë, e cila edhe sot përjetohet si simbol i
bamirësisë, guximit, trimërisë dhe lirisë”, shkruan Hoxha. ( fq. 55).
Profesor
Hoxha , duke e analizuar poezinë tonë gojore dhe të shkruar , respektivisht
himnet e poetëve tanë, konkludon se fati
i kombit shqiptar identifikohet me
flamurin tonë kombëtar, simbolin
e shenjtëruar nga gjaku i trimave
atdhetarë,që u flijuan për çlirimin e
trojeve tona etnike. ( fq. 65)
“ ...
Edhe në rrëfimet popullore, si në këngët historike dhe në këngë të
zhanreve të tjera poetike m flamuri ynë
kombëtar mbrohet me vendosmëri dhe flijime”, pohon Hoxha. ( fq. 92)
Studiuesi
Hoxha nuk ka mëdyshje se kombi shqiptar meriton të ketë himin tonë burimor
kombëtar , e jo atë të të huazuar nga himni i poetit rumun, Joan
Barsan, me tekst të përkthyer, të përshtatur, me dy strofa të shtuara nga Asdreni , me
melodi të kompozitorit rumun , Ciprian
Porumbescu, çështje kjo e
shtruar nga Komisioni Qendror për
Kremtimin e 25-vjetorit të Vetëqeverimit të Shqipërisë, më 5 shkurt 1937, por e
parealizuar deri në ditët tona. ( fq. 102, 103, 113).
Trajtimi
i simboleve kombëtare në Kosovë : flamuri, stema dhe himni, në kohën kur ajo
ishte njësi në kuadër të Republikës
Federative të Jugosllavisë dhe tani
shtet i pavarur dhe sovran po ashtu ia
shtojnë vlerën kësaj vepre. Porofesor
Hoxha nuk pajtohet me flamurin e
imponuar shtetëror aktual të
Kosovës pa karakteristika etnike
të shqiptarëve shumicë ( me
pëlhurë të kaltër me gjashtë yje, me ngjyrë të argjendtë të një pjese të
pëlhurës që përfaqësojnë gjashtë etnitë prej të cilave shqiptarët përbëjnë 90
për qind të të gjithë banorëve, dhe pesë etnitetet e tjera së bashku 10 për
qind) ,
dhe as me himnin gjysmak të Shtetit të Kosovës, “ Evropa” vetëm me një
melodi , pa tekst poetik, të kompozitorit kosovar Mehdi Menxhiqit. Sipas
Xoxhës simbolet kombëtare në Kosovë
duhet të përcaktohen me kritere artistike
dhe jo politike. ( fq. 148), kurse
Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësinë historike të mos pranojë himnin e cunguar pa tekst i
cili do të fyejë Kosovën,popullin e saj dhe qenien tonë kombëtare që jeton
jashtë Kosovës. ( fq. 155).
Tendencën
e dallimit ( veçimit) të flamurit shtetëror të Kosovës nga flamuri
ynë kombëtar, dhe himnin e shtetit të Kosovës nga himni ynë kombëtar autori Hoxha e komenton kështu: “ Kjo tendencë e errët , lirisht
mund të themi reaksionare, e inicuar nga personalitete, qarqe dhe shoqata të
huaja, synon ndarjen e kombit tonë në
shqiptarë, që jetojnë brenda kufijve
administrativë të Shqipërisë, dhe në kosovarë-shqiptarë, që jetojnë në Kosovë.
Një ndarje e tillë, që regjimet shoviniste sllave kanë synuar ta realizojnë që
herët, fatkeqësisht ka hasur në
përkrahje edhe te disa individë
dhe qarqe të ngushta në Shqipëri dhe në Kosovë, si edhe tek autoritetet
evropiane me ndikim”. ( fq. 170).
Libri,përveç
shënimeve bibliografike të autorit, ka
edhe një bibliografi për literarturën e përdorur, indeksin ( regjistrin ) e
emrave dhe përmbajtjen që kësaj vepre ia shtojnë vlerën
Himni dhe flamuri janë simbole mijëvjeçare të qëndresës kombëtare të shqiptarëve deri në ditët tona, andaj këtë vepër e konsideroj të domosdoshme në radhë të parë për faktin se ajo pasuron literaturën dhe argumnentet e deritashme bindëse shkencore për këtë pasuri të kombit shqiptar.