E shtune, 03.05.2025, 02:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Don Lush Gjergji: Orë kushtuar Imzot Gjon Nikollë Kazazit

E premte, 21.06.2013, 08:14 PM


Dje, më 20 qershor k. v.  në Shtëpinë e Kulturës në Gjakovë ishte një Orë kushtuar Imzot Gjon Nikollë Kazazit, arqipeshkvit të shquar dhe të dalluar tonë, Njeriut dhe Klerikut i cili tërë jetën dhe veprën ia kishte kushtuar shërbimit ndaj Zotit dhe Popullit shqiptar, në rrethana dramatike, gjatë pontifikatit të Papës shqiptar Klementi XI.

Në takim mora pjesë unë me këtë kumtesë si dhe shkrimtari, publicisti, krijuesi, historiani  tashmë i shquar dhe afirmuar, Jusuf BUXHOVI.

Ishte një takim dhe përjetim i bukur dhe i paharrueshëm me pjesëmarrje të Qendrës për Arsim dhe Këshillim Profesional "Gjon Nikollë Kazazi", si dhe të qytetarëve tjerë.

"Ringjallja" e figurave të tilla si ajo e Imzot Gjon Nikollë Kazazit është detyrë, nevojë, domosdoshmëri...

GJON NIKOLLË KAZAZI /1702-1752/

Imzot Gjon  Nikollë Kazazi, i lindur në Gjakovë më 1 janar 1702, ishte nxënës dhe student i dalluar në Fermo të Italisë, më vonë edhe në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku kishte studjuar ndër të tjera edhe lëndët e retorikës, gramatikës dhe filozofisë. Kishte doktoruar  në filozofinë dhe teologjinë në Kolegjin Urban në Romë. Pas shugurimit meshtarak qe emëruar Vikar i Ipeshkvisë, Vizitator Apostolik për Bullgari dhe Serbi. Përshkrimet e tija Papës benedikti XIV japin pasqyrimin e kohës dhe gjendjen tejet të vështirë për katolikët e këtyre viseve. Papa iu përgjigj me letrën  e baritore “Inter omnigenas” me përcaktime, udhëzime dhe rregullore për mbar Ballkanin e atëhershëm. .Në një Letër që është zbuluar kohën e fundit Gjon Nikollë Kazazi përshkruan vendet në Mesdhe ku flit dhe komunikohet në gjuhën shqipe, dëshmi kjo e fuqishme për atë përiudhë dhe për praninë shqiptare.

Në vitin 1743 qe emëruar arqipeshkëv i Shkupit, më vonë edhe të Mbretërisë së Sërbisë. Pas një jete tejet të mundimshme dhe pune shumë meritore, vdiq në vitin 1752, në moshën 50 vjeçare.

Gjatë studimit në Romë ka zbuluar në Bibliotekën “Propaganda Fide” kopjen e ruajtur “Meshari” i Dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Në vitin 1743 ka botuar edhe katelizmin “Përmbledhja e shkurtë të Mësimit të Krishterë të përkthyer në gjuhën shqipe për përdorim të fëmijëve dhe të këtij Populli”, të shtypur në Propaganda Fide në Romë, që dëshmon të folmen e asokohe në Gjakovë dhe rrethinë, që ishte kundërpigjigjie ndaj sundimit turko-otoman, ruajtje dhe mbrojtje e identitetit fetar dhe kombëtar shqipar.

JUSUF BUXHOVI

Krijuesi, shkrimtari, historiani, intelektuali i mirëfillët Jusuf Buxhovi lindi në Pejë më 4 gusht 1946. Fëmijërinë dhe rininë i kaloi në Gjakovë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studjoi Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Vite të tëra ishte korrespondent i “Rilindjes” në Gjermani. Nga kjo përvojë shumëvjeçare arriti shumë pjekuri njerëzore dhe në krijimtari. Ai është një ndër prozatarët më të shquar dhe më të dalluar ndër shqiptarë, sidomos me romanet “Prapë vdekje, I, II, III, (1991-1995); “Letra për Kryeprincin” (2001); “Vera e fundit e Gjon Bardhit”(2003); “Trilogjia gjermane” (2004-2006); “Libri i Blacës” (2007); Nga  studimet dhe lëmia historike: “Historia e Kosovës, 3 vëllime, (2012), që ka zgjuar mjaft interesim tek ne, por edhe në botë.

Deri me tash Jusuf Buxhovi ka botuar më se 30 tituj të llojeve të ndryshme. Pra, ai është shkrimtar, krijues, njeri i angazhuar në shumë fusha, me mendje të ndritur dhe zemër të hapur.

Me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, të botuar së pari në vitin 1982, pastaj të ribotuar disa herë, të përthyer në disa gjuhë, si intelektual  ballafaqohet me çështjen e sundimeve të të huajve që për qëllim kishin asgjësimin dhe shkatërrimin tonë shpirtëror, kulturor, kombëtar. “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” nga kritika letrare shqiptare vlerësohet dhe trajtohet si “një nga veprat më të suksesshme të prozës sonë bashkëkohore” (Agron Tufa).

Minjtë e dikurshëm gjatë sundimit turko-otoman, që bartnin murtajën dhe shkaktonin vdekjen e popullit, apo edhe ata gjatë sundimit serbo-sllav, ende janë të gjallë dhe veprues. Mëgjithatë i kemi përballuar të gjitha me ndihmën e Zotit, me përkrahjen e Kishës dhe klerit tonë, i cili gjithnjë ka jetuar dhe vepruar për Fe dhe për Atdhe, si dhe me vëllazërinë tonë gjithëshqiptare. Ashtu do të ndodhë edhe në kohën dhe hapësirat tona...

Don Lush GJERGJI

Gjakovë, 20 qershor 2013



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx