| E premte, 21.06.2013, 08:14 PM |
Dje, më 20
qershor k. v. në Shtëpinë e Kulturës në
Gjakovë ishte një Orë kushtuar Imzot Gjon Nikollë Kazazit, arqipeshkvit të
shquar dhe të dalluar tonë, Njeriut dhe Klerikut i cili tërë jetën dhe veprën
ia kishte kushtuar shërbimit ndaj Zotit dhe Popullit shqiptar, në rrethana
dramatike, gjatë pontifikatit të Papës shqiptar Klementi XI.
Në takim mora
pjesë unë me këtë kumtesë si dhe shkrimtari, publicisti, krijuesi,
historiani tashmë i shquar dhe afirmuar,
Jusuf BUXHOVI.
Ishte një
takim dhe përjetim i bukur dhe i paharrueshëm me pjesëmarrje të Qendrës për
Arsim dhe Këshillim Profesional "Gjon Nikollë Kazazi", si dhe të
qytetarëve tjerë.
"Ringjallja" e figurave të tilla si ajo e Imzot Gjon Nikollë Kazazit është detyrë, nevojë, domosdoshmëri...
GJON NIKOLLË KAZAZI /1702-1752/
Imzot Gjon Nikollë
Kazazi, i lindur në Gjakovë më 1 janar 1702, ishte nxënës dhe student i dalluar
në Fermo të Italisë, më vonë edhe në Kolegjin Ilirik të Loretos, ku kishte
studjuar ndër të tjera edhe lëndët e retorikës, gramatikës dhe filozofisë.
Kishte doktoruar në filozofinë dhe
teologjinë në Kolegjin Urban në Romë. Pas shugurimit meshtarak qe emëruar Vikar
i Ipeshkvisë, Vizitator Apostolik për Bullgari dhe Serbi. Përshkrimet e tija
Papës benedikti XIV japin pasqyrimin e kohës dhe gjendjen tejet të vështirë për
katolikët e këtyre viseve. Papa iu përgjigj me letrën e baritore “Inter omnigenas” me përcaktime,
udhëzime dhe rregullore për mbar Ballkanin e atëhershëm. .Në një Letër që është
zbuluar kohën e fundit Gjon Nikollë Kazazi përshkruan vendet në Mesdhe ku flit
dhe komunikohet në gjuhën shqipe, dëshmi kjo e fuqishme për atë përiudhë dhe
për praninë shqiptare.
Në vitin 1743 qe emëruar arqipeshkëv i Shkupit, më vonë
edhe të Mbretërisë së Sërbisë. Pas një jete tejet të mundimshme dhe pune shumë
meritore, vdiq në vitin 1752, në moshën 50 vjeçare.
Gjatë studimit në Romë ka zbuluar në Bibliotekën “Propaganda Fide” kopjen e ruajtur “Meshari” i Dom Gjon Buzukut, botuar në vitin 1555. Në vitin 1743 ka botuar edhe katelizmin “Përmbledhja e shkurtë të Mësimit të Krishterë të përkthyer në gjuhën shqipe për përdorim të fëmijëve dhe të këtij Populli”, të shtypur në Propaganda Fide në Romë, që dëshmon të folmen e asokohe në Gjakovë dhe rrethinë, që ishte kundërpigjigjie ndaj sundimit turko-otoman, ruajtje dhe mbrojtje e identitetit fetar dhe kombëtar shqipar.
JUSUF BUXHOVI
Krijuesi, shkrimtari, historiani, intelektuali i
mirëfillët Jusuf Buxhovi lindi në Pejë më 4 gusht 1946. Fëmijërinë dhe rininë i
kaloi në Gjakovë, ku kreu edhe shkollën e mesme. Studjoi Gjuhën dhe Letërsinë
Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Vite të tëra ishte korrespondent i “Rilindjes” në Gjermani. Nga kjo përvojë
shumëvjeçare arriti shumë pjekuri njerëzore dhe në krijimtari. Ai është një
ndër prozatarët më të shquar dhe më të dalluar ndër shqiptarë, sidomos me
romanet “Prapë vdekje, I, II, III,
(1991-1995); “Letra për Kryeprincin”
(2001); “Vera e fundit e Gjon Bardhit”(2003);
“Trilogjia gjermane” (2004-2006); “Libri i Blacës” (2007); Nga studimet dhe lëmia historike: “Historia e Kosovës, 3 vëllime, (2012),
që ka zgjuar mjaft interesim tek ne, por edhe në botë.
Deri me tash Jusuf Buxhovi ka botuar më se 30 tituj të
llojeve të ndryshme. Pra, ai është shkrimtar, krijues, njeri i angazhuar në
shumë fusha, me mendje të ndritur dhe zemër të hapur.
Me romanin “Shënimet
e Gjon Nikollë Kazazit”, të botuar së pari në vitin 1982, pastaj të
ribotuar disa herë, të përthyer në disa gjuhë, si intelektual ballafaqohet me çështjen e sundimeve të të
huajve që për qëllim kishin asgjësimin dhe shkatërrimin tonë shpirtëror,
kulturor, kombëtar. “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” nga kritika letrare
shqiptare vlerësohet dhe trajtohet si “një
nga veprat më të suksesshme të prozës sonë bashkëkohore” (Agron Tufa).
Minjtë e dikurshëm gjatë sundimit turko-otoman, që bartnin murtajën dhe shkaktonin vdekjen e popullit, apo edhe ata gjatë sundimit serbo-sllav, ende janë të gjallë dhe veprues. Mëgjithatë i kemi përballuar të gjitha me ndihmën e Zotit, me përkrahjen e Kishës dhe klerit tonë, i cili gjithnjë ka jetuar dhe vepruar për Fe dhe për Atdhe, si dhe me vëllazërinë tonë gjithëshqiptare. Ashtu do të ndodhë edhe në kohën dhe hapësirat tona...
Don Lush GJERGJI
Gjakovë, 20 qershor 2013