Kulturë
Kristaq Turtulli: Në pritje të gruas
E premte, 21.06.2013, 07:38 PM
Në pritje
të gruas
Tregim nga Kristaq Turtulli
Andrea Spillo
shtypi cigaren me nervozizëm në taketuke dhe fshiu me nxitim, me pecetën e
letrës bulëzën e djersës që rrokullisej në tëmthin e majtë. Bënte vapë por ai e
mbante me kokëfortësi kravatën me lule të shtrënguar pas këmishës së kaltër. E
pikasi vështrimin tim, zbërtheu kopsën e këmishës, duke e këputur dhe e liroi
kravatën me forcë, gati na nuk e shkuli:
-E prita
me mall Meritën,- nisi të fliste Andrea Spillo me zë të zvargur, piu me neps
lotin e fundit të konjakut që kish ngelur në gotë dhe vazhdoi:- Me shumë mall.
Nuk ish e pakët, vinte gruaja. Pritja e gruas, bashkudhëtares së ngushtë ka një
kuptim të rëndësishëm në jetën e burrit, aq më tepër kur kthehet nga udhëtimi i
parë pas krijimit të çerdhes sonë të re. Kuptohet, je plot emocion e ndjenjë...
Atë ndjenjë që e ke të vërtetë e të kthjellët në zemër e mban në buzë e mezi
pret ta thuash. Neve të mërguarve nga mëmëdheu, me vite, na mungojnë shumë
gjëra, që në dukje duken aq elementare, hëm... elementare! Ne kemi nevojë të
përzëmë vetminë e rëndë të mos thënies. Të duam dikë që na lidh aq shumë me
vendlindjen dhe të mos bëjmë pazare. Kemi shumë nevojë, me gjithë forcën dhe
pejzat e trupit, kemi nevoje. Ngandonjëherë kërkojmë të ndjejmë, përjetojmë dhe
gjënë më të thjeshtë, deri në dëshpërim. Thjeshtësia e përjetimit është pjesa
kulmore dhe e patjetërsueshme e jetës së njeriut. Por, kjo nuk do të thotë se
meqenëse e thua me fjalë, e dua dikë, besove përnjëmend se e realizove në të
vërtetë. Njeriu dashuron sepse ka nevojë të domosdoshme të thotë atë që ka në
zemër dhe ta bëjë të prekshme, nuk ka marrëveshje...
Andrea
Spillo heshti një hop dhe vështroi pjerrët nga unë.
-Mos
ndoshta mendoni se dua të bëj moral?- pyeti.
-Moral!-
ia bëra:-Kurrsesi jo.
-Faleminderit!
Siç e thashë, e me prita me mall Meritën. Kthehej prej vendlindjes pas një muaj
të gjatë mungese. Gjithë natën nuk fjeta, jastëku më dukej i fortë si gur dhe
mbulesën e pambuktë e flakja tutje e shtyja me këmbë. Më dukej sikur ndjeja të
nxehtë në trup, ora e madhe varur në mur ish hutuar, bërë përtace, akrepat i
lëviznin me ngathtësi, në përshpejtimin e ardhjen e ditës së re. Më vinte të
qëlloja orën me këpucë për ta shkundur. Ngrihesha ndenjur në shtroja, vështroja
lojën e verbër të reklamave përtej dritares dhe thosha me vete:
'Tani
Merita ime është duke lart fluturuar në qiell mbi oqeanin Atlantik. Në barkun e
reve të bardha, të pafundme.’
Vogëlushja,
gruaja ime e dhembshur shkoi ngutshëm si e çakërdisur në mëmëdhe, për të sjellë
në Kanada, vizituar e ndoshta operuar të atin, Demirin pijetarin shembullor të
konjakut dhe të fërnetit. I gjori Demir, që siç më thanë ish në gjendje
kritike, rrezik vdekje. Kuptohet qe babai i gruas dhe unë ndjeja dhembshuri për
atë plak. Kështu, Mezi prisja ta takoja të ëmblën time, ta përqafoja me mall
dhe dashuri, të puthja me zjarr buzët e kuqe gjithë tul, si dy qershi belice.
Ti përkëdhelja flokët e zinj kaçurrela, që i derdhen si ujëvarë në shpatullat e
hijshme dhe të prehesha i qetë një copë herë në gjoksin e plotë dhe të fortë.
Të ndjeja erën e këndshme të kurmit të gruas sime dhe të besoja vërtet, se
gjithsecili në jetë ka nevojë të dojë dhe ta duan...
Më erdhi
nëpër mend mëngjesi i dytë i ardhjes se Meritës për herë të parë në Kanada.
Gruaja kërceu prej shtratit si drenushë duke lënë në shtroje ngrohtësinë e
trupit. U shtriq dhe eci me hapa të lehta në majat e gishtërinjve drejt
dritares që binte kah liqenit. Në trup kish vetëm të linjtat e holla gati të
tejdukshme. Më dukej sikur ish fluide, vallëzonte në ajër, ashtu e tejdukshme
dhe e mbështjellë prej magjisë së mëngjesit. U shtriqa dhe thitha me vrull erën
e veçantë të jorganit me të cilin ishin mbështjellë dhe fjetur së bashku, u
mbështeta në shpinë dhe mora frymë i kënaqur. I lehtësuar mblodha këmbët, bëra
jastëkun më dysh dhe u mbështeta në të. Nisa të sodisja trupin e derdhur dhe të
kolmë të nuses sime të re. U gëzova që e Merita e flaku aq shpejt ndrojtjen,
pasigurinë dhe hutimin e djeshëm.
Natën e
parë qëndroi shpatullmbledhur e topitur, disi e frikësuar e turpëruar e ngrirë,
vështrimi i shprehte një pështjellim të pakuptueshëm aq sa mu bë të qeshja.
Kafshova buzën nuk mund të fyeja nusen time të re. I matur e preka me kujdes
butë, me majat e gishtërinjve; flokët e kadifenjta të derdhura mbi shpatulla,
të cilat më dukej sikur shkëndijonin, pastaj buzët, faqet, qafën e derdhur,
gjoksin e vogël dhe të fortë. Ajo mbodhi shpatullat si një trumcake e trembur,
u pushpurit dhe u drodh si gjeth prej erës së lehtë. E përkëdhelja ëmbël si të
ish lule e brishtë. Merita befas u përshkund dhe unë e shtrëngova fort me afsh,
dëshirë të zjarrtë. Ajo vari kokën dhe qëndroi gati si e mpirë, sytë e saj të
bukur zmadhoheshin më vështronin si me
habi. Herë picërroheshin, fshiheshin prej qerpikëve të gjatë dhe më dukej sikur
bridhja i përhumbur në një tunel me fllad pranveror.
-Kam
shumë turp, oh nëne sa turp. Të lutem mbylle dritën,- mërmëriti.
Mu bë
qejfi që nusja ime e dashur ish aq e ndrojtur dhe e brishtë si në bulës vese
mëngjesore. Përnjëherësh ndjeva një përkëdhelje sedre mashkullore. Me
buzëqeshje të lehtë e mbylla dritën. Eca ngadalë dhe më dukej sikur gjithçka farfuriste. Edhe
pse u përpoqa ta ç’vishja me shumë delikatesë dhe kujdes, ia hoqa me majat e
gishtërinjve të brendshmet, mbathjet, përsëri Merita u drodh si purtekë.
Kryqëzoi këmbët, kafshoi buzën dhe nën dritën e portokalltë që derdhej në
dritare prej e reklamave, dallova dy lot të mëdhenj iu rrokullisën në faqe. U
drithërova.
-Mos qaj
Merita, mos. Ne tashmë jemi një trup dhe një shpirt,- i pëshpërita.
Qerpikët
i rrahën fort si krahë dallëndysheje. Sytë iu fshehën prej turpit, më pas iu
veshën me avull. E shtrëngova fort e ngjesha pas trupit, zemrat na rrihnin me
furi, na vlonte gjaku në damarë. U përfshimë krejt prej rrëkeve vullkanore të
epshit. U kërleshëm në shtrat duke u puthur, thithur dhe rënkuar, u rrokullisëm
në dysheme nën dritën e portokalltë të reklamave të vendosura në tarracën e
godinës përballë dritares. U ngopëm, u kënaqëm, jetuam jetën.
Vonë
qëndruam të zhveshur lakuriq mbi shpinë, kthyem kryet ngadalë, vështruam njeri
tjetrin, në fillim buzëqeshëm të ndrojtur, pastaj qeshëm të kënaqur. Merita
duke u mbështetur në bërryla më erdhi fare pranë dhe mu ngjesh në gjoks. Mbanim
vesh frymëmarrjet tona të shpejta. Të zënë dorë për dore u ngritën dhe u futëm
në shtrat të flinim.
Merita u
përshtatet shumë shpejt! Fundja nuk kish përse të ndruhej, erdhi së largu
përtej oqeanit, mijëra kilometra të jetonim së bashku. Femra në jetën e vet e
ka një udhëtim të rëndësishëm; krijimin e çerdhes së re.
Rrezet e
ngrohta të diellit mëngjesor i derdheshin drejt trupit dhe ajo dukej sikur
rrëzëllente. Mu mbush goja gjithë lëng.
Merita
ktheu kryhen ngadalë, vështroi nga unë, buzëqeshi ëmbël, u zgjat dhe me buzët e
saj të plota, të tulta më puthi fort në buzë. Buzët e saj ishin gjithë jetë, më
gjallëruan, më larguan në çast plogështinë dhe gjumin. U përfshiva nga afshi,
zgjata duart të tërhiqja nusen time të re në shtrat, të thithja sërish aromë
gruaje. Ajo u përdrodh, u gicilis, qeshi dhe hyri në banjë. Pas disa sekondash
dëgjova ujin e dushit të binte me zhurmë. Merita më hodhi shkëndijën, më ndezi
zjarrin. U ngrita me vrull prej shtratit dhe hyra në dush. Ajo u struk, u
përkëdhel, kukurisi, fshiu fytyrën prej ujit, kryqëzoi duart në qafë dhe mu
ngjesh tërësisht pas trupit. Uji trokëllinte mbi trupat tanë dhe derdhej
përdhe. U puthëm butësisht nën rrëketë e ngrohta të ujit të dushit. Ashtu të
lagur siç ishim prej ujit shkuam në shtrat dhe bëmë dashuri. Ish e natyrshme,
mëngjesi i dytë që ishim së bashku, nuk ngopeshim. Të dy kishim mall, ndjenjë
dhe dashuri.
Pimë nga
një gotë qumësht dhe hëngrëm mëngjes me vezë të fërguar të cilat nusja e re i
përgatiti me shkathtësi. Merita më puthi përsëri, këtë herë lehtë me majat e
buzëve si pëllumbeshë dhe mu lut të dilnin në shëtitje përgjatë rrugës King, të
cilën ia përshkruaja aq shpesh dhe me ngjyra të ndezura në letrat që i dërgoja.
Meritën e brente kureshtja për të njohur dhe mësuar sa më shpejt dhe më shumë
për vendin e ri dhe ku po fillonte jetën e re. Ajo u rrotullua, mu kacavirr në
trup dhe u puthëm sërish fort.
U veshëm
duke vështruar njëri tjetrin dhe qeshur ëmbël. Ajo veshi fustanin e kaltër me
jakë të bardhë, krehu flokët me shikim ëndërrimtar. Dukej vërtet e
mrekullueshme, i dilte në pah trupi i derdhur, beli i ngushtë, gjoksi i
ngritur, këmbët e drejta. Nuk e di kush fërgëllonte më shumë unë apo Merita? U
puthëm sërish, buzët tona qëndruan një copë herë të puthitura. Sa mirë është të
kesh pranë një njeri që të do. Koha e beqarisë së gjatë mori fund. Në jetën
time hyri një tjetër njeri. Një vajzë e bukur me plot hire, me emrin Merita,
përzuri vetminë dhe mbushi me fllad dhe jetë kthinën time. Ashtu thjeshtësisht
pruri erën e nevojshme të bashkëjetesës dhe të ardhmërisë. Nuk kisha përse të
ankohesha, më ra për shtat një femër e mirë e pashme e çiltër. Mbi të gjitha
nga qyteti i lindjes. Merita më futi butësisht krahun si për ti përforcuar
meditimet e këndshme dhe e ngazëllyer më mbështeti kryet në sup.
Dolëm.
Merita lëshonte herë pas here pasthirrma të ulëta habie, mi kapte gishtërinjtë
mi shtrëngonte. Vogëlushen time po e befasonte rruga e vjetër King e populluar
kryesisht me polakë dhe irlandezë, godinat e larta me arkitekturë
karakteristike, me dyqane dhe lokale të shumta, gjallërinë e shëtitësve e të
gjitha moshave. Edhe unë kur erdha në fillim rruga më la mbresa, ndaj bëra
ç’është e mundur për të gjetur një vend diku pranë kësaj rruge, ku lëvizin
tranvaja dhe në buzë mbrëmje rruga rrëzëllen prej dritave të shumta dhe
reklamave. Diçka të ngjashme me qytetin tim.
-Këtu pranë
është një lokal i mirë,- i fola me zë të ëmbël, i tregova një mjedis në krahun
e djathtë të rrugës dhe shtova: - Çdo mëngjes kthehem dhe pi Tim Hortons.
Dëshiron ta provosh e ëmbla ime Merita?
-Ç’është
kjo Tim Hortons? -E pyeti Merita.
Buzëqeshi
me zemërgjerësi.
-Kafe,- i
thashë, - ka emrin e një lojtari të njohur të hockey, mbahet si kafeja më e
famshme në Kanada.
Hymë
brenda në lokal, porosita dy kafe të mesme Tim Hortons dhe Merita nuk reshte së
pyeturi.
-Andrea,
ti e di, në vendlindje pimë kafe turke me filxhanë të vegjël. Këtu ta japin ta
pish me gota dhe filxhanë të mëdha,- foli Merita me zë të ulët.
Buzëqesha,
ia përkëdhela lehtë doçkën e plotë, të vogël dhe i pëshpërita:
-Kafja që
pimë në Shqipëri është e fortë. Kjo që po pi tani është e butë.
Merita
piu një gllënjkë të madhe me kafe, me shikim të përqendruar në fund të lokalit
dhe nuk më ktheu përgjigje.
Në
trekëndëshin që lidh rrugët King dhe Queen lartohet dyqani i madh i luleve, i
firmës së madhe Dion. Çatia konike e dyqanit dhe fasada janë lyer me ngjyrë të
portokalltë. Kolonadat në ngjyrë të gjelbër të çelur. Pjesa e përparme,
dritaret e mëdha dhe dyert janë mbuluar me xhama. Për tu lënë mundësi
kalimtarëve të sodisnin me lehtësi dhe joshur me mallin e ekspozuar nëpër
vitrina. Meritën e tërhoqi ndërtesa, më shtrëngoi krahun dhe u drejtuam për
aty. Përpara saj u shfaq si një kopsht i madh me lule shumëngjyrëshe, tulipanë,
trëndafila, karafila, borzilokë, manushaqe
dhe që përhapnin erë mrekullueshme.
-Oh nëne,
sa lule të bukura, si në parajsë!- ia bëri nusja e re dhe klithi lehtë.
Pranë
luleve shumëngjyrëshe me germa të mëdha ishin vendosur çmimet. Ajo hodhi një hap prapa dhe rrudhi
vetullat, kënaqësia iu fashit. Tundi kryet e menduar dhe vendosi pëllëmbën e vogël përpara gojës. U
afrua përsëri, ngjeshi ballin pas xhamit të vitrinës së dyqanit, puliti
qerpikët gjithë naivitet dhe mërmëriti:
-Oh
Andrea, çmimet në këtë dyqan qenkan marramendëse! Doja të thosha të çmendura!-
lëshoi një pasthirrmë të thellë, pastaj shtoi:- Fundja lule janë të shkretën
dhe nuk janë kostume dhe fustane!
-E
dashur, janë lule organike, të freskëta dhe plot aromë, - i thashë.
Ajo
luajti kokën e pabindur prej fjalëve të mia, puliti qerpikët përsëri dhe
mërmëriti:
-Sidoqoftë,
këto lule nuk do ti blija kurrë.
Buzëqesha
lehtë me zemërgjerësi, nuk iu mërzita nuses së re. Ajo ish ritur, mësuar me
jetën e thjeshtë, pa pretendime të qytetit tonë provincial. Të blesh lule disa
dhjetëra dollarë nuk është e pakët, aq më tepër që këto lule pas disa ditë ose
e shumta një javë mund të fishken dhe flaken.
Merita
hyri fare thjesht në jetën time. E ndjeva menjëherë që ndryshimi ndodhi. Vetmia
është molë e tmerrshme, të gërryhen ngadalë pandierë në mënyrë të pashmangshme.
Ngujuar në një kthinë të vogël, nën darën e fortë e të ftohtë të qytetit të
madh, ku ndjehet i tendosur rituali i pandryshueshëm. Stresi për të mbajtur me
thonj vendin e punës, ngjitja dhe zbritja nëpër trena dhe autobusë. Gjumi i
shqetësuar dhe shumë gjëra të rëndësishme të rrëshqasin nga mendja. Miqtë e
vërtetë të fëmijërisë së bashku me lojnat, argëtimet dhe shëtitjet buzë
mbrëmjeve nën rrugën e blirëve mbetën në memorie, strukur në mënyrë në
padukshme në rrugicat e ngushta me kalldrëm të qytetit të dashur.
Lidhja me
Meritën u bë në bazën e rekomandimit dhe dëshirës së mirë të nënës, të miqësisë
dhe të fqinjësisë, siç ndodh rëndom me djemtë e mërguar vite larg në dhjetëra
male kaptuar, në dete, oqeane. Kur i
thanë nënës sime për Meritën, vajzën e Kumrie Tamburasë që punon në postë-
telegraf- telefonit. E mira nëna ime u çelëtit, sa e pa çupën e pëlqeu dhe e puthi
me mirësi në faqet e fishkura. Iu ngjit nënës vajza e Kumries, sa nuk fluturoi
dhe gjithë shend e verë më lajmëroi të vija, të shihja vajzën, të bisedoja me
të dhe për hair qoftë. Të vendosja.
Takimi me
Meritën dhe familjen e saj u bë në shtëpinë e Lefterisë fqinjës së vjetër. Merita qëndronte ulur në cep të divanit të
kuq të Lefterisë, veshur me një fustan të thjeshtë, me lule, i derdhej bukur në
trup dhe mbante vazhdimisht gjunjët mbledhura dhe sytë përtokë. E kisha të
turbullt kujtesën për Meritën, siç ma treguan në fotografi me veshje sportive
dhe buzëqeshje të ëmbël si në kartolina. Mbase ngaqë ajo jetonte në lagjen e
lumit dhe rruga më binte shumë rrallë për andej. Në takimin dypalësh më shumë
folën Kumria, nëna e Meritës dhe Lefteria, fqinja. Nëna luante kryet ngadalë
dhe fshinte lotët me cepin e shamisë së bardhë. Ajo ende pa u çmallur mirë me
mua, nuk i durua sa të më tregonte kandidaten për nuse të ardhshme, mërmëriste
e mallëngjyer:
-Biri im,
përpara se të vdes le ti ngrohet zemra nënës për fllad nuseje dhe çerdhe
fëmijësh.
Heshtja,
akoma kisha në fyt lëmshin e madh të mallit dhe nostalgjisë. Merita mbante
kokën pakës të anuar mënjanë, bardhoshe e kolme, plot vlagë dhe afsh. Gjoksi i
plotë ngrihej dhe ulej me shpejtësi, buzët e plota gjithë tul i mbante pakës të
hapura. Flokët e zinj dhe të dredhur i derdheshin si ujëvarë. Në qafën e bukur
dhe të bardhë i dallohej një nishan i zi. Pa e kuptuar më hipi dëshira marroqe
ta puthja atë nishan. Ajo puliste qerpikët e gjatë, si krahë dallëndyshe e fshihte
shikimin përdhe dhe e pasigurt shtronte mbi gju palën e fustanit të kaltër. E
vështroja herë ballas dhe here me bisht të syrit. Nisi të më pëlqente vajza,
kandidatja për nuse. E freskët e ëmbël, ndezëtare,me dy gropëza të hijshme në
faqet e purpurta, nuk kish të sharë. Merita buzëqeshte ndrojtur e pastërvitur
me të tilla ceremoni dhe me pafajësi e zbriste shikimin butë në dysheme.
Mbasi
përfundoi ceremonia e prezantimit dhe e hollësive të mëtejshme për dy njerëz që
do lidhnin jetën për fare së bashku. Përfaqësitë u tërhoqën me buzëqeshje
mirëdashje. Na lanë të dilnim të shëtisnim, të bisedonim dhe të njiheshim më
mirë. Dita ishte plot diell dhe në bulevardin kryesor të qytetit kishin
shpërthyer lulet e blirëve. Të dy ecnim në heshtje ngadalë, krah për krah nën
erën e mrekullueshme të blirëve. Më dukej sikur kurmi i vajzës fërgëllonte.
Vazhdoja ta këqyrja herë ballas dhe herë me bisht të syrit. Sa të sikletshme
dhe torturuese qenkan ceremonitë e lidhjeve të ardhshme, sidomos për vajzat, të
cilat presin me sinqeritet dhe me bindje një fat të mirë. Më në fund u kollita
dhe theva heshtjen. Nisa ti flisja për qytetin e madh dhe jetën e vrullshme
kanadeze. Ujëvarën e famshme të Niagarës, liqenet e ngrira në dimër, ku të rinj
dhe të reja luajnë me patina. Merita dëgjonte kokë anuar, s’fliste, kuptohej
ndjehej e ndrojtur e pastërvitur por sytë e saj vezullonin.
Lefteria
më rekomandoi të shkonim në lokalin e njohur të mishit të qengjit të fshatit
Boboshticë me ambiente të qeta dhe intime. Lokali ish vërtet interesant dhe
karakteristik. Merita hyri e para dhe gjeti një ambient të këndshëm. Darkuan me
mish qengji. Vetëm unë flisja si për ti a lehtësuar sikletin kandidates për
nuse. Vajza dëgjonte e përqendruar më ndërpriste rrallë, me pulitjen e
pandërprerë të qerpikëve dhe më pas shikimi i saj binte në dysheme. Zgjata
gishtërinjtë, i përkëdhela lehtë dorën e vogël të butë dhe të ngrohë. Dora e
saj u drodh por nuk u tërhoq. Kur u ndamë e pyeta:
-Merita,
a dëshiron të jetosh me mua në Kanada?
-Dua,-
murmuriti ajo,- shumë dua, vetëm se kam pak frikë.
-Frikë!-
ia bëra i habitur,- po përse?
-Nuk e
di, është hera e parë që largohem prej qytetit të lindjes dhe familjes.
-Të
premtoj se do të bëhem në krah për çdo gjë,- i thashë me dhembshuri.
Merita
ngriti kokën vrulltas dhe me lëvizje nazike hodhi flokët mënjanë, më vështroi
gjatë, buzëqeshi ëmbël dhe gjithë mirënjohje.
-Faleminderit,-
pëshpëriti,- dukeni që jeni njeri i mirë.
E tërhoqa
pranë vetes dhe e putha lehtë në buzët tulta. Ajo qëndronte me buzë të
mbledhura si një fëmijë dhe mua mu qesh. Lëviza buzët përgjatë buzëve të saj,
por ajo nuk reagoi, dukej e hutuar, i mbante sytë mbyllur. Dhe unë pa u
mërzitur e putha përsëri...
Morra
frymë thellë dhe rregullova me kujdes letrën e tejdukshme të buqetës me
tulipanë, karafila dhe trëndafila. Këtë buqetë e bleva pikërisht në dyqanin e shtrenjtë Dion për t’ia bërë surprizë Meritës. Lëvizja
me ngadalë përmes turmës së pritësve dhe shpërndaja erë lulemirë.
Brodha
vështrimin në mizërinë e pritësve të afërmeve të tyre, të grumbulluar përpara
dyerve vetëlëvizëse të aeroportit të madh. Jeta si gjithnjë është e ngarkuar me
ikje, pritje, takime, çmallje dhe përqafime. Udhëtarët e lodhur prej fluturimit
të gjatë dhe të rënduar nga valixhet, ndjehen të lumtur kur dëgjojnë klithmat e
gëzimit dhe të pritjes.
Mbajta
erë me ëndje karafilave, tulipanëve dhe trëndafilave. Lulet janë të freskëta
dhe lëshojnë erë dehëse. Erëmirën e
luleve e ndjenin të gjithë pritësit ndaj kthenin kryet nga unë kur lëviz afër
tyre. Bëja kujdes kur mbledhja gishtërinjtë rreth buqetës, të mos e zhubrosja
letrën e tejdukshme mbështjellëse, të mos i dëmtoja fletët e gjelbra, kërcellet
e brishta, prandaj lëvizja rrëshqanthi gati i kontraktuar, me frikën e
përplasjes së paparashikuar.
Buqetën
me lule e bleva pesëdhjetë e nëntë dollarë dhe nëntëdhjetë e nëntë cent plus
taksë. Sa herë bënim shëtitjen e së dielës Merita ngadalësonte hapat, thithte
me etje erën e mrekullueshme të luleve dhe sodiste me zili karafilat,
trëndafilat, tulipanët etj, vendosur kujdesshëm në vitrinë. Ajo habitej me
aromën dhe freskinë e tyre, paçka se jashtë binte borë. Por çmimet e luleve të
këtij dyqani ishin të kripura.
Kur e
përcolla Meritën i premtova se do ta prisja me karafilat dhe trëndafilat e
dyqanit të luleve ’Dion’. Ajo fshehu sytë përdhe. Prisja që Merita të rrihte
shuplakat dhe të bërtiste prej kënaqësisë. Nusja e ime e mirë ish e përhumbur,
tmerrësisht e shqetësuar prej merakut të sëmundjes së papritur të babait dhe
nuk më ktheu përgjigje.
Për disa
gjëra dhe trille femërore Merita tërhiqej mënjanë dhe fshihej me fanatizëm. E
vështroja në hop i habitur. Ajo përgjonte vështrimin e tim pastaj më përdridhej
gjithë naze dhe më puthte në cepin e buzës. Më pas më kapte buzën me majat e
dhëmbëve, më përkëdhelej përpara hundës, e qeshte si çilimi.
-I dashur
Andrea mos u bëj kështu, vetëm ty të kam në këtë botë të huaj dhe qytet të
madh. Eh i dashur im, femra po të mos ketë një çikë sekrete nuk ka kuptim të
jetë femër,- më pëshpëriste.
Tërhiqesha
menjëherë, vërtet s’ ish fort e hijshme të ngulmoja, të tregohesha skuth i keq
në sytë e gruas sime që e doja aq shumë. Zakonisht femrës i pëlqen të mbajë për
vete disa sekrete të vogla simpatike, për tu bërë pakës enigmatike. Nazet e
bukura dhe sekretet e vogla e bëjnë femrën më tërheqëse. Qeshja me zemërgjerësi
dhe Merita ime shkrihej prej kënaqësisë.
Për të
qenë i pranishëm në ceremoninë kur Merita të marrte certifikatën e përfundimit
me sukses të kursit mora lejë nga puna një javë më parë. Merita qëndronte hijshëm
ulur në stol veshur me uniformën blu dhe kordele të kuqe të graduantit, zgjatej
dhe më përshëndeste lehtë me dorë. Ishte vërtet një ngjarje e rëndësishme. Më
shumë isha unë i emocionuar se sa ajo. Kur iu thirr emri Meritës për të marrë
certifikatën, pa e kuptuar brofa në këmbë i emocionuar duartrokita dhe
fërshëlleva. Ajo eci rëndë- rëndë e sigurt në podium, më erdhi vërtet për të
qeshur.
Darkuam
në një lokal luksoz, në qendër të qytetit, pimë verë ’Bordo’. Atë ditë e
lëshova dorën lashë dyqindepesëdhjetë dollarë,
një shumë e konsiderueshme për xhepin tim modest. Të dy ardhëm në qejf.
Merita më varej si kotele në shpatull dhe më ngjitej gjatë gjithë rrugës. Kur
hymë në dhomë Merita i kërkoi ta mbaja në krahë. E ngriti hopa e putha fort në
gushë, e gudulisa por kur u zhveshëm lakuriq për të bërë seks, çuditërisht u bë
krejt esëll. U ngrit vrulltas në këmbë, veshi me shpejtësi të brendshmet,
këmishën natës dhe më kundërshtoi ashpër, prerë, me ngulm dhe hyri me vrap në
banjë. Në lakuriqësi vështroja dritën e zbehtë të neonit pa ditur çfarë të
bëja. Ajo qëndroi gjatë në banjë duke zbrazur herë pas here ujin e tualetit.
Unë mbaja vesh, kur doli eci në majat e gishtërinjve, u fut në shtroje dhe
mbuloi kokën.
Të
nesërmen u ngrita si zakonisht herët. Kokën e kisha të rëndë prej verës të
cilën vazhdova ta pija dhe më vonë, kundërshtimi i pakuptimtë gruas në kulmin e gazit të bukur më mërziti.
Merita u rrotullua në shtrat, futi krahun poshtë jastëkun, puliti qerpikët dhe
u shtriq. Ndiqte me vëmendje lëvizjet e mia.
Pa vështruar nga ajo e përshëndeta:
-Mirëmëngjes!
Ajo
luajti kryet dhe fërkoi mjekrën mbas jastëkut. Shikimin i saj ish i zbrazët,
nuk kish mbetur në to asnjë gjurmë prej euforisë së djeshme. Tërhoqa derën dhe
zbrita poshtë. Ndeza makinën, prita disa minuta të ngrohej motori dhe u nisa
për në punë. Nuk më shqitej prej mendjes ndryshimi i beftë i mos dëshirës së
Meritës për të dhenë ngrohtësi. Shpesh më habiste gjithnjë me ca ndryshime dhe
trille të befasishme, aq sa ndjehesha i pështjelluar. Herë më dukej më e
brishtë nga ç’duhej, si fëmijë e llastuar, prekej shpejt për hiç mos gjë,
trishtohej, përlotej dhe i pëlqente të
qëndronte vetëm. Përpiqesha të mos i jepja shkak për sherr, e falja gjithnjë, e
mbaja në duar si pëllumbeshë.
Kur u
ktheva nga puna gjeta Meritën që qante me dënesë. Mu dhimbs, e harrova në çast
mërinë mbrëmshme e afrova pranë me kujdes, i përkëdhela flokët e butë si kadife
dhe e pyeta përse qante. Ajo ngriti kokën, mjekra i dridhej prej ngashërimit.
Fytyra e saj mu duk e zbehtë dhe sytë e skuqur. Sa delikate, të pakuptueshme
dhe të çuditshme janë gratë, punoja dy turne e mbaja pa punë në shtëpi të
përfundonte kursin, dje për kënaqësi shpenzova dyqindepesëdhjetë dollarë. Në
vend të isha unë i mërzitur, i trishtuar, që po bëja gjithçka që mundja për të
dhe ajo... Po ajo kish një det të madh ndër sy, çfarë kish ndodhur?
I bëra
kafe të fortë dhe prita me gjakftohtësi të ndalte ngashërimin dhe të fliste. Më
në fund mora vesh se Demiri, pijetari shembullor i konjakut dhe fërnetit, babai
i saj ishte i sëmurë rëndë nga zemra. Ajo mblodhi shpatullat, fshiu hundët dhe
shtoi:
-Ah i
dashur, nuk e di si do ti shkojë filli i jetës babit tim. Në vendlindje mjekët
janë mafiozë të paskrupullt, të shikojnë duart.
-Mos u
mërzit,- thashë dhe e përkëdhela në faqen e qullur nga lotët,- i dërgojmë që
sot një çek për të përballuar shpenzimet e spitalit dhe të mjekëve.
Merita
tundi kryet me nervozizëm dhe shtrëngoi shaminë e qullur.
-Jo, në
asnjë mënyrë jo. Nuk mund ta lë babin tim në dorë të atyre mjekëve dhe infermierëve
ku përkujdesja për të sëmurët është për faqe të zezë.
-Ç’mendon
të bësh? – e pyeta.
-Nuk e
di, si thua ti,- ia bëri dhe vështroi ballas nga unë.
-Sille
këtu,- i thashë pa e zgjatur.
Merita u
çel në fytyrë, brofi prej shtratit dhe mu hodh në krahë.
U
interesova të tërhiqte formular nga ambasada, ia dhashë Meritës ta mbushte dhe
ti a niste menjëherë familjes. Kur shkoja në punë e linja gruan të ngrehur. Ajo
gjithnjë kontrollonte postën dhe qëndronte në pritje të telefonatave, për
aprovimin e vizës së të atit për të ardhur në Kanada. Prej padurimit nga dita
në ditë po bëhej nervoze, kruante kokën, psherëtinte dhe vërtitej nëpër dhomë.
-Do
çmendem prej ankthit- ia bënte.
-Të lutem
Merita eja fli, jam i sigurt se dokumentet do vijnë shumë shpejt,-e ngushëlloja.
Gruaja e
bindur flakte rrobat mbi komodinë, futej në shtroje dhe mbulonte kokën.
Ndruhesha ta prekja, ta trazoja, kisha merak se mos e lëndoja.
Merita
shkoi tmerrësisht e mërzitur në vendlindje, me sy të përmbytur prej mjegullës.
Gjendja shëndetësore e të atit ish tejet rënduar, ajo e do shumë babin dhe ne
kemi vendosur ti a bëjnë këtu operacionin koronar të zemrës. Me përfshiu edhe
mua akthi i pritjes dhe i operacionit të Demirit, babai i gruas është pothuajse
dhe babai im. E merrja gjithnjë në telefon por më dilte Kumria, e ëma e cila më
fliste me zërin si piskamë, sa më shurdhonin veshët, më thoshte se, Merita është dobësuar prej
merakut dhe më të shumtën e kohës qëndron në spital pranë të atit. Mu leqendis
çupa Andrea, mu bë gjysmë njeri...
Vështrova
orën e dorës, ish koha të shfaqej Merita, ajo do të vrapojë drejt meje me mall
do më hidhet në krahë. Duart më dridheshin prej emocionit, lulet fërfërinin.
Isha i impresionuar, apo i shqetësuar, ndoshta e kisha prej mallit dhe
padurimit. Ikja e gruas e la shtëpinë bosh dhe për të mos qëndruar vetëm shpesh
punonte dy turne. Piva një kafe të mesme shpejt e shpejt me sytë e mbërthyer
nga dyert e mëdha lëvizëse.
Me sa
mësova avioni Alitalia, Romë-Toronto, kish më shumë se tre orë që kish
mbërritur në aeroport dhe Merita nuk po dukej. Mu shtua meraku për vonesën e
paparashikuar. Merita kish qenë shumë e preokupuar me sëmundjen e babit dhe
orën e saktë të mbërritjes ma tha nëna. Mos ndoshta i kish ndodhur Demirit
gjatë udhëtimit ndonjë krizë e fortë zemre, ose ndonjë keqkuptim i rëndomtë me
valixhet? Buqeta e madhe me lule më lodhi krahun e hodha në dorën tjetër.
Pritësit kthenin kokën me kujdes, u mbanin erë luleve të buqetës sime. Ngado që
lëvizja shpërndaja aromë luleje erëmirë dhe nuk u pendova që pagova për to
pesëdhjetë e nëntë dollarë dhe nëntëdhjetë e nëntë cent plus taksë.
Gishtërinjtë
që mbanin të shtrënguar tufën me karafila dhe trëndafila mu qullën shpejt dhe lëvizën pakujdesish mbi mbështjellësen e
lëmuar dhe të tejdukshme. Fleta u zhubros dhe kërciti lehtë. Gishti i vogël u
pickua dhe u gjakos. As vetë nuk e mora vesh nga u ndodh ai dreq tel i mprehtë
apo gjemb në atë buqetë të shtrenjtë, me lule kundërmuese që më përgjaku dorën.
Më
mbërtheu një nervozizëm i pakuptueshëm. Fshiva gjakun me një copë letër që mu
ndodh në xhep dhe lëviza sa më afër, duke mbajtur buqetën me lule lart me
kujdesin e eliminimit të ngjeshjes së pakontrolluar të pritësve.
U
mbështeta në kolonën e betontë dhe nuk vendosja se çfarë duhej të bëja. Të
merrja një kafe tjetër por rreziku i
pagjumësisë ma largoi këtë dëshirë. Dyer hapeshin dhe mbylleshin me shpejtësi,
dilnin udhëtarë të rënduar prej valixheve. Dreqi ta hajë sa torturuese qenka
pritja. Sidoqoftë kur pret njeriun që do, ke lidhur jetën, pritja dhe takimi i
afërt merr një kuptim të madh dhe zemra të gufon prej gëzimit.
Më në
fund u shfaq Merita duke tërhequr pas dy valixhe të madha dhe të kuqe. Kur iku
engjëllushja ime mori me vete vetëm një valixhe të vogël blu. Fytyra e Meritës
dukej lodhur e skuqur si e flakëruar.
-Merita,
Merita!- i thirra dhe tunda buqetën me
lule. U turra drejt saj për ta ndihmuar, mos më lodhej delikatja, gruaja ime. Ç’ishte e nevojshme të
sfilitej, të mbarte rraqe dhe lecka në mijëra kilometra, kur e porosita disa
herë të mos ngarkohej. Gruaja ime, vogëlushja ime tashmë e di, në Kanada të
gjitha gjërat janë shumë më të mira dhe më të lira. Eh, femrat si femra!
-Merita!- i thirra përsëri.
Gruaja
ime shkundi kokën me vrull, më hodhi një vështrim të ngrirë dhe puliti
qerpikët. Me trupin e tendosur dhe kokën përpara tërhoqi valixhet për në
drejtim të kundërt.
-Merita!?
Kaq të
jetë hutuar, lodhur, ti jenë shurdhuar veshët Meritës sime prej këtij dreq
fluturimi? Kot nuk vendosa të merrja lejë dhe nuk shkoja me të. Nuk lihet vetëm
gruaja në udhëtime dhe fluturime aq më tepër kur mbart një brengë të madhe. Kur
gjendesh i larguar, i vetëm në vend të huaj, preokupohesh dhe e do akoma më
shumë njeriun me të cilin ke lidhur jetën. Eh, Merita, Merita, do më bësh me
zemër ndonjë ditë.
Shpejtova
hapat, u afrova me ngut dhe qëndrova përpara saj. I lumturuar i zgjata buqetën
me lule. I çliruar prej ankthit dhe i malluar u bëra gati ta përqafoja. Merita
për një sekondë ngriu, tërhoqi me forcë kokën prapa. Më vështroi ftohtë, gjithë
egërsi si të kish përpara një të huaj dhe jo burrin e saj. I poshtër udhëtim sa
i huton njerëzit! Përsëri ndjeva pendesë të heshtur, që nuk shkova me të.
Rrotat e
vogla të valixheve që mbarte Merita u fërkuan ashpër pas parketit, aq sa mu
shurdhuan veshët. Prisja të shikoja të dilte i ati i sëmurë, i ulur në karrocë.
Përpara se të dilja në pritje të Meritës e hoqa një ndenjëse nga makina për ti
lënë hapësirë të bollshme e të rehatshme të sëmurit të dërmuar prej udhëtimit
të gjatë.
-Oh
Merita sa më ka marrë malli,- i thashë, ndërkohë kritikova veten. Sa hutaq që
je, lëviz, marrja valixhet gruas, nuk e sheh që e ka dërmuar udhëtimi.
Por atë
çast pranë nesh u afrua një djalë i gjatë, hundëgjerë, fytyrëegër, me një vëth
të madh në veshin e djathtë. Ai hyri mes nesh duke na shtyrë me bërryla.
-Hapma
rrugën! -hungëriti.
-Çfarë!-
i a pata.
-Të thashë
liroma rrugën.
-Shko ore
më tutje, nuk e sheh ka vend boll. Më lër të takoj gruan time, -i fola i
pështjelluar dhe me zë të mbytur.
-Të
takosh gruan tënde! He, he, po na mërzit kokën ca si shumë. Hajt mbathja,
gremisu!- shkrofëtiri ai.
-Ore,
mbush mirë nga trutë ti,- i bërtita. Goja mu bë farmak, ç’donte ky skërfyell
mes meje dhe Meritës sime. Zë ngjirur i fola:- Merr vesh ç’të them, po e
përsëris, kjo këtu është gruaja ime. Kam dalë ta pres dhe ta takoj?!
-Nuk ka
nevojë ta përsëritësh më,- gërmuq ai.
-Atëherë
çfarë dreqin do?
Inati po
më shkundte gjoksin. Ç’kërkonte ky bubuzhel? Shtrëngova grushtet gati për sherr
dhe ndërkohë vështrova përreth mos shihja ndonjë polic. Merita përgjonte e
ngrehur vështrimin tim, që e kisha të murrëtyer, ma bleu mendjen. Brenda një
viti i kish studiuar mirë ligjet kanadeze dhe ma kaloi ujët nën rrogoz, me
telefonatat dhe letra sekrete. Lëpiu buzët e përthara dhe pëshpëriti:
-Andrea.
-Hë!
-Duhet të
qetësojmë gjakrat.- bërbëliti dhe na bëri me kokë mua dhe atij skërfyellit të lëviznin
diku më tej
-Cilat
gjakra të qetësojmë,- ia ktheva,- çdo ky këtu?!
Ajo nuk
më ktheu përgjigje, eci e para. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan zhurmshëm
pas parketit. Veshët e mia oshëtinë.
Diku larg
Merita qëndroi. Hodhi vështrim gjetiu, më pas e fshehu në dysheme dhe foli me
zë të ashpër, gati urdhërues, shumë të huaj për veshët e mi:
-Andrea
Spillo përse kërkon të bësh skandal?
-Unë dua
të bëj skandal!- ia bëra i pështjelluar dhe zë lënduar pëshpërita, - mezi të
prita Merita.
Ajo
shtrëngoi buzët me inat dhe tha:
-Mezi më
prite, ç’na the! Ti kërkon me patjetër të bësh skandal, këtu në mes të
aeroportit, përderisa e sheh nuk jam vetëm, por shoqëruar me dikë. Do na çosh
në shtëpi, apo të shkojmë të flemë gjetiu?
Gjendja
më dukej tmerrësisht e turbullt, sikur ish ngujuar në një kanal me ujëra të
zeza dhe shkallët ndihmëse ishin shumë lart. Merita e ime, vogëlushja ime e
brishtë, delikatja që trishtohej dhe përlotej për hiç mos gjë, qe tjetërsuar,
ish bërë e rëndë, autoritare e paturpshme, zagare. Dora më djersiu tmerrësisht.
Buqetën me karafila dhe trëndafila e hodha gjithë maraz e ngjesha në dorën
tjetër. Pëllëmba mu shpua dhe mu përgjak keq. U kapërdiva me vështirësi,
përqendrova nervat, një shkundje e madh po ndodhte. Gryka më digjte dhe me zë
të mbytur fola:
-Merita,
bëhu e arsyeshme, të prita me orë të tëra për të çuar në shtëpi.
-Ha, ç’na
the, të bëhem e arsyeshme! Ore, siç e shikon nuk jam vetëm. Kur më prite lëviz,
më lodhi rruga dhe broçkullat tuaja. Më ço në shtëpi.
-Mirë,
eja të çoj në shtëpi,- i thashë.
-Në
shtëpi do të vij me Çimin,- ia bëri ajo zë çjerrë.
-Me
Çimin! Po kush është ky Çimi?- Gërhita me dhembje dhe isha gati a ngjeshja atij
skërfyelli me grusht turinjve.
Rrotat e
vogla të valixheve u fërkuan ashpër pas parketit, mu gërryen zorrët dhe holli i
madh i aeroportit nisi të më vinte vërdallë.
-Kërkon
të dish se kush është Çimi,- foli ajo harbutçe.
-Sigurisht
dua ta di, përderisa kërkon të ma sjellësh në shtëpi. Prisja të vije me babin e
sëmurë rëndë, që siç më thoshe e doje aq shumë dhe jo me këtë.
Skërfyelli
u skërmit, Merita u ngreh dhe iu përdrodh atij.
-Sa për
dijeni, Çimi është i dashuri im,-më foli me zë të rëndë dhe pa turp,- dhe dëgjo
ti Andrea Spillo, mos dëgjoj të më çash kokën për hollësi të tepërta...Me jetën
time bëj çfarë të dua...
-Çfarë!-
ia bëra zëngjirur si i goditur me tokmak prapa kokës dhe vështrova syçakërritur
njeriun që kisha përpara dhe që quhej gruaja ime:- Çfarë...i dashuri yt... dhe
të mos të çaj kokën për hollësira të tepërta!? Unë i hoqa nga goja, punoja dy
turne në ditë, shpenzova për ty mijëra e mijëra dollarë dhe mijëra të tjera
dollarë për të sjellë...
- Deshe
pa i shpenzove,- ma ndërpreu ndyrësisht ajo.
S’i
ktheva përgjigje, çfarë ti thosha. Ika i ndërkryer. Me tërbim bëra shuk buqetën
me karafila dhe trëndafila, e shkela me
këmbë dhe flaka në koshin më të parë. Dora mu përgjak sërish. Koka më ziente si
të kisha brenda në kafkë një kazan me ujë të valë. Ndjehesha i mjerë, i gënjyer,
i shpartalluar, gruaja ime, Merita, ‘vogëlushja e brishtë’ më kish vënë
brirë...
Nuk e di
ku u plasa dhe vara kokën i zhgënjyer...