E shtune, 27.04.2024, 09:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Jasiqi: Skenat tronditëse

E diele, 23.06.2013, 07:50 PM


SKENAT TRONDITESE

Shkruan  Ali D. Jasiqi

Ndodhitë e luftës së fundit, bëmat dhe tragjeditë që përjetoi popullata shqiptare nga hordhitë serbe ofrojnë lëndë të bollshme për krijime artistike, për shkrime letrare në radhë të parë, sepse ato kanë lënë mbresa të pashlyera në ndërdijen e protagonisteve qe i kanë përjetuar tragjeditë e shumta. Ato madje kanë ndodhë në shumë vise e krahina shqiptare, por pothuajse janë të ngjashme, sikur të kenë ndodhë në një vend. Sepse pushtuesi ishte i njëjtë, ishin çetnikët serbë, që e shfrytëzuan situatën e krijuar gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, për t’i dhënë fund kështu njëherë e përgjithmonë pushtimit shekullor serb në trojet shqiptare të Kosovës martire. Në këto ngjarje, në këto ndodhi e ka kërkuar dhe e ka gjetur lëndën edhe Dinë Halilaj për hartimin e numrit më të madh te tregimeve të tij në librin me titull “Për një fjalë goje”. Imagjinata krijuese e Halilajt ka sjellë para lexuesit skena tronditëse të ngjarjeve që e kanë tronditë popullatën shqiptare në përgjithësi, dhe atë fshatare në veçanti, në ambientet e të cilit ai i vendos ngjarjet, përkatësisht fabulat e tregimeve të veta.

“Gjithmonë, biro, janë munduar pushtuesit të na përçajnë, por nuk ia kanë arritur, sepse jemi të lidhur në mes vete përmes gjakut të njëjtë”. Këto janë disa nga porositë që ia përcjellë babai të birit, duke ia përkujtuar se gjithmonë duhet të kujdeset mos të bie në grackën e armikut. Kjo vështirë realizohet, por duhet të qëndrojë si granit i pathyer edhe atëherë kur barbarët vrasin, siç ndodh me plakun e tregimit “Gjaku nuk bëhet ujë”. Rezistenca e vazhdueshme e popullatës ndaj provokimeve të përhershme të pushtuesve serbë që me dredhitë e tyre përpiqeshin të bëjnë dallimin në mes të shqiptarëve konfesionesh të ndryshme fetare do t’u shkojnë kot, sepse siç dihet, shqiptarët janë të ndarë në tri besime fetare, por për ta mbetet porosia e Vaso Pashë Shkodranit se “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Andaj edhe nuk do të ketë sukses pushtuesi barbarë në realizimin e synimeve të tij për shtirjen e fitmeve në mes të popullatës shqiptare.

Por zullumi i serbeve të shfrenuar dhe të tronditur nga bombardimet e forcave të aleancës së NATO-s mbi caqet e tyre do të shprehet në formën më të vrazhdë, si me dhunimin e femrave shqiptare, madje duke u përpjekur që ketë ta bëjnë në prezencën e familjareve, për të dëshmuar kështu forcën e tyre shtazarake. Si pasojë e kësaj e dashura e Arbënorit, Teuta, ka mbetur shtatzënë dhe gjendet në mes të dilemës të bëjë vetëvrasje, apo ta mbajë edhe më tutje foshnjën e padëshiruar. Përkundër peripecive nëpër të cilat kalon, ajo gjen mirëkuptim tek i dashuri, përkatësisht burri i saj dhe tani ata jetojnë të lumtur me tre fëmijët e tyre ( tregimi “Foshnja e padëshiruar”). Për pak,  diç e tillë do të mund t’i ndodhte edhe nuses se Shpëtimit, por për fatin e mirë të saj aeroplanët e NATO-s e detyrojnë gjakpirësin serb të largohet nga shtëpia e Shpëtimit për të gjetur vdekjen nga bombat e aleancës. (“Fati në fatkeqësi”).

Në tregimet e tjera, Dinë Halilaj do të trajtojë fabula po ashtu tronditëse, siç është rasti me Shpresën, të cilën e vret polici, që e kishte ndie  vetin të ofenduar nga qëndrimi burrëror i vashës shqiptare apo edhe fati i Shaqës, që rastësisht kishte shpëtuar nga vdekja në masakrën që e kishin kryer fashistët serbë. Edhe tregimi “Trumi” është frymëzuar nga ndodhitë e luftës së fundit, kur hordhitë serbe e vrasin qenin besnik që me çdo kusht donte ta ruante shtëpinë.

U ndalëm pak më tepër në tregimet e frymëzuara nga ndodhitë tmerruese të luftës së fundit, nga se na u duk e arsyeshme t’i analizojmë ato, jo pse tregimet e tjera nuk kanë vlera artistike. Janë këto tregime artistike ku lexuesi do të gjejë ngjarje e ndodhi më të ndryshme nga jeta dhe realiteti i kohës dhe i momentit.

“Njeriu në këtë jetë duhet të lajë borxh, por edhe të tjerë t’i shtijë borxh” – është porosia e plakut djemve të tij, që në pleqërinë e vonshme nuk kujdesen fare për të, sepse nuk e donin gratë e tyre. Për t’i bindur djemtë se rejat nuk po kujdeseshin për të, plaku kurdis një rrenë se gjëja i kanë humbur do të holla në banesën e tij, andaj kërkon nga djemtë që të interesohen mos vallë ndonjëra nga rejat i ka marrë me ç’rast zbulohet se ato as që kanë hyrë në dhomën e plakut. Dhe çka është edhe me e rëndë për plakun, djemtë nuk ndërmarrin asgjë për përmirësimin e gjendjes (“Mallkimi i prindit”). Diç të ngjashme do ta gjejë edhe Banushin e tregimit “Zhgënjimi’, i cili martohet për herë të dytë, duke kërkuar djalë, i cili kur rritët, ia nxinë jetën me sjellje prej vagabondi.

Jeta e vështirë e gjeneratës se vjetër në ditët e sotme përshkruhet në tregimin “Hipokrat ku je”. Edhe pse  kishte kontribuar për mirëvajtjen e jetës dhe të punës, edhe pse kishte edukuar gjenerata të tëra në frymën patriotike, duke rrezikuar edhe jetën, mësuesi do të gjendet në mjerim për mungesë mjetesh materiale të nevojshme për ekzistence, nga se pensioni i tij është i barabartë më atë që nuk ka punuar asnjëherë. Por në shoqërinë tonë të njëjtin fat nuk e kanë të gjithë. Mjekët edhe pse janë betuar në porosinë e Hipokratit,  nuk i përmbahen fare, por vetëm shikojmë që të grabisin sa më shumë të holla nga popullata e varfër.

Siç mund të vërehet gjatë leximit, konstatohet më të drejtë se në këtë përmbledhje të autorit Dinë Halilaj kemi të bëjmë me tregime të shkruara me kujdes, me realizime të suksesshme, që i bëjnë ato të kapshme për lexuesit që edhe këtë libër mund ta ruajnë në bibliotekat e tyre si vepër që ia vlen të lexohet edh rilexohet.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora