| E diele, 23.06.2013, 07:50 PM |
SKENAT
TRONDITESE
Shkruan Ali D. Jasiqi
Ndodhitë
e luftës së fundit, bëmat dhe tragjeditë që përjetoi popullata shqiptare nga
hordhitë serbe ofrojnë lëndë të bollshme për krijime artistike, për shkrime
letrare në radhë të parë, sepse ato kanë lënë mbresa të pashlyera në ndërdijen
e protagonisteve qe i kanë përjetuar tragjeditë e shumta. Ato madje kanë ndodhë
në shumë vise e krahina shqiptare, por pothuajse janë të ngjashme, sikur të
kenë ndodhë në një vend. Sepse pushtuesi ishte i njëjtë, ishin çetnikët serbë,
që e shfrytëzuan situatën e krijuar gjatë bombardimeve të NATO-s mbi caqet
serbe, për t’i dhënë fund kështu njëherë e përgjithmonë pushtimit shekullor
serb në trojet shqiptare të Kosovës martire. Në këto ngjarje, në këto ndodhi e
ka kërkuar dhe e ka gjetur lëndën edhe Dinë Halilaj për hartimin e numrit më të
madh te tregimeve të tij në librin me titull “Për një fjalë goje”. Imagjinata
krijuese e Halilajt ka sjellë para lexuesit skena tronditëse të ngjarjeve që e
kanë tronditë popullatën shqiptare në përgjithësi, dhe atë fshatare në veçanti,
në ambientet e të cilit ai i vendos ngjarjet, përkatësisht fabulat e tregimeve
të veta.
“Gjithmonë,
biro, janë munduar pushtuesit të na përçajnë, por nuk ia kanë arritur, sepse
jemi të lidhur në mes vete përmes gjakut të njëjtë”. Këto janë disa nga
porositë që ia përcjellë babai të birit, duke ia përkujtuar se gjithmonë duhet
të kujdeset mos të bie në grackën e armikut. Kjo vështirë realizohet, por duhet
të qëndrojë si granit i pathyer edhe atëherë kur barbarët vrasin, siç ndodh me
plakun e tregimit “Gjaku nuk bëhet ujë”. Rezistenca e vazhdueshme e popullatës
ndaj provokimeve të përhershme të pushtuesve serbë që me dredhitë e tyre
përpiqeshin të bëjnë dallimin në mes të shqiptarëve konfesionesh të ndryshme
fetare do t’u shkojnë kot, sepse siç dihet, shqiptarët janë të ndarë në tri
besime fetare, por për ta mbetet porosia e Vaso Pashë Shkodranit se “Feja e
shqiptarit është shqiptaria”. Andaj edhe nuk do të ketë sukses pushtuesi
barbarë në realizimin e synimeve të tij për shtirjen e fitmeve në mes të
popullatës shqiptare.
Por
zullumi i serbeve të shfrenuar dhe të tronditur nga bombardimet e forcave të
aleancës së NATO-s mbi caqet e tyre do të shprehet në formën më të vrazhdë, si
me dhunimin e femrave shqiptare, madje duke u përpjekur që ketë ta bëjnë në
prezencën e familjareve, për të dëshmuar kështu forcën e tyre shtazarake. Si
pasojë e kësaj e dashura e Arbënorit, Teuta, ka mbetur shtatzënë dhe gjendet në
mes të dilemës të bëjë vetëvrasje, apo ta mbajë edhe më tutje foshnjën e
padëshiruar. Përkundër peripecive nëpër të cilat kalon, ajo gjen mirëkuptim tek
i dashuri, përkatësisht burri i saj dhe tani ata jetojnë të lumtur me tre
fëmijët e tyre ( tregimi “Foshnja e padëshiruar”). Për pak, diç e tillë do të mund t’i ndodhte edhe nuses
se Shpëtimit, por për fatin e mirë të saj aeroplanët e NATO-s e detyrojnë
gjakpirësin serb të largohet nga shtëpia e Shpëtimit për të gjetur vdekjen nga
bombat e aleancës. (“Fati në fatkeqësi”).
Në
tregimet e tjera, Dinë Halilaj do të trajtojë fabula po ashtu tronditëse, siç
është rasti me Shpresën, të cilën e vret polici, që e kishte ndie vetin të ofenduar nga qëndrimi burrëror i
vashës shqiptare apo edhe fati i Shaqës, që rastësisht kishte shpëtuar nga
vdekja në masakrën që e kishin kryer fashistët serbë. Edhe tregimi “Trumi”
është frymëzuar nga ndodhitë e luftës së fundit, kur hordhitë serbe e vrasin
qenin besnik që me çdo kusht donte ta ruante shtëpinë.
U ndalëm
pak më tepër në tregimet e frymëzuara nga ndodhitë tmerruese të luftës së
fundit, nga se na u duk e arsyeshme t’i analizojmë ato, jo pse tregimet e tjera
nuk kanë vlera artistike. Janë këto tregime artistike ku lexuesi do të gjejë
ngjarje e ndodhi më të ndryshme nga jeta dhe realiteti i kohës dhe i momentit.
“Njeriu
në këtë jetë duhet të lajë borxh, por edhe të tjerë t’i shtijë borxh” – është
porosia e plakut djemve të tij, që në pleqërinë e vonshme nuk kujdesen fare për
të, sepse nuk e donin gratë e tyre. Për t’i bindur djemtë se rejat nuk po
kujdeseshin për të, plaku kurdis një rrenë se gjëja i kanë humbur do të holla
në banesën e tij, andaj kërkon nga djemtë që të interesohen mos vallë ndonjëra
nga rejat i ka marrë me ç’rast zbulohet se ato as që kanë hyrë në dhomën e
plakut. Dhe çka është edhe me e rëndë për plakun, djemtë nuk ndërmarrin asgjë
për përmirësimin e gjendjes (“Mallkimi i prindit”). Diç të ngjashme do ta gjejë
edhe Banushin e tregimit “Zhgënjimi’, i cili martohet për herë të dytë, duke
kërkuar djalë, i cili kur rritët, ia nxinë jetën me sjellje prej vagabondi.
Jeta e
vështirë e gjeneratës se vjetër në ditët e sotme përshkruhet në tregimin
“Hipokrat ku je”. Edhe pse kishte
kontribuar për mirëvajtjen e jetës dhe të punës, edhe pse kishte edukuar
gjenerata të tëra në frymën patriotike, duke rrezikuar edhe jetën, mësuesi do
të gjendet në mjerim për mungesë mjetesh materiale të nevojshme për ekzistence,
nga se pensioni i tij është i barabartë më atë që nuk ka punuar asnjëherë. Por
në shoqërinë tonë të njëjtin fat nuk e kanë të gjithë. Mjekët edhe pse janë
betuar në porosinë e Hipokratit, nuk i
përmbahen fare, por vetëm shikojmë që të grabisin sa më shumë të holla nga popullata
e varfër.
Siç mund të vërehet gjatë leximit, konstatohet më të drejtë se në këtë përmbledhje të autorit Dinë Halilaj kemi të bëjmë me tregime të shkruara me kujdes, me realizime të suksesshme, që i bëjnë ato të kapshme për lexuesit që edhe këtë libër mund ta ruajnë në bibliotekat e tyre si vepër që ia vlen të lexohet edh rilexohet.