Kulturë
Albert Zholi: Intervistë me shkrimtarin Pirro Loli
E diele, 23.06.2013, 06:48 PM
PIRRO LOLI
SHKRIMTARI DHE POETI I HESHTUR I VLERAVE LETRARE.
Shkrimtari dhe poeti i
mirënjohur Pirro Loli gjithmonë e më tepër po tërheq vëmendjen e kritikes dhe
te lexuesit. Ai ka nisur të shkruaje që në vitet 70`në shtypin e kohës me një vëllim me tregime “ I dhjeti nga tanët”.
Më vonë iu hoq e drejta e botimit për 15 vjet dhe që nga viti 1990 ka shkruar
shume libra në prozë dhe në poezi. Pirro Loli ka marrë pjesë në një kongres ndërkombëtar
për perspektivat e letërsinë moderne të shek.XXI në Vashington( qershor 1997),
në festivalin e poezisë në Lodevë të Francës( korrik 2008) si dhe ne festivalin
ndërkombëtar të Durrësit(shtator, 2008). Në prill të vitit 2006 është dekoruar
nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Mirënjohjes’’për nivel të lartë
estetik të veprimtarisë letrare e publicistike..”
Ka botuar në Athinë dhe Tiranë
këto vepra:
ROMANE:
Lotët e diellit/Intervistë me
një gur/Qeni plastik/Piramida prej mjalti/Dashnorja misterioze/Qyteti me dy
kate
Rrokje në kryq/Tubeti i kuq
ESSE:
Itaka brenda meje/Kosova ,
saga e Ballkanit(me bashkautor)/Sirenat
Unë agjenti i CIA-S, m.H./
Aristidh Rruci dhe koha e burrave
POEZI:
Drita e vetëtimës/Dhimbja e
urës/Dritaret e shiut/Vdekja e trëndafilëve
Urdhëri i lotit/Metodë për
leximin e hirit
Kur keni filluar të
shkruani për herë të parë dhe cili ka qenë tregimi apo poezia e parë? Ku e keni
botuar?
E rëndësishme është
ku ke arritur, megjithse çdo gjë eë ka një fillim. Kam filluar të shkruaj disi
i privilegjuar brenda vetes sepse pedagogu im i letërsisë, në katër vjet në
Normalen e Elbasanit, hartimet e mia i lexonte në të tëra paralelet, nuk më
vinte gjithnjë notë, por më thoshte se këto janë tregime të një shkrimtari të
ri. Ishte një inkurajim i madh që më bënte me krahë. Vjershën e parë e botova
në gazetën “Zëri i Rinisë”, i kushtohej Shkurte P.Vatës. Nuk ka ndonjë rëndësi
kushedi, por e mbaj mend se kjo poezi u fut në kolonën zanore të dokumentarit
përkatës dhe unë e ndjeva veten, poet.
Pse kishe dyshim?
Atëhere nuk kisha,
madje dhe kur botova librin e parë me tregime(1974) e ndjeva veten shkrimtar…E
thekësoj këtë(për vete dhe për të tjerët) se sot, kur kam botuar 22 libra në
poezi, në prozë dhe në eseistikë, nuk e mbush dot gojën as për poet as për
shkrimtar.
Si je njohur me
Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Xhevahir Spahiun dhe si i kishit mardhëniet?
A ke pasur miqësi të vazhdueshme?
Jo vetëm me këta ,
por me të gjithë poetët e shquar kam njohje të shumta. Duke dhënë letërsi tërë
jetën unë njihja në detaje të gjithë veprën e tyre. Këta qenë dhe të
privilegjuar se , me detyrim, ishin futur në të gjitha tekstet shkollore që nga
fillorja deri në universitet e akademi. Ndërsa miqësia me ta , jo vetëm më mua
ishte problematike. Me sa duket karrikja fisnike e miqësisë nuk ka vend në
sallat e famës dhe të parasë. I. Kadarenë e kam njohur që student kur na jepte
ca leksione për letërsinë bashkëkohore. Mbaj mend se ishte pasionant për t’i
kritikuar izmat ; më vonë kam njohje të përcipta dhe siç e ka zakon ai me këdo
qëndrime indiferente. Dritroi është i prirur për të mbajtur miqtë, por, hipur
në kalin e politikës bëri shumë kundërshtarë në emër të LSHA si mekanizëm i
diktaturës; Me Xhevahirin kam ruajtur një miqësi shembëllore e të sinqertë mbi
40 vjeçare. Miqësia është lulja më e bukur që vyshket më shpejt , është një
vazo kristalinë që thyhet më lehtë.
Sidoqoftë, Berti, është për të ardhur keq se portokolli ballor i krijuesve tanë,
treshja Kadare, Agoll, Arap kanë dhënë dhe japin shembullin më të shëmtuar
midis tyre. Ndoshta nuk e dini, Berti, unë kam shkruar një libër eseistik dhe
kritik “Dumvirati i një stine që shkoi” me në qendër të mëdhenjtë tanë të
letrave. Kam dëgjuar e lexuar vlerësime të shumta. Me përjashtim të Fatos
Arapit A.Uçit dhe A. Kalludhit, që më
kanë falenderuar , dy personazhet e mi kryesore I. dhe D. kanë heshtur në
mënyrë shembullore.…Ndërsa Xhevahiri e mbante librin në dorë e tundte dhe ua
rekomandonte të tjerëve duke sokëllitur. E shikon , miqësia ka dukuri të
ndryshme, të mëdhenjtë tanë heshtin trimërisht.
A je takuar
ndonjëherë me Enver Hoxhën, Mehmetin apo udhëheqës të tjerë të Partisë shtet
dhe cilat janë impresionet.?
Takimet me ta ishin
privilegj i tjetërkujt. Dhe për këtë kish portokolle të rrepta. Ne, të tjerët
afër tij, a më tej, takoheshim nëpër salla mbledhjesh, kur na thërrisnin në
grup, si gomarin në dasëm për të mbartur
ujë, për t’u ngarkuar më tepër, a për të
ngrënë ndonjë dhogë kurrizit. Me IML, merrej Nexhmia dhe Ramizi dhe kontaktet
me ta bëheshin kryesisht mes drejtorëve a shefave të privilegjuar. Pastaj mos
harro, unë qëndrova afër kupolës vetëm tetë muaj dhe vetëm tre vjet anëtar
partie.
Pse të hoqën?
Sepse diktaturat
kanë gjithmonë të drejtë…
Kur ju ndaluan me
cilën libër dhe ku ju caktuan me punë?
Ishte viti 1978, më
dënuan për tregimin “Rruga për te njerëzit” botuar në gazetën “Drita”, me
akuzën “tregim me plazhiaturë revizioniste”, konstatuar nga “miqtë e mi”, me
vula e firma të LSHA, dërguar Ramizit dhe Nexhit.. Sot, kjo tingëllon qesharake ta mendosh, por
dënimi s’ishte për të qeshur: largim nga puna, pa të drejtë banimi në Tiranë,
dhe më e rënda, prerja e të drejtës së botimit për 15 vjet. Dhe më tepër një
jetë në ankth nga gazi i degës… Të tjerat, në të tjerë në fate më të zinj,
vinin më vonë shumë më të egra. Unë punova në arsim,(fillimisht në
tetëvjeçare), i vura një çelës gojës,
lexoja dhe shkruaja në heshtje dhe, me punën time plot sakrifica e ndershmëri
arrita të pozicionohesha pedagog në shkollën e mesme dhe universitet rrethuar
me simpati nga njerëzit.
Në
krijimtarinë tuaj të gjerë, kam vënë re se tentoni të shfrytëzoni artistikisht
mitologjinë , ndërsa personazhet
kryesorë të romaneve janë të përzgjedhur
nga inteligjenca shiptare.
Makar të ishte
kështu. Miti është shtrati i letërsisë botërore. Sepse miti si letërsia i përket
imagjinatës, sepse miti si letërsia është projeksioni idealizuar i jetës, sepse
miti si letërsia të jep ato mesazhe e imazhe që flasin dhe të afrojnë me
hyjninë në një realitet tjetër, e pra, sepse miti është kryeletërsia e botës.
Njeriu nuk rri dot pa mite, po vdiqën mitet e mëdha është rreziku i vërshimit
të miteve të vegjël, që ne shqiptarët i zëvendësojmë shumë lehtë.
Në krijimtarinë time,
nuk më vjen zor ta pranoj , jam kundër
miteve e tabuve të pamerituara. Këtë nuk e kanë qejf mitet e vogla dhe
tabutë ”që kanë zënë myk ndër tempuj”...
Ndërkohë
personazhet e mi kryesisht janë intelektualë në tranzicion, mbartës të
lëkundjeve, çoroditjeve; veprimtarë të veçuar që vuajnë hijet e së shkuarës, dhe peshën ekzistenciale të
aktualitetit, njerëz pa ngjyrë midis diktaturës dhe demokracisë, as ashtu as
kështu; shkurt, mbartës të krizës së intelektit shqiptar në të tëra sferat e
një statusi të lëkundur shoqëror. Kjo më ka dhënë dorë që të flas në nivele
relativisht të larta, të shtoj dramacitetin e veprës gjithmonë përngjitur me
kurthet e ideve, mesazheve dhe përgjegjesive më të mëdha.
Cilat ishin librat
që ti lexoje në atë regjim?
Nuk gaboj të them
se brezi im ishte brezi i librit. Me hir a me detyrim ne na u rrënjos leximi
dhe na u bë natyrë e domosdoshme. Ne
lexonim gjithçka, libra të ndaluara e të detyruara. Mendoj se krijuesit e
moshës sime kanë pasur privilegjin e edukimit me letërsisnë e zgjedhur ruse që
edhe stalinizmi nuk i rrëzoi dot si Gogoli, Turgenjevi, Çehovi etj, une kisha
lexuar dhe Dostojevskin - për të mos përmendur lirikët e mëdhenj të tipit
Majakovsk, Esenin, Lermontov, Paustovski, ose te gjithe brezin e argjentë të poezisë
ruso-sovjetike. Sot unë kam një thesar biblioteke tepër funksional.
Si do ta cilësonit
letërsinë shqiptare të realizmit socialist?
Fatkeqësi
kulturore, ardhur tek ne me përdhunë partiake nga sovjetët dhe e përkrahur me
servilizëm nga të gjithë krijuesit tanë, duke filluar nga më i madhi me
emrin e mirënjohur “Kadare”. Shkurt: RS ishte metodë imponuese anti
artistike. Sot problemi i kritikës kundër asaj metode quhet tejkaluar, 9të gjithë shprehen kundër
metodës), por jo dhe për veprat e shkruara nën atë diktat. Asnjë edhe prej të
mëdhenjve tanë nuk i është përgjigjur pyetjes “ Ç’do bëhet me ato mijra e mijra
libra të të gjitha gjinive , duke filluar nga më i madhi deri tek shkrimtari më
i fundit? Asnjë nuk ka mohuar, asnjë
libër të vetin. Kjo ka sjellë një qendrim kakofonik në kulturën dhe artet tona.
Sot flitet shumë për zbehje të tematikave, mesazhe,
ideve. A është e vërtetë që letërsia moderne merret me anë të rëndomta të realitetit, detaje të
parëndësishme që errësojnë mesazhet etj. Ç’mendim keni ju?
-Në letërsi nuk ka anë të rëndomta e
parësore. Nuk ka tema të mëdha e të
vogla. As poetë tribunalë. Akoma ne vuajmë nga mangësi thelbësore e iluzione të
gabuara për funksionet e vetë letërsisë. Le ta lëmë letërsinë në fisnikërinë e
vet modeste ! Nëse kapja e një peshku është veprim i rëndomtë, në penën e
Hemingueit u bë një perlë e letërsisë botërore; nëse derri, pula e gomari janë
kafshë të rëndomta, në penën e Oruellit u bënë personazhet më vitale të nivelit
nobelist…Nuk ka, pra, kurrfarë vlere tema, sendi a personaliteti; gjithçka, dhe
një mizë a një kunup,një elefant a një president, mund të bëhen personazhe të
fuqishëm a të dobët vetëm nëpërmjet shkallës së talentit të shkrimtarit.
Tematikën e detyrueshme, atë të madhen, të klasës apo të revolucionit,
personazhin bardhë e zi të parafabrikuar, ne e kemi pajë nga letërsia e RS si
refleks dogmatik i përfytyrimit të njeriut njëpozicional, o me ne o kundër
nesh, o me revolucionin, o me krevovucionin...Për atë metodë kishte vetëm dy
ngjyra, të bardhën dhe të zezën, ose më saktë ylberi kishte vetëm ngyrë të
kuqe..
S’mund të përfytyrohej në një libër, fjala vjen,
një sekretar partie duke bëre seks se ai i takonte ngjyrës së bardhë “pa
njolla”[!],ai ishte prerë për interesat e proletariatit e ...ndëngër-
vëngër..!Nga ana tjetër, ”Të zinjtë”, të deklasuarit s’mund të manifestonin
virtyte [!]…prandaj dhe Marku i Kadaresë
lejohet të bëjë seks ose ballistët e Agollit e të Musarait mund të hanë
ndonjë pulë të pjekur se këto ishin
shfaqje të huaja për ne [ !!! ] e... ndëngër- vëngër…
Ky ngurtësim dogmatik asaj letërsie po ikën si një flamë e
padëshirueshme.
Pas rezultateve të dukshme krijuese në
të gjitha gjinitë që keni botuar, pas atij kurbeti të gjatë, si ju ka pritur
Tirana letrare? Si është klima artistike këtu?
Mua më duket se kam ardhur në
një kurbet të dytë në vendin tim. Nganjëherë të
duket sikur dikush do më kërkojë pasaportën si në Athinë. Unë, i huaj atje në botë dhe i huaj
në Tiranë...Ky vend është dhe nuk është
imi. Jam dhe s’jam në të. Më ngop dhe nuk më mjafton. Qenka e vështirë të jesh
i huaj brenda vetes. Megjithatë, nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër Tiranën
time, atdheun tim. Por shkrimtari këtu, veç të tjerash e paska të vështirë
sepse nuk ka shtyp letrar, nuk ka
solidaritet vlerash, nuk ka jetë intelektuale. Dukshëm dhe në heshtje është
shpallur një klanizëm asfikësues që tymos vazhdimisht. Pa le të bëhet fjalë për honorare si në të
gjithë botën. Dhe problem, për mua që
merrem pak dhe me kritikë, është se s’ gjej dot cili është shkrimtari i dytë ,
i tretë a i katërti me radhë...sepse, të gjithë janë të parë (?!). Disa klane të vogla edhe në revista serioze por sidomos në të
përditëshmet e shtypit reklamojnë vlera të dyshimta dhe mediokre, ku nga 20-30
poezi , nuk gjen një për të qenë, për të
mos thënë atë të Xhojsit të madh në këto raste : “Suksesi është vdekja e talentit”...Jemi
akoma pas që të kuptojmë një të vërtetë
të madhe pak të dhimbshme, se gjyqi ndaj
vlerave letrare është i pamëshirshëm. Ky
gjyq të dënon me heshtje. Ose me burgim të përjetshëm.
Në krijimtarinë tuaj vëmë re një prirje moderne,
jashtë tradite. Kjo është influencë e huaj, apo preferenca juaj?
Mund të jetë edhe influencë por mendoj se më tepër
ishte prirje, përpjekje për të krijuar realitete të tjera, ose mënyra të tjera
shprehjeje. Nuk duhet të harrojmë , njëkohësisht, se çdo shkrimtar në botë ka
korifejtë e tij, si të thuash, ka etërit e vet shpirtërorë. Kur nuk e gjen
veten lartësive të tyre je i detyruar të zbresësh, “ të hash bukë e gjizë.”, por
akoma nuk i ke shpëtuar ndëshkimit të tyre. Shkrimtarët e mëdhenj janë dhe
diktatorë të mëdhenj. Duket sikur të marrin prej dore nëpër gjurmët e tyre e të
tregojnë majat e letërsisë e , befas, ti gjendesh buzë greminës. Poeti i
vertetë lind kur në rrugë fillon të lërë gjurmën e vet. Unë mendoj se
influencat duhet të jenë vetëm si ushqim shpirtëror vitaminoz. Shkrimtari e ha
mollën pa ia ndjerë vitaminat. Kështu duhet të jenë dhe influencat, procese
përvojash, jehona, melodi jo nota të kopjuara..
Si do ta komentoni zaptimin e godinës së Lidhjes së
Shkrimtarëve nga shteti?
Zakonisht zaptimet bëhen nga të huajt. Zaptimi i
godinës sonë nga shteti ynë ishte qëndrimi më ogurzi ndaj kulturës, artit dhe
letërsisë sonë kombëtare. Pas kësaj u
duk një shpërfillje totale ndaj shkrimtarëve, një burokraci agresive dhe
indiferente njëkohësisht. Një godinë e disa zyra mund të gjenden kudo por një
ministri kulture të lëvizi gjërat e letërsisë, të organizojë e të përgjigjet
për librin dhe artin, qenka e vështirë…Po të mëdhenjtë tanë, bejlerët e
letërsisë, pse nuk e mbrojtën godinën e tyre nga zaptuesit, pse nuk kanë
nxjerrë një fjalë nga goja për mungesën totale absolute të çdo organizimi të
shkrimtarëve - ata hoqën b. mënjanë dhe lundrojnë akoma me famën e atij regjimi.
Mendoj se sot, në emër të lirisë së fjalës, ata e kanë frikë organizimin,
klubin a shoqatën. Kur heshtin të mëdhenjtë e letrave, hesht dhe shteti
antiletrar. Mund të jemi nga vendet e rralla në botë që shkrimtarët nuk
ekzistojnë në asnjë organizim.
A ka krtikë letrare sot dhe sa ndikon ajo në
cilësinë e librave, botimeve? Flitet shumë për vepra mediokre, për lexues me
kërkesa të lehta argëtuese, historike etj, etj…dhe shumë pak për vlera
estetike, apo jo?
Mediokriteti dhe
amatorizmi ka një padurim të denjë e të guximshëm që, nga njëra anë nënçmon e
qesëndis atë që nuk e kupton, nga ana tjetër, duke qënë shumicë, ngacmon e
provokon shijet vulgare të masave, duke spekuluar edhe me masmedian. Me sa
duket tranzicioni shqiptar, ndoshta si shpërthim dufi të mungesës së dikurshme
të lirisë, me ngut e me mungesë të plotë përgjegjësie, po i shton antivlerat
edhe në fushën delikate të kulturës. Sot nuk ka kritikë të mirëfilltë letrare
por ka krushqi hipokrite letrarae. Në bykun e sotshëm të botimeve është vështirë
të gjesh kokrrat e grurit. Të vjen keq që libra tmerrësisht të dobët, që nuk
krahasohen as me nivelin poetik të viteve ’50, për një dorë para, shoqërohen
edhe me parathënie, pasthënie e dedikime nga autorët tanë të shquar, kritikë e
profesorë seriozë… madje dhe akademikë…(!) Kështu shtohen varrezat e fjalës.
“Ka ardhur koha, shkruan kritiku Filip Larkin që disa nga ju budallenjtë të
kuptoni se poezia dhe leximi i saj është punë e rëndë.” Vetëm lexuesi nuk
merret me qira; sidoqoftë ai është i çoroditur se “fjala e vdekur” nuk shpallet
në shtyllat e qytetit, por bashkëjeton me të si ajër asfiksues. Ne vimë nga
istikamet dhe bunkerët e fjalës. E gjithë koha e stalinizmit ishte periudhë e
një deliriumi kolektiv lirik. Ne ishim mësuar që kritikën(gjëmën) e bënte
partia tani e bën gjitonia. Bile dhe me ahengj…
Cili është mendimi
juaj për konkurset letrare që zhvillohen sot?
Fare pa vlerë. Pa
rëndësi. Pa influencë. Unë nuk di hollësira po kam lexuar për konkurse turpi,
allish-verishe të trasha fare me gra e me para, me të njëjtaë dhëndurrë e nuse,
e në dasmën që vjen ndërrohen rolet që iks ish anëtar I jurisë vjet të marrë
çmim sivjet… Më duket se do kapur nga koka, nga emërtimi i çmimit, nga simbolet
e qendrueshme në vlerat kombëtare, nga gjykata të ndershme e profesionistë,
madje me juri të paguara. Sot konkurset nuk bëjnë gjë tjetër veç zbulojnë
klanet. Të vjen keq që ndër to pleksen dhe krijues të rëndësishëm. Di një çmim
të paguar iksit a ypsilonit me para të thata e gruaja me ato lekë bëri banjon
me pllaka të bukura e..e..e farsa
vazhdon , por le ta lëmë me kaq…
Sa ndikon
mospërkthimi i librave shqip në njohjen e letërsisë shqiptare jashtë?
Përkthimet e letërsisë shqipe
aktualisht janë në krizë e në kaos plot bërryla e smira, kryesisht të uzurpuara
nga ish të privilegjuarit ose nga ndonjë
i përkëdhelur i ndonjë klani partiak që i është dhënë mundësia e kontakteve me
të huajt. Mua më duket e papranueshme përfaqësimi i letërsisë shqipe vetëm me
Kadarenë e ca të paktë të njohur me sponsor shtetëror në rrethanat e regjimit
komunist ose nga disa krijues që u është dhënë mundësia të punojnë pranë
ambasadave tona, falë avantazhit të gjuhës së huaj, që gjithsesi dhe kjo, jepej
për të privilegjuarit e regjimit. Ndërsa tregun e librit e ka mbytur letërsia e
huaj, përgjithësisht përkthyer dobët,
ndërsa, letërsia shqipe në gjuhë të huaja është pak të thuash mjerane, pothuaj
në inekzistencë. Këtu kemi të bëjmë plotësisht me mediokritetin shtetëror 22 vjeçar.
Ju shkruani pothuajse në të
gjitha gjinitë letrare, cilat janë preferencat ?
Proçesi krijues nuk ka receta. Shkrimtari pëlqen
atë që i vjen më për mbarë. Ky proçes i ngan dashurisë. Askush nuk bën dashuri
për të planifikuar një djalë a një vajzë. Në letërsi dhe në dashuri më i
rëndësishëm është procesi jo qëllimi. Ka shumë shkrimtarë që provojnë të
shkruajnë në të gjitha gjinitë, siç ka të tjerë që një gjini tjetër u duket e
huaj. Shkrimtari ka nevojë të zbrazet se ku e si , pothuajse është intuitive.
Për mua e rëndësishme është që kur shkruaj prozë, të mendoj si poet., sepse për
mua poezia është shkalla më e lartë e pasqyrimit artistik, ose si i thonë luksi
intelektual ku një gjuhë prek lulëzimet e veta,. Poezia është si e
paarritshmja, ose dashnorja që ëndërron.
Sa botime keni deri më sot dhe çfarë
preferoni poezinë apo prozën?
I dashur Berti, andej nga anët tona numërat i
përdorin për të numëruar bagëtinë. Në letërsi prioritare mbetet cilësia, vlerat
artistike. Unë di të them se kam vite që jetën time e kam kthyer në tekst dhe
kërkesat i kam të medha. Ndonjë herë tjetër ia vlen të thellohemi në vlerat e
vërteta letrare, jo vetëm në të mijat..Shkrimtari gjykohet brenda veprës- ajo
është biografia e tij.
Po, zoti Pirro, mundet. Ju uroj suksese .
Unë duhet t’u falënderoj, t’u transmetoj dhe një kompliment që Albert Zholi, me mundësitë që ka, ka bërë të
pamundurën për të prezantuar dhjetra
shkrimtarë dhe artistë. Rrofsh, o Berti!
Së fundi, zoti Pirro kam dëgjuar se keni bërë një
operacion të vështirë në laring dhe ...
Dhe tani flas me një
protezë si në të gjithë Evropën.. Jam mirë dhe punoj çdo ditë. Për ketë kam
shkruar romanin ese “Rrokje në Kryq”.. sepse të folurit nuk është vetëm zë, por
dhe mendim dhe ndjenjë. Për rastin tim , une e ktheva procesin krijues në serum
shërues, luftë për të jetuar e për të krijuar.. Kjo e tejkalon vetveten.
- Po ju kuptova , ndoshta
ia vlen për ndonjë bisedë tjetër.
Faleminderit shumë për
bisedën!