Kulturë
Hyqmet Hasko: Lindita Ramushi - ''Me sytë e mendjes''
E hene, 24.06.2013, 07:28 PM
Rreth
përmbledhjes poetike “Me sytë e mendjes” të poetes Lindita Ramushi
Një lirizëm magjik, që të deh në çdo fjalë e figurë poetike
Nga Hyqmet HASKO
Poezia
femërore, që buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe
liriko-meditaive, po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike
kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha
pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të
tillë. Kjo poezi, që kultivohet në
shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe
shumëkuptimëshe, ashtu si vetë bota femërore që i shkruan ato, plot dyzime dhe
alternime, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore.
Këto
po bluaja me vete, teksa lexoja e
rilexoja për të disatën herë librin me poezi “Me sytë e mendjes” të poetes nga
Gjilani i Kosovës Lindita Ramushi. Është një përmbledhje dinjitoze, ku
zotërojnë poezi të shkruara me nerv e temopritëm, poezi të befasimit lirik dhe
të mesazheve që burojnë sa nga teksti aq dhe nga nënteksti poetik.
Ramushi
ka si cilësi të saj ndoshta kryesore këndvështrimin modern të shqyrtimit të
objektit poetik, thyerjen e grimcimin e qëllimshëm të këtij objekti, për ta
rindërtuar të transfiguruar në aktin e thuajse të shenjtë të krijimit të
poezisë. Ky modernitet duket jo vetëm në përdorimin e strukturave formale të
zhdërvjellëta dhe të pakornizuara, por dhe në idetë e mesazhet që burojnë nga
ky këndvështrim.
Ka ardhur
një erë e fortë këto ditë
Për ashti
kalon furia e saj
Atë
ngrohtësi që kërkoja
Disa re
të hirta e mbuluan si Hirushen
Me pluhur
në përrallë.
(Poezia
“Era e thatë”, faqe 64)
Risia e
poezisë së Remushit është befasimi poetik, përcjellë me mjete të thjeshta,
freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet e saj origjinale. Siç
thamë pak më sipër, ajo e grimcon objektin poetik, kryesisht me anë të
enumeracionit, në dhjetëra miniobjekte, të cilat pastaj i bashkon me anë të një
figure bazë, duke e rikrijuar të plotë dhe modern aktin e shkrimit poetik.
Në hartën
e “shtëgëtimit të saj poetik” përfshihen gjendje, kujtesa, impresione, imazhe
të mbetura pezull në kohë, që nga “stacioni i fletëve të vjeshtës”, ku ajo
mbledh grimca kujtimesh, deri tek, bie fjala, “qerpiku i dëshirës”, që e fton
atë të përcjellë një vektor idealiteti femëor.
Qyteti,
rruga, “malli kristalor”, shtegtimi, kënga, dehja, iluzioni, guri, pragu,
ëndrra, drita, “era e thatë” etj. janë disa nga fjalët e leksikut poetik të
Ramushit, që ajo i ka kthyer në stilema poetike. Prekja e së bukurës, prekja si
ndjesi, si përjetim, si kujtesë, si emocion etj., është pjesë e këndvështrimit
të saj, një këndvështrim i thyer, plot dritëhije…
Shpirtëzimi
i dukurive të natyrës, jetësimi i tyre, me anë të një lirizmi të ngrohtë, të
thellë e të magjishëm, deprëtimi në të fshehtat e sendve, trajtave dhe dukurive
që ajo bën objekt të shqyrtimit poetik, e bën poezinë e Lindita Ramushit të
lexohet me një frymë…
Ajo që e
bën të dallueshme poezinë e Linditës nga simorat e saj është vokali
shumëgjyrësh mediativ, ritmi i përndezur, figurat e gjalla dhe të shtrira
horizontalisht e vertikalisht, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe
mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e
trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin,
emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.
Një poezi
dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje dhe zhvillim, një verb atdhetarie që
përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja,
e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një
botë ideo-emocionale sharmante, plot thyerje dhe digresione, siç është vetë
jeta njerëzore që ajo plazmon në poezinë e saj. Kështu mund të përcakothet në
vija të përgjithshme poezia e poetes Lindita Ramushi e cila na përcjell një
botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e tij në lëvizje,
drejt dashurisë universal.
Aventura
poetike e Ramushit është një aventurë e bukur, në një rrugëtim të natyrshëm
drejt vetvetes së saj autentike, vetvetes poetike. Njëherësh është një udhëtim
historik, mitologjik, gati profetik, në thelbin e vetë kohës shqiptare. Poetja
konfiguron një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, na jep tablo në lëvizje,
si vetë jeta e saj dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia
vlen të jetosh.
Të
rrugëtosh me poezinë, të identifikohesh me të, do të thotë të jeshë i pushtuar
nga magjia e fjalës, nga thellësia e figurës dhe imazhit, nga ndjenjat dhe
mendimet më të fuqishme, që mbartin botën e gëzimeve, hidhërimeve, dashurive,
iluzioneve, duke flakur çdo çast të keqen nga vetja dhe nga të tjerët, në emër
të një sistemi vlerash tek të cilat beson dhe të cilat janë kthyer në një kredo
të jetës dhe artit tënd. Duket se kjo është në fakt kredoja poetike e Ramushit,
një dashuri e pamasë për jetën dhe njerëzit, një etje për të rilindur në çdo
fije bari dhe në çdo qelizë të gjallë të tokës, për hir të gjërave për të cilat
ia vlen të luftosh dhe të ëndërrosh.
Afresku i
gjendjeve, imazheve, mbresave, përjetimeve, kujtesave të ridimensionuara në
artin e shkrimit poetik, ideve dhe mesazheve, që na sjell kjo poete, përfshin prirjet dhe tendencat më
serioze të poetikës bashkëkohore mbarëshqiptare, sharmin dhe elegancën e
vargut, freskinë dhe modernitetin e figurës, spontanitetin dhe natyrshmërinë e
gjetjeve.
Lindita
shkruan një poezi ku gërshetohet tradicionalizmi poetik me risitë e
modernitetit, më pak përdor vargun me rimë, asonanca dhe ritme të matura, më
shumë vargun e lirë, (të lirë në kuptimin më tekonologjik të kësaj fjale, por
jo të çliruar nga përkujdesja ritmike dhe prozodike, siç ndodh me një duzinë të
vetëshpallurish poetë, që çdo renditje fjalësh, në çfarëdolloj forme e
strukture, e quajnë me gojën plot poezi, kur në fakt nuk janë as thjeshtë
vargëzime të rëndomta).
Në këtë
vëllim të saj të dytë, Ramushi ka shënuar një sukses të ri në shkrimin e
poezisë, duke u identifikuar si një zë i veçantë, tok me poetet më të njohura
të botës shqiptare.
Në
analizë të të fundit, mund të themi se tek Lindita Ramushi shohim një poete e
formuar plotësisht e me një profil të vetin poetik, që edhe në këtë libër me
poezi, si në të vëllimin e parë, dëshmon një talent e përkushtim përtej të
zakonshmes, duke na përcjellë vrullet dhe ritmet e botës shqiptare, me një
lirizëm të ngrohtë, të vetvetishëm, fin e spontan.