Kulturë
Nuri Dragoj: Vjen nga Amerika ''Saga e Melyshajve''
E hene, 24.06.2013, 07:22 PM
Vjen nga
Amerika “Saga e Melyshajve”, një pasuri letrare dhe historike
- Shënime për librin "Yjet nuk janë të Kuq" i shkrimtares shqiptaro-amerikane Albana Melyshi Lifschin-
Nga Nuri Dragoj, studiues
Nëse
dikush do të dëshironte të lexonte rezultatin e një autopsie për diktaturën,
asgjë tjetër e shkruar deri tani, nuk mund ta përshkruante këtë, më saktësisht,
se sa libri brilant i Albana Melyshi Lifschin';Yjet nuk janë të Kuq"Në
këtë rast, ajo ka bërë, padyshim, një mrekulli letrare. Një hyrje e shkëlqyer,
nga ngjarjet e panairit komunist të kotësive, kur drejtori i Përgjithshëm i
RTVSH-së, shqetësohej për faktin, se gjatë një koncerti fëmijësh, të xhiruar në
Durrës, mbesa e ish-kryeministrit nuk ishte përfshirë në ekran. Gjë më të bukur
se kaq, për korridorin e hapave të humbur, të një administrate komuniste, nuk
mund të ndërtohet.
Ndërkohë,
autorja tregon fatin dhe tragjedinë e fisit të Melyshajve, ku kjo familje e
madhe, që ishte pjesë organike e shoqërisë, zë një vend të rëndësishëm në
historinë e mbijetesës së kombit tonë. Siç thotë autorja, familja e Melyshajve
ishte me 48 antarë, që jetonin në tre vende. Një pjesë te dy kullat në Rrëshen,
një pjesë në Kolsh dhe të tjerët te kulla në Sërrisht. Por kullat, deri në
vitin 1944, do të digjeshin tri herë. Njëherë nga turqit, njëherë nga forcat e ish
ministrit të Brendshëm Mehdi Frashëri dhe herën e tretë, nga partizanët.
Kështu, duke alternuar bukur kohët, episodet dhe njerëzit, autorja ndërton një
subjekt real dhe profesionalisht të shkëlqyer të panoramës jetësore për këtë
familje.
Shumë
bukur është paraqitur aty, edhe rikthimi në familje, i gjyshit 90- vjeçar nga
Amerika,(babai i Pal Melyshit) me qëllimin e shenjtëruar, për të vdekur në
Shqipëri. Por, me nota të dhimbshme dhe mjaft prekëse, është shkruar episodi,
ku tregohet, se gjyshi nuk duhej të vinte në Shqipëri. Lejimi i tij, kishte
qënë fare rastësi, si të thuash, një aksident konsullor. Miratimi për të kaluar
vijën e verdhë, kishte ndodhur pas një gabimi të bërë nga ambasada shqiptare në
Romë.
Të gjitha
këto ngjarje të çuditshme dhe absurde njëkohësisht, që ndodhnin në kupolën e
lartë të shtetit shqiptar, krijonin tronditje në jetën e thjeshtë njerëzore dhe
paralizonin shprehjen e emocioneve pozitive të bashkëkohësve. Por midis këtyre
radhëve, mjeshtëria e Albana Melyshit Lifschin, ka kapur shumicën e panoramës
historike të asaj kohe. Në mënyrë të natyrshme, libri përcjell pasazhe edhe nga
periudha postkomuniste, ku tranzicioni shqiptar, jo vetëm që nuk i mbylli dot
plagët e diktaturës, por kjo periudhë e menaxhuar në mënyrën më të keqe nga politikanët
tanë, hapi plagë të reja, për një realitet të panjohur deri atëherë.Vajtja e
Albanës në Nju Jork për t'i qëndruar pranë gjyshit në castet e fundit, nga një
moment sentimental, u kthye në një moment të rëndësishëm të jetës së saj.
Atje, pas
vdekjes së gjyshit, ajo do të mësonte për herë të parë misterin e së vërtetës,
për vrasjen e Pal Mëlyshit. Autorja bashkëbisedonte me dajën e vet, për Pal
Melyshin, që deri në vitin 1957 qe quajtur si tradhtar. Por, papritur i jepej
titulli “Hero i Popullit”. Veprim, që krijonte mëdyshje te kushdo. Në këtë
mënyrë tregohet, se ai sistem, ndërtonte skenarë të një pabesie tragjike dhe
njëkohësisht groteske. Nëpër rreshtat e librit, nuk ka njeri të mos rrënqethet,
sepse tragjedia komuniste ishte gjithëpërfshirëse, jo vetëm kur pushteti të
dënonte, por edhe kur të dekoronte.
Atë ditë,
daja i saj, i tha fjalët: “Shteti komunist ka shkatërruar qindra dhe mijëra
familje, ka rrënuar jetën e njerëzve të pafajshëm”. Ndërsa, një profesor i
nderuar, në Nju Jork' i pat thënë “Ne të gjithë jemi viktima të atij
sistemi”. Kështu, me plot figuracione dhe gjetje letrare, Albana Melyshi
Lifschin, paraqet momente prekëse nga varrimet e cvarrimet e Pal Melyshit, kur
në një shishe gjendej pseudonimi i tij, “Furtuna”.
Libri
mbyllet me një episod sinjifikativ, kur autorja punon si ndihmës avokate në
zyrën e emigrantëve, që kërkonin azil politik. Ndërkohë, ajo vazhdonte të
lexonte me zell kujtimet e gjyshit të saj, i cili pas vdekjes, u kishte lënë
një pasuri të tërë mbresash dhe ngjarjesh. Ndërkohë, në Shqipëri vazhdonte të
kishte sukses filmi, që i kushtohej Pal Melyshit, “Operacioni Zjarri”.
> Një
ditë, në atë zyrë të emigracionit, do të hynte një djalosh fare i ri, që dukej
tepër energjik. Ai kishte besim të patundur, se do ta fitonte statusin e
azilantit politik sepse gjyshi i tij kishte qenë antikomunist, me grupin, që në
film njihet si grupi i Pjetër Mustakuqit. Për këtë, ai kishte si dëshmi, vetëm
filmin “Operacioni Zjarri”. Djaloshi tha, se gjyshi i tij, Preng Dod Gjini, ishte
vrarë nga komunistët, në rrethimin që ishte bërë. Dhe familja e tyre ishte
persekutuar. Për këtë, djaloshi e fitoi azilin politik, e ndihmuar nga vete
mbesa e Pal Melyshit, pra, Albana Melyshi. Por ajo, pikërisht këtu trajton
gjithë filozofinë humanitare të brezit të saj, ndonëse rininë e vet, e kishte
kaluar në epokën tinzare, që u mor aq shumë me luftën e klasave. Midis të
tjerave, ajo hedh këtu idenë e domosdoshmërisë për ndryshimin e këtij realiteti
fals, i cili, në të gjithë botën shkatërron fate njerëzish. Në këtë mënyrë,
figura e Pal Melyshit, kalon në disa faza ndëshkimi dhe rivlerësimi, pa
përcaktuar tamam, se Melyshi Lifschin, me këtë libër, e ka kaluar me sukses
provën e një letërsie të madhe. Nëpërmjet zbatimit rigoroz të një displine
letrare, ajo e ka futur librin e saj, në arsenalin e veprave me vlerë të
letërsisë shqiptare, të cilat, së shpejti do të vlerësohen edhe nga vendet e
qytetëruara perëndimore. Kjo mjeshtëri, për të kapërcyer provimin e një
letërsie të nivelit të lartë, vlen, si për subjektin e zgjedhur, anën
kompozicionale, ashtu edhe për përdorimin e figurave letrare. Por mbi të
gjitha, në letërsinë e saj, mbizotëron dukshëm tendenca dhe kërkesa për të
zbuluar të vërtetën dhe për t’i thënë gjërat në lakuriqësinë e vet. Duket, se ajo
prej kohësh e ka përfshirë stilin e saj letrar dhe këndvështrimin e fenomeneve,
në radioskopinë e një letërsie të kohës, ku ajo vetë anon nga humanizmi dhe
progresi.
Pikërisht,
mbesa e një heroi, që ka përjetuar emocione dhe ndjesi kontradiktore për fyerjen,
vlerësimin, apo indiferencën ndaj kësaj figure, e ndjen më qartë, se sa e
rëndësishme është zbulimi i së vërtetës dhe këndvështrimi i humanizmit
bashkëkohor. Albana, në këtë mënyrë, na ka dhuruar në kohën e duhur një kurorë
të artë letërsie, në prurjet e sotme krijuese. Ndofta ky libër, që na
entuziazmon kaq shumë, na bën edhe disi të trishtuar, për faktin se tanimë,
Albana nuk jeton më në Shqipëri, por në Amerikë. Dhe se letërsia e saj, nuk
njihet aq sa duhet këtu, për shkak të largësisë , publicitetit të paktë,por
edhe për shkak të modestisë së saj. Nga ana tjetër, ne arrijmë të kuptojmë, se
kjo shkrimtare e afirmuar, pavarësisht nga distanca gjeografike, jeton dhe
krijon për audicionin shqiptar vepra kaq të virtytshme. Na sjell punime, që
kanë vlerë historike dhe njohëse, por edhe vlera të qarta edukuese apo
formuese, ku brezi i ri, mëson të largojë nga vetja urrejtjen dhe ndjenjën e
hakmarrjes. Në këtë mënyrë, autorja ka kapur një kuotë të re, në lartsimin e
veprës së saj filozofiko-letrare, por edhe një cilësi të pakrahasueshme, në
raport me atë që publikohet sot nëpër libraritë shqiptare.
Në fund të këtij shkrimi, ne mund të themi shumë fjalë lavdëruese, për shkrimtaren e jashtëzakonshme të këtij libri. Por mund të themi edhe një fjali të vetme: “Falminderit, Albana, për versionin tuaj të librit “Saga e Melyshajve”, që e keni shkruar nën një ndriçim humanitar dhe bashkëkohor.