E shtune, 27.04.2024, 12:47 PM (GMT+1)

Kulturë

Nuhi Veselaj: Gjuha letrare shqipe për të gjithë

E hene, 24.06.2013, 07:59 PM


“GJUHA LETRARE SHQIPE PËR TË GJITHË”

PARAPROVË UDHËZUESE ME INTERES

EDHE PËR NORMËN E SOTME

TË SHQIPES STANDARDE

-Vlerësim kritik me interes permanent-

Nga Dr. Nuhi Veselaj

H y r j e

Pas rënies së monizmit dhe frymimit më të lirë liberalo-pluralist në shoqërinë shqiptare, pas viteve të ‘90-a, të shekullit që lamë pas, u prek dhe vazhdon të preket, siç thuhet, jo aq për të mirë gjithherë edhe çështja e normës së njësuar të shqipes letrare kombëtare, prandaj për zbutjen e zhgënjimit të ligjshëm lidhur me mosrespektimin e kësaj norme, sipas tij, dhe për të nxitur sadokudo të nxënët dhe zotërimin sa më të mirë të saj, akademik Idriz Ajeti, para ca kohe,, publikisht kërkoi ribotimin e veprës “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” (1976) (Shih: edhe te Gjuha shqipe 1-2 2002, f. 24). Mirëpo, meqë në propozim nuk thuhet cok se si kërkohet ai ribotim, si me thënë, me fotokopjim, d.m.th. pa kurrfarë ndryshimi, me ndonjë korrigjim rasti a përshtatjeje të vogël, apo kërkohet si “botim i dytë”, d.m.th., si tekst i rinuar me përmirësimet e plotësimet e nevojshme dhe cila prej institucioneve do ta merrte për sipër një përgatitje të tillë, mbetet çështja e paqartë, ngase lihet vend për supozime rreth zgjidhjes së alternativës më të mirë. Sidoqoftë, ne, propozimin e profesorit të nderuar e kuptuam seriozisht dhe veprën e rilexuam me vëmendje të shtuar dhe para se të  japim vëzhgimet tona, që nuk janë përgjigje e thjeshtë po ose jo, ndaj çështjes së shtruar më sipër, por është diçka më e thellë (është  përpjekje për një vlerësim kritik objektiv që në mënyrë permanente zgjon interes),  e shohim të arsyeshme t’i përmendim fillimisht me pak fjalë disa nga karakteristikat themelore të kohës, përkatësisht; të rrethanave shoqërore-politike që ndërlidhen me këtë vepër, me hartimin e publikimin e saj.

A. RRETHANAT SHOQËRORE-POLITIKE NDËRLIDHUR

ME VEPRËN

1. Libri Gjuha letrare shqipe për të gjithë (1976) qe shkruar, si me thënë, në frymën e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) “për të vënë në jetë porositë” e tij, përkatësisht u shkrua në mbështetje të “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1973) dhe pas “Vendimit të Këshillit të Ministrave “Mbi masat për zbatimin e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe” (mars 1974), prandaj ajo u konsiderua si kryerje e detyrës me një ndërgjegje të lartë ndaj autoritetit shtetëror-shoqëror a si një akt përmbarues ligjor të formës së prerë (diçka si dekret pushtetor) që rezultonte nga veprimtaria rreth përmbushjes së detyrimeve në rrjedhë e sipër ndaj gjuhës letrare shqipe të njësuar që shtrohej në atë kohë. Kështu u nënkuptua dhe u tumir, jo vetëm nga autorët e kolegët e tyre, por edhe nga veprimtarë të tjerë, të cilët jo vetëm ishin të ndërlidhur dhe të organizuar në një farë mënyre paraprakisht rreth fushatës së parapërgatitjes e formëzimit, por edhe që ishin të interesuar, vërtet, rreth arritjes së qëllimit madhor të njëzimit të normës së gjuhës së shkruar shqipe si dhe për zbatimin e respektimin e rregullave të saj, për të arsyetuar edhe praktikisht e “shkencërisht” pohimin që u përshpall dhe u pranua solemnisht edhe në atë Kongres se “populli shqiptar ka tashmë një gjuhë letrare të njësuar”,  pra, veç drejtshkrimit, synim i kahmotshëm, me këtë vepër duhej argumentuar atë njësim edhe me rrafshet e tjera të gjuhës letrare kombëtare, siç janë sistemi fonetik e gramatikor, struktura leksikore e fjalëformuese si dhe stilet funksionale, të cilat, me thënë të drejtën, në mjaft pika, në atë kohë, vetëm sa  ishin  kapur mbarë si fille të studimeve thelbësore serioze nga gjuhësia jonë.

2. Vepra në fjalë mban autorësinë e Komisionit hartues në përbërje të gjuhëtarëve tanë të njohur të kohës me në krye personalitetin karrierizmatik, yllin e pashuar të normë së shqipes letrare kombëtare, prof Androkli Kostallarin, i cili gëzonte emrin e përçuesit të politikës gjuhësore të kohës, përkatësisht të drejtuesit, organizuesit dhe të kryetarit e redaktuesit profesional edhe për disa vepra të tjera themelore të rrafsheve kryesore të kësaj norme, andaj edhe vepra në shqyrtim fillimisht gëzoi tek adhuruesit edhe prestigjin e merituar të kryeparit, mjaft energjik, poliendrik, kryekodifikues dhe bashkëpunëtorëve të tij me emër si Eqerem Çabej, Mahir Domi, Emil Lafe  etj., përndryshe, me thënë të vërtetën, prof. A. Kostallari, ishte vazhdues i nismës dhe punës, e cila dilte e formëzuar institucionalisht shumë përpara angazhimit të tij.

3. E shikuar në vazhdë të atmosferës së sapocekur, jo pa arsye, vepra Gjuha letrare letrare shqipe për të gjithë u konsiderua pa mëdyshje, ashtu si edhe u përqafua një siparaprovë e sukseshme a si një veprim mobilizues “i forcave të përqendruara shkencore” me synim udhëheqës, drejtues e udhëzues ndaj veprimeve të tjera më të specializuara që do të ndërmerreshin në përkrahje të konsolidimit të normës letrare kombëtare, tanimë të miratuar, e cila  faktikisht kishte kohë që ishte në sprovë ose kishte fituar përvojë përdorimi  me përkrahje institucionale, tani jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e gjetiu. Dhe vërtet në këtë vijë pak më vonë dolën një mori studimesh e veprash të sukseshme që e panë dhe po e shohin dita-ditës dritën e shtypit, ndër to po veçojmë dy: gramatikën dhe fjalorin e Akademisë, vepra këto të cilat përjetuan ndërkohë nga dy ribotime (Shih:Gramatika e gjuhës shqipe 1 e 2, Tiranë 2002 dhe Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë 2002 ), ndërsa vepra në shqyrtim nuk pati ribotim në Shqipëri, mbase edhe për arsye se botimi i parë kapte 30.000 kopje, por edhe pse qe ribotuar në Kosovë (1985), sidoqoftë, ajo mbeti si një burim normëzues aksiomativisht i pakontestueshëm i nivelit të lartë.

4. Veçori tjetër e veprës “Gjuha letrare shqipe për të gjithë”është se ajo u botua,

si me thënë, nën patronatin e “Shtëpisë botuese të librit shkollor”, andaj edhe u vetëkuptua edhe si një vepër mësimore arsimore, sipraktikum “për të gjithë”, që në radhë të parë i kushtohej shkollës e arsimimit të masës përgjithësisht. Mund të themi se ajo u vlerësua e u kuptua si e tillë, pikërisht si një abetare e alfabetimit të normës së shqipes letrare kombëtare të njësuar, jo vetëm nga mësuesit e gjuhës shqipe, por edhe nga të tjerët, siç janë edhe punonjësit e mjeteve të informimit, të administratës etj. si dhe nga një armatë e tërë intelektualësh e arsimdashësish. Është e vërtetë se të dhënat nga kjo vepër u përqafuan edhe në mënyrë euforike, saqë pa kurrfarë rezerve u zbatuan nga një shumicë e panumërt shfrytëzuesish, sendërtim ky që vazhdon të vlejë zyrtarisht deri në ditët e sotme, siç dëshmon edhe propozimi për ribotimin e saj tani nga prof. Idriz Ajeti.

5. Edhe pse në parathënie të veprës në fjalë, thuhet me vend se në këtë botim të parë të saj janë përfshirë vetëm disa nga “rregullat kryesore të sistemit gramatikor e fjalëformues të gjuhës letrare, si dhe disa norma udhërrëfyese të drejtshqiptimit, të cilat pasqyrojnë një varg tiparesh të rëndësishme të sistemit fonetik”, ajo, në të vërtetë, përfshin një gamë mjaft të gjerë çështjesh, madje, me sa dimë, më shumë se çdo burim tjetër normëzues i llojit të tillë, i profiluar, pra,  si një praktikum për të gjithë i botuar deri në ditët e sotme.

Përmbajtja e këtij burimi përbëhet prej katër pjesësh:

I: Çështje të morfologjisë,

II: Çështje të sintaksës,

III: Çështje të formimit të fjalëve dhe

IV: Disa nga rregullat kryesore të drejtshqiptimit të gjuhës letrare shqipe,

ku në mënyrë mjaft praktike dhe të kuptueshme për kohën, përmblidhte, si ta quajmë, vërtet në një sintezë, tërë ajkën e të arriturave të gjuhësisë shqiptare në atë kohë për fushat e sipërcekura, por edhe me ndonjë të dhënë me interes edhe nga fusha e semantikës dhe e stilistikës gjuhësore të gjuhësisë sonë.

6. Në vazhdë të pikës së mësipërme po përmendim faktin se disa nga zgjidhjet e

shtruara në këtë vepër, qoftë nga fusha e gramatikës (morfologji e sintaksë), qoftë nga fusha e semantikës e të tjera, mbeten të qëndrueshme, por ka edhe ndonjë çështje që ceket në të, por që ende nuk e ka gjetur zgjidhjen e duhur, megjithatë vepra në fjalë gjithsesi ia vlen të konsultohet edhe për ato çështje. Është fjala për ato probleme që ende kanë mbetur të papërfunduara, pra jo vetëm nga fusha e gramatikës dhe e semantikes, por edhe lidhur me fjalëformimin e drejtshqiptimin e normës standarde, ngase është e vërtetë, se deri më sot  ende nuk e kemi ndonjë libër përkatës standard të plotë as për fushën e drejt-fjalëformimit  të shqipes, as lidhur me drejtshqiptimin e shqipes letrare kombëtare që do ta linin nën hije materialin e veprës në fjalë, pa i mohuar të dhënat nga fjalori normativ shpjegues ( Shih edhe FShS (2002).

Pra, ne, pa mohuar vlerat që ka vepra në shqyrtim, duke u mbështetur në konstatimin e vetë autorëve, të cekur në parathënien e librit se vepra si e tillë nuk është gjithëpërfshirëse, madje edhe mund të ketë mangësi dhe për këtë, siç theksohet aty “vërejtjet e lexuesve do të mirëpriten si një ndihmë e rëndësishme për të përmirësuar e për të plotësuar më tej këtë libër në botimet e mëvonshme (f. 7) si dhe duke pasur parasysh  porosinë që del edhe nga Rezoluta e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) e nga parathënia e Drejtshkimit të gjuhës shqipe (1973, f. 27) që me kohë e në kohën e duhur edhe vetë “Drejtshkrimit” në të ardhmen “do t’i bëhen përmirësimet e plotësimet e nevojshme (f.13),  siç e thamë më sipër, e rilexuam librin në fjalë dhe si nga çdo libër i mirë që sa herë lexohet me përkushtim, lexuesi fiton përshtypje të veçantë, qoftë mëson diçka të re ose përforcon diçka të mësuar, qoftë vëren diçka që deshiron ta shohë ndryshe, më mire, ashtu edhe ne gjatë rileximit ndiemë kënaqësi për të mirat me të cilat na ushqen libri, por ndeshëm edhe në ndonjë gjë jo fort të këndshme, qoftë nga pikëpamja përmbajtësore, qoftë nga ajo formale didaktike, shikuar nga prizmi i të arriturave të sotme. Mirëpo, megjithatë, mund të themi, për nga vlera mjaft gjera të pakëndshme mbesin nën hijen e pozitivës, marrë në tërësi. Sidoqoftë, ne, në vazhdim, në këtë vështrim kritik, po japim disa nga vërejtjet, konstatimet dhe propozim- përplotësimet tona që i konsiderojmë të nevojshme, që nuk janë edhe aq pak, duke i merenduar në pesë pjesë:

I. Përmirësimet e domosdoshme,

II. Rastet sfiduese ndaj normës përgjithësisht,

III. Vërejtje nga lëmi i drejt-fjalëformimit,

V. Përplotësimet e nevojshme dhe

V. Vërejtje të tjera e konstatime përmbyllëse

si dhe Përmbylljen e Përfundimin rreth vlerësimit kritik të veprës.

B. ANALIZIMI OBJEKTIV KRITIK I VEPRËS

I. PËRMIRËSIMET E DOMOSDOSHME

Përmirësimet e domosdoshme po i paraqitim në katër nënpjesë, sipas skemë-modelit: përmirësim gabimesh, duke nënkuptuar rubrikat:

1. numri rendor, 2 është, 3 faqe  dhe  4 duhet:

1. Gabimet e shtypit

_______________________________________________________________________

Nr. r.             Është                           Faqe                                 Duhet

----------------------------------------------------------------------------------------------------------- 1                       2                                3                                      4

1) dyzet e tri vullnetarë                    (f.     5)         dyzet e tri vullnetare;

2) pas korrjes së gryrit                     (f    94)          pas korrjes së grurit;

3) gjymtyrë jetër e fjalisë                 (f    82)          gjymtyrë tjetër e fjalisë ;

4) përshkova                                    (f. 136)           përshkrova;

5) dela, nxara, tara                           (f. 149)          dola, nxora, tora;

6) kahaso                                          (f. 102)         krahaso;.

7) stili libro                                      (f. 153)         stili libror;

8) eopulli                                         (f. 175)         populli;

9) ë luftës për liri                             (f. 182)         të luftës për liri;

10) vëllezës                                      ( f. 247)       vëllezër

11) përcaktor/re                               (f. .253)        përcakto/re;

12) shqipsohet                                 (f. 263)         shqiptohet;

13) në O- ë patheksuar                    (f. 277)         në O të patheksuar

14) nu merohem                              (f. 168)         numërohem;

15) gupël , të ejitha                         (f. 267)         pupël, të gjitha;

16) uglindje                                    (f. 252)         juglindje;

17) formen                                      (f. 173)         formën;

18) gre                                            (f. 146)         ngre;

19) në forca e veta                          (f.   83)         në forcat e veta ose në forca të veta ;

20) te emra                                     (f.   89)         tek emrat;

21) këto Bletëza                             (f. 157)         këto bletëza (b e vogël);

22) në zanoren fqinjë                     (f. 262)         në zanoren fqinje;

23) pasqyra e msipërme                 (f.   92)         në pasqyrën e mësipërme;

24) prapa shtesën -ë                       (f. 150)         prapashtesën -ë;

25) drejtshpintimi i gjuhës             (f. 263)        drejtshqiptimit të gjuhës;

26) i pashterr/shëm                        ( f. 281)        i pa shter-/shëm;

27) m dis                                        (f. 186)         midis;

28) mb                                            (f. 288)         mbi;

29) zhvi llimin                                (f. 288)        zhvillimin;

30) para fjalë                                   (f.  56)         parafjalë;

31) dhei                                          (f. 288)         dhe

32) e vërtet/ë                                   (f.237)         e vërtet/ë, ta;

33) literature plotësuese                  (f. 296)        literaturë plotësuese;

34) 7i                                               (f. 74)           71;

35) Rj                                              (f. 96)         Rr;

36)  zhvishemetj.                            ( f. 102)     zhvishem etj.

2. Lajthitje:

___________________________________________________________________

1                   2                                 3                                4

-----------------------------------------------------------------------------------------------------1) ka funksion kallëzuesor             (f.   98)       ka funksion kallëzuesori (si në f. 99);

2) armëpushim - kompozitë                                armëpushim - kompozitë ku

përcaktore ku gjymtyra               (f. 245-246) gjymtyra e parë përcakton të dytën

e dytë përcakton të parën;                               (= pushimi i armëve);

3) përemrat vetorë                           (f.  63)         përemrat pronorë;

4) Liria fitohet në luftë                    (f.   49)        Liria fitohet me luftë;

5) varosur                                        (f. 170)        varrosur;

6) furik                                            (f.   31)         furrik;

7) ri                                                 (f. 153)         rri;

8) ja dhashë librin                           (f.   59)         ia dhashë librin;

9) të trajtës të kallëzores                 (f.   76)        të trajtës së kallëzores;

10) zanorja -ë fundore e pjesores    (f. 219)        zanorja -ë fundore e pjesores bie

bie kurdoherë para parashtesës -JE)              kurdoherë para prapashtesës -JE;

11) “ë-ja fundore bie para               (f. 225)  ë-ja fundore bie para

parashtesë -shëm                                            prapashtesës    -shëm

12) mangej                                      (f.  30)         mangaj ose mangalle;

13) Te mënyra lidhor (mungon)     (f.  11)         Koha e tashme;

14) Shih paragrafin 8                      (f.   23)        Shih paragrafin 9

Shih paragrafët  4-6                   (f. 20 e 24)  Shih paragrafët 5-6;

Paragrafi 6                                  (f  26)        Paragrafi 7;

Shih paragrafin  2                       (f.  42)       Shih paragrafin 1;

Paragrafi 79                                (f.  94)       Paragrafi 74;

Paragrafi 5                                (f. 274)     Paragrafi 3 dhe

15) shkataraqë                               (f. 14)       shkatarraqë.

 

3. Mospërputhje me normën e sanksionuar:

__________________________________________________________________ 1              2                                       3

 

1) emri  mashkullor i zi e bën         (f. 28)         emri mashkullor i zi e bën

shumësin                                                             shumësin

të zinj ose të zes                             të zinj ose  të zez;

2) pregatitje                         (f. 76, 178, 178)     përgatitje;

3) brezore                                         (f. 175)      brezare (më drejt);

4) studjoj                                          (f. 260)       studioj;

5) manevra politike                          (f. 170)       manovra politike;

6) buzëqeshje fëminore                    (f.  215)      buzëqeshje fëmijërore;

7) llampa e qoshes                            (f. 169)       llamba e qoshes;

8) djepe                                             (f. 20)        djepa;

9) lëmshet e zbetë                             (f. 160)   lëmshat e zbehtë

10) mbi masat                                   (f.  3)         për masat ose rreth masave;

11) kulaçë                                         (f. 14)        kuleç;

12) hamej                                          (f 30)         hamaj;

13) gjëjmë një çadër                          (f. 147)      gjëmë një çadër;

14) gabime dy farësh                         (f. 59)        gabime dy farëshe;

15) që ngrejmë (ngrejnë) uzina         (f. 167)      që ngremë (ngrenë) uzina;

16) bronx                                           (f. 168)      bronz;

17) e sotshm/e -ja                                 (f. 237)    e sotme e sotmja (sipas FSHS-së);

18) mëngjërash                                   (f. 237)      mëngjarash (sipas FShS së);

19) ik, ec                                   (f. 273)   ik/i ec/i (e hip/i) si trajta përfaqësuese.

4) Moskonsekuenca të ndryshme:

__________________________________________________________________

1                  2                               3                               4

1)  lul/ja nus/ja                          (f.11)      lule lul/e -ja -lulja, nuse nus/e-ja - nusja;

2)  lum lumi , burr-i                    (f. 37)     lumë (lum/ë - lumi, burrë burr/ë -burri;

3)  tuf tufa; fush-a                  (f. 32, 37)       tufë tuf/ë  - tufa, fushë fush(ë) -fusha,

këng-a, pushk-a               (f..11)      këngë këng/ë - kenga, pushk/ë pushka

4) komunizm - i marksizm-i          (f. 12-13)        komunizëm kumuniz/ë)m-i -                                                          komunizmi    reumatiz/ëm-mi, socializ/ëm-i,

sarkazm-i    (e kështu me radhë)

5) student-ja                                         (f. 181)     student/e student(e) -ja studentja;

6) Parsefoni, Antigoni                       (f.11 e 37)   Persefon-i, Antigon-i (sikurse

Nermin-i);

7) populli dhe PPSH                             (f. 182)    populli dhe PPSh-ja;

8) e RPSH                                              (f. 98)     e RPSh-së;

9) Hipokrati, Homeri                             (f. 290)   Hipokrat-i, Homer-i;

10) Hungari, Hagë, Havanë                (f. 290)   Hungari-a , Hagë-a, Havanë-a.

II. RASTE PËRGJITHËSISHT SFIDUESE NDAJ NORMËS

Në vijim po japim disa shembuj si raste, përgjithësisht, sfiduese ndaj normës a si çështje, të cilat në ndonjëfarë mënyre dalin të diskutueshme:

1. Në normë ashtu si në burimin në fjalë del emri çarçaf  çarçafë (f.14), pse mos të jetë çarshaf çarshafa, pasi kështu me -sh-, me sa dimë ka përhapje më të gjerë dhe -sh-ja vjen nga turqishtja, prej nga është huazuar fjala.

2. Edhe emri evlat (f.27) pse mos të jetë evlad –i evladët , me –d si në arabishte, ngase kështu ka përhapje më të gjerë shqiptimi dhe përshtatet me rekomandimin për mosshurdhimin e d-sëfundore.

3. Në tekst është numëror i përbërë (f.52), mbase me drejt lokucion numëror.

4. Në tekst është substantivimi i mbiemrave (f. 17) më drejt, ndoshta, emërzimi i    mbiemrave.

Sqarim: Për mendimin tonë kishte me qenë më mirë që ndërkombëtarizmat përkatës,varësisht nga konteksti, për hir kulture, jo të mos përdoren fare, por rastet e tilla të shënohen në kllapa në fillim të paraqitjes e jo në brendi të tekstit. Konkretisht këtu pasi kemi të bëjmë me një libër shkollor të spektrit të gjerë,   dedikuar arsimimit të përgjithshëm popullor, mund të përdoret në brendi të   tekstit vetëm trajta barasvlerëse e burimit vendës, siç u parapëlqye pre nesh.

5. Në praktikën e deritashme, ashtu edhe në burimin në fjalë (f.11) është togfjalëshi:  shprehje sintaktike dhe ndajfolja sintaktikisht, për mendimi tonë më mirë del shqipërimi: shprehje sintaksoredhe ndajfolja sintaksorisht ose sintaksisht.

6. Edhe togfjalëshi sinonime kontekstuale (f. 168) më mirë të shqipërohet: sinonime kontekstore.

7. Gjithashtu edhe rasti tjetër i togfjalëshit pjesë teatrale (f. 176) prapashtesa e huaj -al(e) mund të zëvendësohet me atë të shqipes -ore: pjesë teatrore.

8. Në tekst është udhëzime  normative (f. 4) për mendimin tonë shprehja do të dilte më vendëse në trajtën: udhëzime normëzuese.

9. Është shkëlqime akoma edhe më të mëdha (f. 3 e 5) më drejt: shkëlqime edhe (ende) më të mëdha.

10. Në tekst e ndeshim togun paraqitje sistematike (f. 5) për mendimin tonë më thjesht e më mirë e më e pëlqyeshme do të dilte trajta: paraqitje sistemore.

11. Është novatorët (f. 75), më e kohës dhe më e parapëlqyer: risimtarët.

12.Togu shkrim e këndim (f. 239)  më zyrtar: shkrim e lexim.

13. Është stolat (f. 93) më shqip nde(n)jëset.

14. Është kalemat (f. 64) më i përvetësuar  lapsat.

15. Reparti i ngjyrosjes (f. 93) më profesional  del emërtimi ngjyrtor/e-ja, por edhe Reparti i ngjyrimit.

16) Në vend karshi diellit (f. 159) më i pëlqyer togu: kundrejt ose kundruall diellit.

17. Në vend: gjuha fenomen shoqëror (f. 5) më e përkapshme: gjuha dukuri shoqërore.

18. Fjala riparim (f. 83) mund të zëvendësohet me: ndreqje.

19.  Termi kapitull kapituj (f. 5) tashmë del e zëvendësuar me barasvlerësit e ditës: kreu krerë.

20. Togu seksi mashkullor (f. 11), mbase është më e udhës të zëvendësohet me: gjinia mashkullore (natyrore),

21. Është në tekst vinin makinat (f. 181) më zyrtare vinin automjetet.

22. Thërres shokët (f. 100) kujtoj se më e përhapur del trajta thërras shokët.

23.  Ndajfolja reciprokisht (f. 243) tashmë del e zëvendësuar me trajtën ndërsjell(t)as.

24. Prejpjesori shtrenjtësim (f. 173) në konteskt mund të zëvendësohej me trajtën paksa më të shkurtër e më kuptimplote: shtre(n)jtim.

25. Emrat e huazuar mysliman, mysafir (f. 273) pse mos të shënohem musliman, musafir me shqiptim më të afërt si në arabishte, ngase kështu edhe kanë përhapje më të gjerë përdorimi.

26) Ia vlen të diskutohet trajta  rreh zemra (f. 116), ngase më e parapëlqyer del trajta: rrah zemra, kur kemi parasysh çerdhën e fjalëformimit mbi këtë bazë: krahaso: (me) rrahë, rrahë-a, rrahje, rrah-u, rrahës, rrahëse, rrahinë etj.

27. Në tekst thuhet se farkoj është zëvendësuar me trajtën farkëtoj (f. 228), në të vërtetë, sipas FShS-së që të dyja trajtat kanë përdorim normal, por për nënfusha të ndryshme semantike.

28. Në tekst ndeshim termin tuba (f. 31) që në shqipe del e zëvendësuar me

barasvlerësin gypa.

29. Togfjalëshi: tipi produktiv dhe aktiv (f. 203) në praktikë del i zëvendësuar me: tipi prodhimtar dhe veprues.

30. Trajta kundrinë (f. 100) mbase më drejt kundrinor, (Po  asty f. 170.).

31. Fjala vigjilencë (f. 75) më mirë syçeltësi.

32. Është prej pleqërisë (f. 171), konteksti lejon për si më të mirë versionin: prej pleqërie.

33. Në vend: në mes aq fitoreve të tjera (f. 3) më mirë “në mes aq fitoresh të tjera”.

34. Është koha e kryer e plotë (f. 110), më e pranueshme koha më se e kryer.

35. Mbase në vend trajtat e pashtjelluara (103) më drejt: format e pashtjelluara si në f. 183, ngase tani trajta e foljes dhe forma e foljes mbulojnë nocione të ndryshme.

36. Le të diskutohet a më e drejtë është të thuhet fjali ftilluese (f. 164) apo fjali tfilluese, e cila ka qartësi më të madhe fjalëformuese (të + fill+oj me tfillue).

37) Është ngjyrë gri (f. 182) më shqip ngjyrë e perhitur (e përhime, e përhintë, ngjyrë hini)

38) Pse dallaveraxhi (f. 229) në vend dallaverexhi, pra emërtimi i njeriut sipas verprimtarisë të përshtatet me emrin e veprimit: dallavere.

39) Në tekst (f. 11) del konstatimi me vend se emrat e pashquar me -e- dhe -o- të patheksuar si p.sh. lule dhe radio në të shquarën marrin mbaresën -JA: lul/e luljaradio radioja, Koço Koçoja,  por nuk sqarohet mirë se -E-ja del e zhdukshme në raste të tilla ndërsa -O-ja ruhet ashtu si dhe tek emrat me zanore të theksuar, si p.sh me -A: kala kalaja, me -E: ide ideja, me -Ë: gjë gjëja, me -U: dru druja, dhe me -Y: dy dyja, bën përjashtim vetëm emri me zanoren -i, i cili merr vetëm mbaresën -a si p.sh.-I:  bukuri bukuria.

40. Rregulla e rekomanduar që parafjala tek të përdoret vetëm para emrave me zanore, ndërsa ajo te në raste të tjera, nuk respektohet as në vetë tekstin në shqyrtim, si p.sh.: tek flutur(ë) (f. 264), tek një varg (f. 285) si dhe f. 182, 268, 269 etj., prandaj kjo çështje duhet me u rimarrë në shqyrtim. 

III. VËREJTJE NGA LËMI I DREJT-FJALËFORMIMIT

Një shumica e konsiderueshme e konstatimeve nga teksti në shqyrtim lidhur me fjalëformimin janë të qëndrueshme, por vështruar nga këndvështrimi i arritjeve të sotme në këtë fushë, lypsen bërë përplotësime, madje mund të jepen edhe jo pak vërejtje, ndër to po shkëpusim kalimthi vetëm këto:

1. Nuk është vepruar drejt metodikisht as shkencërisht në të shtruarit e çështjes me bashkimin e prapashtesave emërore si -AR e -TAR, -OR e -TOR, -ORE e -TORE etj. si dhe atyre foljore:  si: -SO, -ZO e -IZO,  -R e -RË ( shuar, prerë) etj., sepse në kontekste të caktuara secila prapashtesë del e specifikur, qoftë për tipa a nëntipa emrash e foljesh, qoftë për nënfusha të veçanta semantike dhe nuk mund të këmbehen njëra me tjetrën, përkundrazi siç janë aty (në këtë tekst) mund të krijojnë njëfarë hutie te kosultuesi i librit.

2. Na duket e panevojshme vendosja e trajtës -ISHTE, para variantit -ISHTË, kur dihet se formanti i fundit mjafton. Prandaj jo ullishte, ullishtja, ullishtet, po ullishtë, ullishta ullishtat.

Pra ,është mirë të përdoren vetëm trajtat me -ISHTË, prapashtesë kjo që del e rekomandushme edhe në të njëjtën faqe të vetë tekstit në shqyrtim, ngase formimet me -ishte duket se kundërmojnë pak si sllavisht, krahaso: gradilishte ndaj punishte, selishte e ndonjë tjetër.

3. Te foljet  më -Oj  (me zgjerim ose pa zgjerim) e të tjera trajtimi nuk është i plotë, madje as konstatimet lidhur me produktivitetin (prodhimtarinë) dhe aktivitetin (veprueshmërinë) e tyre në të shumtën e rasteve nuk dalin të qëndrueshme, madje janë të përcjella edhe me mjaft lajthitje.

Sidoqoftë, siç del nga analiza,  pjesa më e madhe e kreut III, si për sistemin foljor ashtu edhe për sistemin emëror duhet rishikuar dhe përplotësuar me lëndë të re, siç janë edhe formimet me parashtesën SI- (siujdhesë, sifjali, sijetë, sihyrje; Sihënë, Siditë etj.), emërtimet e vendshërbesave me -TORE (lidhtore, tjerrtore, shitore, mbushtore etj.).

IV. PËRPLOTËSIMET E NEVOJSHME

Arsyeja dhe synimi

Meqë kemi të bëjmë me një doracak mësimor normëzues ose, më mirë me thënë, me një sipraktikum të fushës së kulturës së gjuhës letrare, siç u cek më sipër, në radhë të parë kushtuar shkollës a arsimimit të përgjithshëm të masës së gjerë, duke pasur parasysh nevojat specifike që kemi në Kosovë, atëherë lypset përshirë material përkatës specifik edhe nga treva jonë, lëndë kjo me të cilën realisht jemi duke u ballafaquar, ne të gjithë, si shkolla ashtu dhe tërë popullsia shqipfolëse. Prandaj është rast i volitshëm që materiali i tillë nga përditshmëria jonë ligjërimore të shënohet në librin e profilit të tillë, qoftë sipas metodës normë/jonormë, qoftë në raste edhe si sfidë për plotësim norme e jo, kurrsesi, si një pretekst a dëshirë për të përmbysur normën e sotme letrare. Në të vërtetë, ne, duke vënë në pah dhe ofruar lëndë karakteristike kryesisht nga trevat tona, ashtu si mjaft studiues të tjerë, kemi bindjen se bëjmë punë frytdhënëse të shumëfishtë:

së pari, duke paraqitur trajta jonormë ne  kemi për qëllim të ndihmojmë përvetësimin e normës;

së dyti, duke vënë theksin në lëndë të diskutueshme, ne, ndihmojmë diskutimin rreth zgjidhjeve përkatëse në mënyrë cilësore;

së treti, duke paraqitur lëndë të pahetuar më përpara, ne, në njëfarë dore, japim ndihmesën tonë për pasurimin e shqipes standarde shprehje të reja  vëndëse;

së katërti, me një veprim të tillë, fundi i fundit, metodikisht e bëjmë më të dukshëm  dhe më të përkapshëm problemin normë dialektore/normë letrare, me qëllim që të ndihmohet pasurimi dhe njëherazi edhe përsosja e normëzimit të shqipes standarde;

së pesti, duke ofruar lëndë të re, qoftë të panjohur mirë më përpara, qoftë të lënë nën hije, për ndonjë arsye, ne nxisim, jo vetëm rishqyrtimin, por edhe interpretimin ose madje edhe  revidimin e ndonjë konstatimi të mëparshëm që koha po e tregon të paqëndrueshëm dhe

së gjashti, duke pasur synim që norma standarde e shqipes të jetë sa më gjithpërfshirëse dhe e rinuar me gjak të ri ose e pasuruar me vlera të trashëgimisë së vet, qoftë edhe nga vetë   letrarishtja mbi bazë të gegërishtes, ne, japim ndihmesën tonë, në mënyrë që njëzimi i normës së shqipes standarde, të jetë sa më i shëndetshëm, kombëtarisht edhe më për zemër dhe metodikisht më i lehtëpranueshëm për mbarë bashkësinë shqipfolëse.

Sidoqoftë, ne, duke lënë vend edhe për vërejtje të tjera, tani në vazhdim po japim disa nga vëzhgimet tona, së pari nga fusha e sistemit emëror e pastaj edhe nga ajo e sistemit foljor, natyrisht, duke pasur pikëmbështetje a pretekst pikërisht lëndën ose metodën e punës nga teksti në shqyrtim.

a) Nga sistemi emëror

1) Krahas prapashtesës -RI, në tekst është dashur të ceket edhe prapashtesa -NI, e cila del edhe në atë vepër, edhe pse vetëm me dy shembuj: padijeni (f. 203) dhe rini (f. 197), ngase dihet se në gjuhën letrare kombëtare dalin edhe mjaft shembuj të tjerë si: ardhmeni, dreqni, burrni, çikni, dhelpni etj., të cilët nuk janë në mospërputhje me normën ose me vizionin e zhvillimit të shqipes standarde.

2) Mendoj se në paragrafin 21 (f. 29) krahas trajtave të shumësit të emrave priftërinj-të thelpinj-të, shkopinj-të duhet të qëndronin edhe trajtat barasvlerëse: prifta-t a priftët, thelba-t, shkopa-t , ngjashëm me trajtat: nipërit nipa-t  a nipët ose gisht-ërinjtë gishta-t, ngase kështu i ndeshim trajtat e tilla  pa -ë/rinj (-ërit),  në realitetin tonë gjuhësor me përhapje mjaft të gjerë përdorimi, andaj duke vënë në pah sinoniminë e tillë, si trajta gjithsesi ekzistuese ne shtrojmë nevojën e vlerësimit të tyre.

3) Gjithashtu, krahas lëmë lëmenj (f.  29) të shënohet, qoftë e cilësuar edhe si jashtë norme, trajta lëmi lëmia lëmitë, ngase kështu është përftuar te ne si sinonim i termit fushë (domen) a si nënfushë e veprimtarisë së caktuar dhe kjo ka shtrirje mjaft të gjerë përdorimi, sidomos në ligjërimin zyrtar-publicistik te ne. Sidoqoftë edhe ky rast ia vlen të vlerësohet.

4) Krahas emrit krehër (që e bën shumësin me -A krehëra-t (f. 264), duhet të qëndrojë trajta që është në përdorim e sipër te ne krahën krahna dhe kjo të bëhet mbase vetëm sa për të tërhequr vëmendjen për respektimin e normës: krehër krehëra-t, sepse trajta e fundit ka për mbështetje pikërisht gjendjen e sotme të foljes kreh me krehë, krehur.

5) Si prapashtesë me prejardhje të huaj (turke) është shënuar edhe prapashtesa -llëk (f. 233), po aty nuk jepet asnjë shembull. Në të vërtetë, në f. 31 e 264 ndeshim në shembuj konkretë me këtë prapashtesë: -llëk/ llëqe, ku jepen edhe përgjegjësit jonormëzues me -llik. Propozojmë që në anën e shembullit me prapashtesën -llik, të shtohen edhe variantet e tjera jonormëzuese: -llak, -lluk, e llyk, të cilat i ndeshim në realitetin tonë gjuhësor, madje më shumë se ato me -llik. Kështu b.f. në realitetin tonë hasim: kapsllak, kapslluk e kapsllyk; budallallak, budallalluk e budallallyk në vend të trajteve të normëzuara kapsllëk budallëk  (budalli)  e kështu me radhë.

6) Krahas prapashtesës mbiemërore -or (f. 234) duhet shtuar edhe prapashtesën –ë/sor, jo vetëm pse aty ilustrohet me shembullin thelbësor, por për arsye se në praktikën tonë gjuhësore formimet me prapashtesën -ë/sor janë mjaft prodhimtare dhe vepruese, siç dalin shembujt e theksuar edhe në këtë burim në f. 214: jetësor, parësor, dytësor, gjyqësor, shëndetësor etj.

7) Te lakimi i emrave të tipit: Isa Isaja, Thoma Thomaja, Hamza Hamzaja (f. 40) që  e bëjnë kallëzoren e shquar me mbaresën -në: Isanë, Thomanë, Hamzanë, për mos me lënë keqkuptim mbrapa, duhet sqaruar faktin se në versionin tjetër, po këta emra, sipas shqiptimit të përligjur të të folmeve përkatëse (zakonisht të arealit verior), është e lejueshme të dalin me mbaresa të tjera të lakimit, si: Isë Isa Isës Isën, Tomë Toma Tomës Tomën; Hamëz Hamza, Hamzës Hamzën e kështu me radhë, prandaj del e nevojshme të jepet një sqarim i tillë.

8) Tek emrat më -E fundore të theksuar në njëjësin e pashquar (f. 76) nëntipi be beja, dysheme dyshemeja etj., ku është shënuar edhe trajta kafe kafeja, duhet rishikuar, ngase trajta e fundit në FShS në radhë të parë del me shqiptimin e rekomanduar në rrokjen e parafundit: kafe kafja, shqiptim ky që këtë fjalë e bashkon me grupin e huazimeve të tjera po nga turqishtja: teneq/e teneqja, tenxher/e tenxherja, shish/e shishja (Shih: f. 285). Po në përputhje me këtë fakt ka mundësi të bëhet dallimi në shqiptim e në të shkruar të homonimit dysheme dyshemeja, kështu për shtrojën të mbetet dysheme dyshemeja, ndërsa për shaminë dyshem/e dyshemja, ashtu siç shqiptohet, në të vërtetë, nga një rreth i gjerë shqipfolësish.

9) Te përemrat pronorë krahas trajtës së normëzuar: djali im, vajza ime (f. 63) si jonormë duhen shënuar, veç trajtës djali i im vajza e ime edhe trajtat gjegjëse: djali jem, vajza jeme (të përhapura në gegërishtes), me qëllim që të ndihmohet ngulitja më me lehtësi e trajtave të tilla në normë: djali im, vajza ime.

10) Dy prapashtesave të huaja -IER dhe -JER (Kjo e fundit tani mund të cilësohet si e paqenë), duhet shtuar edhe trajtën tjetër -ER, e cila si e tillë del e identifikuar jo vetëm në disa burime anase sidelmer, toger, rreshter e ndonjë tjetër, por edhe në mjaft emra të huazuar, tani të përvetësuar, por që mund të zbërthehen ndërtimisht edhe në shqipe, siç janë shembujt: program programer (program + er). fermë fermer (ferm(ë) + -er) etj

11) Mendojmë se duhet t’u jepet përparësi trajtave të shumësit të emrave kunet e luget ndaj atyre me mbaresën -ër: kunetër, lugetër (f. 27), ngase formanti -ËR, del jo i domosdoshëm në stilin asnjanës të shqipes standarde dhe, me sa dimë, nuk del i motivuar tërthorazi as nga trajtat e gegërishtes me -ËN. Ashtu siç nuk del i motivuar as te rastet e shumësit të emrave si kecër, pleqër, majmunëretj., pasi në vend të tyre dalin trajtat gjithsesi  më të pranueshme: keca, pleq, majmunë, e kështu me radhë.  Pra mendojmë se shumësat me -ËR (-*ËN) nuk duhen përdorur në raste, kur për konceptin e caktuar mjaftojnë trajtat pa këtë formant-shtesë.

12) Formimi i emrave me -(Ë)SI në mbështetje të emrit zakonisht prejfoljor të veprimit me -IM, si p.sh.: vazhdimësi, vëzhgimësi, veprimësi, si dhe atyre analogë: rregullsi parimsi, krahas formimeve me prapashtesën -SHMËRI si vazhdueshmëri etj, aktualisht është mjaft aktiv, prandaj kjo prirje është mirë me gjetë vend edhe në burimet përkatëse të profiluara, siç është edhe vepra në shqyrtim.

13) Duhet rishikuar dhe përmirësuar përparësinë e emrave përkatës lidhur me përdorimin e rasës kallëzore të shquar (f. 39-40) që në tekst dalin të shënuar: ftuan, kruan, përruan, thuan, ngase sipas FShS-së dalin të normëzuara trajtat ftoin, kroin, përroin, thoin,e jo ato me ua. Mbase një përcaktim i tillë i normës më vonë është bërë edhe për arsye se kjo trajtë del më e afërt me trajtën e ish-gegërishjtes letrare: ftonin, kronin, përronin, thonin. Sido që të jetë, trajtat: ftoin, kroin, përroin, thoin dalin me përparësi të fituar ndaj trajtave të parapëlqyera në tekstin në shqyrtim (ftuan!, thuan!).

14)  Konstatohet me vend se përemri pyetës kush? (F. 87) “shërben për të pyetur për një person (njeri) të panjohur ose të papërmendur më parë në bisedë”, p.sh: Kush erdhi?  Dhe ai s’duhet të përdoret, sipas normës,  për numrin shumës, ngase për shumësin del i rezervuar përemri cilët? Pra, jo Kush erdhën?, po Cilët erdhën? Mirëpo, mendojmë se lidhur me këtë duhet përmendur një fakt tjetër, jopak të rëndësishëm. E kemi fjalën se për konceptin e shumësit ndër ne përdoret po përemri kush, po me përsëritje: Kush e kush erdhën? Kush e kush folën?, e kështu me radhë, që, në të vërtetë, është sinonim i togfjalëshit Cilët erdhën? Cilët folën?, në mos qoftë edhe më përcaktues nga trajta cilët?, sepse me pyetjen kush e kush? kërkohet emnimi (përmendja e emrave) i të ardhurve, folësve, veç e veç, sipas radhës. Mendojmë se plotësimi me forma të tilla si kush e kush? Të shprehurit e shqipes standarde do të pajisej edhe me këtë vlerë të re.

15) Prapashtesa e shumësit -RA mendojmë se duhet të jetë e rekomandueshme vetëm a kryesisht në ato raste kur shumësi i emrave të caktuar e ka ose e kishte përgjegjësen përkatëse -NA në gegërishte. Krahaso: mallra / mallna, ujëra / ujna etj, ndërsa në rastet e tjera si kusira, tepsira etj (pasi në gegërishte nuk ka gjurmë shumësi: kusina, tepsina etj., sepse fundja, tani për tani, koncepti i caktuar mbulohet plotësisht me trajtat e shumësit me -I/TË, andaj të normëzohet vetëm trajta: kusi kusitë, tepsi tepsitë e kështu me radhë. Dihet se qëndrueshmëria  e  normëzimit  të trajtave me -RA nuk rrezikohet tani nga trajtat variante të gegërishtes më -NA, megjithatë ndërndikimi i heshtur nuk është i papranishëm në jetën tonë ligjërimore si te rastet kusira, tepsira.

16) Nuk dimë mirë arsyen pse u normëzuan trajtat qengj e fshesë me zanoren -E- e jo me -I- : qingj fshisë, (me fshi) ngase kanë edhe sot shtrirje më të gjerë përdorimi . Sidoqoftë, edhe rastet e tilla nuk është keq të sqarohen, kur të bëhet fjalë institucionalisht për raportin normë/j normë.

17) Për mendimin tonë është jo i mjaftueshëm sqarimi që jepet lidhur me prejardhjen e emrit shkurtësi nga mbiemri i shkurtër (f. 227). Siç del nga ky shpjegim gjoja emri ardhka nga mbiemri me -ër fundor (!) i shkurtËR e jo nga trajtë-rrënja shkurt-. Dihet se ekziston (ka ekzistuar) në gjuhën tonë, veç ndajfoljes shkurt edhe mbiemri i shkurtë, folja shkurtoj (me shkurtue, shkurtuar), emriShkurt/ë-a etj. Kujto edhe shprehjet: shkurt e trup, shkurt e shqip etj, pra pa prapashtesë-mbaresën -ër, prandaj shpjegimi i tillë domosdo lypset rishikuar. S’do mend, fazat e fjalëformimit nuk bën të ndërlidhen domosdo me kohëhapësirën e e shpalljes së formimit të normës së sotme letrare (1972).

18) Nuk duhen mohuar trajtat emërore me prapashtesën -I ndaj atyre më -SI, si p.sh.: urti ndaj urtësipari ndaj parësishpejti ndaj shpejtësi, shtrejti ndaj shtrejtësi etj (f. 222), sepse që të dyja, këto trajta, me prapashtesën -I si dhe ato me prapashtesën -SI, dita-ditës, po specifikohen për nënfusha të caktuara të ndryshme semantike. Mohimi i tillë, siç është bërë në tekstin në fjalë, do të varfëronte larminë stilistike e semantike të fuqisë shprehëse të shqipes standarde.

19) Për shembullin i gjerëgjerësi, që në gegërishte ka përgjegjësin i gjanë gjanësi, shtrohet pyetja, pse nuk u normëzua edhe ky shembull me  -ë: i gjërë, gjërësi, ashtu siç në të vërtetë po dëgjohet në shqiptim të përgjithshëm, në përputhje me rregullën drejtshkrimore,  ku thuhet se “shkruhen me Ë të gjitha fjalët, të cilat kjo zanore e theksuar i përgjigjet historikisht një A-je të ndjekur nga një bashkëtingëllore hundore”,  prandaj edhe ky rast mund të diskutohet.

20) Te lakimi i katërt i emrave (f. 43) janë dhënë shembujt të ftohtë-t dhe të ecur-it, vetëm në njëjës, duke i paraprirë njëjësit të pashquar nyja një: një të ftohët, një të ecur. Me që emrat e tillë mund të paraprihen edhe me nyjën e shumësit ca (sa) ose me ndonjë fjalëz përcaktuese të shumësit, si p.sh.: ndjej ca të ftohët ose ka shumë të ecur të mirë etj, Prandaj  mendojmë që çështja e cekur ka nevojë për një saktësim e plotësim përkatës më të duhur.

21) Sipas një vëzhgimi joaq të përciptë, që i kemi bërë çështjes së shumësit të emrave mashkullorë të shqipes, duke u mbështetut pikërisht në konstatimet që ceken edhe në veprën në fjalë (f. 14 - 32) kemi arritur në përceptimin se mund të vihet re prirja joaq hipotetike lidhur me thjeshtësimin e shumësit të emrave në përgjithësi dhe atyre të gjinisë mashkullore në veçanti. Ky thjeshtësim mund të arrihet, pra, me fuqizimin e prirjes që del mjaft dukshëm edhe nga shembujt në faqet 16, 18, 32 të tekstit në shqyrtim, ku specifikimi priret të bëhet sipas këtyre nënfushave semantike:

-emrat e gjësendeve konkrete të marrin kryesisht mbaresën -A si p.sh.: mana, kavanoza, djepa, qilima, vinça etj.

emrat abstaktë e vendesh (pjesërisht) të marrin mbaresën -E: variante, fakultete, mendime, kuptime, argumente, marifete, fise ; male, vende, qytete etj.,  ndërsa

-emrat e frymorëve zakonisht të marrin mbaresën -Ë atletë, docentë, doktorë, civilë, tifozë,oficerë, akademistë, bandillë, avokatë, majmunë etj

Për mendimin tonë, jo vetëm në parim por edhe në perspektive, nëse përkrahet një zgjidhje e tillë, do të bëhej një  punë shumë frytdhënëse dhe njëherazi edhe shumë e lehtë për t’u mbajtur mend. Me një veprim të tillë, hëpërhë, mjaft shembuj të diskutueshëm që ende nuk dalin të ngulitur fort në praktikë, sipas normës në fuqi, do të fitonin zgjidhje më të qëndrueshme, por aq më tepër një zgjidhje e tillë do të ishte e mirëseardhur për shembujt e rinj, Sigurisht  kjo çështje e sapohedhur si ide meriton trajtim më të thelluar dhe më të hollësishëm.

b) Nga sistemi foljor

Ndonëse çështjet nga fusha e sistemit foljor në raportin normë/jonormë janë të shumta dhe mjaft komplekse, ne, do të përkufizohemi në disa prej tyre që na duken më me interes:

1) Fillimisht, duke i pasur parasysh ndryshimet e të folmeve tona ndaj trajtave të letrarishtes, po nisim me këto tri pika konkrete, rreth së pakryerës së  dëftores:

a) Trajtat e vetës I dhe II njëjës shënoja, shënoje; shkoja shkoje, dilja dilje duhet të kenë ballaballas tyre trajtat jonormëzuese shënojsha a shënosha, shënojshe a shënoshe,shkojsha a shkosha, shkojshe a shkoshe, dilsha a  dilshe, ngase me këto trajta jonormë  po ballafaqohemi pothuajse të gjithë në realitetin tonë gjuhësor.

b) Po ashtu te trajta normëzuese thosha duhen shtuar trajtat jonormëzuese jo vetëm: thesha, thojsha . po edhe thoja. Në të vërtetë, trajta thoja përkon formalisht me zgjidhjen nga pika e mësipërme, prandaj kjo trajtë mund të jetë si variant i diskutueshëm.

c) Ne veçanti lypset theksuar veta III njëjës norma: shënonte, shkonte, dilte, pritte a priste,  heshtte etj., ngase te ne ndeshen trajtat jonormëzuese barasvblerëse me mbaresën -ke: shënojke, shkojke, a shkote, dilke, pritke a priste, heshtke. Pra, duhet pasur kujdes që norma është me mbaresën-te e jo me fundoren -ke. Me qëllim po  ndalemi paksa te trajtat e dy shembujve të fundit pritte a priste dhe heshtte, ngase çështja del te geminata -TT-. Të vihet re se shembulli i parë prit (me pritë), në të pakryeren, veta e tretë pritte e thjeshtëson geminatën duke e zëvendësuar-T-në e parë në -S-priste, dukuri kjo jo e qortueshme, ndërsa rasti hesht (me heshtë) heshtte nuk e ka një mundësi të tillë zëvendësimi. Pikërisht këtë dukuri dua ta theksoj në mënyrë të veçantë, sepse edhe në veprën në shqyrtim dhe në burime të tjera kjo pikë nuk del e trajtuar kënaqshëm.

Sqarim: Ç’është e vërteta me  -TT+E del një grup jo i madh foljesh: përveç hesht (me heshtë,heshtte) ndeshim edhe folje të tjera njërrokëshe që janë: ndot (me ndotë), bart (me bartë), qit (me qitë), çart (me çartë), tut (me tutë) kot (me kotë), pastaj me parashtesën për- + një emër konkret: përbalt (me përbaltë), përmut (me përmutë) përmjalt ( me përmjaltë), përbisht (me përbishtë), përgisht (me përgishtë) si dhe rastet me -sht- fundore, përveç hesht me heshtë që u cek më sipër janë edhe këto: gërvisht (me gërvishtë), mposht ( me mposhtë), resht (me reshtë), e ysht (me yshtë). Pra janë gjithsej nja 16 folje që ndeshim në përdorim aktiv në të pakryerën me -tt+e, por me mundësi të hapur shumimi në rrethana të caktuara, të cilat sipas normës në fuqi në veten II njëjës të së pakryerës së dëftores duhet të pordoren ashtu e jo me t+ke (pra heshtte e jo heshtke). Mirëpo duhet pasur kujdes se të gjitha foljet me temë në -t(ë) (fundore jo vetëm këto që u cekën më sipër, por të gjitha, në  mënyrën dëshirore veta III njëjës dalin me geminatën -TT+Ë, p.sh. di me ditë: ditsha, ditsh dittë!,  mbaj me mbajtë, mbajtsha , mbajtsh mbajttë!, e kështu me radhë, trajta këto të normëzuara që nuk  janë të huaja as për të folmet tona këndej.

2) Edhe për të ardhmen e së shkuarës së dëftores (a për të tashmen e kushtores): do të punoja, do të punoje, do të punonte në raportin normë/jonormë duhet të shënohen trajtat jonormë: dotë punojsha, do të punojshe do të punojke etj., të cilat, siç u tha, duhen flakur nga përdorimi, edhe pse në Ortografinë e gjuhës shqipe (1964 f. 55) lejoheshin të dyja trajtat punojsha e punoja.

3) Edhe tek e ardhmja e dëftores punoj (me punuedo të punoj veta II dhe III do të punosh, do të punojë te ne ndeshim trajta të panormëzuara: ti do të punon ai do të punon në vend: ti do të punosh ai do të punoJË, trajta këto që dalin edhe më të theksuara tek e tashmja e mënyrës lidhore: unë të punoj ti të punoSH ai të punoJË. Pra tërhiqet vërejtje sidomos që në veten III njëjës, pra jo (ai ajo) të punon, të fryn, të lan etj, por, (ai ajo) të punojë, (ai ajo) të fryjë, (ai ajo) të lajë, e kështu me rasdhë. Në Ortografinë e gjuhës shqipe (1964) f. 57 rekomandohej në kundërshtim me normën e sotme që “të gjitha foljet që mbarojnë me bashkëtigëllore, në veten e tretë njëjës të lidhores të dalin me -i” e jo më -ë, prandaj ky fakt na shtyn të tërheqim vërejtjen: jo ai të flasi, ajo do të lidhi po ai të flasë, ajo të lidhë parkatësisht, jo ai do të flasi ajo do të lidhi, po: ai do të flasë, ajo do të  lidhë e kështu me radhë.

4) Te disa folje që të kryeren e thjeshtë të dëftores në letrarishte e bëjnë me mbaresën  -va (f. 136) si p.sh.: fryj (me fry) fryva, fryve fryu, ndyj (me ndy) ndyva ndyve ndyu,  (me pështy)përshtyva pështyve pështyu, pi (me pi) piva pive piu, shtie (me shti) shtiva shtiu, si trajta jo normëzuese, veç atyre të shënuara në tekst: fryjta, pështyjta, pijta, shtijta, duhet të shënohen edhe trajtat me -na, që i ndeshim në folmet tona: fryna, ndyna, pështyna, pina, shtina që kanë një përdorim mjaft të theksuar, të cilat ne po i cekim vetëm si trajta që s’duhen përdorur, madje kjo vlen për të tria vetat. Pra jo:  pina, pine pini, pinëm pinët pinën, po vetëm: piva, pive, piu, pimë, pitë, pinë e kështu me radhë.

5) Paralel me të  tashmen e vazhdimësisë, tipi:  jam duke punuar, jam duke dalë ndër ne del në përdorim edhe trajta barsvlerëse: jam kah punoj, jam kah dal. Po ashtu edhe tek e pakryera e vazhdimësisë tipi: isha duke punuar, isha duke dalë, veç trajtës dialektore isha tue punue, isha tue dalë paraqitet si trajtë sinonime edhe konstrukti: isha kah punoj, isha kah dal e kështu me radhë, Një refleks të tillë, mund të themi se e ndeshim edhe në të tashmen e vazhdimësisë dhe në të kryeren e plotë të mënyrës habitore.:Krahaso:

a) qenkam duke punuar, qenkam duke dalë ndaj qenkam (kokam) tue punue, qenkam (kokam) tue dalë, del edhe atraktivja (!) qenkam (kokam) kah punojqenkam (kokam) kah dal dhe

b) qenkësham duke punuar; qenkësham duke dalë; ndaj qenkësham (koksham) tue punue, qenkësham (koksham) tue dalë, del edhe qenkësham kah punoj, qenkësham (koksham) kah dal, e kështu me radhë.

Nuk dime pse kjo formë me kah që prej nesh u quajtë, disi pa dashje, atraktive, e cila përdoret edhe në kohë të tjera si p.sh. kah je tue shkue? a kah je kah shkonkah je kah ia mban? etj. që dallon nga sinonimi kah po shkon?, kah po ia mban? etj,  sa do të jetë hetuar dhe vlerësuar nga standardologët e gramatikanët tanë. Sidoqoftë, ne e shënuam si trajtë me të cilën jemi të ballafaquar në praktikën tonë gjuhësore, kështu që ekspertët e gjuhës le ta vlerësojnë si duhet.

6) Në vend të trajtave foljore që janë të letrarishtes së sotme: rroj rrojta rrojtur rroftë!, me sa dimë, në të folmet gege janë përdorur trajtat me infiksin -n-rrnoj, (me rrnue),  rrnova  rrnoftë!, të cilat edhe sot i ndeshim në të folmet tona e më gjerë, madje në raste edhe në gjuhën e shkrimit. Prandaj sipas raportit normë/ jonormë, mendojmë se duhen shënuar në tektin eventual edhe rajtat e mësipërme. Është me interes të shihet fakti se si gjuha e popullit (gegërishtja) për t’i ikur homonimisë me rastet  tosk. rruaj rrova rruar rroftë! /geg. rruej me rrue rrova rroftë!,  në njërën anë dhe tosk.rruaj rrojta rruar rroftë!,/geg. rrnoj me rrnue rrnova rrnoftë! (!), në anën tjetër, gjeti zgjidhjen që për konceptin rrnesë (jetëgjatësi), të përdor ose të ruajë trajtën me infiksin -n-, ndërsa për konceptin e rrojes  (rruarjes a rruajtjes) e  ruajti versionin pa –n infikse.  Krahaso shprehjet:Me rrnue me nderë, shpirtbardhë përherë ose Më mirë berberi se me rrue dreqi!  Nuk mund ta dimë sa pati arsye për heqjen apo mosfutjen e trajtës rrnoj (me rrnue) në normë?

Sidoqoftë edhe këto dallime në raportin normë/ jonormë të foljeve rroj (rrnoj, me rrnue rrnoftë) ndaj rruaj rruar (rruej me rrue, rroftë!, është mirë të vlerësohen.

7) Po e përmendim edhe rastin e foljes së parregullt të shqipes letrare ngre ngritur/ ngrihem që në të folmet tona, përgjithësisht në gegërishte del si folje e rregullt: ngrit, me ngritë, ngritem me u ngritë. Nga krahasimi i zgjedhimit të të dy versioneve del edhe arsyeja  a shkaku pse të ne bëhen aq shumë shkelje enorme (me vetëdije ose pa të), pikërisht në raportin normë/jonormë standarde.. Ja si duket ky zgjedhim:

Koha e tashme e dëftores: tri vetat njëjës: (unë, ti, ai) ngre/ ngrit shumësi: (ne) ngremë /ngritëm, (ju) ngrini/ ngritni, (ata) ngrenë / ngritëne pakryera e dëftores: (unë) ngrija / ngritja etj.; e ardhmedo të ngre / do të ngrite ardhme e së shkuarësdo të ngrija / do të ngritjae tashmja e lidhorestë ngre / të ngrit (të ngris!), e pakryera: të ngrija / të ngritja  (të ngrisja!); urdhërorja:ngri / ngrit ngrini / ngritni.

Le të krahasohet edhe përdorimi i kësaj folje në të dyja versionet e mësipërme me trajta homonime të foljes ngreh (me ngrehë dhe të foljes ngrij (me ngri), të cilat në të vërtetë pjesërisht krijojnë homonimi, sidomos trajta e letrarishtes del më problemore. Këto ndryshime duhen qartësuar dhe vlerësuar me arsyeshmërinë e duhur.

8) Mendojmë se profili i veprës në shqyrtim lejon që të jetë e shënuar në të edhe dukuria e përftimeve të reja të foljeve me parashtesën pa- si: pavdekësoj, pavleftësoj a pavlerësoj, paaftësoj, paanësoj, parregullsoj, pasaktësoj etj. që zbërthehen kuptimisht, kështu: e pavdekësoj = e bëj të pavdekshëme paaftësoj = e bëj të paaftë, e kështu me radhë. Së këtejmi nga foljet e tilla dalin edhe prejfoljorët si pavdekësim, paaftësim, pasaktësim që nuk ishin të njohur më përpara dhe që dalin në marrëdhënie sinonimie me trajta: mosaftësim, mossaktësim e kështu me radhë. Gjithsesi, edhe kjo dukuri lypset vlerësuar.

9) Edhe te mënyra deshirore e disa foljeve në raportin normë/jonormë paraqiten raste të diskutrueshme, Krahaso: shtënça/shtifsha, lënça/lasha, rënça/ rafsha, dhënça/ dha(f)sha, thënça/ thasha(thashetheme), daça/dasha (dashamirë), brejtsha/brefsha (aoristi brejta / dial. breva) e kështu me radhë. Në mjaft raste në kontekste të caktuara, trajtat dialektore sidomos në shprehje frazeologjike i ndeshim të përdorura pothuajse normalisht edhe pse të cilësuara “jashtë norme”.  Krahaso: Ku rafsha mos vrafsha! Gjithmonë paç e për t’mirë dhaç (dhash)!

10) Po sipas raportit normë/jonormë imponohet edhe rasti i disa foljeve më -AS a -S fundore, siç janë shembujt në letrarishte: vras vrarë, ngas ngarë, pres prerë, të cilat paskajoren e mirëfilltë me + pjesore të shkurtër e kishin të normëzuar kështu: me vra, me nga, me pre (pjesërisht kështu bën edhe folja me le (lej), me bre (brej) , - trajta këto që ende janë në përdorim në gegërishte. Njëjësi i dëftores së këtyre foljeve del në të folmet tona vraj, (me vra) ngaj (me nga), prej (me pre), lej (me le), brej (me bre),  ndërsa në letrarishte, siç u cek më sipër del: vras, ngas,  pres, lind(!). Te këto folje as mënyra urdhërore nuk ka përputhshmëri, në raportin  letrarishte / gegërishte,  sepse urdhërorja e letrarishtes del: vra e vritnga e ngitpre e prit, ndërsa e të folmeve tona: vraj!, ngaj! prej!

Pra këto forma reflektimi duhet të njihen dhe në ndonjë rast a rrethanë edhe mund të rivlerësohen a të arsyetohen. Po e përmend kalimthi edhe trajtën flas (me folë), e cila priret me dalë në të tashmën njëjës të dëftores në trajtën (po) fol (i) (= po flas) (ai fol e ti fol – për nji plesht e për nji mol(ë)!) dhe kjo dukuri në mos e trashëguar, sot  ushqehet domosdo nga paskajorja me folë.

11) Edhe rasti i homonimisë së trajtës prespres shokun ndaj pres : pres bukën me thikë, në raportin normë/jonormë ka vend për diskutim. Në kodin e të folmeve tona (gegnishte) këto dy koncepte shprehen  pa prekur fare në homonimi, ngase për konceptin e parë pres shokun (pjesorja pritur me pritë) edhe në të folmet tona del poashtu, por sa i përket konceptit të dytë pres bukën me thikëtë  letrarishtes në të folmet tona del zakonisht trajta prej ( me pre)Prej bukën me thikë. Madje edhe sa i përket përftimit të prejfoljorëve këto trajta (folje) kanë rrugë të ndryshme, varësisht nga pjesorja e shkurtër e foljes së caktuar:

pritës /pres a premës (prerës): Krahaso: mikëpritës, besëpres, besëpremë besëprerë) etj.

Ky rast ishte i sanksionuar edhe me Ortografinë e gjuhës shqipe (Beograd 1964, f. 55).

12) Edhe lidhur me foljet gjuaj gjuajtur, luaj luajtur del e nevojshme të jepen sqarime sipas raportit: normë/ jonormë. Në të folmet tona (gegërisht) forma e pjesores (paskajores) del dy trajtash:me gjue e me gjuejtëme lue e me luejtë, andaj edhe në të kryeren e thjeshtë dalin po dy trajta, ashtu edhe në dëshirore: gjova/gjuejta, lova/luejta, përkatësisht; gjofsha e gjuejtsha dhe lofsha e luejtsha! Ndërkaq në letrarishte është e koduar vetëm një trajtë: gjuaj gjuajta luaj luajtsha. Gjithashtu në të folmet tona dalin dy forma paralele edhe me foljen lind (lindur) lej me le dhe lind me lindë, aoristi leva e linda, dëshirorja lefsha e lindsha dhe ajo: me bre: breva /me brejtë: brejta, brefsha e brejtsha etj..

13) Bie në sy edhe rasti i foljes mund me mundë mundur, jo si folje e ngurosur modale, po si folje në përdorim të pavarur. Kjo folje në FShS del në një zë, por me dy kuptime jo aq të përafërta: i pari: mund mundem = kam mundësi (fuqi) për të bërë diçka dhe i dyti:: mund mundem = ndeshem trup me trup me dikë etj (Aty f. 815). Ndër ne (në dialektin e gegërishtes)  për konceptin e parë del trajta sinonime muj me mujtë,  ndërsa për të dytin pranohet trajta e letrarishtes: mund mundur me mundë. Nuk di këto dy trajta a kanë një etimon të përbashkët apo jo apo kemi të bëjmë me ndonjëfarë kontaminimi?  Prof. Sh. Demiraj trajtën e tillë e quan riformim analogjik sipas gjedhës buj bujta (me bujtë), mbaj mbajta (me mbajtë) ndërsa prof. E Çebej e shpjegon paksa ndryshe, sipas tij “ngjan të ketë dalë nga asimilimi i tingujve nga një mundnj muj (Shih: Gramatika hist. F. 870. Sidoqoftë, sot për sot trajtat mund (me mundë) dhe muj (me mujtë) priren të dallohen sipas pjesëve kuptimore që u cekën më sipër.  Pra me trajtën mund me mundë që afrohet me kuptimin e foljes me u mundue a mundshtoj, priret të mbulohet më tepër një proces siç është puna a veprimi i mundësit, të atij që e kryen një punë me mundim, (tue u mundue a duke u munduar) me djersë, me përpjekje fizike që afrohet plotësisht me kuptimin e emrit mund e mundim, që përputhet me pjesën e dytë të përkufizimit nga FShS-ja, ndërsa me foljen  muj me mujtë që afrohet më shumë me kuptimin e foljes mujoj,  nënkuptohet koncepti i qëndrueshmërisë, disi si nocion më të gjerë, ngase mujtja e mujshmja si proces më fort kuptohet se arrihet me aftësi, me mundësi, me përpjekje mendore e shpirtërore sesa  me përpjekje fizike, kuptim ky që përputhet me përkufizimin e parë sipas FShS-së, dhe, si të thuash, pëlqen me përkufizimin: kam fuqi, zotësi, mundësi (mujësi) ose e kam të mujshme me e kry një punë. Me fjalë të tjera, po përsërisim, trajta muj me mujtë del e ndërlidhur kuptimisht me emrin mundësi (mujësi) dhe të foljes mujoj; Qysh me mujtë me i ra në fije kësaj pune? Qysh me mujtë merzinë?, ndërsa trajta mund me mundë ndërlidhet kryekëput me konceptin e emrit mund  mundim si dhe me konceptin e foljes mundoj/mundohem a  mundshtoj.  Sido qe të jetë, kjo prirje dallimi mbase ende në fazën e lindjes, por që del e shfaqur ndonjëherë edhe në gjuhën e shkrimit, është mirë të ndiqet nga ekspertët e normës letrare dhe të vlerësohet.

14) Po e cek edhe ballafaqimin e trajtës dua dashur me trajta dialektore të gegërishtes due me dashtë në të kryeren e thjeshtë të dëftores. Në këtë kohë trajta e kësaj folje del: desha, deshe deshi deshëm deshët deshën dhe kështu krijon homonimi me një folje tjetër të gegërishtes të foljes me deshë, që në letrarishte përdoret trajta zhvesh zhveshur. Krahaso antonimin desh/vesh, ose me deshë / me veshë: zhvesh/vesh ose zhveshur / veshur të letrarishtes. Krahaso shprehjen:Me të ardhë miku deshë duhet me veshë, Në të radhtë veshë nuk duhet me deshë, d.m.th. mos me e randue me fjalë.

Kështu b.f: E desha djalin në të folmet tona ka kuptimin e zhvesha, ia hoqa rrobat,  geg. me ia heqë (të veshmet, me ia deshë rrobat), në njërën anë, ndërsa në anën  tjetër në  letrarishte E desha djalin ka kuptimin e dashurova, e simpatizova, e miklova, që në të folmet tona shprehet: E deshta a e dashta djalin, d.m.th. me e dashurue, me e smpatizue, me e adhurue etj. Sidoqoftë, variacionet e tilla kuptimore, duhet të dihen e të njihen më mirë. Madje edhe në shkrime të caktuara letrare kemi pasur rastin të ndeshim  shprehjet si Dashtë e pa dashtë po duhet me dashtë! = Desha s’desha duhet ta dua!

15) Në letrarishte folja kall e këllas janë sinonime dhe kanë të bejnë me kuptimin  fut me futë diçka diku, ndërsa në gegërishte, pra në të folmet  tona folja kall me kallë ka kuptimin me djegë, d.m.th. i vë zjarrin diçkaje. Edhe kjo dhe çështjet si kjo, për mos me lënë keqkuptim mbrapa imponojnë sqarime të nevojshme.

16) Në letrarishten e sotme ngatërrohen kuptimet e foljeve bart mbart dhe baj mbajtur, ndërsa në të folmet tona (me gjasë në mbarë gegërishten) dallimi del fare i qartë. Kështu në vend të trajtës bart bartur del sinonimi baj me bajtë, d.m.th. çoj (shpie) diçka nga një vend në një vend tjetër, ndërsa mbaj me mbajtë kuptohet si në letrarishte: mbaj mbajtur, d.m.th. kap një gjësend dhe nuk e lë të lëviz. Për mendimin tonë folja baj me bajtë duke pasur parasysh kuptimin specifik që mban në vete mund të përdoret edhe në letrarishte, por vetëm për kuptimin e parë të foljes mbart (sipas FShS -së,  f. 743) dhe të trajtës bart (f. 91), ndërsa mbart me mbartë mund të specifikohet për kuptime të tjera, siç është edhe koncepti i fjalë-termit: (m)bartja (përcjellja) e të dhënave ose fig. mbartja (bajtja) e pikëpamjeve etj.  Pra jemi të mendimit se mund të vlerësohet edhe difencimi i semantikës së folejeve baj me bajtë ndaj bart me (m)bartë.

17) Po e përmendim si çështje paksa të hapur edhe pjesoren e foljes rri ndenja ndenjur, ngase në të folmet tona (gegërisht) del rri, me ndejtë .Me sa dime, është e vetmja trajtë që norma e ruan-NJ-në në trupin e kësaj fjale, pa e evoluar në -j-.  Dihet se në të gjitha foljet e tjera norma e ka pranuar evoluimin e tingullit nj në -j. Krahaso: foljet më -Oj punonj punoj, më -Ej rrëfenj rrëfej etj.  Prandaj shtrohet pyetja pse vetënm te kjo trajtë ruhet -NJ-ja?  Na merr mendja se edhe kjo fjalë duhet të shënohet me -J: rri me ndejë, ndeja, ndejsha, ashtu si edhe emrat:e prejardhur: ndejë-a, ndejëse ndejës etj.

18) Ndërsa në shqipen letrare folja ungj ungjem (me ungjë, me u ungjë) është shkrirë tërësisht në trajtën ul, ulem ulur (= zbres poshtë), në të folmet tona dallohen qartë në përdorim.këto dy trajtame ungjë (me u ungjë) dhe me ulë (me u ulë).  Kështu ndërsa trajtat ungj me ungjë përdoren me kuptim të kundërt me foljen ngre me ngritë, folja ul me ulë ka kuptimin: njom diçka me ujë. Me i ulë petkat me fijë. Me ulë brumin e bukës me ujë të vokët = përziej brumin e bukës  me ujë të vakët. Ndër ne dëgjohen shprehjet si: Ishte ulun në ndjersë, prandaj u ungj me pushue pak ose E gjetën ngaluc të ulun në gjak (= të gjakosur)  aty e  shtrinë në qerre dhe e çuen në ship me e  mjekue... Nuk di arsyen pse letrarishtja hoqi dorë nga një dallim i tillë  ungj/ul që nuk ishte rast i panjohur nga studiuesit tanë, ngase folja ungj, me ungjë me u ungjë dilte e shënuar edhe në FGJSH 1954 (Shih: f. 589 e 591), në Fjalorin e Sokol Dobroshit (f. 588), në Ortografinë e gjuhës shqipe (1964  f. 116) etj.

19) Si duket pjesorja e shkurtër e gegërishtes (edhe pse tani e papranuar në shqipen  standarde), ka qenë e pranishme, jo vetëm në strukturën fjalëformuese shumë shekuj përpara, siç e dëshmojnë prejpjesorët, por ishte e pranishme a pjesëmarrëse aktive edhe në formimin e kohëve analitike si dhe ndonjë kohe tani sintetike a të përbërë, siç është e tashmja dhe e pakryera e habitores: punuakam punuakësha (f. 142). Fillimisht në kohëhapësirën e gjuhës shqipe ajo ndeshej me shtrirje më të gjerë pikërisht në trajtën punuekam punuekësha, pëlqyekam pëkqyekësha, ditkam ditkësha, pra mbi bazë të pjesores së gegërishtes. Dihet se nën ndikimin e shqipes së sotme letrare diftongu -ue-  u rekomandua të shndërrohej në -ua-, por lidhur me këtë dua të theksoj se çështja del paksa e diskutueshme, ngase sipas FShS -së (f 1571) rekomandohet që trajtat e tilla të shënohen jo me – UA (normë) as me –UE (jonormë), por me  -O-: ponokam ponokësha, prandaj ky fakt duhet pasur në konsideratë me rastin e ribotimit a të  konsultimit eventual të veprës në shqyrtim. Sidoqoftë edhe ky fakt lypset vlerësuar.

20)  Ndërsa në letrarishten e sotme dalin të stabilizuara foljet me -h- fundore: nxeh, ftoh, njohshoh  në të folmet tona ndeshim në trajta të tjera si p.sh me nxe, nxej nxeva, edhe nxejta ose me nxemë (nxemëse, nxemje qendrore), me ftofë (ftof) me njoftë (njof njofta), me pa (shof),  prandaj në rubrikën jonormë duhen shënuar edhe këto trajta të panormëzuara, sidomos duhet me pasë kujdes në përdorimin e përftimeve nga rasti nxeh: me nxehë: nxehje, nxehëse nxehës  etj.

21)  Meqenëse pjesorja e trajtës së shkurtër e gegërishtes, qoftë me prapashtesë zero: punue, pëlqye, pi, qoftë me prapashtesën -ë, tipi: pritë (pritur), renditë (renditur), përpjekë (përpjekur), plasë (plasur), (v)dekë (vdekur) etj., jo vetëm në rastet që përkon me trajtën e pjesores së letrarishtes të foljeve apofonike, tipi marrë mjelë etj., por edhe në të gjitha rastet ku tema mbaron me prapashtesë zero, përkatësisht me bashkëtingëllore, e cila  është njëherazi pjesë përbërëse e paskajores me + pjesore, duhet vënë në spikamë sa ka pasur ndikim në të kaluarën në të gjitha fazat e rritës e të konsolidimit të sistemit foljor dhe atij emëror të shqipes. deri në ditët e sotme si trajtë përfaqësuese e foljes, madje ka shërbyer dhe shërben pandërprerë si element shumë aktiv e prodhimtar (edhe e pandarë nga paskajorja e mirëfilltë) në fjalëformim, formëformim e kohëformim në tërë sistemin ligjërimor të shqipes.

22) Në tekstin në shqyrtim (f. 27) funksioneve që kryen prapashtesa -Ë e patheksuar si fundore:

1. si tregues gramatikor i gjinisë: punË, ditË, klasË etj.

2. si tregues i shumësit: artist artistë, shok, shokË etj

3. si prapashtesë fjalëformuese: plak plakË, zog zogË,

mendojmë se duhet shtuar edhe dy funksione të tjera:

a) si element dallues i pjesores, ndaj njëjësit të dëftores te foljet me bashlëtingëllore apofonike (të cekura në tekst (f. 21) si:  mjell mjellë (me mjellë), marr marrë (me marrë) etj.,  por kjo del e shtrire në të gjitha foljet e gegërishtes me tëmë në bashkëtingëllore dhe së ketejmi del me prirje përdorimi edhe në ligjërimin standard, natyrisht nën presionin e formës së pjesores në funksion të temës prodhuese fjalëformuese, por edhe në kuadër të paskajores së mirëfilltë me + pjesore, si: rendit renditë (me renditë), nxjerr nxjerrë (me nxjerrë) si dhe

b) si prapashtesë emërformuese siç janë përftimet e emrave femërorë pandajshtesorë nga pjesoret (e ashtu quajtura të  gegërishtes): pritë prita, rritë rrita, hjekë-hjeka, plasë plasa, dekë deka etj.

Pra, në ribotimin eventual të tekstitt në fjalë duhet t’i shtohen edhe dy funksionet e sipërshënuara  të zanores -Ë të patheksuar.

23) Domosdo jemi të detyruar që në fund të kësaj analizë si pikë të veçant ta përmendim edhe çështjen e paskajores së mirëfilltë të gjuhës shqipe, e cila nuk u përfshi në normën standarde. Është e vërtetë se trajta  përkatëse e shënuar në tekst për të + pjesore (e ashtuquajtur paskajore e dytë) nuk i përgjigjet realitetit, ajo nuk mund të konsiderohet si trajtë e plotë përfaqësuese e nocionit të paskajores. Ne, këtu nuk e kemi për qëllim të kritikojmë hartuesit pse e emnuan si paskajore trajtën e tillë, madje as të bashkohemi apo jo me mendimet e disa gjuhëtarëve që mendojnë se mospërfshirja e paskajores së mirëfilltë në standard ishte gaf i madh me pasoja, por kemi për qëllim vetëm të theksojmë faktin se me një problem të tillë është duke u ballafaquar mbarë e mballim tërë bashkësia jonë shqipfolëse, sidomos ajo e arealit verior. Kjo çështje tani u është e njohur të gjithë standardologëve tanë, por u detyruam ta përmendim, sepse rreth raportit normë/jonormë, siç e pamë konkretisht, domosdo del e ndërlidhur edhe kjo formë.

Dihet gjithashtu se edhe parapëlqimi i trajtës së pjesores në kuadër të paskajores me me del. si çështje që kërkon zgjidhje. Bashkë me sqarime.  Në realitetin tonë gjuhësor të sotëm i ndeshnim këto trajta të paskajores (ose të pjesores së diskutueshme në kuadër të saj), si shembull po e marrim vetëm trajtat e foljeve:

punoj, pëlqej, kam, di, fshi::

- me punuem, me punuemun me punuen me punuenun, me punuë, me punu; me punua me punuar me punue;

- me pëlqyem, me pëlqyemun, me pëlqyen, me pëlqyenun, me pëlqyë, me pëlqy me pëlqyer  me pëlqye;

- me ditun, me diten, me dit, me ditur me dijtë;

- me pasun, me pasen me pas me pasur me pasë,

- me fshimë, me fshimun, me fshinen, me fshirë me fshi

e kështu me radhë. Prandaj, kur jemi të detyruar me e përdorë një trajtë të tillë, s’duhet me pasë mëdyshje. Sigurisht atëherë duhet përdorur paskajorja e mirëfilltë me + pjesore të shkurtër (ose mbase në raste edhe paskajore + pjesore të letrarishtes) e jo trajtat  me pjesore të zgjeruar të gegërishtes, ngase pjesorja e shkurtër del e përdorur zakonisht si trajtë përfaqësuese e foljes, por edhe domosdo në fjalëformim, por edhe formëformimin e kohëformimin në strukturat e caktuara të sistemit foljor të shqipes, kuptohet edhe pse sot nën hijen e trajtës së letrarishtes.

Sidoqoftë, kërkesa jonë për konsolidimin në shkrim, por edhe në të folur të pjesores, përkatësisht të paskajores me + pjesore të shkurtër duhet pasur parasysh në konsideratë nga standardologët tanë, ngase kemi bindjen se me një interpretim të duhur shkencor dhe me një vullnet e mirëkuptim çështja e paskajores me inkuadrim në shqipen standarde do të jetë e zgjidhshme dhe doemos do të ndikojë pozitivisht në mbarëvajtjen e shqipes standarde.

V. VËREJTJE E KONSTATIME TË TJERA

Nuk po e përmbyllim vështrimin tonë pa i dhënë edhe disa vërejtje të tjera ose konstatime rreth tri  çështjeve lidhur me tekstin në shqyrtim:

e para do të cekim nevojën që tekstit Gjuha letrare shqipe për të gjithë, në rast ribotimi, duhet t’i bëhen disa  përplotësime edhe nga pikëpamja formale byroteknike e metodike (didaktike),

së dyti, do të ceket në formë pyetjesh nevoja e konsolidimit të disa termave të diskutueshme që dalin ende të paharmonizuara në kuadër të burimeve tona gramatikore dhe,

së treti, do të shprehim, në formë të përmbyllur opinionin tonë si qëllim i këtij vështrimi analitik.

a) Vërejtje formale byroteknike e metodike

1) Veç tjerash, mendojmë se duhet pasur kujdes edhe në respektimin e hapësirës së bardhë, ngase në tekst ndeshim raste kur nuk respektohet rregulli që pas shenjës së caktuar të pikësimit, patjetër një e rrahme hapësirë duhet të mbetet zbrazët, e bardhë, lëshim të cilin e ndeshim f. 64, 83, l79, 241,182 etj ose anasjelltas kur nuk është lënë farë si f. 57, 266 ose është lënë hapësirë e lirë e tillë pa nevojë, madje edhe mes fjalës përkatëse etj  Ndonje rast të tillë ne e shënuam si gabim shtypi. Sidoqoftë, hapësira e bardhë dhe mes kryerreshtave e mes rreshtit vijues paraprak dhe titullit a nëntitullit përkatës duhet rregulluar, respektuar.

2) Është mirë që radhitja e bashkëtingëlloreve të zëshme dhe atyre të shurdhëta (f.261) të bëhet sipas radhës së alfabetit, ashtu siç është vepruar po në atë faqe të tekstit për ndarjen e bashkëtingëlloreve sipas pjesëmarrjes së gjuhës a të buzëve si dhe ndarja sipas tipit të pengesave.

3) Mbase, do të ishte më drejtë që në rast ribotimi, pjesa I dhe II (Çështje të morfologjisë dhe Çështje të sintaksës) të fuzionohen në një titull të përbashkët: Çështje të gramatikës, ndërsa lënda të jetë e shtjelluar brenda me shenjë nënndarjeje :

A.Çështje morfologjike dhe B. Çështje sintaksore

 4) Në faqet 45-46 te lakimi i emrave metodikisht do të ishte më i pranueshëm që nëntipat e lakimit në shumës të dallohen sipas prapashtesave përkatëse, si vijon:

a. për gjininë mashkullore:

a) me prapashtesën -A: lisa, plepa, tela etj.

b) me prapashtesën-E, male, objekte, fise etj.

c) me prapashtesën -Ë: fshatarë, mullarë, partizanë etj.

ç) me prapashteësën -J(NJ) : arij, ftoj, mullij etj.

d) me prapashtesën e palatizuar –k/Q: peshq, bujq, krushq etj dhe

dh) me praashtesën zero: nxënës, mësues, njerëz etj.

b. për gjininë femërore:

a) me prapashtesën -A: vajza, fusha, dardha etj.

b) me prapashtesën -E: lule, faqe, lagje etj. dhe

c) me prapashtesën zero: shtëpi, cilësi, gjë etj.

5) Mbase titulli i pjesës së fundit, sipas lëndës që përmban, për mendimin tonë, do të pëlqente më mirë si të ishtë fomuluar kështu: Çështje të fonetikës dhe të drejtshqiptimit të shqipes letrare, sepse aty trajtohen fillimisht edhe çështje të fonetikës.

6) Mendojmë se duhet gjetur vend edhe për trajtim, së paku edhe të ndonjë rasti  tipik me rrethanorët dhe gjymtyrët e tjera të dyta, siç është bërë me përcaktorët e kundrinorët, ngase atëherë koncepti i sintaksës së fjalëve brenda fjalisë (periudhës) asociacionisht do të dilte më i ravijëzuar te lexuesi e konsumuesi i këtij burimi.

b) Vërejtje rreth konsolidimit dhe harmonizimit  të termave përkatës

Edhe pse e kemi të qartë se gjithçka nuk mund të thuhet në një veshtrim si ky, madje as në ndonjë vepër të vetme, sado vëllimshe të jetë ajo, nuk po mundemi me anashkalue pa i shtuar edhe disa pyetje që na imponohen lidhur me domosdonë e konsolidimit të termave të caktuar të gjuhësisë sonë nga rrafshi i kulturës së gjuhës, ende të paharmonizuara, për çka duhet të jepen sqarimet e nevojshme sidomos në burimet tona gramatikore të rinuara, ku bën pjesë edhe profilimi i tekstit në shqyrtim:

1) A ka gjuha letrare shqipe mënyrë kushtore, pasi në tekstet e reja të ndonjë gramatikë kjo mënyrë nuk shënohet fare?

2) A ka gjuha letrare shqipe fare paskajore apo vetëm për + gerund  (term, ky i vetëm i pa shqipëruar) dhe a mund të quhet kjo formë paskajore e dytë ose mbase sipaskajore apo jo?

3) Gjuha letrare shqipe a ka mënyrë lidhore-habitore, siç del e shënuar në ndonjë tekst gramatike?

4) Emri i shquar në shqipe në njëjës e sidomos në shumës ka apo jorasë rrjedhore?

5) A duhen përligjur termat kohë e tashme e caktuarkohe e tashme e sigurisë, ngase nuk i ndeshim kështu në disa tekste të gramatikave normative?

6) Sa zgjedhime ka folja në shqipen letrare, dy, tri apo?

7) Si qëndron raporti i termit sifjali ndaj fjali e varme (fjali e varur) ose fjali e   nënrenditur?

8) Është më mire, apo jo, që termi norma e gjuhës letrare kombëtare të mos shndërrohet(konvertohet plotësisht) si normë e shqipes standarde të njësuar mbarëkombëtare, pa iu bërë përmirësimet e përplotësimet e domosdoshme strukturore dhe kjo vetëm pasi të miratohet institucionalisht?

Pa dyshim edhe nga kjo paraqitje jona del se në gramatikën tonë, ashtu si dhe në veprën Gjuha letrare shqipe për të gjithë, duhen bërë përplotësimet dhe harmonizimet e nevojshme e të domosdoshme, ngase edhe në Gramatikën e Akademisë 1, 2 (2002) nuk dalin të gjitha gjerat të qarta, madje as ato më të domosdoshmet, ngase ndeshim raste të paharmonizuara terminologjike, jo vetëm mes morfologjisë e sintaksës, por edhe në kuadër të krerëve përkatës brendapërbrenda disiplinës së caktuar.

Përmbyllje e vështrimit kritik

Përveç çështjeve të shtruara më sipër në krejt këtë analizë, sigurisht mund të shtrohen edhe çështje të tjera, ngase raporti normë / jonormë përfshin një gamë shumë të gjerë e të ndërlikuar çështjesh. Gjithsesi do të bënin mirë që të gjitha çështjet, sado që të jenë ato numerikisht, t’i shtrojnë ata të cilët edhe po ballafaqohen me to, siç janë vetë folësit, përkatësisht intelektualët e të gjitha profileve:terminologët, dialektologët, por edhe të tjerët, sidomos gazetarët e mësuesit e gjuhës dhe vetë standardologët, të cilët këtë punë edhe e kanë më shumë se përgjegjësi morale e shoqërore e historike ndaj mbarë bashkësisë sonë shqiptare. Vërejtje e plotësime mund të jepen jo vetëm për drejtshkrimin, por aq më tepër për rrafshet e tjera të standardit gjuhësor, normë kjo, e cila duhet të jetë përherë në këndellje e sipër dhe se konsolidimi i saj pas diskutimeve të lira profesionale parimore pritet që standardi të jetë shumë më i suksesshëm e më i pasuruar se në fazat e mëparshme, sepse ndërkohë janë bërë e po bëhen studime të mirëfillta, andaj edhe nuk mungojnë rezultate të suksesshme me interes. Për mjaft çështje të hapura janë gjetur zgjidhje të reja, por, meqë jeta ka nxjerrë në shesh edhe çështje të tjera ose ka kthyer në rishqyrtim edhe aso çështje jo të zgjidhura mirë më përpara, mbetet që punët e tilla të ndiqen me seriozitetin e duhur, duke shfrytëzuar edhe modelet e reja studimore të gjuhësisë moderne (stilistike, logjike,  pragmatike, sociolinguistike  etj). Gjithsesi gjedhet e ligjet e reja gjuhësore do të shërbenin për të mirën e së ardhmes së shqipes sonë standarde të njëzuar.

Në të përfunduar mund të nxjerrim konkluzionin se vepra Gjuha letrare shqipe për të gjithë, si çdo libër me përmbajtje të mirë e të ngjeshur sa herë që lexohet me vëmendje konsumuesit i jep diçka të re, e bën më të pasur intelektualisht, por njëherazi lexuesit kritik e të kujdesshëm mund t’i bien në sy edhe gjëra që nuk i  plotësonin atëherë e nuk i plotësojnë  edhe  sot kriteret e caktuara sipas kërkesave trashëguese etë reja ë reja, prandaj kur është fjala konkretisht për arsyeshmërinë për ribotimin, apo jo, të saj ne na bën të hamendemi, ngase paraprakisht lypsen mënjanuar nga ai tekst, jo vetëm ndonjë dromcë myku të stilit politik të kohës, por edhe të pamira të tjera siç janë:

së pari lypsen bërë përmirësimet e domosdoshme, siç janë gabimet e shtypit, mbase ka më shumë, por syri ynë i kapi 36 raste, pastaj lajthitje14, shkelje të normës së sotme në fuqi 19 dhe moskonsekuenca të ndryshme 10, që gjithsej kapin shumën mbi 80 raste;

së dyti, duhet pasur parasysh nja 40 raste sfiduese ndaj normës përgjithësisht;

së treti, vërejtjet rreth drejt-fjalëformimit (që u trajtuan në tri pika) nuk janë të pakta, madje nga analiza del se paraqitja fjalëformuese përgjithësisht nuk ishte e denjë e nuk është e denjë edhe sot për të pasqyruar gjendjen e vërtetë të gjuhës shqipe sipas fjalës së fundit shkencore, sidomos për disa çështje të trajtuara;

së katërti, si përplotësime të nevojshme, duke pasur parasysh ballafaqimin me lëndë nga trevat tona, sipas raportit normë/jonormë materiali del i ekspozuar si i diskutueshëm  në sistemin emëror në 21 pika, ndërsa në sistemin foljor 23 sosh. Natyrisht duke përfshirë, brenda tyre edhe nënpika të caktuara;

së pesti, në dobi të përmirësimit të tekstit u dhanë nja 6 vërejtje nga pikëpamja formale byroteknike e metodike si dhe njëherazi u shtruan nja 8 pyetje rreth çështjeve të pakonsoliduara terminologjike, me interes këto për mbarëvajtjen e kulturës së gjuhës dhe në të mirë të terminologjisë shkencore të gjuhësisë sonë, por që ndërlidhen konkretisht edhe me tekstin në shqyrtim.

Gjithsesi për të gjitha çështjet është kërkuar që përmirësimet, përplotësimet si dhe konsolidimi të bëhen profesionalisht dhe të vërtetësohen institucionalisht, duke pasur parasysh arritjet e ndërkohshme shkencore, qoftë nga gjuhësia jonë, qoftë nga gjuhësia moderne botërore përgjithësisht.

Kjo paraqitje jona le t’u shërbejë si sfidë standardologëve tanë, të cilët siç e dinë edhe vetë. Atyre, u duhet me punue me te dyja duart dhe pa pushim në dy fronte, një dorë mendjeje duhet ta mbajnë domosdo në ruajtjen e bazës pozitive të normës së sanksionuar dhe me dorën tjetër duhet të ndihmojnë patjetër çeljen e shtigjeve të reja për perspektivën e mbarë të shqipen standarde, duke u përpjekur gjithnjë për përsosjen e normës së saj, e cila ka nevojë të rinohet në vazhdimësi në radhë të parë duke shfrytëzuar tërë pasurinë e brendshme të amës së vet që e ka të trashëguar si nga toskërishtja ashtu edhe sidomos nga  gegërishtja (siç janë pra edhe shprehjet  me paskajoren e mirëfilltë e të tjera) dhe së dyti, duke bërë huazimet e nevojshme të koncepteve, sidomos nga kultura politekniko-shkencore e të tjera të botës moderne, kuptohet nga gjuhët e huaja, qoftë me huazime, qoftë me kalkime, por pa e lënduar natyrën e gjuhës sonë.

Ikja nga ballafaqimi i tillë, siç është çështja e paskajores, në të kaluaren konsiderohet me të drejtë si një lëshim i madh metodik, shkencor e shoqëroro-politik, ndërsa një ikje e tillë tani a mospërpërfillja e një fakti të tillë do të ishte një gabim edhe më i madh, ngase nga moszgjidhja si duhet e problemeve si kjo,  ka pësuar shumë, siç po pëson e mbase mund të pësojë edhe më keq, vetë norma e shqipes standarde në proces e sipër, ngase sot për sot shihet qartë tendenca që në vend të përsosjes, përmirësimit a përplotësimit të normës, të dalë sheshazi një normë e re ta quajmë paralele a rivale serioze, duke pasur si pretekst pikërisht mungesën e paskajores dhe të disa vlerave të tjera të gegërishtes në kuadër të normës standarde, vlera e dallime këto që në raste jemi përpjekor  t’i  shtronim në shkrimet tona, por paksa u cekën edhe në këtë vështrim tonin, të cilat, në të vërtetë, kanë mundësi të përthithen pa vështirësi nga standardi i përplotësuar dhe kështu të zbutet acarimi ndërdialektor dhe tendenca e rivalitetit të pushojë ndaj normës së shqipes letrare kombëtare në të mirë të mbarëvajtjes së shqipes standarde si tërësisht unike.

Në këtë kontekst duhet pasur kujdes se si pozicionimi bunkerist ashtu edhe ai liberalo-anarkist i kuadrit përgjegjës në institucionet tona përkatëse e pengojnë dhe e dëmtojnë shumë mbarëvajtjen e gjuhës standarde të njësuar, Njëherazi duke përkrahur përplotësimin e përmirësimin e normës standarde të gjuhës sonë të njëzuar përgjithësisht  me lëndë të re dhe me metodologji të re, ne kërkojmë nga autoritetet tona të autorizuara, për  të  cilët “kultura e gjuhës” është jo vetëm objekt  trajtimi e kultivimi, por edhe detyrim, mos të vazhdojnë me negligjencë a kalkulime apo siç thuhet  me gri ujë në havan, duke u ankuar për shkelje të normës nga brenda, por të kontribuojnë sa më shumë e sa më shpejt për përmirësimin e tri shtyllave themelor të shqipes standarde, siç janë drejtshkrimi, gramatika dhe fjalori normativ, në atë mënyrë që rinimi i tyre të jetë sa më për zemër dhe më i përkapshëm dhe më gjithpërfshirës për të gjitha shtresat e shoqërisë të mbarë traullit shqipfolës, sepse vetëm në këtë mënyrë ndihmohet dhe lehtësohet më shumë mësimi, përvetësimi e respektimi i normës standarde të njëzuar.

Sidoqoftë, edhe pse mbesin mjaft çështje të tjera të hapura, të cilat duhen përmirësuar, përplotësuar e hamonizuar në suazat e normës së shqipes standarde, që vlejnë edhe edhe për tekstin në shqyrtim, mund të themi me plot gojën se materiali i librit Gjuha letrare shqipe për të gjithë në përqindje mjaft të madhe ende mund të konsiderohet i vlefshëm dhe lënda nga ky doracak normativ mund të shfrytëzohet si brumë i gatshëm me vlerë, qoftë për ribotimin eventual me përplotësime të veprës në fjalë, qoftë si lëndë plotësuese e orientuese për vepra të tjera të këtij profili. Fundi i fundit, nëse ripunohet mund të shërbejë për të mirë, jo vetëm për konsultim, por edhe për konsumim, risistemim dhe së ketëjmi edhe për nxënien më me lehtësi të normës së shqipes standarde në proces e sipër, edhe pse tani për tani, kjo vepër nuk duhet të konsideruar më si një abetare e vetme e alfabetimit të normës së shqipes standarde kombëtare.

P ë r f u n d i m

Nga vështrimi analitik që iu bë veprës Gjuha letrare shqipe për të gjithë (1976) doli se përkundër vlerave të pamohueshme jo vetëm historike dhe të të dhënave me interes universal që përmban vepra, si dhe për vlera të veçanta që vlejnë edhe lidhur  me normën letrare kombëtare, sot për sot, ajo lypset përmirësuar e përlotësuar me material të ri, në mënyrë që të mund t’u qëndrojë kërkesave në rritje të kohës dhe të ndikojë për të mirë për konsolidimin e mëtutjeshëm të normës së shqipes standarde të njëzuar në zhvillim e sipër. Konkretisht me rastin e konsultimit ose para se të bëhet ribotimi eventual i saj, siç u propozua nga akademik Idriz Ajeti, patjetër duhen pasur në konsideratë këto veprime korrektuese a plotësuese ndaj saj:

së pari lypsen bërë përmirësimet e domosdoshme, siç janë gabimet e shtypit që për syrin tonë nuk ishin aq pak 36 raste, lajthitje 15, shkelje të normës së sotme në fuqi 19 dhe moskonsekuenca të ndryshme 10, që gjithsej kapin shumën mbi 80 raste;

së dyti, duhet pasur parasysha 40 raste sfiduese ndaj normës përgjithësisht;

së treti, vërejtjet rreth drejt-fjalëformimit (që u trajtuan në tri pika) nuk janë të pakta, madje nga analiza del se paraqitja fjalëformuese përgjithësisht nuk është e denjë për të pasqyruar gjendjen e vërtetë të sistemit të plotë fjalëformues të shqipes;

së katërti, si përplotësime të nevojshme, duke pasur parasysh ballfaqimin me lëndë nga sistemi emëror 21 pika, ndërsa në sistemin foljor 23. Natyrisht duke përfshirë brenda tyre edhe nënpika të caktuara;

së pesti, në dobi të përmirësimit të tekstit u dhanë nja 6 vërejtje nga pikëpamja formale byroteknike e metodike (didaktike) si dhe njëherazi u shtruan nja 8 pyetje rreth çështjeve të pakonsolidura terminologjike të gramatikës sonë normative, me interes këto  për mbarëvajtjen e kulturës së gjuhës shkencore të gjuhësisë sonë, por që ndërlidhën konkretisht edhe me tekstin në shqyrtim.

Ç’është e vërteta, lënda e shtruar në pikat 3 e 4 të pjesës I dhe lënda nga pjesa II, III dhe IV, ku më pak e ku më shumë, paraqitet si sfidë ndaj vetë normës së shqipes letrare kombëtare në fuqi, material ky që jo vetëm lexuesit e apasionuar e studiuesit, por aq më tepër autoritetet kompetente që janë të angazhuara institucionalisht rreth kultivimit të shqipes letrare ose drejt-kulturimit të saj, patjetër duhet t’i kenë parasysh faktet e shtruara dhe të angazhohen për përmirësimin, plotësimin dhe përsosjen e normës së shqipes letrare ose për gjetjen e zgjidhjeve përkatëse të çështjeve të hapura, në mënyrë që rinimi i tri shtyllave themelore të  normës së shqipes standarde të njëzuar, siç janë drejtshkrimi, gramatika dhe fjalori normativ, të jetë sa më i plotë dhe gjithpërfshirës. Standardologët tanë duhet ta dinë se një dorë mendjeje duhet ta përdorin për ruajtjen dhe respektimin e normës së përbashkët në fuqi të arritur jo pa mund, dhe dorën tjetër duhet përdorur për hapjen e stigjeve të perspektivës për mbarëvajtjen  e normës së shqipes standarde, gjithsesi në bazë të ligjeve e modeleve të ravijëzuara, qoftë nga trashëgimia, qoftë nga rrita normale në përputhje me realitetin e sotëm gjuhësor dhe gjasat për të ardhmen, ngase si “bunkerizimi” ashtu edhe liberalo-anarkizmi janë të dëmshëm, pothuaj barabar per mbarëvajtjen e shqipes standarde

Sidoqoftë, lënda nga vepra Gjuha letrare shqipe për të gjithë, edhe kështu si është, patjetër ia vlen jo vetëm, të konsultohet, por edhe të mësohet e të përvetësohet për çështje  të caktuara, por nëse përgatitet ribotimi a botimi dytë i saj gjithsesi duhen bërë përmirësimet

e plotësimet e nevojshme. Vetëm atëhere mundemi me thënë se vepra në fjalë do të ishte dobiprurëse edhe për normën e shqipes standarde, ngase veprës në fjalë nuk i mungon në parim metologjia e duhur mbarështruese, ndërtimore e përmbajtësore.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora