Kulturë
Jusuf Buxhovi: Elida Buçpapaj - ''Tirania e tranzicionit''
E merkure, 26.06.2013, 06:43 PM
PËR
ANATOMINË E DEGRADIMIT SHOQËROR E POLITIK FLET ELIDA BUÇPAPAJ NË LIBRIN E SAJ
PUBLICISTIK „TIRANIA E TRANZICIONIT“
SHKRIMI I Z.BUXHOVI ËSHTË NJËRA NGA DY PARATHËNIET E LIBRIT
NGA JUSUF BUXHOVI
Në kohën
kur pas rënies së Murit të Berlinit dhe shpërbërjes së imerisë së kuqe
sovjetike, vendet e ish bllokut komunist, me të madhe po i jepeshin procesit të
tranzicionit, duke paralajmëruar kështu fillimin e një ndryshimi të madh
shoqëror, që do të çonte kah përqafimi i vlerave të reja politike, shkrimtari
dhe disidenti i njohur çek Vaslav Havel, tërhoqi vërejtjen nga tirania e
mundshme e tranzicionit.
“Ndryshimet
shoqërore dhe politike nuk mund të krahasohen me ndryshimin e rrobave sipas
stinës...” - tha Havel dhe shtoi se “kapërcimi nga sistemi totalitar te ai
pluralist mund të kthehet në një farsë të rrezikshme, po qe se nuk prek
mentalitetet, që ndryshimin e pranojnë si pjesë të vetëdijes së re e jo të
maskimit të të vjetrës në emër të së resë...” Madje, maskimin e të vjetrës në
emër të së resë ai e quajti mundësi të madhe që nomenklaturat e vjetra të
shfrytëzojnë situatën, që me ndihmën e pinjollëve të tyre dhe strukturave të
pushtetit të deridjeshëm të përfitojnë hapësirën e re për ta ruajtur pushtetin
duke shfrytëzuar kështu mjetet dhe infrastrukturën e pluralizmit demokratik për
të njëjtat qëllime.
“Duhet
pasur kujdes nga kamelonizmi politik, veçmas kur diktatori i deridjeshëm
kthehet në demokrat”!
Kur Havel
i tha këto dukej sikur një pjesë e mirë e atyre që ai i shfaqi si shqetësime,
tashmë kishin ndodhur. Në shumicën e vendeve të përfshira nga “pranvera
demokratike”,nomenklaturat e deridjeshme, jo vetëm që kishin ruajtur pushtetin,
por pluralizmin e kishin shfrytëzuar për t’u legjitimuar me anën e “votës së
lirë”!
Kështu,
nga Moska e deri në Sofje dhe gjetiu kah shtrihej imperia e kuqe, një pjesë e
mirë e diktatorëve të deridjeshëm, ose pinjollë të tyre, kishin fituar
pushtetin. Me këtë ndryshim, nuk iu hap rruga demokracisë, siç pritej, por
oligarkisë dhe strukturave të ngjashme që mbikëqyreshin nga mendësia e
deridjeshme totalitare. Socializmi i deridjeshëm u zëvendësua me kapitalizmin e
egër dhe jashtë rregullave...
Për fat
të keq, edhe Shqipëria, e cila ndër të fundit formalisht rrënoi diktaturën, nuk
ishte në gjendje që t’i ikte sëmundjes së tranzicionit. Te ajo, madje,
ndryshimi aq i pritur solli edhe sindromën e njohur shqiptar të luftës së
brendshme, të mbjellë nga jashtë nga koha e shfaqjes së shtetit shqiptar e
tutje...
Kështu,
ky proces i mbrapshtë, thuajse solli tiraninë e tranzicionit, pikërisht të
tillë për të cilën tërhiqte vërejtjen Havel.
Për këtë
gjendje si dhe anatominë e këtij degradimi shoqëror dhe politik, flet me shumë
shqetësim Elida Buçpapaj në librin publicistik “Tirania e Tranzicionit”.
Autorja
shqiptare, e cila është e pranishme në shtypin shqiptar prej dy deceniesh,
rrënimin e brendshëm shqiptar nuk e shikon vetëm brenda për brenda klasës
politike të shtetit shqiptar (ndonëse aty fokusohet më së shumti), por edhe në
pjesët tjera, veçmas në Kosovë dhe Maqedoni, ku po ashtu, tranzicioni është
shfrytëzuar më shumë për pasurime personale e më pak për t’u plotësuar ideali i
bashkimit kombëtar, që do të arrihej nëpërmes integrimeve të brendshme në
kuadër të çatisë së përbashkët evropiane, me kusht që të jepeshin dëshmi
shtetformuese.
Për Elida
Buçpapajn, problemet e shqiptarëve me tranzicionin janë më të veçanta dhe më të
dhimbshme, pse ato ngarkohen nga mentaliteti i brendshëm i diktaturës, por edhe
nga mungesa e vullnetit të sinqertë për t’u përballuar muri i ndarjes së tyre,
i vënë pikërisht para një shekulli me shfaqjen e Shqipërisë londineze, kur
gjysma e trungut të saj (Kosova, Maqedonia dhe Çamëria), mbeti nën pushtimin
serbo-malazez dhe grek.
Kështu,
klithjet e Elida Buçpapajt vijnë sa nga dhembjet që ndjehen nga “diktatorët e
rinj”, të cilët dhunojnë në emër të pluralizmit, e sa nga elitat e
papërgjegjshme politike në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, të cilat luftën për
shtet e kthejnë në luftë për pushtet, pra për pasurim të pistë dhe manipulime
të tjera! Për këtë gjendje ajo akuzon njësoj qeveritarët e papërgjegjshëm të
Tiranës, të cilët sillen ashtu që Shqipëria të mbetet jashtë integrimeve
evropiane - njollë e zezë e Ballkanit, siç akuzon edhe politikanët e Kosovës,
të cilët, si të shantazhuar shumëfish, bëjnë lëshime tepër të mëdha, ndër të
cilat më të dhimbshmet janë ato që vendit t’ia rrudhin sovranitetin shtetëror
(në Veri) dhe atë shpirtëror (me koncesionet që i janë bërë Serbisë që objektet
kishtare orotodokse t’i mbetën në pronësi).
Në këtë
gjendje ajo rënkon për Rugovën dhe autoritetin e tij, siç rënkon për një
autoritet shtetëror në Shqipëri të denjë për botën shqiptare.
Kundruall
kësaj gjendjeje, Elida Buçpapaj shpreh brengosje edhe për largimin nga kursi
kombëtar i rilindësve, të cilët luftuan me mish e me shpirt që botën shqiptare
ta kthejnë kah perëndimi, prej nga ishte shkëputur dhunshëm para pesë shekujsh.
Klasës politike në Tiranë dhe Prishtinë, por veçmas disa medieve në Tiranë, ua
sheh për të madhe kursin antiamerikan. Me këtë rast ajo, krahas kritikave të
ashpra që ua drejton liderëve shqiptarë në Tiranë, të cilët ngaherë kanë
braktisur interesat e kombit dhe ato shqiptare, vërejtje të ngjeshura u bën
edhe disa politikanëve në Kosovë (I. Mustafës dhe A. Kurtit), që të jenë në
nivelin e përgjegjësisë historike, meqë për këtë i obligon: njërin trashëgimia
e madhe historike e presidentit Rugova, ndërsa tjetrin programi i
Vetëvendosjes, i cili duhet të jetë bashkues dhe jo përçarës...
Megjithatë,
një pikë të ndritshme te bota shqiptare, autorja e sheh te diaspora, për të
cilën thotë se pa të dhe rolin e saj nuk do të kishte shtet amë. Autorja
vlerëson se roli i diasporës për Shqipërinë, Kosovën dhe në përgjithësi
konsolidimin e botës shqiptare, edhe më tutje mbetet tepër i madh, në mos
vendimtar.
Edhe pse libri publicistik i Elida Buçpapajt “Tirania e Tranzicionit” duket pesimist, megjithatë lexuesit i ofron mundësinë që të njohë nga brenda shumë nga problemet me të cilat ballafaqohet bota shqiptare, probleme këto që sipas autores mund të përballohem po qe se tranzicioni mund tiraninë e paraqitur prej tij...