E shtune, 27.04.2024, 06:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Gjilani në këngët e mia

E merkure, 26.06.2013, 09:02 PM


Në shenjë nderimi me rastin e marrjes së Çmimit  “Xhevat Ismajli” për karrierë :

GJILANI  NË KËNGËT E MIA

Shkruan: Demir KRASNIQI

Që nga vitet e para të fëmijërisë sime , dashuria ndaj qytetit të Gjilanit , u ngulit thellë në zemrën time dhe ajo sa vinte e shtohej ditë e më shumë .

Me qytetin e Gjilanit , më lidhte dashuria dhe ngrohtësia , të cilën e përjetoja në rastet e pushimeve të nënës sime (ndjesë pastë) , e cila i kishte vëllezërit dhe familjen e gjerë , të cilët kishin migruar në këtë qytet nga fshati Gëmicë, i Malësisë së Gollakut të Kamenicës .

Pra, me Gjilanin më lidhte dashuria ndaj dajallarëve të mi .

Me që , unë si fëmijë , vija në  qytetin e Gjilanit , nga një vend shumë i prapambetur  malor , nga një familje skajshmërish e varfër , ku nuk kishte as rrymë elektrike  e as radio – aparate , çdo gjë që e shihja në Gjilan dhe tek dajallarët e mi , ma nxiste kureshtjen dhe lakminë përtej kufijve !

Gjatë qëndrimit tim, si mysafir tek dajallarët e mi , kureshtjen dhe lakminë më të madhe ma nxiste radio – aparati , i cili këndonte këngë të ndryshme popullore, të cilat kurrë në jetën time nuk i kisha dëgjuar !

Unë, si fëmijë , mendoja se radioja këndon gjatë tërë ditës dhe se këngëtarët popullor , po këndonin brenda saj ?!

Për këtë, gjatë tërë ditës dhe deri në orët e vona të mbrëmjes , nuk kishte kush që të më largojë nga radioja e dajallarëve !

Duke  i dëgjuar  programet  muzikore të  radios, mësoja shumë shpejt këngët përmendsh dhe mezi pritja që të shkoj në fshat e në shkollë, për t’ ua kënduar shokëve të shkollës, mësuesit tim dhe të afërmve të mi !

Që nga ajo kohë, radioja për mua u bë një mjet shumë sensacional dhe kudo që dëgjoja se dikush posedon radio – aparat , mezi pritja që të shkoj, t’i dëgjoj programet muzikore dhe të mësoj ndonjë këngë të re !

Duke i dëgjuar programet e radiove të ndryshme , përveç këngëve të ndryshme popullore , shumë shpejt më ranë në vesh edhe disa këngë që iu këndoheshin qyteteve të ndryshme shqiptare , si : Prizrenit , Prishtinës, Gjakovës, Pejës, Mitrovicës, Kaçanikut , Shkupit, Tetovës, Gostivarit, Ohrit, Dibrës, Strugës, Manastirit, Ulqinit , Shkodrës, Tiranës, Durrësit, Kavajës, Beratit, Elbasanit, Krujës, Vlorës, Gjirokastrës, Librazhdit , Tepelenës, Korçës, Artës, Prevezës, ...etj. por askush nuk i këndonte  qytetit të Gjilanit ?!

Kjo mungesë , më preokuponte në vazhdimësi , edhe pse isha shumë i ri dhe kurrë nuk kam jetuar me vendbanim në Gjilan .

Me të mbaruar shkollimin profesional të muzikës në Prishtinë, kur edhe u pranova zyrtarisht si këngëtar i rregullt i Radio Prishtinës , në mesin e këngëve të para që i krijova dhe i këndova kah fundi i viteve të 60-ta , ishte pikërisht kënga me titull:”O, Gjilan – qyteti im”, shumë shpejt e incizova edhe në disqe të gramafonit , në një shtëpi diskografike të Beogradit , me që në atë kohë nuk kishte shtëpi diskografike në Kosovë!

Publikimi i kësaj kënge , bëri jehonë të madhe dhe u mirëprit ngrohtësisht nga adhuruesit e këngës popullore, sa që gati nga çdo shtëpi, dyqan dhe kafene , në çdo çast dhe në çdo kohë jehonte në kupë të qiellit kjo këngë !

Prej atëherë, e deri në ditët e sotme , mora guxim dhe u inkurajova që për qytetin e Gjilanit , të thuri dhe të kompozoj në vazhdimësi edhe shumë këngë të tjera, sipas nevojës dhe kërkesave të kohës .

Në qytetin e Gjilanit, kam ardhur për të jetuar me familjen time , tek në fund të vitit 1987, ku jetoj , krijoj dhe këndoj edhe sot .

Për punën, kontributin dhe karrierën time muzikore , qyteti i Gjilanit asnjëherë nuk më ka anashkaluar dhe shpeshherë më ka nderuar me çmime , lëvdata e mirënjohje të ndryshme .

Prej fillimit të karrierës sime prej këngëtari dhe krijuesi muzikor e deri në ditët e sotme, vetëm për Gjilanin i kam thurë, kompozua e këndua hiq më pak se 8 këngë të ndryshme , tekstet e të cilave po ua sjell për kujtime lexuesve dhe adhuruesve të mijë besnik dhe të nderuar :

 

  1. O GJILAN - QYTETI IM

 

Porsi një liqe i bukur ,

Buzë Mirushës , n’ atë tokë pjellore –

Shtrihet qyteti im, i dashur ,

Është për mua zemër rinore .

 

Lindi dielli e shkrepi drita –

Këtu  gjejë kënaqësi përherë !...

Linden shkolla e fabrika ,

Si behar lulesh n’ pranverë !

 

Po lulëzon qyteti i ri

Me shumëkatëshe  plot stoli !

Magjistralja hyn  n’ qytet ,

Porsi lum që derdhet n’ det !

 

Trotuaret plot me dritë –

Dalin t’ rinjtë me u  shetitë ...

Rrisin zemrat  n’ dashuri ,

Porsi lulet në saksi !

 

O, Gjilan qyteti im,

Unë me zemër të nderoj !

N’ ty për herë , unë gjejë gëzim –

Gjithmonë për ty do t’ këndoj !

 

Kënga e dytë, të cilën ia kam kushtua dhe këndua qytetit të Gjilanit, pos të tjerave , na e rikujton kohën e regjimit Millosheviçjan , kur shumica e lagjeve të banuara kryekëput me banorë shqiptarë – ishin emërtuar me emra sllavë .

Madje, në atë kohë ,  ishte bërë edhe ndarja e korzove të qytetit ,  ku shqiptarët bënin korzo nëpër rrugët e lagjes “Gavran” ( sot “Dardani”),  kurse serbët ,  romët e të tjerët , i shfrytëzonin korzotë e sheshit të qytetit !

  1. A KE QENË NDO  ‘I  HERË N’ GJILAN  ?

 

Hej, hej !

Po të pyes, more Filan –

A ke qenë ndo ‘i herë n’ Gjilan ?

Po s’e  dite ç’ është “Gavrani”–

Nuk e di çka është Gjilani !

Ky “Gavrani” plot me drita –

Për çdo ditë i shtohet rrita !

Plot me vajza e djem  të ri ,

Këngë e gaz e dashuri ...

 

Hej, hej!

Është një lagje :”Dheu i Bradhë” –

Është simboli  mbarëshqiptarë !

“Dheu i Bardhë” – quhet kjo tokë ,

Kah  ka plisa t’ bardhë mbi kokë !

Aty janë do djem krenarë ,

Djem petrita dhe shkollarë ,

Burra trima dhe bujarë ,

Mbi të gjitha – atdhetarë !

 

Hej, hej!

Atje lartë , kah “Popovica” –

Rriten çikat sokolica .

Pak ma poshtë , n’ lagjen “Baleci” –

Janë do djem, si Shyt Mareci !

Është një lagje “Derë Mahalle “ –

Ecin vajzat veç me nalle !

Shtati i tyre veç përhidhet –

Qyteti prej tyre dridhet !...

 

Hej, hej !

Ka në lagjen “Çenar Çeshmja “ –

Vajza t’ bukura, si mbretëresha !

Më në jug – n’ lagjen “Zabeli” –

Rriten vashat këputë prej beli !

Mos besofsh , ti , lum Filani –

Eja e shih çka është Gjilani !

Hajde e shih çka është shyhreti –

Për të gjallët, ku është xheneti !

 

Ndër provokimet më perfide që i bëheshin shqiptarëve, nga ana e regjimit Millosheviçjanë,  ishte edhe vendosja e shtatoreve dhe përmendoreve të personaliteteve historike serbo- sllave ! Në vazhdën e realizimeve të këtij projekti ,  në Gjilan ishte vendosur shtatorja impozante e Knjaz Llazarit,  apo siç njihet në popull: Car Llazari !

Me të hyrë forcat paqeruajtëse të NATO-së , në Kosovë,  në verën e vitit 1999,  kjo përmendore famëkeqe ,  u rrënua dhe u eliminua njëherë e përgjithmonë nga sheshi i Gjilanit,  që ishte një gëzim i shumëpritur për qytetarët tanë me rrethinë !

Këtë akt triumfues,  nuk munda ta anashkaloj pa e futur në vargjet dhe meloditë e këngëve të mia dhe po atë ditë ,  këndova :

 

  1. DASMË TË MADHE KA GJILANI

 

Recitativi :

 

Thërret kushtrimi – jehoi zani

Nëpër etër , nëpër valë –

Dasmë të madhe ka Gjilani ,

I madh e i vogël n’ shesh kanë dalë !

 

Solo:

 

Një të shtune , një ditë Korriku –

Do ta mbajë mend gjatë armiku !...

Do t’ rrëqethet nga shqiptari –

S’ ka n’ Gjilan vend Car Llazari !

 

Refren:

Hej, lumë nënat, që u kanë lindë !

Hej , lumë djepat , që u kanë rritë !

Lumë Kosova , që u ka pritë –

Djem për pushkë , yje për dritë ,

Yje për dritë !

 

Recitativi:

 

Mblidhen shqipet si rrufe –

Brohorasin :”UÇK!”

Jehon kënga :”Besa- besë”,

Rrahin zemrat plot me shpresë !...

 

Solo:

 

Një grup shokësh  - një grup trima ,

Erdhën n’ shesh , porsi vetëtima –

Shpejt iu ngjitën lapidarit ,

Ia vunë lakun Car Llazarit !

 

Refren:

Hej, lumë nënat, që u kanë lindë ...etj.

 

Recitativi:

 

Nëpër tyta t’ automatikut ,

Para syve të armikut ,

S’i frikësoi tank , as snajperë –

Për t’ia bërë kombit këtë nderë !

 

Solo:

 

Një shofer , drejton tymonin ,

Shpejt e solli kamionin ...

T’ lumtë, or trim i nënës loke –

Car Llazari u shtri për toke !

 

Refren:

Hej, lumë nënat, që u kanë lindë ...etj.

 

Recitativi:

 

Përpëlitej poshtë e lartë –

Kokës së vet për t’iu bashkua !...

Herë shpendkeq , herë si lugat –

Para sysh  u avullua !...

 

Solo:

 

Idealin e Adem Jasharit –

Ngritën lartë bijtë e shqiptarit !

Çdo armik që shkelë n’ këtë tokë –

Do të ngelë pa trup, pa kokë !...

 

Refren:

Hej, lumë nënat, që u kanë lindë ...etj.

 

Njëra ndër perlat e valleve popullore të Gjilanit, Anamoravës, Karadakut, Luginës së Preshevës , Gollakut e më gjerë , pa dyshim se është :”Vallja e Gjilanit”, e cila në popull më shumë njihej si:”Gilanka” , që është emërtim i ndikuar nga sllavishtja !

Duke i hulumtuar , analizuar dhe studiuar vlerat e kësaj valleje popullore autoktone shqiptare , shpesh herë kam hasur në tendenca të përvetësimit të burimit dhe autoktonisë së kësaj valleje , ku serbët , maqedonët , romët dhe të tjerët , mëtonin që ta paraqesin si thesar të vetin, për të mos ua lënë shqiptarëve !

Mu për këto tendenca , vendosa që melodinë e kësaj valleje kaq të bukur autoktone shqiptare , ta kurorëzoj edhe me tekst adekuat dhe ta këndoj e jetësoj njëherë e përgjithmonë në gjuhën shqipe .

Tërësia melodike e kësaj valleje , kapë strukturën tekstuale prej 5 strofave :

 

  1. VALLJA E GJILANIT

 

I.

Jehojnë fushat dhe bregoret

Në Moravë e në Malësi ...

Plot dasmorë janë mbushë oborret –

Valon shqipja kuqezi !

T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,

Krah për krah e brez për brez ;

Hedhin valle burrërore –

Që nga mbrëmja deri n’ mëngjes !

Krismave të tupanit , hej,

Larg iu shkon jehona !...

Vallja e Gjilanit, hej,

Është valle e jona !

T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë –

Qysh na mësuan të parët tonë !

Ne, traditat s’i  harrojmë –

Ruajmë me mburrje çdo zakon !

Zoti, ne , na ka bekuar –

T’ lidhim besë e t’ jem’  unik !

Se kur t’ jemi të bashkuar –

S’ ka ç’ na banë asnjë armik !

 

II.

Vallet tona janë krenare ,

Plot me art e trimëri ...

Kujtojnë luftërat çlirimtare

Për Kosovë e shqiptari !

T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,

Në Preshevë e Karadak –

Hedhin valle burrërore

Në Medvegjë e në Gollak ...

Krismave të tupanit , hej,

Larg iu shkon jehona !...

Vallja e Gjilanit, hej,

Është valle e jona !

T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,

Valon shqipja lartë mbi ne !

Pushkët prej dorës nuk i lëshojmë –

Mbrojmë kufij e mbrojmë Atdhe !

Ejani vëllezër t’ i bashkojmë  

Duart grusht , çelik  të fortë !

Të vallëzojmë e të këndojmë –

T’ rrojmë të lumtur në këtë botë !

 

  1. GJILANI I BUKUR

 

Si llava e vullkanit ,

Zemra më gulfon –

T’ ia këndoj Gjilanit ,

Këngën që m’ pushton !

 

Me vargje t’ poetit ,

Me zë të bylbylit ,

Me aromë të blirit ,

Me ngjyrë të zymbylit !...

 

Kënga ime e shpirtit ,

Shpërthen si vullkani !...

S’ ma rrëmben stuhia,

Jo, as uragani !

 

S’ mund ta ngrijë veriu ,

As kur frynë murrlani !

Qyteti ma i dashur ,

Për mua është Gjilani !

 

I kujtoj kalldrëmet ,

Mbushë me vajza t’ hjeshme –

Kur shkonin me kënata

Për t’ mbushë ujë në çeshme !...

 

Më vrisnin me vetulla ,

M’ shponin me  qepalle ,

Më trokisnin n’ zemër

Kah ecnin me nalle !...

 

I përkujtoj korzotë

Dhe rininë shkollore ...

Takimet e t’ rinjve

Nëpër ëmbëltore ...

 

Ëmbëltorja e famshme

Quhej “Skënderbeu” –

Ku një vajzë e këndshme

Zemrën ma rrëmbeu !...

 

Dyqane zejtarësh –

Buzë lumit t’ Mirushës ,

Furrat e bukëpjekësve ,

Aroma e bukës !...

 

Plot me sylynjarë

Rridhte shatërvani ,

Se ku është Gjilani –

Aty është vatani !

 

Gjilani i bukur –

Qytet legjendarë ,

Është djepi i trimave ,

Bijve atdhetarë .

 

Është djep i kulturës –

Dritë e dijetarë .

Është djep i kulturës –

Mbushur me shkollarë !...

 

 

  1. FLAKADANI I PAEPUR

 

I.

Një qiri me drita

Ndriçon në Gjilan, aman, aman .

Si yll Afërdita –

Përhapë rreze anë e mbanë , aman , aman.

Ah, jetë, moj jetë –

Sa e ëmbël që më je !

Ah, jetë, moj jetë –

Sa të mirat që m’i ke !

Ndizet, shkrihet qiri –

Zihet mbi shandan ,

Si gurë xhevahiri

Jep shkëlqim si flakadan .

II.

Ditë, as natë s’ pushon –

Ndizet pak nga pak , aman, aman.

Rreze drite lëshon

Mbi Gollak e Karadak , aman, aman.

Ah, jetë, moj jetë –

Sa e ëmbël që më je !

Ah, jetë, moj jetë –

Sa të mirat që m’i ke !

Ndizet , shkrihet qiri –

Flakëron si kandil ...

Këngën nxjerr nga gjiri –

E këndon por si bilbil .

 

III.

Si nusja në vek

Duke thurë pëlhurë , aman, aman.

Ai e qëndisë këngën

Si kala me gurë, aman , aman.

Ah, jetë, moj jetë –

Sa e ëmbël që më je !

Ah, jetë, moj jetë –

Sa të mirat që m’i ke !

Vargu i tij , nuk thahet ,

Si uji në gurrë ...

Është  burim që s’ ndalet

Dhe nuk shteron kurrë !...

 

 

 

  1. KALAJA E POGRAGJËS

 

Një ditë shkova te Kalaja – mbi Pogragjë,

Për t’u  çlodhur , për t’u çmallë e për t’u kënaqë !

E shikova këtë mbretëreshë të bukurisë –

Porsi nuse , përmbi kreshta të malësisë !

 

Haj, haj!

Seç më dogji malli ,

Haj, haj!

Zemrën seç ma kalli !

 

Digju zemër, digju porsi furrë ,

Se rinia ime , ma nuk kthehet kurrë !

Qajë moj zemër , qajë e mos më plas ,

Se kujtimet ma nuk kthehen  pas !...

 

E kujtova këtë simbol të lashtësisë ,

I kujtova vitet e mia të rinisë !...

Sa e vjetër është Kalaja dhe këta gurë –

Zemra ime, dashuron e s’ plaket kurrë !

 

Haj, haj !

Seç më dogji  malli ,

Haj, haj !

Zemrën seç ma kalli !

 

Më djeg malli – digjem si flaka ,

Kur kujtoj se edhe unë u plaka !

Qajë moj zemër , qajë e mos më plas ,

Se kujtimet ma nuk kthehen  pas !...

 

8.  GJILANIN KURRË NUK E HARROVA

 

Shkova , nga nuk shkova ,

Këndova , ku s’ këndova ,

Por Gjilanin tim ,

Kurrë nuk e harrova !

 

Ia këndova trimat

Edhe historitë ...

Ia këndova t’ mirat

Edhe bukuritë ...

 

Ia këndova sheshet ,

Rrugët edhe lagjet ...

Ia këndova  qeshmet ,

Bukën dhe konaqet ...

 

Ia këndova dritat ,

Shkollat ,  diturinë ...

Ia k’ndova fabrikat ,

Sofrat  , bujarinë  ...

 

Dhe prapë stinë pas stinës

Deri sa t’ frymoj –

Gjilanit , rrethinës ,

Unë do t’i këndoj !

 

Do t’i këndoj vatanit ,

Mbarë popullit shqiptarë !

Do t’i këndoj Gjilanit –

Me te jem’  krenarë !

 

Gjilan, 21 Qershor 2013.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora