E diele, 28.04.2024, 03:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Intervistë me shkrimtarin Pierre-Pandeli Simsia

E diele, 30.06.2013, 07:07 PM


Ne studion e televizionit shqiptar

Intervista në Televizionin Shqiptar

Intervistoi Migena Kraja - gazetare në Televizionin Shqiptar

"Më shoqëron gjatë gjithë kohës, më del shpesh përpara syve një foto e një djali të vogël i pafajshëm duke fshirë lotin e tij që qendron brenda dritares me hekura i ngujuar në dhomën e tij. A mund të ketë dhimbje më të madhe se sa ky fakt? A mund të qendrosh në heshtje përpara asaj pamje tepër të dhimbshme? Vetë loti i pafajshëm i atij fëmije tregon se kërkon ndihmë. Ata sy të përlotur plot dhimbje na godasin shpirtin të gjithë neve duke na shkaktuar dhimbje, dhimbje që duhet të shërohet njëherë e përgjithmonë..."

Zoti Simsia. Jetoni larg Shqipërisë prej 22 vitesh. Dëshironi të kontribuoni me dëshirë, me pasionin tuaj pse jo edhe për lexuesin shqiptar. Ky roman, "Nuse në derën e hasmit" është libri yt i gjashtë i botimit tuaj i cili vjen për lexuesin shqiptar. Pse pikërisht ky pasioni juaj, duke patur parasysh se ju keni mbaruar për ekonomi. Ky pasion i hershëm i rinisë suaj tani bëhet realitet.

Siç e thatë edhe ju, unë jam diplomuar për ekonomi-financë, por që në fëmijërinë time të hershme, unë kam qenë tepër i pasionuar pas muzikës shqiptare... Në rininë time, veçanërisht në vitet e shkollës së mesme, duke e ndjekur muzikën, dëshiroja të shkruaja tekste këngësh dhe ia arita qellimit. Disa nga vjershat e mija që unë shkruaja në atë kohë, u morën nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri Kadëna, Fatmir Agalliu, u bënë këngë. Me një fjalë, ky ishte pak a shumë fillimi im në gjininë e letërsisë, por pa u shkëputur nga muzika.

Kam shkruar në shtypin periodik të asaj kohe. Më lejoni të shfrytëzoj rastin, t'ju tregoj diçka nga krijimtaria ime letrare e viteve të para të rinisë sime. Në vitin 1980, unë kam qenë 20 vjeç atëhere dhe kam shkruar një reportazh nga Kalaja e Beratit. Kisha e Shën Gjergjit në Kala, është e ndërtuar në një vend të tillë nga ku Berati nga lart duket si në pëllëmbë të dorës. Në monizëm, ajo kishë, nuk u shkatërua, por u kthye në pikë turistike, aneks turizmi, siç i thoshim ne në atë kohë... Në atë reportazh, unë midis të tjerash, pasqyroja se si qytetarët beratas, për të thyer rutinën, në fundjavë argëtoheshin duke iu ngjitur kalasë përpjetë mes asaj natyre të magjishme që të dhuron Berati, me ajrin e pastër të pishave përreth... Nuk e kuptova pse ia dërgova gazetës në Tiranë reportazhin, kur në Berat dilte gazeta lokale "Kushtrimi", ndoshta mosha e rinisë. Pas pak ditësh më erdhi përgjigje negative. Sigurisht, pas asaj përgjigjeje nuk më erdhi mirë, por dhimbjen e ndjeva më shumë më vonë, kur pas pak javësh, reportazhin tim e pash të botuar në gazetë me pak ndërhyrje dhe me autor tjetër...

Këto janë edhe ato momente, që në njëfarë mënyre janë kujtime jo fort të bukura, por që harrohen dhe lehtësohen kur fillon dhe realizon pasionin.

Normalisht. Këtë shembull që unë dhash, që nuk është vetëm ky, sepse e njëjta gjë më ka ndodhur edhe me një vjershë që unë ia kushtoja gjyshes sime në atë kohë, i cila kishte pak vite që kishte ndëruar jetë dhe që u botua më vonë me autor tjetër. Për vetë moshën, u lëndova, sepse fillimi i krijimtarisë letrare në një moshë rinore do përkrahje dhe unë atë përkrahje e gjeja tek mësueset e mija të letërsisë.

Krijimtaria letrare e fillimit për cilindo është si ai nxënësi që, kur merr një notë pozitive i hyn dashuria për ta mësuar atë lëndë dhe e kundërta, kur merr një notë negative demoralizohet. Unë duke e patur në gjak muzikën dhe letërsinë, me ndihmën dhe përkrahjen e familjes sime në atë kohë, u mundova të mos demoralizohem, por të vazhdoja të shkruaja, pavarësisht, nëse më botohej krijimtaria ime apo jo.

Zoti Simsia, në njëfarë mënyre, njihet jeta e vështirë e një pjesë të emigrantëve shqiptarë si në Evropë ashtu edhe në vende të tjera të botës, si ka mundësi që ju, përveç punës që realizoni, gjeni kohë edhe për letërsi.

Është më se e drejtë. Unë e kuptoj pyetjen tuaj me vështirësitë e emigracionit, por edhe ju duhet të kuptoni pasionin që kanë krijuesit për letërsinë, për të lexuar, për të shkruar. Një njeri që merret, ose më mirë, dëshiron të shkruaj letërsi e gjen kohën për të shkruar, për më tepër ku i vijnë mendimet. Sikur edhe tre katër orë gjumë të ketë bërë, ai përsëri do ulet e do shkruajë. Letërsia për krijuesin është "ushqim" pa të cilin nuk mund të jetojë...

Meqenëse më pyetët për letërsinë po spjegoj edhe se si ka ecur udha e krijimtarisë sime letrare. Në fillimvitet 90-të unë emigrova në Greqi, Athinë. Në ato vitet e para, në Athinë doli e vetmja gazetë shqiptare "EGNATIA". Meritë të madhe dhe të veçantë për daljen, drejtimin dhe mirëmbajtjen e asaj gazete ka shkrimtari Kolec Traboini që ka bërë një punë të shkëlqyer, shkrimtari tjetër Albert Zholi dhe gjithë stafi i asaj kohe që punonin me gazetën në kushte shumë të vështira... Imagjinoni se në ç'farë kushtesh doli ajo gazetë në ato vite kur urrejtja ndaj shqiptarëve ishte e madhe. Të dy këta, Traboini, Zjoli, njihen nga lexuesi si shkrimtarë të mirënjohur, të nderuar. Unë kontaktet me atë gazetë i kam patur me Albert Zholin, sepse ai ishte më i lidhur me atë gazetë. Unë ia jepja ati shkrimet e mija të cilat edhe botoheshin.

Në vitin 1997 unë isha fitues i Llotarisë Amerikane për të qenë banor i përhershëm i Amerikës. Familjarisht shkuam në Nju Jork ku vazhdojmë të jetojmë edhe sot. Në atë kohë fëmijët e mi kanë qenë të vegjël, djali i madh 4 vjeç dhe djali tjetër 2 vjeç. Kuptohet në ato kushte fillimi nuk ka qenë i lehtë, madje shumë i vështirë, për më tepër kur nuk ke njerëz, nuk ke një bazë ku të mbnështetesh si fillim.

Me pasionin që kisha për letërsinë, me vullnetin e madh që unë kisha për të shkruar, mësova se në Nju Jork botohej e vetmja gazetë shqiptaro-amrikane ILLYRIA, gazetë e lexuar nga komuniteti brenda dhe jashtë Amerikës, e vlerësuar, me një numër të madh lexuesish, me një staf profesionist të përzgjedhur për të drejtuar dhe për të punuar në atë gazetë, e cila vazhdon të botohet me sukses edhe në ditët e sotme.

E blija atë gazetë, e lexoja, i koleksionoja numrat e saj dhe m'u duk se gjeta një dritare të hapur për të komunikuar me botën shqiptare, për t'u bërë edhe unë pjesë e atij komunikimi.

U interesova, më pritën mirë dhe, në atë gazetë m'u mundësua botimi i shkrimeve të mija. Pra, kam patur një bashkpunim me gazetën ILLYRIA, bashkpunim që vazhdon edhe në ditët e sotme publikimi.

Romani juaj i ri i sapobotuar "Nuse në derën e hasmit" promovimi i të cilit u bë këto ditë në sallën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë është libri juaj i gjashtë. Mund të flisni më tepër rreth botimeve të librave tuaj?

Që kur jam larguar nga Shqipëria para 22 vitesh, kam patur një si brengë në veten time, ose edhe dëshirë mund të them, që e ka çdo emigrant.

Kur je i larguar nga atdheu, mallin e ndjen më shumë, për vendlindjen, për njerëzit, të afërmit, për çdo gjë që kemi lënë këtu. Gjatë këtyre 22 viteve i larguar, jetën në Shqipëri e kam ndjekur nëpërmjet internetit. Unë kam shkruar publicistikë. Përveç gazetës ILLYRIA, kam patur bashkpunim edhe me shtypin e pavarur në Shqipëri, madje vitin e kalur, m'u botua një përmbledhje publicistike nëpër vite me titull: "FALEMINDERIT".

Përveç shkrimeve publicistike dhe temave të tjera të ndryshme, ku unë i kam pasqyruar në tregimet që unë kam shkruar, unë kisha si qellim të trajtoja në libër dy çështje të tjera kryesore; dy plagë që pikojnë dhimbje për shoqërinë e sotme shqiptare: Prostitucioni, trafikimi i vajzave të pafajshme shqiptare për qellime fitimi nga tutorët e tyre dhe e dyta, gjakmarrja.

Prostitucioni është një plagë që u infektua dhe u përhap menjëherë në fillimvitet 90-të, ndërsa gjakmarrja, ajo plagë e vjetër shekullore që e kishte krijuar korren e saj, në ato vite iu gërvish ajo korre për të krijuar dhimbje, për të rrjedhur gjak... Pra, këto dy plagë,këto dy çështje tepër të dhimbshme, mua më kanë ngacmuar nëpër vite dhe doja të dilja përpara lexuesit me libra.

Siç e përmendët edhe ju, romani "Nuse në derën e hasmit" është libri im i gjashtë. Në vitin 2005 mua m'u botua vëllimi i parë me tregime "Le të jem unë Zamira..."

Duke jetuar prej shumë vitesh në Sh.B.A. unë edhe mund të shkruaja tregime ose libra me temë amerikane dhe mund të shkruaj në të ardhmen, por ishin këto dy plagë të shoqërisë shqiptare që unë i përmenda më sipër, këto fenomene negative, që unë në vitin 2006 dola përpara lexuesit me romanin: "Një dashuri e vrarë" botuar nga Shtëpia Botuese "ARBËRIA" në Tiranë.

Në atë roman unë trajtoj temën e trafikimit të vajzave të pafajshme shqiptare për qellimi fitimi nga tutorët,djemtë shqipatarë mashtrues.

Ai roman u prit mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Mua nuk më takon të flas për krijimtarinë time letrare. Unë vlerësoj lexuesit, por fakti që ai roman edhe u ribotua meqenëse kishte kërkesa e tregon se u mirëprit.

Pasi u botua ai roman, vazhdoja të shkruaja publicistikë, vjersha, tregime. Përveç vëllimit me tregime "Le të jem unë Zamira..." u botua  më vonë edhe vëllimi tjetër me tregime "KAFEJA".

Mirëpo unë kisha qellimin tjetër siç edhe ua thashë. Doja të shkruaja një libër ku të trajtoja fenomenin e gjakmarrjes, i cili ka marrë përmasa të mëdha në ditët e sotme në botën shqiptare.

Për gjakmarrjen ashtu si edhe për prostitucionin, kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë, pra nuk është një temë e panjohur. Por autorë të ndryshëm e shikojnë në këndvështrimin e tyre, e trajtojnë në forma të ndryshme. Unë zgjodha variantin tim, këtë që e kam pasqyruar edhe në këtë roman, meqenëse e njoh edhe jetën në Shqipëri edhe jetën në Amerikë.

Dua të theksoj se i gjithë libri është trill, nuk është një ngjarje e vërtetë që unë e kam dëgjuar dhe pastaj jam ulur dhe e kam shkruar atë ngjarje. Pra është vetëm imagjinata ime. Dy të vërtetat në libër janë: vajza shqiptare Amelia Kotte e cila para disa viteve doli nxënësja më e mirë e të gjitha shkollave të mesme të shtetit të Nju Jorkut me rezultate të shkëlqyera duke na nderuar të gjithë neve si komb dhe si shtet dhe që fitoi bursë për të vazhduar shkollën në një ndër universitetet më të mira të Amerikës dhe tjetra është, ish studenti i shkëlqyer Ilir Hysa, i cili nga njëra orë mësimi dilte si student dhe në orën tjetër të mësimit hynte si pedagog në universitetin ku ai studionte. Për këta dy bashkatdhetarë unë kam shkruar në gazetën tuaj dhe në gazetat e ndryshme, madje edhe kam bashkbiseduar me ta në formën e intervistës.

Zoti Simsia. Në librat e tu që ju trajtoni pikërisht këto dy tema në njëfarë mënyre i keni për zemër për ti trajtuar artistikisht, për të ndërgjegjësuar, për të sensibilizuar, sigurisht edhe për ndjeshmërinë tuaj personale ju thatë që janë trill. Sa ju është dashur të shfletoni, psh artikuj të ndryshëm, si nga gazetat, po ashtu edhe nga ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur, po ashtu, pse jo edhe nga Kanuni i dikurshëm i Lekë Dukagjinit për ta sjellë artistikisht këto dy fenomene ku në njëfarë mënyre është prezent.

Unë për këtë roman nuk kam shfletuar artikuj të veçantë, por kam punuar shumë me imagjinatën time. Unë, siç ua thash më sipër, jetën e sotme shqiptare gjatë këtyre 22 viteve i larguar nga atdheu e njoh vetëm nëpërmjet internetit, leximit të shtypit në internet dhe kjo më mjafton të kem njohuri rreth këtij fenomeni. Ngjarjet e ndryshme rreth fenomenit të gjakmarrjes, ngujimit të familjeve të ndryshme,  ngujimit të fëmijëve të pafajshëm, fytyrat e tyre të vrara dhe të përlotura brenda mureve të ngujimit pa parë dritëne diellit me sy, i kemi parë dhe njihen sot nga të gjithë shqiptarët, madje të gjithë ndjejmë dhimbje të madhe.

Më shoqëron gjatë gjithë kohës, më del shpesh përpara syve një foto e një djali të vogël i pafajshëm duke fshirë lotin e tij që qendron brenda dritares me hekura i ngujuar në dhomën e tij. A mund të ketë dhimbje më të madhe se sa ky fakt? A mund të qendrosh në heshtje përpara asaj pamje tepër të dhimbshme? Vetë loti i pafajshëm i atij fëmije tregon se kërkon ndihmë. Ata sy të përlotur plot dhimbje na godasin shpirtin të gjithë neve duke na shkaktuar dhimbje, dhimbje që duhet të shërohet njëherë e përgjithmonë...

Unë në libër nuk e përmend Kanunin dhe nuk e kam gjykuar aspak, sepse Kanuni është një ligj që nga disa njerëz pranohet dhe nga disa të tjerë nuk pranohet.

Në ditët e sotme, fenomeni i gjakmarrjes ka marrë përmasa shumë të mëdha në mbarë Shqipërinë. Pra, pak a shumë, po zbatohet ligji i Kanunit pa respektuar ligjet shtetërore.

Unë, përshembull, jam nga Berati dhe nuk e kemi njohur apo zbatuar Kanunin, por e cilësoj përsëri, gjakmarja sot është përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë. Dëgjojmë ose lexojmë shpesh në lajme për një vrasje, pavarësisht se në cilin qytet të Shqipërisë ka ndodhur vrasja. Familjarët e lënduar nga dhimbja e madhe që u është shkaktuar për humbjen e njeriut të tyre të dashur, pa menduar për ligjet e shtetit që do veprojnë mbi vrasësin, deklarojnë se ne jemi në gjak me familjen e vrasësist... Pra në njëfarë mënyre zbatohet Kanuni, duke injoruar ligjet shtetërore.

Ajo që dua të theksoj është, se njerëzit duhet të ndërgjegjëzohen për të zbatuar dhe për t'iu bindur ligjeve të shtetit. Pra, duhen respektuar ligjet shtetërore për t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjakmarrjes.

Në këtë roman, fenomenin e gjakfaljes unë e kam trajtuar edhe  në këtë formë: Xhorxhi, është personazh kryesor, i cili prej vitesh kërkon të marrë gjakun e vëllait të vet të vrarë pa dashje nga bashkmoshatari dhe bashkfshatari i tij edhe pse ky i fundit, e shleu dënimin me 25 vitet e jetës së tij në burgjet shqiptare.

Xhorxhi është një besimtar fanatik i fesë së krishtere (nuk e cilësoj në libër se i kut feje është, katolik apo ortodoks.

Duke shkuar në kishë, sigurisht i falet Zotit për faljen e mëkateve dhe këtë falje besimtarët e shoqërojnë edhe me bërjen e kryqit me tre gishtat e dorës që, sipas fesë së krishtere, tre gishtat presupozojnë trininë e shenjtë: Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Me dorë njeriu prek ikonat e shenjtorëve, merr qiriun për ta ndezur, bën kryq... Por është e njëjta dorë që shkrep armën vrastare për të vrarë njerëz të pafajshëm.

Këtë fenomen unë e kam përmendur edhe atëhere, kur Kosova ishte në luftë dhe kur kriminelët, barbarët serbë që i përkasin edhe fesë ortodokse, me të njëjtat duar, me të njëjtët gishtërinj që falen dhe ndezin qirinjtë e shpresës në kishë, i përdorin për të vrarë popullsinë e pafajshme shqiptare...

Ngjarjet ku zhvillohen, në Shqipëri apo në Amerikë?

Ngjarja fillimisht fillon në Amerikë, në Nju Jork. Dy të rinj, që unë i kam quajtur Lea dhe Liridoni njihen krejt rastësisht në vagonat e një treni, pra mund të them se ka qenë një dashuri me shikim të parë. Liridoni është një i ri shqiptar që shkëlqen në mësime, në një nga universitetet e Nju Jorkut. Lea, si çdo e ardhur rishtaz në Amerikë, duke lënë pas prindërit, shtëpinë, shoqërinë, ndihet disi e zhgënjyer me atë vend dhe jetë të panjohur, madje edhe e mërzitur dhe dëshiron të kthehet prap në Shqipëri. Kjo u vu re nga Liridoni që në bisedat e para me të. Liridoni ndjen keqardhje për Lean për mentalitetin që i është krijuar, për demoralizimin. Mundohet që ta afrojë, por, sa më shumë afrohej me Lean, aq më shumë i hynte në zemër. Kjo bëri që pas njëfarë kohe, njohja e tyre përfundoi në dashuri të sinqertë dhe dihet, që pas dashurisë vjen fejesa...

Kur marëdhëniet dashurore midis Leas dhe Liridonit janë në kulmin e tyre, zbulohet hataja: Familjet e tyre janë në gjak me njëra tjetrën. Pra, pak a shumë, Lea do të shkojë nuse në derën e hasmit (nga merr edhe titullin romani) Pra, ngjarjet rrjedhin dramatike. Ngjarja komplikohet aq shumë sa asnjeri nuk ishte në gjendje ç'farë zgjidhje duhet ti jepej

Babai i Liridonit merr një vendim të prerë, që unë nuk e them për të mos shuar kurreshtjen e lexuesit. Pra, deri këtu zhvillohen ngjarjet në Nju Jork, për t'u zhvilluar pastaj në Shqipëri deri në përfundim të librit.

A do të kemi një libër tjetër të ardhshëm, pavarësisht se ky roman është i freskët, sapo ka dalë nga botimi. Pra, a do të kemi libër me tema të tjera?

Unë gjithmonë jam në kërkim për të shkruar tema të ndryshme duke përdorur imagjinatën time në lidhje me jetën e sotme.

Besoj se, PO, do kemi libër tjetër, madje ju them, pa e mbajtur sekret, se po punoj për një libër tjetër; nuk e di se çfarë do jetë, tregim i gjatë novel apo roman...

Sa e vështirë është të publikosh, të sjellësh një libër tek lexuesi? Nga Amerika në Shqipëri.

Është e vështirë, shumë madje. Por krijuesi, siç e thash më sipër, e ka në gjak krijimtarinë e tij letrare, dëshirën e madhe për të  shkruar. Pra është ushqim shpirtëror.

Ne nuk nisemi nga ana e fitimit material. Ne gjithmonë dalim me humbje, sepse e dimë që edhe interesi i të lexuarit ka rënë. Është edhe vështirësia ekonomike dhe pagat e ulëta në Shqipëri për të blerë libra.

Si mendon, nëse këto libra do të përktheheshin në gjuhën angleze, do të kishin lexues, do të ngjallnin interes, veçanërisht këto dy fenomene që ju i përmendët dhe i keni sjellë në dy romanet tuaja.

Mendoj dhe jam i bindur se, nëse do përktheheshin do ngjallnin interes tek lexuesi i huaj. Madje, kur unë pak a shumë ua kam spjeguar temën që kam trajtuar në këto dy libra, ata, jo vetëm janë befasuar, por janë shprehur edhe për t'u bërë film.

Përshembull, në fund të romanit "Një dashuri e vrarë" midis të tjerash shkruaj: "... Jo të gjitha femrat shqiptare që shiten rrugëve të Evropës e bëjnë këtë me dëshirën e tyre, ashtu siç i mendon dhe i quan Evropa hipokrite..."

Pra mesazhi është shumë i qartë. Madje mund të them se jam ndër të vetmit krijues që ia përmend Evropës fjalën hipokrite...

Edhe për këtë romanin e ri të sapobotuar "Nuse në derën e hasmit" nëse do përkthehej do ishte nder, vlerësim i madh, jo vetëm për mua si krijues, por për mbarë popullin shqiptar, duke i treguar botës së qytetëruar se jemi popull që besojmë në Zot, dijmë të falim...

Zoti Simsia, në ditën e promovimit të romanit tuaj "Nuse në derën e hasmit" ishte edhe një gazetar gjerman. Si ndodhi që ai të ishte pjesëmarrës?

Po. Gazetari gjerman Fritz Schutte erdhi nga Berlini, Gjermania, në Tiranë enkas për të qenë pjesëmarrës në promovimin e librit tim. Unë e falenderoj shumë atë njeri, mikun e Shqipërisë që iu përgjigj pozitivisht ftesës sime.

Zoti Fritz Schutte duhet vlerësuar për punën e tij të shkëlqyer që bën për njohjen dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Gjermani.

Unë dhe zoti Schutte kemi shkëmbyer shumë herë mesazhe të ndryshme me njëri tjetrin për artin, muzikën, kulturën shqiptare. Ai njeri është shumë i pasionuar; edhe pse ka njohuri për kulturën tonë, ai përsëri është në kërkim të saj.

Para pak muajve ne komunikuam direkt nëpërmjet skype ku zoti Fritz më kërkoi një bashkbisedim në formën e intervistës për televizonin gjerman. Me gjithë dëshirë e kënaqësi iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tij. Ajo intervistë që unë ia dhash atij, përveç se u transmetua në tv. gjerman do përmblidhet edhe në një dokumentar, të cilin ai po punon dhe që do realizohet së shpejti.

Faleminderit shumë zoti Simsia për këtë bashkbisedim të këndshëm dhe ju uroj suksese edhe në të ardhmen në krijimtarinë tuaj letrare.

Faleminderit Migena. Ishte kënaqësia ime gjithashtu të bashkbisedoja me ju, veçanërisht për letërsinë.

Ne diten e promovimit te romanit Nuse ne deren e hasmit

Gazetari gjerman Fritz Schutte duke folur ne diten e promovimit te romanit tim Nuse ne deren e hasmit

Ne promovimin e librit  Nuse ne deren e hasmit

Me gazetarin gjerman Fritz Schutte



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora