| E diele, 30.06.2013, 07:07 PM |
Ne studion e televizionit shqiptar
Intervista në Televizionin Shqiptar
Intervistoi
Migena Kraja - gazetare
në Televizionin Shqiptar
"Më
shoqëron gjatë gjithë kohës, më
Zoti
Simsia. Jetoni larg Shqipërisë prej 22 vitesh. Dëshironi të kontribuoni me
dëshirë, me pasionin tuaj pse jo edhe për lexuesin shqiptar. Ky roman,
"Nuse në derën e hasmit" është libri yt i gjashtë i botimit tuaj i
cili vjen për lexuesin shqiptar. Pse pikërisht ky pasioni juaj, duke patur
parasysh se ju keni mbaruar për ekonomi. Ky pasion i hershëm i rinisë suaj tani
bëhet realitet.
Siç e
thatë edhe ju, unë jam diplomuar për ekonomi-financë, por që në fëmijërinë time
të hershme, unë kam qenë tepër i pasionuar pas muzikës shqiptare... Në rininë
time, veçanërisht në vitet e shkollës së mesme, duke e ndjekur muzikën,
dëshiroja të shkruaja tekste këngësh dhe ia arita qellimit. Disa nga vjershat e
mija që unë shkruaja në atë kohë, u morën nga kompozitorët Teki Luari, Asqeri
Kadëna, Fatmir Agalliu, u bënë këngë. Me një fjalë, ky ishte pak a shumë
fillimi im në gjininë e letërsisë, por pa u shkëputur nga muzika.
Kam shkruar në shtypin periodik të asaj kohe. Më lejoni të shfrytëzoj rastin, t'ju tregoj diçka nga krijimtaria ime letrare e viteve të para të rinisë sime. Në vitin 1980, unë kam qenë 20 vjeç atëhere dhe kam shkruar një reportazh nga Kalaja e Beratit. Kisha e Shën Gjergjit në Kala, është e ndërtuar në një vend të tillë nga ku Berati nga lart duket si në pëllëmbë të dorës. Në monizëm, ajo kishë, nuk u shkatërua, por u kthye në pikë turistike, aneks turizmi, siç i thoshim ne në atë kohë... Në atë reportazh, unë midis të tjerash, pasqyroja se si qytetarët beratas, për të thyer rutinën, në fundjavë argëtoheshin duke iu ngjitur kalasë përpjetë mes asaj natyre të magjishme që të dhuron Berati, me ajrin e pastër të pishave përreth... Nuk e kuptova pse ia dërgova gazetës në Tiranë reportazhin, kur në Berat dilte gazeta lokale "Kushtrimi", ndoshta mosha e rinisë. Pas pak ditësh më erdhi përgjigje negative. Sigurisht, pas asaj përgjigjeje nuk më erdhi mirë, por dhimbjen e ndjeva më shumë më vonë, kur pas pak javësh, reportazhin tim e pash të botuar në gazetë me pak ndërhyrje dhe me autor tjetër...
Këto janë edhe ato momente, që në njëfarë mënyre janë kujtime jo fort të bukura, por që harrohen dhe lehtësohen kur fillon dhe realizon pasionin.
Normalisht.
Këtë shembull që unë dhash, që nuk është vetëm ky, sepse e njëjta gjë më ka
ndodhur edhe me një vjershë që unë ia kushtoja gjyshes sime në atë kohë, i cila
kishte pak vite që kishte ndëruar jetë dhe që u botua më vonë me autor tjetër.
Për vetë moshën, u lëndova, sepse fillimi i krijimtarisë letrare në një moshë
rinore do përkrahje dhe unë atë përkrahje e gjeja tek mësueset e mija të
letërsisë.
Krijimtaria letrare e fillimit për cilindo është si ai nxënësi që, kur merr një notë pozitive i hyn dashuria për ta mësuar atë lëndë dhe e kundërta, kur merr një notë negative demoralizohet. Unë duke e patur në gjak muzikën dhe letërsinë, me ndihmën dhe përkrahjen e familjes sime në atë kohë, u mundova të mos demoralizohem, por të vazhdoja të shkruaja, pavarësisht, nëse më botohej krijimtaria ime apo jo.
Zoti Simsia, në njëfarë mënyre, njihet jeta e vështirë e një pjesë të emigrantëve shqiptarë si në Evropë ashtu edhe në vende të tjera të botës, si ka mundësi që ju, përveç punës që realizoni, gjeni kohë edhe për letërsi.
Është më
se e drejtë. Unë e kuptoj pyetjen tuaj me vështirësitë e emigracionit, por edhe
ju duhet të kuptoni pasionin që kanë krijuesit për letërsinë, për të lexuar,
për të shkruar. Një njeri që merret, ose më mirë, dëshiron të shkruaj letërsi e
gjen kohën për të shkruar, për më tepër ku i vijnë mendimet. Sikur edhe tre
katër orë gjumë të ketë bërë, ai përsëri do ulet e do shkruajë. Letërsia për
krijuesin është "ushqim" pa të cilin nuk mund të jetojë...
Meqenëse
më pyetët për letërsinë po spjegoj edhe se si ka ecur udha e krijimtarisë sime
letrare. Në fillimvitet 90-të unë emigrova në Greqi, Athinë. Në ato vitet e
para, në Athinë doli e vetmja gazetë shqiptare "EGNATIA". Meritë të
madhe dhe të veçantë për daljen, drejtimin dhe mirëmbajtjen e asaj gazete ka shkrimtari
Kolec Traboini që ka bërë një punë të shkëlqyer, shkrimtari tjetër Albert Zholi
dhe gjithë stafi i asaj kohe që punonin me gazetën në kushte shumë të
vështira... Imagjinoni se në ç'farë kushtesh doli ajo gazetë në ato vite kur
urrejtja ndaj shqiptarëve ishte e madhe. Të dy këta, Traboini, Zjoli, njihen
nga lexuesi si shkrimtarë të mirënjohur, të nderuar. Unë kontaktet me atë
gazetë i kam patur me Albert Zholin, sepse ai ishte më i lidhur me atë gazetë.
Unë ia jepja ati shkrimet e mija të cilat edhe botoheshin.
Në vitin
1997 unë isha fitues i Llotarisë Amerikane për të qenë banor i përhershëm i
Amerikës. Familjarisht shkuam në Nju Jork ku vazhdojmë të jetojmë edhe sot. Në
atë kohë fëmijët e mi kanë qenë të vegjël, djali i madh 4 vjeç dhe djali tjetër
2 vjeç. Kuptohet në ato kushte fillimi nuk ka qenë i lehtë, madje shumë i
vështirë, për më tepër kur nuk ke njerëz, nuk ke një bazë ku të mbnështetesh si
fillim.
Me
pasionin që kisha për letërsinë, me vullnetin e madh që unë kisha për të
shkruar, mësova se në Nju Jork botohej e vetmja gazetë shqiptaro-amrikane
ILLYRIA, gazetë e lexuar nga komuniteti brenda dhe jashtë Amerikës, e
vlerësuar, me një numër të madh lexuesish, me një staf profesionist të
përzgjedhur për të drejtuar dhe për të punuar në atë gazetë, e cila vazhdon të
botohet me sukses edhe në ditët e sotme.
E blija
atë gazetë, e lexoja, i koleksionoja numrat e saj dhe m'u duk se gjeta një
dritare të hapur për të komunikuar me botën shqiptare, për t'u bërë edhe unë
pjesë e atij komunikimi.
U interesova, më pritën mirë dhe, në atë gazetë m'u mundësua botimi i shkrimeve të mija. Pra, kam patur një bashkpunim me gazetën ILLYRIA, bashkpunim që vazhdon edhe në ditët e sotme publikimi.
Romani juaj i ri i sapobotuar "Nuse në derën e hasmit" promovimi i të cilit u bë këto ditë në sallën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë është libri juaj i gjashtë. Mund të flisni më tepër rreth botimeve të librave tuaj?
Që kur
jam larguar nga Shqipëria para 22 vitesh, kam patur një si brengë në veten time,
ose edhe dëshirë mund të them, që e ka çdo emigrant.
Kur je i
larguar nga atdheu, mallin e ndjen më shumë, për vendlindjen, për njerëzit, të
afërmit, për çdo gjë që kemi lënë këtu. Gjatë këtyre 22 viteve i larguar, jetën
në Shqipëri e kam ndjekur nëpërmjet internetit. Unë kam shkruar publicistikë.
Përveç gazetës ILLYRIA, kam patur bashkpunim edhe me shtypin e pavarur në
Shqipëri, madje vitin e kalur, m'u botua një përmbledhje publicistike nëpër
vite me titull: "FALEMINDERIT".
Përveç
shkrimeve publicistike dhe temave të tjera të ndryshme, ku unë i kam pasqyruar
në tregimet që unë kam shkruar, unë kisha si qellim të trajtoja në libër dy
çështje të tjera kryesore; dy plagë që pikojnë dhimbje për shoqërinë e sotme
shqiptare: Prostitucioni, trafikimi i vajzave të pafajshme shqiptare për
qellime fitimi nga tutorët e tyre dhe e dyta, gjakmarrja.
Prostitucioni
është një plagë që u infektua dhe u përhap menjëherë në fillimvitet 90-të,
ndërsa gjakmarrja, ajo plagë e vjetër shekullore që e kishte krijuar korren e
saj, në ato vite iu gërvish ajo korre për të krijuar dhimbje, për të rrjedhur
gjak... Pra, këto dy plagë,këto dy çështje tepër të dhimbshme, mua më kanë
ngacmuar nëpër vite dhe doja të dilja përpara lexuesit me libra.
Siç e
përmendët edhe ju, romani "Nuse në derën e hasmit" është libri im i
gjashtë. Në vitin 2005 mua m'u botua vëllimi i parë me tregime "Le të jem
unë Zamira..."
Duke
jetuar prej shumë vitesh në Sh.B.A. unë edhe mund të shkruaja tregime ose libra
me temë amerikane dhe mund të shkruaj në të ardhmen, por ishin këto dy plagë të
shoqërisë shqiptare që unë i përmenda më sipër, këto fenomene negative, që unë
në vitin 2006 dola përpara lexuesit me romanin: "Një dashuri e vrarë"
botuar nga Shtëpia Botuese "ARBËRIA" në Tiranë.
Në atë
roman unë trajtoj temën e trafikimit të vajzave të pafajshme shqiptare për
qellimi fitimi nga tutorët,djemtë shqipatarë mashtrues.
Ai roman
u prit mirë nga lexuesi dhe kritika letrare. Mua nuk më takon të flas për
krijimtarinë time letrare. Unë vlerësoj lexuesit, por fakti që ai roman edhe u
ribotua meqenëse kishte kërkesa e tregon se u mirëprit.
Pasi u
botua ai roman, vazhdoja të shkruaja publicistikë, vjersha, tregime. Përveç
vëllimit me tregime "Le të jem unë Zamira..." u botua më vonë edhe vëllimi tjetër me tregime "KAFEJA".
Mirëpo
unë kisha qellimin tjetër siç edhe ua thashë. Doja të shkruaja një libër ku të
trajtoja fenomenin e gjakmarrjes, i cili ka marrë përmasa të mëdha në ditët e
sotme në botën shqiptare.
Për
gjakmarrjen ashtu si edhe për prostitucionin, kanë shkruar edhe shkrimtarë të
tjerë, pra nuk është një temë e panjohur. Por autorë të ndryshëm e shikojnë në
këndvështrimin e tyre, e trajtojnë në forma të ndryshme. Unë zgjodha variantin
tim, këtë që e kam pasqyruar edhe në këtë roman, meqenëse e njoh edhe jetën në
Shqipëri edhe jetën në Amerikë.
Dua të theksoj se i gjithë libri është trill, nuk është një ngjarje e vërtetë që unë e kam dëgjuar dhe pastaj jam ulur dhe e kam shkruar atë ngjarje. Pra është vetëm imagjinata ime. Dy të vërtetat në libër janë: vajza shqiptare Amelia Kotte e cila para disa viteve doli nxënësja më e mirë e të gjitha shkollave të mesme të shtetit të Nju Jorkut me rezultate të shkëlqyera duke na nderuar të gjithë neve si komb dhe si shtet dhe që fitoi bursë për të vazhduar shkollën në një ndër universitetet më të mira të Amerikës dhe tjetra është, ish studenti i shkëlqyer Ilir Hysa, i cili nga njëra orë mësimi dilte si student dhe në orën tjetër të mësimit hynte si pedagog në universitetin ku ai studionte. Për këta dy bashkatdhetarë unë kam shkruar në gazetën tuaj dhe në gazetat e ndryshme, madje edhe kam bashkbiseduar me ta në formën e intervistës.
Zoti Simsia. Në librat e tu që ju trajtoni pikërisht këto dy tema në njëfarë mënyre i keni për zemër për ti trajtuar artistikisht, për të ndërgjegjësuar, për të sensibilizuar, sigurisht edhe për ndjeshmërinë tuaj personale ju thatë që janë trill. Sa ju është dashur të shfletoni, psh artikuj të ndryshëm, si nga gazetat, po ashtu edhe nga ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur, po ashtu, pse jo edhe nga Kanuni i dikurshëm i Lekë Dukagjinit për ta sjellë artistikisht këto dy fenomene ku në njëfarë mënyre është prezent.
Unë për
këtë roman nuk kam shfletuar artikuj të veçantë, por kam punuar shumë me
imagjinatën time. Unë, siç ua thash më sipër, jetën e sotme shqiptare gjatë
këtyre 22 viteve i larguar nga atdheu e njoh vetëm nëpërmjet internetit,
leximit të shtypit në internet dhe kjo më mjafton të kem njohuri rreth këtij
fenomeni. Ngjarjet e ndryshme rreth fenomenit të gjakmarrjes, ngujimit të familjeve
të ndryshme, ngujimit të fëmijëve të
pafajshëm, fytyrat e tyre të vrara dhe të përlotura brenda mureve të ngujimit
pa parë dritëne diellit me sy, i kemi parë dhe njihen sot nga të gjithë
shqiptarët, madje të gjithë ndjejmë dhimbje të madhe.
Më
shoqëron gjatë gjithë kohës, më del shpesh përpara syve një foto e një djali të
vogël i pafajshëm duke fshirë lotin e tij që qendron brenda dritares me hekura
i ngujuar në dhomën e tij. A mund të ketë dhimbje më të madhe se sa ky fakt? A
mund të qendrosh në heshtje përpara asaj pamje tepër të dhimbshme? Vetë loti i
pafajshëm i atij fëmije tregon se kërkon ndihmë. Ata sy të përlotur plot
dhimbje na godasin shpirtin të gjithë neve duke na shkaktuar dhimbje, dhimbje
që duhet të shërohet njëherë e përgjithmonë...
Unë në
libër nuk e përmend Kanunin dhe nuk e kam gjykuar aspak, sepse Kanuni është një
ligj që nga disa njerëz pranohet dhe nga disa të tjerë nuk pranohet.
Në ditët
e sotme, fenomeni i gjakmarrjes ka marrë përmasa shumë të mëdha në mbarë
Shqipërinë. Pra, pak a shumë, po zbatohet ligji i Kanunit pa respektuar ligjet
shtetërore.
Unë,
përshembull, jam nga Berati dhe nuk e kemi njohur apo zbatuar Kanunin, por e
cilësoj përsëri, gjakmarja sot është përhapur pothuajse në të gjithë
Shqipërinë. Dëgjojmë ose lexojmë shpesh në lajme për një vrasje, pavarësisht se
në cilin qytet të Shqipërisë ka ndodhur vrasja. Familjarët e lënduar nga
dhimbja e madhe që u është shkaktuar për humbjen e njeriut të tyre të dashur,
pa menduar për ligjet e shtetit që do veprojnë mbi vrasësin, deklarojnë se ne
jemi në gjak me familjen e vrasësist... Pra në njëfarë mënyre zbatohet Kanuni,
duke injoruar ligjet shtetërore.
Ajo që
dua të theksoj është, se njerëzit duhet të ndërgjegjëzohen për të zbatuar dhe
për t'iu bindur ligjeve të shtetit. Pra, duhen respektuar ligjet shtetërore për
t'i dhënë fund njëherë e përgjithmonë gjakmarrjes.
Në këtë
roman, fenomenin e gjakfaljes unë e kam trajtuar edhe në këtë formë: Xhorxhi, është personazh
kryesor, i cili prej vitesh kërkon të marrë gjakun e vëllait të vet të vrarë pa
dashje nga bashkmoshatari dhe bashkfshatari i tij edhe pse ky i fundit, e shleu
dënimin me 25 vitet e jetës së tij në burgjet shqiptare.
Xhorxhi
është një besimtar fanatik i fesë së krishtere (nuk e cilësoj në libër se i kut
feje është, katolik apo ortodoks.
Duke
shkuar në kishë, sigurisht i falet Zotit për faljen e mëkateve dhe këtë falje
besimtarët e shoqërojnë edhe me bërjen e kryqit me tre gishtat e dorës që,
sipas fesë së krishtere, tre gishtat presupozojnë trininë e shenjtë: Atin,
Birin dhe Shpirtin e Shenjtë. Me dorë njeriu prek ikonat e shenjtorëve, merr
qiriun për ta ndezur, bën kryq... Por është e njëjta dorë që shkrep armën
vrastare për të vrarë njerëz të pafajshëm.
Këtë fenomen unë e kam përmendur edhe atëhere, kur Kosova ishte në luftë dhe kur kriminelët, barbarët serbë që i përkasin edhe fesë ortodokse, me të njëjtat duar, me të njëjtët gishtërinj që falen dhe ndezin qirinjtë e shpresës në kishë, i përdorin për të vrarë popullsinë e pafajshme shqiptare...
Ngjarjet ku zhvillohen, në Shqipëri apo në Amerikë?
Ngjarja
fillimisht fillon në Amerikë, në Nju Jork. Dy të rinj, që unë i kam quajtur Lea
dhe Liridoni njihen krejt rastësisht në vagonat e një treni, pra mund të them
se ka qenë një dashuri me shikim të parë. Liridoni është një i ri shqiptar që
shkëlqen në mësime, në një nga universitetet e Nju Jorkut. Lea, si çdo e ardhur
rishtaz në Amerikë, duke lënë pas prindërit, shtëpinë, shoqërinë, ndihet disi e
zhgënjyer me atë vend dhe jetë të panjohur, madje edhe e mërzitur dhe dëshiron
të kthehet prap në Shqipëri. Kjo u vu re nga Liridoni që në bisedat e para me
të. Liridoni ndjen keqardhje për Lean për mentalitetin që i është krijuar, për
demoralizimin. Mundohet që ta afrojë, por, sa më shumë afrohej me Lean, aq më
shumë i hynte në zemër. Kjo bëri që pas njëfarë kohe, njohja e tyre përfundoi
në dashuri të sinqertë dhe dihet, që pas dashurisë vjen fejesa...
Kur
marëdhëniet dashurore midis Leas dhe Liridonit janë në kulmin e tyre, zbulohet
hataja: Familjet e tyre janë në gjak me njëra tjetrën. Pra, pak a shumë, Lea do
të shkojë nuse në derën e hasmit (nga merr edhe titullin romani) Pra, ngjarjet
rrjedhin dramatike. Ngjarja komplikohet aq shumë sa asnjeri nuk ishte në
gjendje ç'farë zgjidhje duhet ti jepej
Babai i Liridonit merr një vendim të prerë, që unë nuk e them për të mos shuar kurreshtjen e lexuesit. Pra, deri këtu zhvillohen ngjarjet në Nju Jork, për t'u zhvilluar pastaj në Shqipëri deri në përfundim të librit.
A do të kemi një libër tjetër të ardhshëm, pavarësisht se ky roman është i freskët, sapo ka dalë nga botimi. Pra, a do të kemi libër me tema të tjera?
Unë
gjithmonë jam në kërkim për të shkruar tema të ndryshme duke përdorur
imagjinatën time në lidhje me jetën e sotme.
Besoj se, PO, do kemi libër tjetër, madje ju them, pa e mbajtur sekret, se po punoj për një libër tjetër; nuk e di se çfarë do jetë, tregim i gjatë novel apo roman...
Sa e vështirë është të publikosh, të sjellësh një libër tek lexuesi? Nga Amerika në Shqipëri.
Është e
vështirë, shumë madje. Por krijuesi, siç e thash më sipër, e ka në gjak
krijimtarinë e tij letrare, dëshirën e madhe për të shkruar. Pra është ushqim shpirtëror.
Ne nuk nisemi nga ana e fitimit material. Ne gjithmonë dalim me humbje, sepse e dimë që edhe interesi i të lexuarit ka rënë. Është edhe vështirësia ekonomike dhe pagat e ulëta në Shqipëri për të blerë libra.
Si mendon, nëse këto libra do të përktheheshin në gjuhën angleze, do të kishin lexues, do të ngjallnin interes, veçanërisht këto dy fenomene që ju i përmendët dhe i keni sjellë në dy romanet tuaja.
Mendoj
dhe jam i bindur se, nëse do përktheheshin do ngjallnin interes tek lexuesi i
huaj. Madje, kur unë pak a shumë ua kam spjeguar temën që kam trajtuar në këto
dy libra, ata, jo vetëm janë befasuar, por janë shprehur edhe për t'u bërë
film.
Përshembull,
në fund të romanit "Një dashuri e vrarë" midis të tjerash shkruaj:
"... Jo të gjitha femrat shqiptare që shiten rrugëve të Evropës e bëjnë
këtë me dëshirën e tyre, ashtu siç i mendon dhe i quan Evropa
hipokrite..."
Pra
mesazhi është shumë i qartë. Madje mund të them se jam ndër të vetmit krijues
që ia përmend Evropës fjalën hipokrite...
Edhe për këtë romanin e ri të sapobotuar "Nuse në derën e hasmit" nëse do përkthehej do ishte nder, vlerësim i madh, jo vetëm për mua si krijues, por për mbarë popullin shqiptar, duke i treguar botës së qytetëruar se jemi popull që besojmë në Zot, dijmë të falim...
Zoti Simsia, në ditën e promovimit të romanit tuaj "Nuse në derën e hasmit" ishte edhe një gazetar gjerman. Si ndodhi që ai të ishte pjesëmarrës?
Po.
Gazetari gjerman Fritz Schutte erdhi nga Berlini, Gjermania, në Tiranë enkas
për të qenë pjesëmarrës në promovimin e librit tim. Unë e falenderoj shumë atë
njeri, mikun e Shqipërisë që iu përgjigj pozitivisht ftesës sime.
Zoti
Fritz Schutte duhet vlerësuar për punën e tij të shkëlqyer që bën për njohjen
dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Gjermani.
Unë dhe zoti
Schutte kemi shkëmbyer shumë herë mesazhe të ndryshme me njëri tjetrin për
artin, muzikën, kulturën shqiptare. Ai njeri është shumë i pasionuar; edhe pse
ka njohuri për kulturën tonë, ai përsëri është në kërkim të saj.
Para pak muajve ne komunikuam direkt nëpërmjet skype ku zoti Fritz më kërkoi një bashkbisedim në formën e intervistës për televizonin gjerman. Me gjithë dëshirë e kënaqësi iu përgjigja pozitivisht kërkesës së tij. Ajo intervistë që unë ia dhash atij, përveç se u transmetua në tv. gjerman do përmblidhet edhe në një dokumentar, të cilin ai po punon dhe që do realizohet së shpejti.
Faleminderit shumë zoti Simsia për këtë bashkbisedim të këndshëm dhe ju uroj suksese edhe në të ardhmen në krijimtarinë tuaj letrare.
Faleminderit Migena. Ishte kënaqësia ime gjithashtu të bashkbisedoja me ju, veçanërisht për letërsinë.