Kulturë
Ilir Sefaj: Poet i një vokacioni të veçantë
E hene, 01.07.2013, 06:12 PM
Poet i
një vokacioni të veçantë
Nga Ilir Sefaj
Një poet që u vlerësua shumë qysh në paraqitjen e
tij të parë, pa mëdyshje se është poeti tiranas Ervin Hatibi, i cili ende pa i
mbushur të pesëmbëdhjetat u dëshmua për talentin e tij të rrallë (në moshën
14-vjeçare botoi librin e parë me poezi “Përditë shoh qiellin” 1988), talent ky
që fillimisht u vlerësua nga shkrimtari Besnik Mustafaj, pastaj edhe nga
shkrimtari Ismail Kadare, i cili kur flet për poezinë e këtij poeti, ndër të
tjera jep edhe këtë vlerësim: “Hatibi është vazhdimësia dhe e ardhmja e
poezisë moderne shqiptare”.
Se sa ka qëlluar në shenjë kur konstaton kësisoj
shkrimtari ynë i madh, e dëshmon vepra poetike
e këtij autori, e cila është krejt unike si në planin estetik të
krijimit të saj, ashtu edhe në procedeun që ndjek kjo vepër në sendërtimin e
ideve që plason poeti përmes një vokabulari tejet të pasur e origjinal, ku
vihet në pah intenca e poetit për zbërthimin e neologjizma të reja të cilat në
njërën ose në mënyrën tjetër dëshmojnë për natyrën autentike të mjeteve
shprehëse të Hatibit, dhe njëkohësisht aftësitë e pakufizuara që ka gjuha
shqipe.
Poezia e Ervin Hatibit ironizon fenomene negative në jetë dhe risemantizon vlerat e fetishizuara universale; lirinë individuale, lirinë e të gjykuarit, lirinë e ndjenjës, dhe këto shpërfaqje idesh e motivesh poeti i realizon me pasionin e një euriditi të vërtet, vargu i të cilit shquhet për: frymëzim, nerv, pasion, kreativitet, gjallëri:
Këtë të
shtunë
Dashuria
hapi këmishën e saj prej nape
Krisën kopsat përdhe
Ne u derdhëm të kafshonim gjinjtë e saj prej smalti
Ne dihatnim, nuk dihet a vërtet deshëm këtë:
Ca puthje me jehonë alkooli.
Në poezinë e Hatibit vihet re përpjekja e autorit
për ta dhënë unin e tij, botën e tij personale, mënyrën e të shijuarit e të
gjykuarit të gjërave, pa paragjykuar perceptimet e ndryshme që mund të jap
recipienti i mundshëm, pra poeti shpërfaq atë që ndjen, duke e konsideruar
lexuesin real si objekt që vrojtohet jo drejtpërdrejt, andaj idetë e poetit
sikur bashkë-dyzohen më ato të marrësit.
Faktikisht poeti ka dy role që funksionalizohen në
tekstin letrar, në njërën anë na shfaqet Ervini poet, dhe nga një këndvështrim
tjetër sikur takojmë Ervinin lexues!
Poezia e Ervin Hatibit jep imazhin e një bote në lëvizje e cila në optikën e poetit i ngjan një kaosi tipik, kaos ky të cilin njerëzit e rëndomtë nuk e vërejnë ose bëhen sikur nuk e vërejnë, ata kanë hallet e tyre! Megjithatë ka të tillë që ironizojnë këtë mospërfillje të individit, indiferencën e këtij të fundit karshi faktit se njeriu medoemos, detyrimisht duhet përshtatur rregullave që i janë imponuar, andaj poeti rri zgjuar dhe mediton, ai pikturon tablo të një bote sa reale aq abstrakte e paradoksale:
qyteti
nuk pret më vizita
e
ju mos pritni vizione të reja
këto orë janë dritaret e
fundit të qytetit
nuk e di nga i di gjithë këto gjëra natën
po
prapë dëshmoj se e ndjej
fundin harmonik; e kanë ndjerë edhe baballarët
të
papërgjegjshëm
fill pasi lageshin nëpër mishin e dyshimtë që më polli
e
ndaluar
Subjekti ndjen dihatjen që ka kapluar individin në
këtë botë pa kornizë, në këtë botë ku gjithçka duket sikur lëviz pa ndonjë
vizion të caktuar, ose pa pasur ndonjë qëllim final, pra ky njeri jo rrallë
ndjehet si një pike uji në oqean ose edhe më pak, megjithatë fundi harmonik
sikur është vizion i subjektit dhe receptorit njëkohësisht.
Vargjet e sipërcituara dhe jo vetëm ato, faktikisht do të mund të vendoseshin edhe brenda kornizave të një pikture ku do të kishim pasur mundësinë që ta vrojtojmë edhe vizualisht botën e pasur e imagjinatave të poetit, përpjekjen e tij për ta dhënë ekuivalentin ekzakt të gjendjes së tij shpirtërore, mënyrën e të perceptuarit të botës.
Poezi e metafizikës urbane
Poezia e Ervin Hatibit mbart forcën e një
meditacioni të thellë të mbushur me imazhe lëvizëse, të cilat poeti mëton t’i
shpërfaq përmes një ex privata diligentia (lat. me përpjekje personale,
vetanake), këto imazhe, këtë tipologji letrare e cila është krejtësisht
unikale dhe e panjohur më parë në letrat shqipe, madje kjo mënyrë përqasjeje
karshi aktit krijues është krejtësisht e huaj dhe e paidentifikuar deri në
dekadën e fundshekullit pararendës.
Kjo poezi ç’rëndomtëson të rëndomtën, e fut në
lëvizje statikën, dhe i jep shpirt gjërave inerte, pra ky varg është i mbushur
me ironi, sarkazëm, humor absurd, protestë, dëshpërim, dhe kur poezia ka këto
atribute doemos së ngacmon inteligjencën e lexuesit sa do që në një shikim
fillestar poezia e Hatibit mund të perceptohet si hermetike.
Në fakt kur lexojmë frymëzimet poetike të autorit,
shumë lehtë e vëmë në pah intencën e këtij të fundit që lexuesit t’i ofrohet
diçka ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta lexojmë, pra një qasje metafizike e
lirikës urbane e cila është krejt e re në komitetin e letrave shqipe.
Arkitektura e vargut të Hatibit është tejet
komplekse në thelbin e saj, ngase ky varg ka aftësinë e të fotografuarit të
pamjeve ashtu në lëvizje që herë-herë të duken D?j? vu, pra
pamje që të krijohet përshtypja sikur i ke takuar njëherë e dikur.
Arti poetik i Hatibit merr statusin e posmodernes
jo se vepra e tij është e mbrujtur me trope letrare të cilat realisht janë të
huaja për artin poetik shqiptar deri në shfaqjen e tij, por veprës së tij i
atribuohet kjo vlerë, për faktin se në këtë vepër zë vend të rëndësishëm
elementi fantastik e misterioz, pra arti poetik i këtij autori është një ars
combinatoria, ku vihet në pah gërshetimi i reales (faction) me
fantastikën (fiction) dhe kjo ndërliksje e këtyre elementeve rëndom vjen
i rezultat i kombinimit të formës dhe stilit unik të të rrëfyerit.
Stilistika,
ligjërimi poetik i Hatibit rëndom vihet në shërbim të motivit, në shërbim të
idesë, pra kjo qasje jo konvencionale e të shprehurit e vë në pah qëndrimin,
pikëpamjen e poetit për jetën, për botën në përgjithësi, dhe kjo mënyrë e të
perceptuarit të gjërave, realizohet përmes një procedeu unik të të rrëfyerit,
ku kemi një përthyerje të koncepcionit se krijimi artistik duhet medoemos të
jetë i “qartë”:
E
vjedhim botën nga ky cep i vogël fare ne
Aq sa
mundim, kurrë sa ç’mundohemi
Shesim
qumësht të freskët për banja si dhe shalqi
Na
blejnë edhe kapela të thurura me duar
që
rriten aty nëpër ligatat pas shtëpisë prej eterniti.
Hapen
në rërë çadrat e plazhit, tej xhadesë...
Në fakt intencë e poetit është që artistikisht të
dëshmojë se jeta tokësore e individit kapërthuret mes vorbullës për të
përvetësuar sa më shumë nga jeta, dhe ndeshjes së po këtij individi me
realitetin jashtë imagjinar, i cili ofron vetëm diçka nga ajo që ai synon të
përvetësojë.
Ervin Hatibi më parë se zë i cili kërkon thyerjet e
traditës për t’i hapur rrugë individualitetit krijues, përmes verbit të tij
poetik shtron kërkesën imanente e cila mëton njohjen e njeriut bashkëkohës,
botën shpirtërore e imagjinative të këtij njeriu, dhe këtë njohje poeti e
realizonn “për së brendshmi”
psikologjikisht.
Poezia e Hatibit në tërësinë e saj i takon temave
të metafizikës urbane, dhe lëndë e këtij poeti
për kultivimin e këtyre temave është detaji, ndërkaq konstantë
poetike, vlerë e kësaj vepre është gjuha e figurshme, patosi, diskursi
autentik, stili i zgjedhur dhe i kultivuar, dhe gjuha patetike e cila reflekton
emocionin autorial.
Vepra poetike e Hatibit fatkeqësisht është pak e studiuar ani pse kjo vepër është e hapur dhe pret vlerësimin e kritikës letrare, sidoqoftë kam përshtypjen se kushdo që tenton të merret me krijimtarinë poetike të këtij autori, duhet ta ketë parasysh vetëdijen e cila e ka shoqëruar përherë këtë krijues, Hatibi e sheh artin letrar si; differentia specifika (aktivitet krijues i veçantë).