E shtune, 27.04.2024, 07:39 AM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Për çfarë bisedojnë zogjtë

E premte, 05.07.2013, 07:52 PM


Për çfarë bisedojnë zogjtë

(Shaip Grabovci “Çupa me ombrellë”, tregime për fëmijë, botoi FAD, Prishtinë 2013)

Nga Fatmire Duraku

Mjeshtër i shkrimit të tregimit të shkurtër, mahnitës në leximin e psikologjisë së fëmijës, të lojës e të ëndrrës, të imagjinatës e të mësimit të tij, Shaip Grabovci me përkushtim thur ngjarje, çaste, tablo brilante nga jeta e puna e përditshme e të vegjëlve edhe në librin më të ri “Çupa me ombrellë”, të cilin lexuesi tashmë e ka në duar... E tërë aftësia e shkrimtarit për të krijuar e për të ndërtuar në vetëdijen e fëmijës, të nxënësit,  figura të mrekullueshme dhe ide të reja,  vjen në shprehje dhe në këtë libër, duke i lidhur, ndryshuar, shndërruar e përfytyruar sendet, dukuritë, njohuritë e fituara që të

krijojë, të zbulojë, të shpikë diçka të re nga përvoja e pasur – e fituar gjatë gjithë punës e  jetës... Mjeshtër sidomos në trajtimin e tregimit të dramatizuar, me ç` rast  ia del të shpërfaq krejt atë që jeton me fëmijën, me zemrën dhe dëshirën e tij, krejt atë që jeton për fëmijën, siç është syri i zogut, krahu i tij, siç është kënga e tij, siç është fshehtësia e zogjve. Ai, me një përkujdesje të veçantë,  bën përpjekje t`i bëjë kureshtarë lexuesit e vet me shpendët e kafshët, me bimët – drunjtë, me lulet... I afron ata kaq shumë me njëri tjetrin sa zënë të bisedojnë ndërmjet veti. Fëmijët, përveç që kënaqen me zogjtë, ata pak nga pak  fillojnë edhe t`i kuptojnë cicërimat e tyre, fillojnë t`i kuptojnë çfarë duan, ku u dhemb, çfarë dëshirojnë, çfarë ëndërrojnë... Po kështu, me kohë fillojnë dhe zogjtë t`i duan fëmijët, t`u afrohen pa frikë, t`ua bëjnë çastet e lumtura me këngët e tyre të bukura. Kështu, ta zëmë ai shtjellon detaje, ngjarje, çaste, që e mahnitin lexuesin, të cilit i dedikohet shkrimi. Për çfarë ta zëmë bisedojnë zogjtë, apo si e gjen shkrimtari motivin për tregimin, të cilin ai duhet ta shkruajë, në mënyrë që të nesërmen atë tregim ta kenë fëmijët në dorë, ta lexojnë në gazetën e tyre.

 Ja, ta zëmë se si mund të ilustrohet e tërë kjo, duke e bartur këtu vetëm një

 copëz të tregimit të autorit “Shiu dhe çupa me ombrellë“.

“Shkrimtari ishte në hall. Vërtitej... plot shqetësim. I nevojitej një ide! Dita kalonte e ekrani i kompjuterit ishte pa asnjë shkronjë në të! Gjendje e rëndë! Nuk ka gjë më të rëndë kur e di se fëmijët nesër e presin të shohin tregimin e tyre në gazetë, kurse tregimi nuk është askund!” Ose, pjesa e fundit e tregimit ; “Pikat e shiut ishin gjithnjë e më të shpeshta! Dhe, përnjëherë erdhi ajo që e priste shkrimtari, i erdhi ideja të shkruante... Oh, të shkruante tregimin. Për çka? Për shiun dhe të mirat që i sjell ai. Të shkruajë për çamarrokët, të cilëve shiu u ka prishur lojën, të shkruajë... – iu këput mendimi, ngaqë papritur, ja, një çupë iu mbijë para këmbëve. Shkrimtari e shikoi, i mpirë, ndërsa  ajo me zë të ëmbël  e zgjoi:             - Xhaxhi shkrimtar, ja ombrellën time, po iu lag shiu!             Çupa kështu, papritur, e rrëmbeu temën e tregimit...         Të nesërmen, fëmijët në gazetë e lexonin tregimin për vajzën me ombrellë dhe shkrimtarin.”

  Shaip Grabovci – dramaturg, tregimtar, humorist, edhe në këtë libër  i bartë të njëjtat ngjyra, veçse që reflektojnë ndryshe, i bartë të njëjtat buzëqeshje, që shpërndahen pakufi në jetën e punën e fëmijës, i bartë të njëjtit ylber magjikë...  i bartë  edhe në këtë libër përmes lojës e dëshirës së tij, përmes mësimit, të  gjitha figurat, fantazitë, ëndrrat, që i karakterizojnë përgjithësisht shkrimet e tij të afërta për lexuesin e vet të vogël, veçse gjithnjë në ndërthurje të reja, në situata të reja dhe me parafytyrime e imagjinatë krijuese. E, në këtë rrjedhë, në këtë mënyrë, shkrimtari ka shkëputur inserte nga jeta dhe i ka vendosur në libër, kaq të njëmendta, kaq besnike, të afërta e të ngrohta, sa ndonjë herë lexuesi do të ketë përshtypje  se ato që i lexon – në të njëjtën kohë ndodhin me të, në të njëjtën kohë i përjeton vetë. Kështu, ai bëhet bashkë-personazh, bëhet një me heronjtë e librit, me bëmat dhe përjetimet e tyre, që është veti e shkrimtarëve me përvojë të madhe, me njohuri të madhe, e cila gjë domosdo për produkt ka libra të mrekullueshëm, siç është dhe ky i fundit, “Çupa me ombrellë”.



(Vota: 176 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora