Kulturë
Safet Hyseni: Satirë që kafshon duke qeshur
E enjte, 04.07.2013, 08:40 PM
SATIRË QË KAFSHON
DUKE QESHUR
Parathënie e librit me publicistikë letrare: RRUFJANI (Libër për Nesër), që posa doli në dritë, botoi ASDRENI, Shkup 2013.
NGA SAFET HYSENI
Në
kulturën dhe letërsinë shqiptare vepra e Kalosh Çelikut zë një vend të
rëndësishëm si nga cilësia ashtu edhe nga sasia. Deri më tani për veprën e
Kaloshin kanë shkruar shumë kritikë letrar e miq të tij, por asnjëri nuk i ka
prek disa veçori dhe aspekte të veprimtarisë së tij letrare. Askush nuk është
marr me personalitetin e tij, si është ndërtuar, prej nga gjithë ai guxim
intelektual dhe ajo çka është më e madhe, më e rëndësishme dashuria e tij
për bërjen e Atdheut-Mëmëdheut, por kjo e shprehur dhe e thënë krejt
në një formë tjetër. Edhe, lehtas me i ra veprës së tij zbulon të gjitha këto
që u thanë më parë, por çështja është se duhet pranuar se ai në këto aspekte
qëndron shumë lartë, është i panënshtruar, nuk shembet dot por i merr
nëpërkëmbë të gjithë ata që mundohen me folklor të rrasin hundën atje ku nuk
duhet dhe nuk e kanë vendin. E para nga të gjitha, personaliteti i
tij është krijuar (ndërtuar) në dy periudha.
Për të
qenë afërsisht të saktë duhet vepruar ashtu siç kanë vepruar edhe me krijuesit
e tjerë, d.m.th. personaliteti i tij duhet të zbërthehet nëpërmjet veprimtarisë
letrare. Njeriu është pasqyrë e veprës së vetë, dhe ajo mund të thuhet apo
shprehet në njëmijë mënyra, por asaj të shkruarës nuk mund t’i ikësh dot dhe as
ta nënçmosh.
Është me
rëndësi të theksohet se pena e tij e mprehtë, përherë ka sjellë frymë të re, ka
sjellë e ka trajtuar në mënyrë të shumanshme fenomenet e
shoqërisë, të elitave politike (nëse mund të thuhet kështu, ngase
elitë politike është shumë vështirë të takosh tek shqiptarët), të elitave
krijuese me një ndjenjë të hollë e me buzëqeshje ironike, me një
stil satirik, me shumë shaka. Autori sikur ka vendosur që të luftojë hijet e
zeza dhe fenomenet që stërkeqën dhe ngulfasin jetën kulturore, sociale, por më
mirë thënë atë kombëtare, andaj në shënjestër të penës së tij kanë
qenë, dhe vazhdojnë që të jenë krijuesit e oborreve, klanet që merren me
fate njerëzish, thënë më saktë ata që ia kanë zënë frymën artit,
kulturës, progresit, të ardhmes dhe zhvillimit e mirëqenies kombëtare. Është e
natyrshme dhe historikisht e dëshmuar se fletët e veprave të krijuesve oborrtar
kanë jetë të shkurtër dhe bien si gjethet e vjeshtës, apo më mirë thënë ikin
bashkë me thinjat e tyre. Këto kinse vepra, ka raste që zverdhen më herët dhe
atë me ndërrimin e klaneve politike, por pas lënë shëmti që duhet dikush ta
shërojë, e autori ka vendosur që t’i luftojë për së gjalli.
Kaloshi
për dallim nga brezi i ri i letrarëve, është krijues i dy periudhave. Të dy
sistemeve u ka qëndruar stoik. Vertikal. Në kohë të pakohë, apo më
mirë thënë në kohën kur nuk të qeshej e ti detyroheshe të qeshje me zë, apo kur
nuk të qahej e ti nxirrje lot krokodili (apo vajtoje përpara të tjerëve, kjo
bëhej për dëshmi).
Që të mos
bëje as njërën as tjetrën duhej të heshtje apo të fshihesh në dimi të grave,
ndërsa të mos e bëje as njërën as tjetrën dhe të mos fshiheshe në dimi të grave
do duhej të ishe krijues si Kaloshi, të mos përfillje asgjë dhe me lapsin
shaluar të ndaje shapin nga sheqeri, të ecje rrugës sate. Për të dëshmuar se
kush është Kalosh Çeliku, që mbeti vertikal, dhe iu bëri ballë furtunave së
pari duhet studiuar veprën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij. Kur them
veprën, veprimtarinë dhe krijimtarinë dua të sqarohem se të tre këto elemente
tek Kaloshi shkojnë ndaras, nuk janë tërësi, prandaj ai ka ditë të ecë për
tehut të thikës e të mos grithet, e çka është më e rëndësishme të mos lëndoj të
tjerët, për t’iu shkaktuar dhimbje, e në të njëjtën kohë të jetë paralajmërues
dhe hapur tua thotë se kush e fik dritën që dukej rrallë në horizont, apo kush
i bënë hije rritës së kombit, kush ia zë frymën së ardhmes. Kaloshi në jetë
është bohem, këtë e ka zgjedhë vetë, ndërsa me veprën unë kuptoj të gjitha
publikimet e autorit. Veprimtaria e tij është pak më e gjerë se vepra, ajo
përfshin edhe shkëmbimet e mendimeve, takimeve të ndryshme të paregjistruara si
individuale, pjesëmarrjen në shumë manifestime kulturore e letrare si dhe
organizimin e shumë evenimenteve poashtu letrare. Ndërsa krijimtaria e tij
është vepra letrare, ajo që rrezaton dhe i bënë ballë çdo kohe, që e mbijeton
atë. Veprimtaria e tij përfshin edhe personalitetin e tij, karakterin që ka
ndërtuar dhe sa bënë dallim personaliteti dhe karakteri i tij kundrejt
karakterit dhe motivit në veprën e tij letrare. Studimi i veprës së autorit,
patjetër do duhet që të marr për bazë këto tre dimensione për të qenë me afër të saktës. Kaloshi në veprën
e tij letrare për motiv ka zbërthimin e skenarëve që përgatisin klanet e
ndryshme, ai do të herr krijesat e kamufluara me karaktere të dobëta,
shpirtzinjtë, plëngprishësit që për një asht përdredhin bishtin në oborrin e
dushmanit. Duhet thënë kështu se, vepra e autorit krijohet nga personazhet e
tilla reale dhe jo të imagjinuara, ngase herë pas here ata vetë na dalin në
sipërfaqe duke dëshmuar për punën e tyre në shërbim të detyrave ditore.
Kur
personazhin e ke përpara dhe vetëm emrin ia ndërron është guximi i tij
intelektual ndërsa në anën tjetër është origjinaliteti se personazhi është i
gjallë vepron, me të gjitha të mirat dhe të këqijat, ndërtimit të figurës së
tij si mungon asgjë. Ta prekësh këtë fenomen, ta luftosh këtë dukuri duhet të
kesh dashuri të madhe për Atdheun-Mëmëdheun, (se personazhet e Kaloshit janë
dëshmitar të mbrojtur nga çdo sistem, nga çdo klan politik) e këtë (guxim) e ka
autori i shumë veprave. Lapsi i tij, ngjarjeve ditore nuk iu bëri asnjëherë
shërbime, as në periudhën e parë të krijimtarisë së tij në kohën e komunizmit,
por as në atë të dytën që thuhet periudha demokratike, ai nuk vrapoi si
disa të tjerë që me kalbëzimin e sistemit të njëmendësisë zunë
vendet “atdhetare”, sakrifikuan lot e fjalë për të qenë në ballë,
madje ata u uniformuan dhe në veprën e autorit fituan titujt e merituar, që
vetëm ai di t’i pagëzoj për punën e bërë.
Vepra
tregon vetë, andaj ai, me penën e tij i zhveshi nga veshja falso, nga ideologjia e tyre e
ndyrë, duke i marrë si personazhe, duke nxjerrë në shesh qelbësirën e veprave
të tyre, dhe mykun e tyre të ngjitur për
lëkurë të pushtetit. Ai i vendosi në sirtarët e krijesave të pashpirt, aktor të
salloneve, duke lëpirë pjatat si zagarë e bushtra. Krijimtaria e tij letrare
është shumë e hershme, shumëdimensionale, në aspektin e gjinive
letrare ka shtrirje të gjerë, e demonstruar me shumë publikime dhe
tituj të arrirë, me simbolik të zgjedhur nga letërsia popullore, nga kjo
krijimtari e denjë e krijuar nga të parët tanë. Qëllimi im nuk është të analizoj
të gjithë veprimtarinë, as të ndalem në ndonjë nga veprat e tij të shumta,
qoftë ato poetike apo në prozë, por dua të them atë që përherë ma ka shtuar
kureshtjen për njërën apo arsyen tjetër. E para; pena e tij hidhet lirshëm
nëpër sallone, kuvende, kisha e xhamia, shkolla e biblioteka madje ajo ia
tejkalon fuqisë së një pushke, shpesh bëhet top. Për të ecur dhe shënuar e
shkruar në një mënyrë të tillë duhet mbi të gjitha guximi i lart
intelektual, trimëri, dhe kur e ke këtë guxim bëhesh i veçantë. Shpesh
herë në hapësirën tonë ndodhë që të thuhet se çka bëre për Atdheun, dhe po të
ndalesh në veprën e Kaloshit dhe ta analizosh në hollësi ai (Kaloshi) na del më
atdhetar jo vetëm si personalitet, jo vetëm pse për armë pati lapsin, por me
sakrificën që ka bërë në përzgjedhjen për të pastruar oborrin e çdo shtëpie,
odën e çdo kuvendi nga fara e keqe (rezile), kolltukët e çdo institucioni,
lavdëruesit e çdo manifestimi, duke paralajmëruar për hienat që ulen në ballë
të çdo ndodhie, si ata që “kokën e kanë në xhami e bythën te partitë
politike”, është sakrificë e tipit të
veçantë, është guxim, është trimëri.
Kjo është
një veprimtari e veçantë e autorit, por ai e ka shaluar lapsin që
vepra, mundi dhe sakrifica e tij të mos zhduken, të jetojnë, të vlerësohen e
çmohen nga pasardhësit dhe të mbeten në sirtarët e letrave shqipe madje atje në
majë. Kaloshi edhe pse krijoi pa ndalë, pandërprerë, ai kurrë nuk ra preh
e dogmave ditore, e kulteve të rreme, e madhështisë së
kamufluar ideologjike, por çdo herë doli mbi të gjitha duke bërë
luftën me laps e gotën plot. Gota plotë, mikja e lazdruar dhe jeta boheme ishin
hajmalia e tij, për të ecë lirshëm dhe për t’u kuptuar vonshëm. Kjo që them
duket ironike për krijuesin oborrtar, për krijuesin partiak, për atë
që e do Atdheun që t’i flejë në krahë dhe ky në qetësinë dhe sigurinë absolute
të jetojë me plotë lavde që ia thurin “trusakatët”... Kaloshi është mjeshtër i
fjalës së shkruar, por është edhe nxitës për të zënë dritën. Ai përherë na e
zbardhon se, të keqen e kemi në mesin tonë, në oborr, në kuvend, në tryezë, në
dhomë! Vepra e tij po të lexohet me kujdes na e tregon rrugën, por jo me
patetikën dhe këngën për vete që e duan “Rrospitë meshkuj”. E keqja është se të
tjerët duan lavde, dhe ai nuk këndon por ligjëron, dhe nuk më ka rënë rasti që
me disa vargje të zbulojë mjerimin kolektiv të pasardhësve të ilirëve, ashtu
siç e thotë Kaloshi në një poezi nga përmbledhja “Atdheu ky burrë pa Grua”:
DIKUSH NA
KA BËRË MAGJI
Bashkë kur
jemi. Ikim nga njëri - tjetri
E larg. I
turremi marrëzisht me poezi.
O Imzot!
Dikush na ka bërë magji,
Sukulla na
ka futur nën jastëk. Hajmali.
Pare na ka
varë në ballë për Shëngjergj
Nuk ka
Babasheh që na i përze xhindet.
Dikush na
ka bërë magji. Hajmali.
Xhindet të
na flakin majë lisave...
Këto
vargje janë shumë domethënëse dhe kanë shtrirje aq sa është gjeografia e hartës
shqiptare, që nuk na nderojnë por na udhëzojnë të gjejmë rrugën e përbashkët,
na thonë ta duam njëri - tjetrin, të mos ikim nga njëri - tjetri, të mos
shpifim... Këto vargje udhërrëfyese, atdhetare, edhe pse autori prek dhe përdor
letërsinë popullore dhe bënë krahasime shumë të qëlluara me paren në lule të
ballit.
Të rralla
janë veprat që për motiv kanë artistiken dhe në të njëjtën kohë edhe atë
atdhetare (kritike), kjo është arsyeja e dytë që më ka shtuar kureshtjen time
për të thënë diç për veprën dhe autorin e lartpërmendur. Ajo që na sjell autori
në veprat e tija të fundit është e përkryer në formë dhe shprehej, në art ai ka
formuar ligjërim shumë të kapshëm me fjali të shkurtra e plotë kuptim, me
harmoni dhe muzikalitet të lezetshëm, me shprehej autoktone, me një stil shumë
të veçantë e origjinal, duke hedh në tregun e letrave shumë fjalë e togfjalësh
të vjetra shqipe që i përgjigjen momentit e situatës, pastaj guximi intelektual
atij, i jep të drejtën e lojës si tallës dhe hokatar të fenomeneve të
shoqërisë, kjo mbase ia shtonë më së shumti vlerën veprës së tij, e bënë të
afërt me lexuesin, thjeshtë lexuesi bashkudhëton me personazhin, komunikon,
është më shumë se reale, me personazhe të jetës së përditshme. Mënyra se si ai
i palos për dheu kalorësit e rremë, heronjtë që shkrihen nën hijen e vetë, me
formën e veprës artistike, e cila vepër në të njëjtën kohë bart me veti
edhe shpatën kritike duke shpalos të bëmat e “atdhetarëve dhe
krijuesve oborrtar, trimave të rremë, mashtruesve, parazitëve, madje duke hyrë
edhe në kuvendet e rreme të trusakatëve”, ai tani më del një udhërrëfyes i së
ardhmes, ai është një njeri që ka parashikuar se si duket e ardhmja, ai është
një përfytyrues se me personazhet e skenës nuk bëhet Atdheu-Mëmëdheu. Për ta
thënë në një mënyrë si shpata me dy të prera, që lexuesi të komunikoj lirshëm
duhet guxim shumë i madh, dhunti dhe mjeshtri e të shkruarit, veti këto që ai
ka arritë t’i zotërojë. Autori hapur shprehet për çdo fenomen shoqëror. Guximi
i tij intelektual shprehet përmes vargjeve:
Unë nuk e dua këtë Shtet. Ferrparajsë
Që e duan trusakatët. Rrugaçët kuqezi.
Rrospitë Meshkuj. Dhe, Doktor Ziu.
Unë e dua Mëmëdheun! Dhe, Atdheun.
Unë nuk e dua këtë Shtet policor.
Ferrparjsë
Ku ma dhunuan Mëmëdheun. Dhe, Atdheun.
E, shtiret se më do shumë Mua poetin
rebel
Pusi më vë pas ferre. Rrugën mos ta
vazhdoj
Për në Baba Tomor. Vendin e Perëndive
Vera ku pihet. Shkruhet poezi. E bëhet
dashuri.
Unë e dua Mëmëdheun! Dhe, Atdheun...
Këto
vargje tregojnë për madhështinë e poetit dhe personalitetin e tij të ngritur,
për diapazonin e tij. Ai nuk e do shtetin që për njërin është ferr e për
tjetrin parajsë. Ai nuk e do shtetin që e udhëheqin trusakatët dhe rrugaçët,
ashtu siç nuk duhet që ta duan as ata me pare ne ballë, dhe të cilëve u është
dhunuar Mëmëdheu. Kur thotë; “Unë e dua Mëmëdheun! Dhe, Atdheun”
poeti tregohet shumë liberal, shumë demokrat. Vetëm shqiptarët kanë dy emra për
“Atdheun”, ashtu siç thotë Lukiani: “nuk ka asgjë më të ëmbël se
Atdheu”, ndërsa Kaloshi në mënyrë ironike i porosit shqiptarët se nëse keni
marr mëri nënën, duajeni të atin dhe të kundërtën, por na
e bart porosinë e Lukianit se; “çdo gjë që njerëzit e quajnë të
shenjtë dhe të lartë, atyre ua ka mësuar Atdheu, sepse ky i lindë, i rritë dhe
edukon”, andaj ai i fton për të bërë Atdheun, po të duan mundet edhe
Mëmëdheun, por jo shtet “ferrparajsë”, që e duan “trusakatët,
rrugaçët kuqezi dhe Doktor Ziu”. Ai na fton për në Baba Tomor ku është
kryegjyshata botërore, një vlerë që bashkon.
Ai thirr
në dashuri si Petefi “Për dashuri e jap jetën e për atdhe dhe dashurinë”.
Kaloshi ka përgatitje të lartë, është mjeshtër i vargut dhe këtë e sjell në
njëmijë mënyra tek lexuesi, andaj vepra
e tij është largpamëse, udhërrëfyese dhe atdhetare. Pena e tij ka lëvruar gati
në të gjitha gjinitë letrare duke filluar nga letërsia për fëmijë, poezia,
poema, satira, novela, tregimi, drama, romani dhe tani në kohë të fundit ai e
ka shaluar bukur fortë lapsin e tij si publicist. Periudha e parë e
krijimtarisë së Kalosh Çelikut është ajo në regjimin komunist dhe më shumë i
përket letërsisë për fëmijë. Ai në këtë kohë krijoi veprat më të mira “Zogu
erdhi me një këngë”, “Arusha pa bisht”, “Lepuri me pushkë”
etj. Periudha e dytë e veprimtarisë së tij letrare fillon menjëherë pas rënies
së komunizmit si ideologji, por jo që ndryshoi diçka se, atë pushtetin e
grabitën po të njëjtët, vetëm se të kamufluar në demokratë. Në këtë periudhë
Kaloshi është shumë frytdhënës mbase i inspiruar nga morali i ultë i shoqërisë
që shkojnë me personalitetin e tij dhe armët që ai ka përgatitur për t’iu
kundërvënë.
Kjo është
koha kur autori
Po të shihen me kujdes veprat e krijuara që nga viti 1995 nga publikimi i përmbledhjes me poezi “Loja e syve”, “Vjellja e zorrëve” (!996) si dhe romani “Varrimi i sorrave” (1998), Kaloshi paralajmëron një stil të veçantë për të lënë gjurmë në letërsinë shqipe, dhe do na dalë si një krijues i pakënaqur duke sjellë në skenë çdo herë fenomene të shfrenuara, të një shoqërie të korruptuar, të babëzitur për pushtet. Është më se e vërtetë se në këtë periudhë të krijimtarisë së tij klanet politike dhe ato të pseudokrijuesve janë në rritje, dhe kjo ka ndikuar që ai në veprën e tij përherë të marrë shtambat me verë dhe Miken që t’iu bëjë ballë mediokërve letrar, harbutëve politik, atdhetarëve të rrejshëm, por në të njëjtën kohë ata të gjithë së bashku me punën e tyre, Kaloshit në mënyrë të tërthortë i falin veprat më të mira. Duke përdorë në shumë raste edhe letërsinë popullore si një gurrë e pashtershme, ku motivohej për të parodizuar situata e raste, ai jo vetëm që luftoi, zhvilloi luftë të hapur, por padashtas bëri kapërcim triumfal dhe krijoi një stil të veçantë në letërsinë shqipe ku krijoi dhe letrarë të ri që e ndoqën pas. Vepra e autorit përveç fjalës artistike, ironisë dhe satirës, humorit autokton, përmban edhe një fije të hollë polemizuese që nga fillimi e deri në fund. Vepra e tij përherë shton polemikën në mes të grupeve, ndërsa polemika është vlera e një shoqërie për të ecur drejt progresit, këtë ai e bënë me mjeshtri. Personazhet e veprës paraqiten shumë të natyrshme me të gjitha pasionet që i mundojnë, që nga pasionet erotike e gjer të lakmia e babëzitur për para, për pushtet a për lavdi të pamerituar. Satira e tij nuk kursen asgjë, ajo ecë, depërton në çdo derë që harrohet hapur, madje hynë edhe nëpër dritare, atje ku bënë sefa morali i shthurur shoqëror, atje ku shihen njollat e baltës së korrupsionit. Pena e tij e mprehtë ia nxjerrë bojën vesit, korrupsionit, madhështisë së rreme, duke luftuar pamëshirshëm moralin dhe veset e një shoqërie të shthurur. Autori personazhet i nxjerrë fare të vockël mizerabël, të rrëmbyer nga pasionet me të ulëta, me aventura të kushtëzuara dashuriçkash, me intriga e prapaskena. Satira e tij të kafshon duke qeshur, duke bërë sefa në sallone e në tryeza. Thelbi i veprës së Kaloshit është përpjekja për të luftuar dhe demaskuar përpjekjet e mashtruesve, intrigave dhe skenarëve të rrejshëm ndërsa forma është ironia, satira dhe sarkazma që thuren aq bukur dhe me një stil të përkryer komunikues me lexuesin. Kaloshi letërsisë shqipe i ka falë shumë vepra artistike, ndërsa Atdheut-Mëmëdheut të tij i ka treguar se si duhet luftuar atdhetarët-mëmëdhetarët e rrejshëm, kulturës se si duhet të bëhet dhe me se bëhet, por edhe si pihet verë me dy shtamba dhe si bëhet dashuri. Vepra e tij thotë shumë, meriton shumë dhe është një nga veprat më të veçanta, se të veçantë janë krijuesit që për armë kanë elementin e ironisë dhe të satirës...
Kopertina e librit me publicistikë letrare: RRUFJANI.