E shtune, 27.04.2024, 12:35 PM (GMT+1)

Kulturë

Fatmire Duraku: Dëshmi e udhëtimit tronditës

E enjte, 04.07.2013, 08:39 PM


Dëshmi e udhëtimit tronditës

(Dy – tri fjalë për shkrimin e  Nazmi Berisha-Dyzi “20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës”)

Nga Fatmire Duraku

Libri i autorit Nazmi Berisha –Dyzi  “Zhgënjimi dhe ylli i pashuar”  ( dëshmi , 1959 -  1980, lidhur me 20 vjet të kaluara në burgjet e Enver Hoxhës), ngjet në ëndërr të pabesueshme, në  ndodhi të imagjinuar- në makth të rëndë, të inskenuar me ngjyra  të errëta të  rrjedhës së realitetit tmerrues. Ky shkrim – në përgjithësi, është udhëtim tronditës në një kohë, frymë e një shpirti të varruar, gjithherë të gatshëm të flijohet për atdheun e vet të copëtuar dhe të kredhur në ideologjinë më të errët që e ka njohur ndonjëherë njeriu, bota. Ja pse çdo fjalë aty, çdo tingull  është dëshmi, është një dokument historik, është  frymë e gjallë  e shpirtit të papërkulur në udhën e vet të ëndrrës së pashërueshme, në udhën e sakrificës, të qëndresës dhe të rezistencës ndër kaq vjet të rrjedhës së gjakut për atdheun, për kombin...  Ja pse çdo pamje, veprim, insert ngrihet në simbol të dhembjes e të krenarisë, merr  identitet të njeriut të ri-me zemër të madhe, me zemër në dorë,  identitet të të burgosurit, identitet të robit të mbytur në gjakun e vet, në gjakun e atdheut dhe të lirisë së imagjinuar, pa e përfillur kurrë flijim e vet, të shndërruar në qëllim... për të qëndruar, për ta mbajtur fjalën, për ta ruajtur ndërgjegjen. Kjo shenjë e shenjtë e qëllimit për të arritur te vetja, është gjuhë e veçantë e të vërtetës, e historisë së gjallë – udhëtim në një kohë me plot shqetësime, vrasje,varje, me plot varre, është varrë e thellë e njeriut, i cili vdes për ëndrrën e vet, është natë e errët dhe e  pafund e kombit, në të cilën ylli farfuritës shpiket për ta mbajtur gjallë shpirtin, shpresën... për të besuar se ekziston drita, se ka agim, për të besuar se do të agojë!

Kështu, fillim e fund,  ky shkrim vjen e bëhet kaq i gjallë, kaq i prekshëm, kaq një me secilin që do ta lexojë... shkrim – kujtim, dëshmi, histori tronditëse... e shpalosur me zemër në dorë,  siç thotë rrëfimtari, përjetuesi-protagonisti  i fillimit e fundit të ferrit nga i cili ia doli të kthehej prapë, së paku për ta shkruar këtë libër – dëshmi, këtë  udhëtim ndër më të tmerrshmit nëpër të cilin eci -i papërkulur, i zhgënjyer, por me yllin e shpirtit të vet të pashuar. E, e tërë kjo vetëm pse e ndjeu dashurinë për atdheun e vet, vetëm pse e hetoi zjarrin e dheut të vet brenda shpirtit të vet, vetëm pse e shfaqi atë dashuri dhe atë dhembje të gërshetuar në të njëjtën pafundësi të qiellit Alb, vetëm pse gjeti fuqi dhe guxim të ëndërrojë.

Në fund, duhet cekur, siç thotë edhe Xhevahir Lleshi duke e cilësuar këtë shkrim, autori bëri 20 vjet burg në burgjet e Enver Hoxhës, por kurrë nuk e barazoi diktatorin me Shqipërinë. Ja, pse kështu, ky shkrim, kjo histori vetjake dhe kolektive-e flet iluzionin, shpresën, etjen, e flet fatin e shpirtit të vuajtur, të shtypur, por kurrë të dorëzuar, e flet fatin e njeriut plot gatishmëri e vullnet të vdes në çdo kohë dhe rrethanë për lirinë dhe atdheun e vet, për tokën e vet  të copëtuar... Skenat, gjërat, pamjet, dhembjet, ëndrrat etj. nuk janë të panjohura për periudhën në të cilin ndodh ky udhëtim, por megjithatë ato vijnë këtu me dhembje të veçanta, me ngjyra të veçanta, me nuanca të veçanta, me krenarinë e pamposhtur të shpirtit që i përjetoi.



(Vota: 90 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora