| E enjte, 04.07.2013, 08:39 PM |
Dëshmi e udhëtimit tronditës
(Dy – tri fjalë për shkrimin e Nazmi Berisha-Dyzi “20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës”)
Nga Fatmire Duraku
Libri i autorit Nazmi Berisha –Dyzi “Zhgënjimi dhe ylli i pashuar” ( dëshmi ,
1959 - 1980, lidhur me 20 vjet të
kaluara në burgjet e Enver Hoxhës), ngjet në ëndërr të pabesueshme, në ndodhi të imagjinuar- në makth të rëndë, të
inskenuar me ngjyra të errëta të rrjedhës së realitetit tmerrues. Ky shkrim –
në përgjithësi, është udhëtim tronditës në një kohë, frymë e një shpirti të
varruar, gjithherë të gatshëm të flijohet për atdheun e vet të copëtuar dhe të
kredhur në ideologjinë më të errët që e ka njohur ndonjëherë njeriu, bota. Ja pse çdo fjalë aty, çdo tingull është dëshmi, është një dokument historik,
është frymë e gjallë e shpirtit të papërkulur në udhën e vet të
ëndrrës së pashërueshme, në udhën e sakrificës, të qëndresës dhe të rezistencës ndër kaq vjet të rrjedhës së gjakut
për atdheun, për kombin... Ja pse çdo
pamje, veprim, insert ngrihet në simbol të dhembjes e të krenarisë, merr identitet të njeriut të ri-me zemër të madhe,
me zemër në dorë, identitet të të
burgosurit, identitet të robit të mbytur në gjakun e vet, në gjakun e atdheut
dhe të lirisë së imagjinuar, pa e përfillur kurrë flijim e vet, të shndërruar
në qëllim... për të qëndruar, për ta mbajtur fjalën, për ta ruajtur
ndërgjegjen. Kjo shenjë e shenjtë e qëllimit për të arritur te vetja, është
gjuhë e veçantë e të vërtetës, e historisë së gjallë – udhëtim në një kohë me
plot shqetësime, vrasje,varje, me plot varre, është varrë e thellë e njeriut, i
cili vdes për ëndrrën e vet, është natë e errët dhe e pafund e kombit, në të cilën ylli farfuritës
shpiket për ta mbajtur gjallë shpirtin, shpresën... për të besuar se ekziston
drita, se ka agim, për të besuar se do të agojë!
Kështu, fillim e
fund, ky shkrim vjen e bëhet kaq i
gjallë, kaq i prekshëm, kaq një me secilin që do ta lexojë... shkrim – kujtim,
dëshmi, histori tronditëse... e shpalosur me zemër në dorë, siç thotë rrëfimtari,
përjetuesi-protagonisti i fillimit e fundit
të ferrit nga i cili ia doli të kthehej prapë, së paku për ta shkruar këtë
libër – dëshmi, këtë udhëtim ndër më të
tmerrshmit nëpër të cilin eci -i papërkulur, i zhgënjyer, por me yllin e
shpirtit të vet të pashuar. E, e tërë kjo vetëm pse e ndjeu dashurinë për
atdheun e vet, vetëm pse e hetoi zjarrin e dheut të vet brenda shpirtit të vet,
vetëm pse e shfaqi atë dashuri dhe atë dhembje të gërshetuar në të njëjtën
pafundësi të qiellit Alb, vetëm pse gjeti fuqi dhe guxim të ëndërrojë.
Në fund, duhet cekur, siç thotë edhe Xhevahir Lleshi duke e cilësuar këtë shkrim, autori bëri 20 vjet burg në burgjet e Enver Hoxhës, por kurrë nuk e barazoi diktatorin me Shqipërinë. Ja, pse kështu, ky shkrim, kjo histori vetjake dhe kolektive-e flet iluzionin, shpresën, etjen, e flet fatin e shpirtit të vuajtur, të shtypur, por kurrë të dorëzuar, e flet fatin e njeriut plot gatishmëri e vullnet të vdes në çdo kohë dhe rrethanë për lirinë dhe atdheun e vet, për tokën e vet të copëtuar... Skenat, gjërat, pamjet, dhembjet, ëndrrat etj. nuk janë të panjohura për periudhën në të cilin ndodh ky udhëtim, por megjithatë ato vijnë këtu me dhembje të veçanta, me ngjyra të veçanta, me nuanca të veçanta, me krenarinë e pamposhtur të shpirtit që i përjetoi.