Kulturë
Flet këngëtarja e polifonisë Mimoza Kosturi
E premte, 05.07.2013, 06:11 PM
Flet
këngëtarja e polifonisë Mimoza Kosturi: Albumi “Polifonia e Zagorisë” realizimi
i një ëndrre të bukur
Këngët e
vjetra kërcënohen nga rrënimi i vlerave origjinale
Si u gjet
në arkivin e tvsh "Të përcollën nënë e nuse, larg për në kurbet''
Nina Mula
dhe Suzana Frashëri kanë qenë mësueset e mia perfekte
Albumi
“vajzë e valëve” më dha një jetë të dytë
Neço Muka
mbetet legjendë e këngës labe
Interpretuese e kolonave zanore të disa filmave
Nga Albert ZHOLI
Së fundi
ka realizuar me grupin zagorit albumin “Polifonia e Zagorisë” me 25 këngë të vjetra, origjinale por tashmë
me zëra të rinj. Ajo ka mbaruar Institutin e Lartë të Arteve në
vitin 1992 në degën e kantos në klasën e pedagoges Suzana Frashëri. Në vitin
1994 e në vazhdim punon si redaktore e muzikës në redaksinë e muzikës në Radio
Tirana. Pjesëmarrëse në festivalet e romancës shqiptare dhe festivalet e këngës
popullore të përpunuar. Në vitin 2002 realizon recitalin televiziv “Ti që më
rrite që vajzë” me repertor popullor dhe klasik shoqëruar nga orkestra e RTSH.
Në vazhdim të koncerteve të saj recitale në vitin 2006 sjell një përzgjedhje të
romancave shqiptare në shoqërimin e të mirënjohurve Radoja, Piciri dhe Prosi.
Në vitin 2008 vjen koncerti i saj recital “Me dashuri, për dashurinë” me këngë
popullore të përpunuara për vokal dhe trio instrumentale. Karriera e saj
përfshin dhe angazhime jashtë kufijve: në Zvicër 2002, Itali 2003, si soliste e
korit “Pax Dei” në Korsikë më 2004 dhe Marsejë më 2007 në festivalin
ndërkombëtar të polifonisë.
Si jeni ndjerë në realizimin e
albumit "Polifonia e Zagorisë"?
Përgatitja
e albumit "Polifonia e Zagorisë " ishte një nga punët që më dha shumë
kënaqësi, por u realizua jo pa emocion,
pasi kam qenë e motivuar mjaftueshëm qoftë si muzikante, por edhe si
zagorite.
Për të
gjithë ata që duan të dinë si u realizua kjo CD me 25 këngë polifonike të
Zagorisë , si dëshmitare e asaj nate "të shenjtë " them se e tillë do
të mbetet në memorien e të gjithë atyre që ishin pjesëmarrës.
Kë do të veçoje në këtë album për
përkrahje?
Doktor
Dhimo Shitunin (lindur në fshatin Andon Poci) jetoi si mjek në Zagorie dhe për
të gjithë ata që e njohën e dinë sa
zagorit e ndjente ai veten. Në bisedat
me miqtë e tij pas vitit ‘90 , shprehte keqardhje për largimin e Zagoritëve për
në Greqi, ndoshta e parandiente se së shpejti edhe ai do ta merrte atë rrugë...
Në këtë
atmosferë, i prekur shpirtërisht, erdhi në shtëpinë tonë dhe shprehu dëshirën
për t’u mbledhur për të kënduar për kënaqësi , por edhe për të regjistruar një
kasetë (koshient për ta pasur me vete për t'u çmallur me këngët dhe miqtë e
tij).
Kaq i
apasionuar ka qene pas polifonisë sa shpesh mblidhte në shtëpinë e tij miq, me
sebepin për të pirë një gotë raki, por ajo natë kthehej thjesht në
gosti të këngës ... Dhe vërtet ashtu ndodhi. Një mbrëmje i lajmëroi të
gjithë ata që njiheshin në Sheper si solistë të këngës Teftën, Çomen, Tushin,
Landën, Marianthin, Llikon, Valin, vendosi një magnetofon në mes të grupit
vendosur në formë rrethi dhe nuk priti, ja mori vetë këngës "dola more
shokë dola, në një mal pa shkrirë bora" të cilën ja ktheu me po aq pasion
Llikua, më pas s'ishte nevoja për udhëheqës artistik, natyrshëm ku udhëheq
intuita e artistit, të qetë, të sigurt, të mençur, shtruar- vijoi Tefta me
këngën ''në lëmë-o , te arrë e
madhe" ashtu shtruar ëmbël si nënat e
gjyshet tona. Më pas Landa me këngën '' Kur mbushje ujë në gurrë, drulle
moj leshverdha drulle " po aq lirike, plot ëmbëlsi si në të gjitha këngët
e dashurisë, e vazhdon Tushi me këngën "O bilbil e bilbil-o , ç'ka
thëllëza që s'të do" me vokalin e ngrohtë, të plotë, si përfaqësues tipik
i të kënduarit të burrave të Zagorisë për të vazhduar Marianthi e sigurt në
frazën plot dhimbje të këngës "Ç'ka bari qe s'mbin në qafë" për t'u
kthyer tek Valentina si përfaqësuesja e brezit më të ri, ku ndjehet fort
dëshira për të kënduar bukur këngën "O trëndafili në qelqe, pa ngrehu se
sado fjete" deri tek vargjet ''Të gjitha këngët i thamë, të mirën për pas
e lamë" për t'ja lënë vendin këngës së fundit në renditje "Të
përcollën nënë e nuse, larg për në kurbet''.varianti origjinal i kësaj kënge (
i cili u gjet nga arkivistja e tvsh-së Fatbardha Kraja) dhe u bashkëngjit në
album, nisur nga dëshira e gjithë zagoritëve për ta pasur e dëgjuar pas 40 vjetësh, interpretuar nga Tefta Haxhi Duda dhe grupi.
A jeni e kënaqur me këtë album dhe
si ka qenë muzikaliteti i kthyesit?
Për
të gjithë ata që do të dëgjojnë këngët e
këtij albumi do të çmallen me zërin e rrallë, energjik, të palodhur të kthyesit
Thoma Stani, mbështetja me e sigurt në një grup shumëzërësh, për çdo
solist, hedhës sapo iso. Ky përshkrim jam e bindur se do të ndikojë
emocionalisht për mirënjohje të pafund për doktor Dhimon dhe interpretuesve të
këtyre 25 këngëve të bukura zagorite. Ikëm të gjithë atë mbrëmje me një kasetë
me vete...
Dhe çfarë u bë me atë kasetë
dhome?
Unë, që
atë natë druhesha të mbaja iso, se më dukej sikur do ta prishja atë magji. E ruajta kasetën në sirtar për 20 vjet
derisa dëshira e natyrshme për të
dëgjuar e njohur më mirë këngët e vendlindjes sime më bëri ti dëgjoj por, sapo
dëgjoj të parën këngë emocioni më mposhti, zëri i Dhimos dhe kthyesit Thoma Stani të
drithëronin pasi ata nuk ishin me midis nesh ... Pasi mblodha veten ideja ime më tingëlloi si egoizëm, prandaj
vendosa t'i bëj shërbimin e duhur
teknikisht që gjithçka të përfundonte në një CD, si dëshmi e gjallë e
këngëve, kënduar nga bartësit origjinalë të polifonisë zagorite.
Për të
gjithë ata që do të dëgjojnë këto 25 këngë, nëse përqendrohesh, ndjesia që
përjeton të sposton virtualisht në majën e Çajupi, Krerit apo Dhëmbelit dhe si
në film përfytyron gjithë jetën në Zagori, gjithë procesionin jetësor që nga
lindja deri tek vdekja me vargjet e famshme të Çajupit "Që ditën që vdiqe, që kur s'të kam
parë...."
Ç’përbëjnë këto 25 këngë?
Pikërisht,
këto 25 këngë përfaqësojnë një pjesë të asaj pasurie të madhe shpirtërore që
bart kjo krahinë, që vazhdon të ruhet e
të pasurohet me karakteristikat individuale të bartësve brez pas brezi por që
si kudo, kërcënohet nga rrënimi i vlerave origjinale, prandaj mbrojtja duhet
kthyer në mision.
Ç’është për ju kënga polifonike?
Kënga
popullore është përjetësi. Një popull që nuk këndon vdes. Pa mushkëritë e
këngës popullore shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na
dukej ajri më i rrallë. Do të ndjenim vapë pa këtë gurgullimë të përjetshme që
na i bën jetën më të butë dhe më me dritë. Në këtë thesar shkëlqen si një
margaritar kënga labe, kjo kryevepër e kulturës së popullit shqiptar, të cilën UNESCO, kjo seli e mendjes që zbulon
vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të
kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje. Ne kemi të drejtë të krenohemi që
jemi krijuesit e njërës prej mrekullive
të kësaj bote. Fan Noli, një nga mendjet
më brilante të letërsisë shqiptare, në fund të jetës, duke shkruar testamentin
e tij la amanet ta varrosin me një këngë
labe të kënduar nga lebër safi. Sepse e di që ajo të bën të përjetshëm... Në
këngën labe, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat,
duhet të bashkojnë njëherë zemrat, frymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e
vetme e një njeriu. Me këtë këngë janë krijuar disa prej monumenteve më të
ndritur të kulturës sonë shqiptare, duke filluar nga “Legjenda e urës”, ku
muroset një grua e deri tek “Vajza e valëve”
Kush ndikoi në rrugën tuaj drejt
artit?
Ambienti
zagorit, historia e këngës së kurbetit, pasioni i prindërve të mi për këngën i
ndërprerë padrejtësisht dhe veçanërisht ndikimit që pati gjyshja ime Zoicë,
interpretuese e rrallë e folklorit Zagorit, përcaktuan rrugën time drejt artit.
Fakti që studiova për kanto, por prej 18 vitesh punoj në redaksinë e muzikës në
Radio Tirana , interpretimi mbetet çështje pasioni dhe kënaqësie.
Por ju jeni interpretuese e
kolonave zanore të disa filmave. Mund të na përcillni disa?
Krahas koncerteve recitale kam marrë kënaqësi të veçantë nga
bashkëpunimet si interpretuese e kolonave zanore të filmit "SHQIPTARI" me kompozitorin ENDRI SINA, filmi " Një
ditë e mrekullueshme " e regj IBRAHIM MUCA
kompozitor HAXHI DALIPI , dramën " GOMONE" E Mihallaq Luarasit
një vepër skenike, ku kam interpretuar së bashku me aktorët e Teatrit Kombëtar
në 15 shfaqje . Së fundi, me shumë kënaqësi, por dhe me emocion interpretova
kolonën zanore të dokumentarit të Pirro Milkanit për jetën e shkrimtarit Isamil Kadare me kompozitor Aleksandër Lalo.
Por, ajo që nuk mbetet vetëm kënaqësi shpirtërore pasi ka ndikuar padiskutim rritjen e pjekurisë vokale dhe
interpretuese, është të kënduarit çdo të diel në meshën e kishës ortodokse ,
nën drejtimin e Mjeshtrit Milto Vako..
Në gjithë këtë rrugë 20-vjecare,
ku e keni gjetur mbështetjen?
E gjithë
kjo rrugë 20- vjeçare në kërkim të emocioneve të interpretimit më ka pasuruar jo vetëm profesionalisht por
edhe shpirtërisht. Gjatë punës në bashkëpunim me artistë
profesionistë, të cilët mbajnë gjallë
skenën koncertore sot brenda dhe jashtë vendit, kam patur ndihmën dhe
mbështetjen e duhur dhe mbas çdo angazhimi kemi mbetur miq të mirë. Ata janë
disa dhe mua më takon të mbetem gjithmonë mirënjohëse. Koncertet janë pritur shumë mirë nga publiku,
por është për të ardhur keq që gjithë ajo punë
dhe investimi mbetet peng i një koncerti të vetëm. Do doja të shkoja të jepja koncerte në ç'do
qytet të Shqipërisë, por problemi financiar e bën të pamundur këtë dëshirë.