E shtune, 27.04.2024, 08:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Legalizimi i emigrimit - skenar i RSFJ-së për spastrimin etnik të shqiptarëve

E diele, 07.07.2013, 01:15 PM


Nga folklori i së kaluarës sonë :

LEGALIZIMI I RRUGËVE PËR NË KURBET – ISHTE SKENAR I RSFJ-së PËR SPASTRIMIN ETNIK TË SHQIPTARËVE

Shkruan: Demir KRASNIQI

Përpjekjet dhe elaboratet serbo – sllave , për ta realizuar spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre etnike , nuk pushuan kurrë , por as nuk u realizuan kurrë në tërësi !

Ato filluan me shpërnguljet për në Turqi , pastaj vazhduan migrimet fshat – qytet , për të promovuar edhe një elaborat tjetër të shpërnguljeve , por tani në një drejtim tjetër “më modern” – për në vendet evropiane !

Ishte fundi i viteve të 60-ta , kur rinia shqiptare unanimisht ua kishte mësyrë shkollave dhe fakulteteve , për t’u arsimuar dhe për të dalë njëherë e përgjithmonë nga gëzhojat e prapambetjeve shekullore !

Viti 1968, ishte viti i demonstratave studentore gjithandej Kosovës , ku për herë të parë rinia shqiptare i kërkon të drejtat e veta legjitime : Kushtetutën, Republikën, Flamurin Kombëtarë , Universitetin ...etj.

Disa prej këtyre kërkesave , pas shumë gjakderdhjesh e burgosjesh , u realizuan . Pra , u legalizua Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe më 15 Shkurt 1970 , u legalizua edhe Universiteti i Prishtinës .

Regjimi i egër pushtues serbo – jugosllav , duke i parë mirë këto tendenca të shqiptarëve të shkolluar , nuk rrinte duarkryq !

Ata e shfrytëzuan në mënyrë perfide varfërinë, papunësinë dhe kushtet shumë të rënda ekonomike  , për ta “zbutur zemrën ndaj shqiptarëve “, për “t’ iu dalë në ndihmë humanitare” dhe për “të menduar për fatin e ardhmërisë së tyre më të ndritur”, duke ua hapur dyert e punësimit për në vendet evropiane !

Për këtë qëllim, qeveria serbo – jugosllave , kishte lidhur një marrëveshje me disa shtete evropiane , ndër të cilat printe Gjermania , për t’ua dërguar një numër të madh punëtorësh – krahu , të cilët përbëheshin kryesisht nga shqiptarët !

Kjo kategori e punëtorëve , përbëhej kryesisht prej njerëzve të varfër, të papunësuar, të pa shkolluar dhe shumica prej tyre edhe të pa martuar !

Ky vlug i madh për të shkuar në Gjermani e vende të tjera të Evropës, mori hov gjatë fundit të viteve të 60-ta dhe fillimi i viteve të 70-ta .

Me hapjen e kësaj “dere për në Evropë” , rinia dhe popullata e pa punë shqiptare , filloi të ëndërronte ditë e natë , se si ta merrte këtë rrugë të pa kthim ?!

Shtëpitë nisen të zbrazën . Familjet nisen të vetmohen . Malli dhe vetmia sa vinin e shtoheshin .

Pasojat nga kjo shkuarje e rinisë sonë në kurbet , ishin të pa parashikueshme si për ata personalisht, si për familjet e tyre, si për vendlindjen , ashtu edhe për atdheun dhe të ardhmen e tyre !

Dita – ditës , po zbrazej Kosova . Dita-ditës po mbeteshin vetëm prindërit e moshuar dhe të vetmuar nëpër shtëpitë e tyre, pa krahun e punës dhe pa ndihmën e askujt!

Prindërit e vetmuar dhe të moshuar , mbetën që të kujdesën për shtëpitë e tyre, arat, livadhet , bagëtinë , bujqësinë, tregtinë ,kopshtarinë, pemëtarinë,  shkuarjen në mullinj për të siguruar kafshatën e gojës , e çka jo tjetër ?!

Kurbetçinjtë , të cilët i kishin lanë në shtëpi gruan dhe fëmijët e tyre, nën përkujdesjen e prindërve – pleq , filluan të përjetojnë probleme ndër më të ndryshmet , qoftë në shkollimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre , qoftë edhe me problemet martesore!

Kishte shumë të rinj të sapo martuar , të cilët i lenin gruan dhe fëmijët e tyre nën përkujdesjen e prindërve të tyre – pleq, por që ata po sa shkonin nëpër metropolet e Evropës, mashtroheshin pas rrugëve të gabuara dhe i harronin për gjithmonë gratë dhe fëmijët e tyre, të cilëve nuk iu ktheheshin ma kurrë ?!

Nga këto veprime të pa matura dhe lakmitare , lindeshin shumë probleme edhe në mes të familjeve dhe miqve , të cilat jo rrallë herë përfundonin me epilog tragjik !

Në mesin e të rinjve kurbetçinj , të cilët i kishin marrë këto rrugë të gabuara , kishte të atillë që e harronin gjuhën, prindërit dhe atdheun e tyre . Ata filluan të lidhin martesa për interesa të ndryshme me femra të përkatësive tjera etnike dhe të krijonin familje meleze , pa ndonjë përcaktim kombëtarë !

Për shumë të rinj shqiptarë – kurbetçinj , edhe koha e pushimeve verore , kur po ktheheshin nëpër shtëpitë dhe vendlindjet e tyre – rrugëtimet e tyre , jo rrallë, përfundonin me fatalitet e tragjedi të pa përshkueshme !

Ndër shumë fatalitete e tragjedi të llojeve të ndryshme, nuk do të harrohet kurrë tragjedia hekurudhore në Zagreb , më 30 Gusht 1974, kur humben jetën qindra kurbetçinj shqiptarë me gra e fëmijë, mu në ditën kur po ktheheshin nga pushimet nëpër familjet e tyre , për në Gjermani . Pastaj tragjedia fatale në aeroportin e Shkupit, shumë mbytje nëpër dete , lumenj e male të ndryshme, si që ishte tragjedia në lumin Tisa ...etjetj.

Duke i parë këto pasoja , nga ky “kurbet i zi”, të cilat po e godisnin rënd popullatën shqiptare çdo ditë e më shumë , unë si krijues dhe rapsod popullor që po kërkoja odë me odë , nëpër fshatrat dhe krahinat e Kosovës, por edhe jashtë saj , nuk mundja të rrija indiferent ndaj këtyre plagëve të rënda popullore , e të mos ua kushtoj së pakut një këngë këtyre dukurive të dhimbshme shpirtërore !

Ishte viti 1974, kur unë i kisha vetëm 24 pranvera jete dhe një natë vendosa që ashtu siç dijë dhe si mundëm , ta thuri e këndoj një këngë për këtë problematikë!

Ndonëse isha relativisht i ri, kjo  peshë e mallit shpirtëror e dija fare mirë se prej nga e ka burimin dhe qëllimin e vet ! E dija fare mirë se këto pasoja na i kishte sjellë vet regjimi serbo-jugosllav me elaboratet e veta afatgjate për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e veta etnike , në emër të “kujdesit” dhe “humanitetit”!

Ishte ky elaborat e një shteti të huaj – okupator, i një vendi , apo dheu të huaj , i cili kurrë nuk ia deshi të mirën popullit tim shqiptarë !

Andaj, vendosa që këngën e re , ta titulloj :”Dheu i huaj na ka dëmtua”, titull ky që në asnjë mënyrë nuk aludonte tek dherat dhe vendet evropiane, por ishte dheu – shteti serbo-sllavo-komunist , ai i cili e kishte sjellë popullatën shqiptare deri në atë gjendje të mjerueshme !

Për më tepër, po ju lëmë në shoqëri me tekstin integral të kësaj kënge rapsodike , në mënyrë që Ju lexues të nderuar , ta lexoni, ta kuptoni dhe ta analizoni më  në detale , se për çfarë bëhej fjalë në këtë këngë!

Ju uroj çaste të këndshme dhe disponim të mirë !

 

DHEU I HUEJ NA KA DAMTUE

Teksti, muzika dhe interpretimi: Demir Krasniqi

 

Hej, m’ falni shokë nja dy dakik- e ,

Mos t’ ju lamë me u mërzit- e ,

S’ po knoj kangë për me u mahit-e ,

Por do t’ baj nji trohë kritik-e ,

Se qe besa jem habit-e !

 

Hej, s’ po kam qare pa kritikue

Për do djem  që janë largue ,

N’ dhena t’ hueja na kanë shkue ,

Me lypë punë e me punue ,

Tue mos ditë se kanë gabue ,

Parja e huej na i ka mashtrue ,

Dheu i huej na i ka damtue !...

 

Hej, kemi mbetë të vetun krejt-e ,

Si po i bajnë djemtë 17 vjet-e ,

Drejt po shkojnë në hyqymet-e ,

Pasaportën e shtinë n’ xhep-e ,

Lamtumirë , për n’ tjetër shtet-e !

 

Hej, na i kanë lanë n’ shpi ka dy pleq-e ,

Ma t’ vjetër se 60 vjeç – e ,

Pleqtë e shkretë na u coptuen ,

A me dalë n’ arë me punue ,

A thue gjanë me shku’ me i rue ,

A n’ mulli me shku’  me blue ,

A n’ pazar me pazarue ,

Apo shpinë me u ndal me e rue ?!...

 

Hej, shumë i lanë , o, shpijat shkret-e ,

S’ dojnë katund, por dojnë qytet-e ,

Se n’ katund – thojnë – nuk ka jet-e ,

Ma mirë n’ shehër për lezet-e ,

Punë me dorë s’ kemi me prek-e !...

 

Hej, ta dimë vëllazën, se jem’ mashtrue

Dheut t’ huej që i kem lakmue !

I lamë tokat pa punue ,

I lamë shpijat me u shkatrrue ,

I lamë shtallat pa i trellue ,

I lamë bahçet pa i plehnue ,

I lamë pemët pa i shortue ,

Lamë livadhet me u shkretnue ,

I lamë fëmijët , o, pa i shkollue !...

 

Hej, na po bajmë shumë dame tjera

Prej të cilave po del potera ...

Po i martojmë, o, djemtë e ri-e,

Po u bajmë dasma me “Çallgi-e”,

Por ata nuk po rrinë n’ shpi-e ,

Po i lanë nuset me dy-tre fëmij-e ,

Vet po ikin n’ terr të zi- e !...

 

Hej, kur po nisin fëmija me u rrit-e ,

Po dojnë pleqve me ua nxjerrë syt-e ,

Nuk guxon kush me i qortue ,

Nuk ka kush me i edukue ,

Kur të nisen n’ shkollë me shkue ,

Mësuesin , fare s’ donë me e ngue ,

Mësimet , fare s’ donë me i mësue ,

As në shkollë nuk donë me shkue ,

Rrugëve rrinë tuj u hajlazue ,

Kështu po mësohen fëmija keq-e ,

S’ bahet njeri , po bahet dreq- e !

 

Hej, çohet burri e del prej shpijes ,

I lëshon flokët der’  n’ gjysë të shpinës ,

I thotë vetit :”Jam Bitllis”-e ,

Thue se a le e rritë n’ Paris- e !

Harron prind e harron shpi-e,

Harron miq, harron vëllazni-e,

Harron nusen në gjini- e ,

Harron gjuhë, vendin e tij-e !...

 

Hej, harron krejt që asht shqiptar- e ,

Banë punë t’ mbrapshta e s’ punon mbar-e ,

Prej qytetit në qytet – e ,

Prej nji shteti në nji shtet-e ,

As pesë pare s’ i  ka n’ xhep-e !...

 

Hej, thotë i mjeri :”Jam frajer-e “,

Merr hua e blen nji kerr- e ,

Del e i grahë dije e pa dije ,

Herë nën pije, herë pa pije ,

Kur ta merr rrugën në sy- e ,

Për me ardhë n’ vendlindje t’ tij –e ,

Me shitë lavd , me shitë trimni-e ,

Për “standard “, për “pasuni-e”,

Për “kulturë” që e ka mbërri – e...

Kryet përpjetë , nuk sheh me sy-e ,

Po bajnë ndeshje rrugëve tue pi-e ,

E po i lanë zorrë e mushkëri – e ,

Shkelin pleq  e shkelin fëmij- e ,

Kur po ndiejnë prindët e tij- e ,

Po bien n’ dergjë me shumë mërzi-e ,

Tue pague damin e tij – e ,

O, u digjet zemra , o, gjithmonë n’ vetmi-e !

 

P.S.

Edhe në ditët e sotme , politikanët dhe udhëheqësit  kosovarë  , gjatë fjalimeve të tyre promovuese  për fushata elektorale , në vend se të angazhohen për hapjen e fabrikave,  hapjen e vendeve të reja të punës dhe krijimit të kushteve për një jetë më të mirë të  popullatës , ata flasin me plot gojë dhe krenari  për të ashtuquajturin “Liberalizim të vizave”?!

Unë, personalisht nuk i gëzohem aspak “Liberalizimit të vizave për në Evropë” , nga se ia kam drojën se me atë “Liberalizim” , do të shpërthen edhe një valë e re e spastrimit të rinisë shqiptare nga trojet e veta etnike !



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora