E shtune, 27.04.2024, 08:13 AM (GMT+1)

Kulturë

Ilir Muharremi: Komploti Ilir

E diele, 07.07.2013, 07:50 PM


“Komploti Ilir”- vepër e vazhdimësisë heroike

Nga Dr. Ilir Muharremi

Skena e parë: “Lindja”

Nën hijen e një rrote të madhe që dominon në skenë, të ndriçuar me një dritë mistike, Agroni me Astritin e shtyjnë rrotën e qerres së thyer, e cila rrotullohet rreth boshtit të vet të thyer. Ky veprim i gjason shtyrjes së gurit të Sizifit. Mbi rrotën e shtrirë, rreth së cilës sillet rrota tjetër, pas së cilës është Agroni me Astritin, përpëliten “gjarpinjtë”. Mbi ta qëndron Armati.

Vepra fillon me një monolog të thellë të Armatit, ku vërejmë se bota paska lindur nga gjarpri, nga llava e vullkaneve të Hadit. Armati: “Gjarpri. Ilirët. Gjarpërinjtë. Iliria” (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 127). Çka kuptojmë me këtë? Çdo gjë është tinëzake, si gjarpri, krejt bota sillet rreth gjarprit, i cili është mbret i nëntokës. Nëpër grumbujt e dheut gjarpërinjtë përpëliten dhe luftojnë kundër një gjarpri, derisa nuk e vrasin. Pastaj “Gjarpri i ri”, i cili me lojë e “zhvesh lëkurën e gjarprit”, afrohet te rrota dhe ngjitet mbi të, duke i shtrirë duart në shenjë fitoreje. Atëherë nga gjysmëterri, në të cilin luhet skena e gjarpërinjve, nga grumbujt e dheut ngjallen vallëtarët gjarpërinj të rinj, të cilët, duke luajtur në grupe, e flasin tekstin, i cili, edhe pse duket i copëzuar, ka kuptim. Ritmi i të folurit të tyre herë ka tingëllimën e korit, e herë-herë edhe të pëshpërimave. Me këto ndërrime, fjalët, duke u bërë edhe melodi, bëhen më shumë se fjalë. Kjo skenë më shumë i ngjan një skene surreale që në vete përmban metafora simbolike. Ky tekst na kthen në një antikë, si simbole të llojllojshme. Autori vazhdimisht lindjen e paraqet nga gjarpri. Së pari fillon me gjarprin, ilirët, emrin ilir! Fiset ilire, kalatë ilire, gjuhën ilire, veshjet ilire, zbukurimet ilire, varret, mbishkrimet, kulturat etj.

Skena e dytë: “Mali i shenjtë”

Në këtë skenë vëmendja përqendrohet tek Agroni dhe Armati. Agronin autori e paraqet si një personazh të fortë, të qëndrueshëm dhe të patrembur. Ndërsa, Armati paraqitet si një frenues i luftës, i cili pohon se lufta është e tmerrshme - më lehtë fitohet sesa gëzohet. Armati disi befas i shfaqet Agronit si zoti i tij. Agroni: “Kush je ti që më del përpara?”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir” fq 130). Armati vazhdimisht paraqitet si një zot këshillues, i cili tregon se ilirët ishin të lirë, zota të territ dhe të dritës, por dolën nga toka dhe u lindën nga gjarpri. Nëpërmjet monologut të Armatit zbulojmë se ilirët rrallëherë kan menduar për të mirën e tyre. Mirëpo, Agroni vazhdon të shfaqet si një fitimtar i patrembur, i cili kishte fituar betejën në Medion, ku i kishte shfarosur grekët. Armati paraqitet si një personazh nxitës dhe provokativ, i cili vazhdimisht provokon Agronin, madje e quan vrasës, gjë kjo që atij fare nuk i pëlqen. Armati, madje, Agronin e quan mbret fatkeq të ardianëve dhe mbret të atëvrasësve, i cili punën e vet asnjëherë s’e ka çuar deri në fund. Agroni, sipas Armatit, vjen si një personazh i cili i ka shtuar vrasjet dhe vrasjet s’janë fitore, por humbje që më vonë kushtojnë tejet shtrenjtë. Në këtë skenë kemi shpalosje të historisë dhe biografisë së Agronit. Autori më shumë është përqendruar në këtë element. Vazhdimisht Armati paraqitet si zot i Agronit, i cili ka nevojë ta bind atë. Zotësia e tij fshihet thellë dikund në mendjen dhe ndjenjat e tij. Autori nuk ka dashur që zotësinë ta zbulojë menjëherë. Vazhdimisht Armati nxitë Agronin që të gjunjëzohet, por ai refuzon gjunjëzimin, duke thënë: “Agroni: Nuk gjunjëzohem para askujt! Jam mbret i popullit mbret! Agroni i madh!”. (E. Kryeziu “Komploti Ilir” fq 131).

Sipas dialogëve të Agronit dhe Armatit, autori është përpjekur të tregojë se ka zot mbi zot, baba mbi baba. Çdo gjë ka zotësinë e saj, kështu që vazhdon deri në pafundësi. Agroni Armatin e quan shkumë deti dhe kërkon t’ia lirojë rrugën. Nëpërmjet një monologu të cilin e zhvillon Armati, kuptojmë se çdo perandori që ka qenë është shkatërruar, çdo gjë që ishte dikur ka rënë. Armati e kritikon Agronin vazhdimisht, madje e paraqet si një njeri të pavlerë, i cili nuk është i zoti të qeverisë vendin e vet, e lëre më botën. Dihet që çdo qeverisje niset me veten. Armati i thotë Agronit se mallkimi do ta përcjellë deri në vdekje, ngase ai kurrë s’arriti ta forcojë kalanë e tokës së tij. Autori është përpjekur që dialogët t’i krijojë sa më poetikë dhe sa më antikë, në mënyrë që çdo fjali të peshojë rëndë dhe të ketë filozofi në vete.

Skena e tretë: “Mëndesha”

Skena e mëndeshës është tipike antike, duke filluar me monologun e saj, si p.sh. pasha tokë e qiell, pasha hënë e pasha diell. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 135). Ajo në këtë skenë kërkon ndihmë për ta shpëuar Mbretëreshën Teutë, dikur të Bukurën e Dheut, por tash një grua të mjerë. Mëndesha vazhdimisht insiston ta ndihmojnë Teutën, që të shëndrit si dikur. Menjëherë del nga skenë. Me një monolog të shkurtër ajo tregon shumë, sidomos për historinë e Teutës, për qëllimet e saj.

Skena e katërt: “Ëndrra e Agronit”

Teuta furishmë hyn në skenë dhe kapet për shtizë, të cilën mundohet ta shkulë. Në këtë skenë kuptojmë akuzimin ndaj Agronit, të cilin ia përcjellë e dashura e tij, Teuta. Ai asnjëherë nuk e ka dashur Teutën si perëndeshë, por vetëm si grua. Këtu kemi të bëjmë me ndjenjën e thellë të dashurisë, që asgjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë. Në skenë futet befas Armati, akuzuesi kryesor i Agronit. Armati vazhdimisht paraqitet si gjykatës, akuzues, madje edhe si gjyq. Konflikti ndërmjet Agronit dhe Armatit është mjaft kontradiktor dhe absurd. Vazhdimisht Armati injoron dhe gjykon. Kjo skenë ka në vete konflikt filozofik dhe ekzistencial dhe i ngjan një gjyqi të vërtetë hyjnor, ku vazhdimisht Agroni gjykohet.

Vazhdimisht Armati përmend se Agroni më shumë kishte dashur jetën e tij, se namin e popullit. Agroni në këtë skenë paraqitet si një personazh marrëzisht i dashuruar në Teutën, por luftën e do më shumë. Armatiti nuk i hyn në kokë përse Agroni e do luftën. Ai shprehet se luftën e do vetëm për fitore. Edhe filozofi i madh grek, Herakliti, thotë se në luftë bien çmimet - aty dihet kush është fitimtar dhe më i fortë. Çdo betejë që Agroni e ka fituar, Armati ia vlerëson kot. Agroni më shumë paraqitet si një personazh tejet njerëzor që ka ndjenja dhe që di të dojë dikë. Edhe pse ka luftuar shumë, ndjenjat nuk i kanë humbur. Vazhdimisht Armati e paraqet Agronin si një person, i cili lakmi kryesore e ka shtratin dhe shumë gjëra Teutës ia ka thënë në shtrat. Megjithatë, bota nuk është shtrat, por fushëbetejë ku secili mund të vritet. 

Skena e pestë: “Lugina e Tumave”

Edhe në këtë skenë, sikurse në skenat e mëhershme, Armati ilirët i quan bij të gjarprit, zota të territ dhe të dritës, ngase ilirët në beteja fituan, por fitoreve kurrë nuk iu gëzuan. Agronin madje e paraqet si një hero të kotë, i cili ka vrarë grekët, por vazhdimisht përcillet nga hija e gjarprit të vrarë, Kadamit. Agroni nuk iu beson perëndive dhe Armati e nxitë që ai t’i besojë atij.

Skena e gjashtë: “Shortarja dhe Teuta”

Në këtë skenë, Teuta e cila mban një flakadan në dorë, gjunjëzohet në pjesën e përparme të mesit të skenës. Pas saj, me hap ritual, ecën shortarja, e cila njëkohësisht edhe flet, edhe bën lëvizje rrethore mbi kokën e Teutës me flakadanin e saj. Ajo bën ritin e përflakjes.

Kjo skenë më shumë i ngjan lutjeve të shortarës ndaj ilirëve. Ajo kërkon ndihmë nga ilirët. Kësaj lutjeje i bashkohet edhe Teuta, duke thirrur me një zë të vuajtur dhe duke klithur disa fjali të thella, si: “Teuta: Hiri i shenjtë i të djegurve tanë le të m’i dëgjojë trokëllimat e mia”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir” fq 147). Edhe kjo skenë është e mbushur me metafora dhe simbole të ndryshme. I pranishëm është edhe absurdi, sidomos në monologët e Teutës. Teuta në këtë skenë paraqitet si e mallkuar dhe kërkon përgjigje se kush e ka mallkuar.

Skena e shtatë: “Komploti”

Në këtë skenë shfaqen disa ushtrime të dhunshme me shpata ndërmjet Armatit, Agronit dhe Astritit. Armati vazhdimisht përpiqet ta bind Agronin se janë të njëjtë, mirëpo ai e refuzon këtë mendim duke e pushtuar me disa përgjigje të thella. Vazhdimisht dialogu na çon në një kulminacion filozofik- estetik. Ka edhe momente absurdi. Nga ky dialog i shtrirë për mrekulli kuptojmë se çdo gjë ka qenë e ilirëve – që nga deti, deri te pasuritë tokësore dhe të gjitha këto askush nuk guxon t’i shfrytëzojë pa lejen e tyre. Mirëpo, kjo me shekuj nuk ka ndodhur, edhe pse ishte e udhëzuar prej ilirëve. Ky është kuptimi i këtij dialogu.

Ndërkaq, në këtë skenë kemi edhe praninë e Mbretëreshës Teutë, të cilën shërbëtoret e përgatitin për larje. Pas larjes, kjo skenë i ngjan disa momenteve të bukura romantike. Përnjëherë thehet romantika dhe kalon në një dialog kërcënues, të vrazhdë. Këtu kemi mjaft transformime dhe thyerje të arsyeshme, të cilat qëllimisht i ka krijuar autori. Në këtë skenë kemi edhe momente transi, të cilat vijnë nga goja e Teutës. Mëndesha disi e këshillon që të ikë nga Lugina e Tumave dhe nga shortarja. Këtu nuk mungojnë edhe momentet metaforike, si p.sh deti i thithë të gjitha të këqijat, ku simboli i detit paraqitet si pozitiv, i cili me vete i merr të këqijat dhe gënjeshtrat. Teuta ngadalë kalon në momentin e transit dhe ecë ngadalë nëpër skenë, duke e ndjerë shiun, kurse shiu fare nuk ekziston, ngase qielli është tejet i kthjellur. Këtu ngapak personazhi i Teutës komunikon edhe me çmendurinë e saj. Ndërsa, absurdi bëhet më shumë i pranishëm në monologun e Teutës, i cili fillon kështu: “Teuta: Po lëshohet mbi mua si erë deti. O perëndi të erës, të shiut, të detit. Më shpëtoni nga kjo valë e madhe kripe që më mbuloi. Ku është hapi i tij mashkullor? Odat e mia të gjumit, e lypin”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 155). Teuta në këtë skenë tregon paksa jetën e saj në të ardhmen, përpiqet të dalë nga deti në të cilin përpëlitet, mirëpo gjithnjë mëndesha i jep kurajo, duke e shtyrë ta mund frikën dhe mos të jetë e ndrojtur. Në skenë, si në fantazi, futet edhe Agroni, i cili së pari kërkon të përkulet para këmbëve të Teutës, e pastaj para perëndive. Këtë ngjarje vetëm Teuta e sheh dhe ajo në këtë skenë vlerësohet më shumë se perënditë. Ky është një qëllim i autorit - të tregojë lashtësinë, kulturën dhe forcën e saj. Këtu është një moment halucinativ, i cili është përdorur në mënyrë të qëllimshme. Zakonisht njeriu gjërat më të thella që i ruan në veten e tij, i hedh në dritë nëpërmjet dehjes dhe çmendurisë. Tejet bindshëm Teuta komunikon me fantazmën e Agronit, madje Agroni nuk e lëshon. Dashurinë më të zjarrtë që e ka Agroni ndaj Teutës ia shpreh në këtë moment. Skena i ngjan një momenti emocionues të dashurisë. Agroni këtu pakëz kalon edhe në ndjenjën fëmijërore, sepse dashuria e zjarrtë bën që të përkulesh para kujtdo, e harron zotësinë kur e ke pranë njeriun që e do. Mirëpo, Teuta e kërkon nga Agroni vajzën për të cilën ai e ka braktisur, ngase ajo ia ka falur djalin, e Teuta nuk ka mundur. Agroni nuk mund t’i frenojë ndjenjat e tij të thella e të vërteta dhe ia shpreh me një bindje të plotë duke i thënë: “Agroni: Ti ma fale zemrën, trupin, tokën nën këmbë, forcën në duar. Gjinjtë e tu s’kanë qumësht për fëmijë, por flakë për dashuri”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 160). Të dy personazhet autori i paraqet si skllevër ndaj njëri-tjetrit dhe në të vërtetë dashuria të bën skllav dhe të detyron gjithnjë t’i përulesh njeriut që e do, andaj të dytë i përulen njëri-tjetrit. Skena është tejet emocionuese dhe e ndërtuar mirë. Ka kuptim dhe qëllim të thellë.

Skena e tetë: “Hijet”

Në këtë skenë Armati tregon durimin e palodhshëm të mbretërve ilirë. Ai është përjekur të tregojë se me gjakun e bijve të tyre rrënonte qytete, i fundoste anijet armike, ndërsa mbi këta mbretër vdekjet binin vazhdimisht. Vazhdimisht autori është përpjekur të tregojë një realitet që ka ndodhur në lashtësi, duke mos i humbur metaforat dhe fjalitë poetike, të cilat i ngjajnë një antike të vërtetë. Këtu ligji bëhet shumë i rëndësishëm, ngase Agoni dhe Astriti dëshirojnë t’i marrin frytet që iu takojnë, por Armati vazhdimisht pohon vetëm ligjin e perëndive. Këtu autori përdor një lojë të bukur me numra, e kjo vërehet kur Armati thotë se nuk dëshirojnë më të jenë vetëm numra, zero në pakufi, por njësh para zeros, dhe të gjithë brohorisin njëshe! Një dialog kuptimthellë, që jep imazh absurd simbolik. Një lojë interesante, zigzage dialogësh. Agronin e përshkruajnë si një gjarpër, i cili gjithnjë shtiret kinse po fle. Ata dëshirojnë ta vrasin Agronin, një njeri të tyre i cili iu ka dalë paksa nga rruga dhe po i pengon. Kjo është njëra prej arsyeve. Astriti befas fut disa mendime të tij, ku edhe tregon pak a shumë personazhet. “Astriti: Ne jemi më gjarpër se ai. Duhet të jemi më tinëzarë se ai dhe duhet ta vrasim atëherë kur ai nuk e pret. Vetëm atëherë rrugët detare do t’i kemi të lira”. (E. Kryeziu, “Komploti Iilir”, fq 166).

Vrasjen ata përpiqen ta bëjnë tinëzisht, sepse ta vrasësh Agronin nuk është punë e lehtë. Nëse ata do ta kryejnë këtë vrasje, çfarë do të thonë miqtë e Agronit? Ky vendim do të merret vesh dhe kjo nuk iu konvenon vrasësve tinëzarë. Atëherë ngritet Agoni, duke thënë se së pari duhet t’i vrasin miqtë e tij. Mirëpo, Armati gjithnjë punon vetëm me kokën e tij dhe nuk përkrah ndonjë vendim. Tregon se askush nuk mund ta mësojë atë sesi rrëzohet një mbret i madh. Ai na del si një personazh i cili ka rrëzuar mjaft mbretër dhe ka ngritur shumë prej tyre. Për ta rrëzuar dikë duhet edhe ta njohësh mirë, t’ia njohësh instinktet dhe ndjenjat në përgjithësi. Mbretërit më shumë kanë armiq se miq. Kjo është njëra prej dëshmive të kësaj vepre. Në këtë skenë ata vendosin ta vrasin, duke e ngulur shtizën në dhe.

Skena e nëntë: “Faltorja e Thanës”

Kjo skenë fillon me një monolog të Teutës, një monolog tejet i dhimbshëm, ku ajo kërkon vazhdimisht ndihmë nga Thana. Thana këtu na paraqitet si perëndeshë. Këtu na del se kjo perëndeshë e ka mësuar Teutën t’i dojë njerëzit dhe t’u besojë atyre. Sipas disa fjalëve të Teutës del se miqësinë ilirët e kishin të madhe, diçka që nuk kanë pasur dëshirë të shkelë ndokush. Ishte diçka e shenjtë. Thana e ka rritur Teutën, e ka ushqyer me gjirin e saj. Fundin e këtij dialogu e dëgjon Armati, duke e mbajtur pas vetes Thanën si shortare.

Skena e dhjetë: “Armati dhe Thana”

Armati hyn në skenë me shortaren në të veshura të Thanës. Në këtë skenë Armati e udhëzon Thanën që mos t’i pranojë lutjet e Teutës, e nëse ajo i pranon lutjet, është e kërcënuar me vdekje. Kjo skenë më shumë i ngjan një fantazie, e cila arsyetohet me fantazmën e Pleuratit. Pleurati mundohet ta bind Armatin se nuk bën të zihet për të vdekurit. Fantazma këtu na paraqitet si një mbret i ilirëve. Këtë fantazmë autori e ka futur si një personazh, i cili kërkon që të gjitha mallkimet të bien mbi të, e jo mbi të gjallët. Këtu na del se të vdekurit kanë një mall për të gjallët dhe të këqiat që i kërcënojnë të gjallët, ata dëshirojnë t’i marrin. Edhe këtu personazhi i Armatit paraqitet si i pamposhtur, i fuqishëm, tamam perëndi. Mirëpo, vdekjen fantazma e arsyeton si një vullnet të perëndive. Ata vendosin për këtë gjë, e cila edhe në antikë është paraqitur si diçka e zezë. Por jo, vdekja është diçka e mirë. Filozofi gjerman Frierdih Nietzche, në veprën “Kështu foli Zarathustra”, vdekjen e përshkruan si festën më të madhe të njerëzimit. Njerëzit nuk janë mësuar t’i festojnë këto festa të mëdha, andaj qajnë në vdekje, në vend që të festojnë. Botën autori e sheh si një hapësirë, e cila udhëzohet gjithnjë prej ligjeve të perëndive, ligje të cilat ne asnjëherë nuk i kemi shkruar. Çdo e ardhme, sipas autorit, është e shkruar, por filozofi ekzistencialist Jean Pol Sartre këtë gjë e shpjegon në mënyrë shumë reale. Ai thotë se nuk ekziston e ardhme e shkruar. Nëse ajo shkruhet, nuk është e ardhme. E ardhmja nuk guxon të shkruhet. Kjo gjë është paraqitur ne veprën e tij të njohur “Ekzistencializmi është humanizëm”.

Skena e njëmbëdhjetë: “Armati dhe Shortarja”

Në këtë skenë Teuta i afrohet faltores së Thanës duke u lutur, ndërsa Armati ia ka ndërruar pozitën e rrotës, në mënyrë që të fshihet prapa saj dhe të dëgjojë lutjen e Teutës. Në monologun e Teutës vërejmë që shpresat e larta janë fundosur. Ajo më nuk dëshiron të jetojë, çdo gjë e ka humbur, madje edhe anijet i janë fundosur. Armati disi si i kamufluar pyet se çfarë është duke ndodhur në pallat. Shortarja në këtë skenë paraqitet si një person që e do Armatin.

Skena e dymbëdhjetë: “Shortarja dhe Teuta”

Edhe në këtë skenë lutjet e Teutës janë të pashmangshme dhe të prekshme. Po të analizohet thellë, vërejmë se çdo gjë që po fundoset rreth saj dhe kjo shkakton një dhimbje të madhe për të. Zakonisht njerëzit në këtë gjendje kalojnë në një fazë konsumimi, siç e quajnë disa psikologë. Kjo fazë është kur njeriu i humb të gjitha dhe më nuk ka fare dhimbje për asgjë. Por, Teuta ka ende. Sigurisht që në mendjen e saj ekzistojnë disa shpresa, që ajo ende nuk i di, por në pavetëdijën e saj ato jetojnë. Shortarja vazhdimihst e nxitë Teutën që në shtrat të bëhet një kurvë për Agronin, por as kjo si duket nuk i mjafton, ngase ajo dëshiron t’ia pushtojë zemrën, e jo vetëm kënaqësitë seksuale. Edhe pse autori Teutën e paraqet si një të pashpresë, ajo po të analizohet thellë nuk është e tillë. Kjo skenë vazhdimisht i ngjanë një nxitjeje femërore ndaj një burri, një nxitjeje e cila vetëm nëpërmjet seksit mund ta bëjë mashkullin për vete. Ky është shkaku pse autori e ka fokusuar gjithë vëmendjen këtu. Seksi zbut egon, harron çdo gjë, thjesht është një mrekulli në vete, e cila zotërohet vetë.

Skena e trembëdhjetë: “Para vrasjes”

Hyn Agroni. Mëndesha e rregullon shtratin. Shortarja tërhiqet. Në këtë skenë, Agroni futet disi si i hareshëm, sikur të ishte në ndonjë festë dhe kërkon nga shortarja t’i shërbejë verë. Aq është i gëzaur, sa që është në gjendje të pijë një det me verë. Mirëpo, Teuta e kap kupën me verë, duke i thënë se do ta pijnë bashkë. Qëndrueshmëria dhe stabiliteti i këtij personazhi, madje edhe trimëria, janë të pranishme gjatë gjithë veprës. Ky personazh i ngjan pak Skënderbeut. Agroni e kap Teutën dhe e sjell rreth vetes, e kap si një pupël. Sashuria e tij ndaj saj vërehet në sytë dhe butësinë e tij ndaj Teutës. Për mrekulli autori i ka krijuar këta dy personazhë historikë, apo dy legjenda që edhe sot intepretohen nga analistët botërorë. Por, çka dua të them me këtë? Dashuria gjithnjë fiton, edhe nëse është Othello i Shekspirit, apo Tigri, dashuria gjithnjë është zot dhe udhëzon ligjet e veta. Mirëpo, në këtë skenë Agroni kërkon që kjo natë të jetë nata më e gjatë e tij. Këtu ai sikurse parandjen se kjo do të jetë fryma e tij e fundit. Teuta vazhdon ta tërheq Agronin kah shtrati i saj, ia heq parzmoren dhe ia jep shortares. E këshillon ta harrojë luftën, ngase gruaja është pushim për ushtarin. Agroni atë e quan dashnore, luftëtare të shtratit të tij dhe luftën e sheh si shërim nga e keqja. Këtu ky personazh na paraqitet tejet luftarak, sikurse Napoleoni, madje dhe me trim se ai.

Konflikti zigzag fillon kur Teuta i thotë se në luftë njeriu mund të vritet, por Agroni disi bindshmë ia kthen se njeriu mund të vritet edhe në shtrat. Ai parandjen vrasjen e tij, madje kujton se edhe perënditë janë ngritur kundër tij. Vazhdimisht autori na fut thellë në filozofinë e ligjeve dhe perëndive. Teuta i thotë të mbahet për trupin e saj. Kjo skenë është një dashuri e vërtetë. Të dy personazhet janë të dashuruar, sikurse dy fëmijë, që e tërë bota është e tyre. Ata pijnë verë dhe Agroni i dehur përsërit fjalët: “Agroni: Mbretëreshë e shtratit, shtriju këtu. Një det do ta pi me ty. Ty të kam zjarr, më zjarr se vullkani. Dua të më përcëllosh, të më shkrish, hi të më bësh dhe prapë të më ngjallësh”. (E. Kryeziu “Komploti Ilir”, fq 187). Çka kuptojmë me këtë? Në këtë gjendje të dehur, njeriu gjithnjë e thot realitetin, mirëpo filozofia e Agronit na çon në një përjetësi, e cila prap na kthen në breg. Si në breg? Ai dëshiron të shkrihet, të bëhet hi dhe prapë të ringjallet. Ky kalim nëpër kohë na kthen prapë në breg, andaj jeta më e thellë, sipas autorit, na qenka një kthim i përjetshëm.

Skena e katërmbëdhjetë: “Vrasja”

Në këtë skenë futet Armati. Praninë e Armatit e sheh vetëm Teuta dhe Agronit i tingëllon si e çmendur. Andaj, skena ka momente absurdi dhe të çmendurisë, të cilat kalojnë nganjëherë në ekspresiven. Ajo për Armatin kujton se është roje e Agronit. Teuta vazhdimisht kërkon që Agroni ta nxjerr këtë rojë jashtë, ngase nuk kërkon roje të tij në dhomë. Autori qillimisht e fut këtë personazh në skenë, për ta ndërprerë dashurinë e këtyre dy personazheve. Kontrasti gjitnjë është i pranishëm, e mira dhe e keqja na bëhen si dy gladiatorë krijues dhe autori përpiqet t’i bashkojë dhe gjithnjë të krijojë diç të re. Armati i thotë Teutës që mos ta ngacmojë, sepse e ka mahnitur bukuria e saj. Agroni vazhdimisht çuditet me Teutën dhe nuk di me kë po flet. Ai e mban atë për duarsh. Ajo e frikësuar do ta qëllojë. Armati ia mbyll gojën. Skena shndërrohet në një kulminacion gjigant. Tre perosnazhe janë ndërtuar me një kontrast të thellë. Çmenduria fillon kur Armati thotë se s’do ta ngacmojë Agronin se është mahnitur nga bukuria e Teutës. Pastaj Teuta me një zë të lartë i thërret rojet, ndërsa Agroni i dehur thërret me zë: “Agroni: Roje, verë dua, asgjë tjetër”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 191). Hyjnë “rojet”. Mbi Agronin bie rrjeta. “Rojet” e therrin Agronin me shpata. Teuta kërkon ndihmë nga Thana. Agroni vritet i dehur dhe pa iu trembur syri. Si duket vdekjen e priste si një festë të madhe. Armati e këshillon mbretëreshën të mos lutet, sepse asnjeherë nuk ka ditur të lutet, gjithnjë është lutur gabim, madje edhe perënditë janë lodhur nga vajtimet e saj. “Armati: Po nuk u pajtove, do të vdesësh edhe ti si Agroni yt. Zgjidh pra. Do të mbretërosh, apo do të vdesësh?”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 191). Teuta përpiqet të ngrihet dhe t’i kundërvihet Armatit. Ai ia kap dorën me të cilën kishte dashur ta qëllojë. Me forcë e mban atë nën gjunjë. Armati në këtë skenë trishtuese e paralajmëron Teutën ta harrojë Thanën, sepse po të vendoste Thana për fatin e saj, ajo do duhet t’i përgjigjej lutjeve të saj. Ndërkaq, kufomën e Agronit vrasësit e tërheqin për këmishë, duke e nxjerrë jashtë. Një monolog prekës dhe emocionues zbulon krejtësisht personazhin dhe sekretin e Teutës. “Teuta: Jo! Ku je Thanë?.. Kush do të dëshmojë pafajësinë time? Kush? Se mos dashuria ime ishte faj? Se mos unë desha ta rrëzoj nga froni? Zotat deshën kështu. Ju deshët kështu! Çka bëra unë të më dënoni kështu? Çka bëra unë? Çka bëra unë? Çka?... Erdhi të ma fal dashurinë e tij të pafund në këtë shtrat, e jo të vdesë”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 192).

Pas këtij monologu Teuta mbështillet me çarçafin e përgjakur. Autori paraqet një dashuri të shkurtër ndërmjet Teutës dhe Agronit. Një dashuri pothuajse të njëjtë si të hekurit me magnetin. Mashkulli ka nevojë për femrën, sikur ajo për të - të kapen njëri pas tjetrit, por epshi është diç që i lidhë më shumë. Në këto skena ka vetëm dashuri iluzionesh, dashuri psikike. Ajo asnjëherë nuk realizohet fizikisht, edhe pse të dytë ëndërrojnë ta bëjnë këtë. Nuk e di pse autori nuk e ka futur ndonjë skenë dashurie, kur ne ekstrem flitet për dashurinë e të dyve. Sapo fillojnë të shkojnë tek shtrati, Agroni vritet, dashuria e tij në këtë botë nuk shkon deri në fund. Këtë gjë autori e ka futur qëllimisht. Në këtë vepër dominojnë monologët tipikë antikë, që të ngjajnë në Euripidin, Sofokliun dhe Eskilin. Bukuria e fjalës nganjëherë shemb konfliktin. Aq shumë ka metafora, sa që shpeshherë duhet që fjalitë t’i lexosh dy herë, sepse kanë kuptim të thellë metaforik dhe filozofik, si psh. Armati: “O bijtë e Progonit! Çdo gjë rreth teje do të rrënohet, e ti mbretëreshë do të jesh. Gënjeshtra për vdekjen e Agronit ndër shekuj do të jetojë si e vërtetë, e ty për kambanë lirie do të mbajnë, por zëri yt, as muret e pallatit tënd, s’do t’i kalojë. Me këtë kurorë do të trashëgohet mallkimi! Amanet ndër shekuj! Lavdi do t’i thurrin vetes e dielli i tyre vështirë se perëndimin do ta prek. Me Pirron nisi, me Teutën do të përfundojë! Atë që s’e bëri Pirua, do ta bëjë Mbretëresha Teutë. Shteti ilir do ta prek pafundësinë”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 192-93).

Derisa Armati ecën drejt paraskenës rrota nis të rrotullohet dhe pas saj zbulohet Thana. Fundi është tragjik, si në çdo vepër antike, me pesimizëm të thellë domethënës. Përfundon me pyetjen e Teutës se sa do të zgjasë kjo natë, ngase askush nuk e di përgjigjen. Ndërsa Armati, disi i ftohtë, akull, ia kthen: “Armati: Lavdia do të fluturojë me mua ndër kohë dhe pa kohë”. (E. Kryeziu, “Komploti Ilir”, fq 193).



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora