E hene, 05.05.2025, 05:59 AM (GMT+1)

Kulturë

Elida Buçpapaj: Poetët pa parti

E diele, 14.07.2013, 05:29 PM


poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

 

nga elida buçpapaj

 

poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

poetët përshtirosen prej partive

prej kolektiviteve

që nga koha e kolkozeve

dhe kooperativave

 

poetët neveriten

sidomos prej liderëve

sepse janë ata që rrejnë më së shumti

sepse liderët hiqen

si udhëheqësit shpirtërorë

të grigjës popull

dmth popullin

e kthejnë në bagëti

dhe e ushqejnë

në seanca hipnoze

mitingjesh

me tableta

bari artificial

 

poetët janë bijtë e atdheut

e atdheut të plagosur prej partive

e atdheut të mohuar prej partive

 

prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

kështu do të jetë gjithnjë

poetët kanë babë qiellin

nanë tokën

vëlla pyllin

shpirt detin

veshët dhe sytë e gjithë botës i kanë poetët

 

poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

sepse partitë i vranë poetët

 

ua dogjën librat

i dërguan në Gulagë

i përjashtuan nga Atdheu

Atdheun e rrethuan me tela me gjemba

dhe në procesione mejhane

shtrigash e privatizuan Atdheun

dhe poetët i shpallën si armiq

të popullit

 

partitë e të gjitha ngjyrave

i dëbuan poetët nga atdheu

dhe atdheun e populluan

me censorë dhe

kryecensorë të kohës së djallit

të kuq

e populluan edhe

me lehlehësa

ham thotë partia

ham ham thonë lehlehësat

për hir servilizëm partiak

dhe një kocke

privilegj

 

partitë u sollën si inkuizicioni me poetët

partitë me fytyra inkuizitorësh

sepse poetët nuk pranuan kurrë

të duartrokasin liderin

të brohorasin

rroftë lideri-diell

dhe të përsërisin

fjalët e liderit

se gomari fluturon…

 

poetët thonë se

partitë po e kthejnë në gomar sovranin

dhe kjo e vërtetë është për të vënë duart në kokë

e për t’ia dhënë kujës

me oi

dhe e vërteta e shpallur

prej poetëve

i çmendi partitë

i marrosi lehlehësat

sidomos dihet se kë

 

poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

sepse në programin e partisë

thuhet se poetët i prodhon partia

ku sipas partisë poetin

nuk e lind barku i shenjtë i nënës

por barku i bushtrës parti

 

poetët e vërtetë nuk e pranuan kurrë

këtë blasfemi

sepse poetët e vërtetë i lind dhe i rrit Atdheu

 

prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

sepse partitë u ngjajnë tutorëve

andaj poetët thonë se partitë duhet të futen në karantinë

sepse ndyjnë ajrin që thithin fëmijët

sepse ndyjnë ajrin që rinia frymëmerr…

 

prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

 

kështu do të jetë gjithnjë

 

sepse partitë i urrejnë poetët

sepse poetët nuk i binden nënës parti

poetët nuk u qëndrojnë gatitu

urdhërave të nënës parti

për ta privatizuar Atdheun

 

poetët rebelohen

poetët i qëndrojnë

gatitu Atdheut

poetët e pranojnë të parët botën pa kufi

globalizimin e pranojnë të parët

por bota e madhe për poetët

fillon tek Atdheu

 

sepse Atdheu është baba dhe nana e poetëve

e poetët janë njëkohshëm bijtë e atdheut

e janë njëkohshëm bijtë e nënave të tyre

që i mëkuan me qumështin e gjirit

të pastër si drita e Zotit

 

dhe u dhanë bekimin e tyre

bekimi i nënave të poetëve si bekimi i gjithë nënave të botës

tamam si bekimi i Zotit

 

prandaj poetët nuk janë anëtarë të asnjë partie

 

LE T'I HEQIM MASKAT

 

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

ju ftoj le t’i heqim maskat

balloja me maska

mori fund

zgjati aq sa nuk duhej

por më në fund

e dha shpirtin hipokrizia tribale

e militantizmit

të tranzicionit

që shet e ble

njeriun

në tregun e skllevërve të

politikës së shëmtimit

kur për t’i folur një miku

duhet t’i marrësh leje

partisë

 

le t’i heqim maskat

nuk ka gjë më të bukur

kur njeriu

del nga lëkura

e shpërfytyrimit

të racës

 

nuk ka gjë më të bukur

kur njeriu hyn

në lëkurën e tij

sheh me sytë e tij

dëgjon me veshët e tij

flet

me gojën

dhe zërin e tij

si shenja e parë

njerëzore

kur i ikim dhe

i vijmë kësaj jete

 

unë i kam hequr maskat prej kohësh

që kur përmbysëm diktaturën

çdo gjë e kam parë

me sytë e ballit

e kam matur

me durimin njerëzor

 

por tranzicioni shqiptar

hyri në librin e guiness-it

sepse

shpërdori

pritjen e njeriut

për një ditë

më të mirë

 

shqiptarët po vazhdojnë ta presin

demokracinë

si Godonë

prit e prit

e s‘ka të sosur

e pritja i ka metamorfizuar

në Lej Fenë të Ballkanit

në homos tranzicionius

në njeri koti

që pret të të vijë e mira

nga politikanë me

zemra aligatorësh

dhe me inteligjencë

minimalus

 

prandaj shkruaj poezi

dhe i tall sa të dua

emër për emër

mbetur të paemër

emër për emër

që të marrin

nga sytë këmbët

 

le t’i heqim maskat

maskat i mbajnë kameleonët

ata që mbajnë çelësat

e trazicionit

sepse ne kështu u bëmë

pjesë e lojës së tyre

e vorbullës së tyre

si letra bixhozi

në duart e tyre

zgjyrë

 

le t’i heqim maskat

le t’i kthehemi gjuhës së njeriut

le të flasim

për të vërtetën

mbarë e prapë

nuk ka gjë më të bukur

 

sepse e vërteta

e kthen tranzicionin

në rrangalla hekurishtesh

në hekurishte mbeturinash

që vetëm furrnaltat e zjarrta

mund t’i tjetërsonin

t’i kthenin në zanafillë

disa breza larg

prej sodit

 

le t’i heqim maskat

u neveritëm

nga hipokrizia vulgare

u veleritëm

nga vulgariteti militant

sepse na helmuan me

lugën e florinjtë

të shtirjes

 

le t’i heqim maskat

le t’i hedhim tutje maskat

balloja me maska ka mbaruar

seicili prej nesh

ka hyrë në lëkurën e vet

nuk ka nevojë

që të shohë më sytë e egërsuar

të partisë

që të ndjejë me zemrën prej çeliku

të partisë

 

epoka e mirësjelljes

ndaj tranzicionit ka marrë fund

batalionet e militantëve

ngjajnë me ushtarë prej plumbi

lojra fëmijësh

të shekullit që shkoi

 

merrni frymë njerëz

hiqini maskat

flisni pa doreza

policia e tranzicionit

u kthye e gjitha në kartonë

korifejtë e militantëve

u kthyen në origjinë

kur kopjohen

qyqet me zagarë

 

po me ne s’kanë punë

sepse ne i kemi hequr maskat

i kemi hequr syzet

i kemi hequr dorezat

ne kemi hyrë në lëkurën

tonë të njeriut

dhe zbrazim rrufetë

prej zemërimit njerëzor

ndërsa shkretinë e tranzicionit

e kthejmë

në një Bing Bang

të ri

për t’ia rifilluar nga e para

ia vlen

vetëm pa maska

hiqini maskat hidhini maskat

dhe shikoni me sytë tuaj

mendoni me mendjen tuaj

sepse bota pa pikë dyshimi

që do të jetë më e bukur…

 



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx