E hene, 05.05.2025, 03:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Lopa e Lonit

E hene, 15.07.2013, 06:05 PM


Lopa e  Lonit

Tregim

Nga Përparim Hysi

Jam bërë si derr i egër. Derri i egër hidhet në sulm drejtpërdrejt. Në nuk i bën dredha, të çau në mes. Po iu shmange, sa të rrotullohet dhe të marrë veten nga inercia, shkoi e vate sulmi i tij. E,pse t'i vij anës këtij muhabeti.  Sa hasë në një ngjarje a ndodhi, dhe vrap e tek kompjuteri. Drejt e në  ekran të kompjuterit.

Jam bërë pak qibar. S'para përdor laps,stilolaps apo stilograf. Makinat e shkrimit i flaka se modern i biri i botës.  Kështu më ndodhi dhe sot. Kisha shkuar të shihja një mik tek "Komuna e  Parisit", kur , tek bëhesha të thërrisja në celular mikun, befas një i moshuar, më i shkurtër se çdo burrë i zakonshëm, dha ballë para meje me buzën vesh më vesh. - E shoh, foli,se nuk po më njeh. Epo,elbete,se po bëhen afër-afër 15-vjet që nuk jemi parë. Veç shapkës në kokë,  kish një palë gjyslykë të zinj dhe ca nga këta dhe ca nga koha e gjatë pa parë, zëri ende nuk ma qartësoi fytyrën. -Po jam Loni. Loni Bishani, o  Papi! I zënë në befasi, (as që e mendoja se jetonte këtu)

bëra sikur u gëzova që po e takoja tani, pas 15-vjetësh. Unë kam patur dhe kam një dashuri të veçantë për të gjithë shokët e shoqet me të cilët kam punuar. I takoj me shumë mall dhe ndodh që dhe me ishkoleget ( të moshuara si dhe unë) të puthem ngrohtësisht si shënjë ngrohtësie të një shoqërie të pastër.  Me Lonin ndodhi pak ndryshe. Sado që ky u lëshua sikur t'i qe djegur barku për mua, gjatë gjithë kësaj kohe që nuk ishim parë, unë loza si në një ballo me maska: kam një infeksion në lëkurë dhe nuk  po gjej derman,- i thashë. E pyeta për politesë për familjen

( për të thënë të vërtetën gruan e ka zonjë të vërtetë) dhe, kur më ftoi për kafe, u justifikova për vizitën enkas. Loni është nga  ata tipa që, kur e kanë të sigurt që nuk do bëjnë dalje, ngulmojnë edhe ca më shumë. Duke ia njohur huqet, i them: - Të gjeti si një xhaxhai i nënës sime. Ai, kur sigurohej që miku do ikte, mënd ia thërriste kujes:- Bobo,ç'na bëre!!! Oh,- tha Loni,- ti Papi nuk i le shakatë, sado që po vjen nga Amerika. Huqi del me shpirtin, Loni! Dhe u ndamë. S'më erdhi mirë që e takova. Dhe ja pse...

*    *   *

Me Lonin kam punuar rreth 25-vjet. Nuk janë pak për ta njohur njëri-tjetrin. Fillimisht, kishte një dashuri të madhe për mua. Më vinte në shtëpi dhe i shkoja. Ndërsa unë rroja në një pallat, Loni banonte në  fshat. Kishte shtëpinë e tij. Goxha shtëpi me dopiotullë dhe rreth e qark dhe një bahçe të cilën, të thuash të drejtën, e punonte dhe ia bënte  të gjitha shërbimet. Sa herë që piqeshin fiqtë e lashtë në qershor apo kakitë aty nga vjeshta e vonë, Loni trastat plot dhe frymën tek shtëpia ime. Epo kjo "lloj dashurie" s'është se ndodhte fshehurazi, por faqe të tjerëve dhe ata nuk e linin pa shpuar me bodec:

- Ore Loni,- i tha Qaniu  në sytë të tërë kolektivit,- po çfarë ka Papi të veçantë që nuk ia ndanë ato trastat.

-Aha,- thoshte Loni,- vezën e  Papit nuk e bëni dot ju.

Natyrisht, unë këndellesha tek më lavdëronte Loni (epo më donte siç e doja,de !) dhe as nuk ua kisha as për pesë atyre batutave qeshë  e ngjeshë të shokëve. Po i  madhi dhe i pavdekshmi, Sami Frashëri, në korpusin e proverbave të tij, ka dhe një të tillë që i shkon kësaj dashurisë që kish Loni për mua. Thotë Sami Frashëri: " Dashuria e dëndur, del e fëndur !". Kështu qe dhe kjo.

Unë në këto raporte me të qeshë si puna e bullarit: i kisha të zënë sytë dhe aq. Njerëzore. Kolegë.Shokë. Miq. Pesë vjet me radhë vazhdonin trastat e Lonit për "mikun që bënte vezën e kuqe". Pas pesë vjetësh, ndodhi apokalipsi. Erdh qershori dhe asnjë trastë nuk u pa të hynte në shtëpinë time. Po punë e madhe ! Sikur ne e kishim shkuarjen si mardhënie interesi. Loni i doli para së  "keqes": nuk zunë fiqtë e mi këtë radhë. - Ore, Loni,- po pse or burazer,vret mëndjen. Po punë e madhe. Ne të kemi njëri-tjetrin,pa të tjerat shkojnë e vinë. E,kështu, thashë unë,po të lë Qaniu. -Papi,e gjeta Lonin që po i çonte Miços një trastë plot. Se do i mësoj djalit të Lonit fizarmonikën. Epo mirë ka bërë!- e mbylla unë. Dolën dhe vjeshtët me radhë: dhe"kakitë e Lonit" këtë sene nuk kishin bërë. Trastat e Papit (prapë Qaniu) po i ha Miço Fizarmonicisti. - T'i bëjnë

mirë!- i vura kapak unë. Dhe as fiqtë nuk bën më dhe  kakitë u "thanë".

*   *   *

Thonë që vjen një ditë dhe bullari i hap sytë. Ç'qe kjo "shkretëtirë" që ra mbi baçen e Lonit?! Dhe më së fundi e gjeta: gruaja e Lonit vazhdonte filialin. Për 5-vjet që vazhdoi filialin unë u bëra rrodhe pas miqëve të mi që jepnin leksione atje. Pesë për pesë. Sa mori diplomën, Antigona e Lonit, "allishverishi i dashurisë së Lonit për mua",qe përfekt. Mandej,siç lexuat më sipër. Nuk kish gjë më fyese se sa kaq. Por njeriu nuk shitet për kaq. Mora vesh që tek krasiste një nga pemët, Loni ra dhe kish thyer dorën. Vajta ta shihja. Qeshë me gjithë Qaninë. Bëmë ato urimet e zakonshme dhe,kur bëmë të ngriheshim, në dhomë hyri e ëma e Lonit. E uruam dhe atë dhe unë (pse kot e bëja vezën të kuqe?), tek dëgjoja ankimet e saj për pleqërinë  e drobitur të saj, i them:

-Nëno, mos u qaj. Se ke tre djem dhe , mbi të gjitha, ke Lonin që nuk të lë në të keq. Ajo:- E njeh Lonin tim ti? Këtij dhe morri po i ra për tokë, kthehet dhe e merr: - Është morri im,- thotë. Qaniu nuk e mbajti të qeshurit, kurse unë shkova dhe ia putha ato duar të rreshkura. U shërua Loni dhe, sa hyri në personel (ne qemë gati mbi 30 veta), pasi prita që ta uronin Lonin, nuk ndënja pa komunikuar seç kish thënë e ëma për të. E thashë se më dukej që, po ta  fshihja, do vuaja nga një makth. Ta dinin se kush ishte. E, megjithatë, karakteri i njeriut është si gunga e gungaçit .

*    *   *

Loni u  zgjodh kryetar i bashkimeve profesionale. Për to  thuhej që qenë shkolla të komunizmit. Kurse Loni  thoshte: -Jam zëri  i partisë unë. Epo thoshte. Kush pyeste për të. Qenë si kot fare.

Mirëpo ja që vjen dhe ora e  të ligut. Stefanit (ndjesë të ketë atje ku prehet) iu vardisën keqas. Donin ta qëronin nga  arsimi vetëm e vetëm se, si i sëmurë që qe dhe me raport nga komisoni mediko-legal, kërkonte transferim nga shkolla jonë. Qe bërë si "pajë" para derës së seksionit dhe ata i ngritën një kurth: porositën një gazetar të "Bashkimit" dhe i bëri një fejton. Fejtoni e kish titullin "Tifozi". Në vija të trasha, i ndjeri Stefan, përdorka fjalë fyese në stadium dhe"qenka ipamoralshëm" për të qenë mëuses!!! Nuk kish gjë më alarmante se kaq. Të gjitha fjalët"fyese" në stadium nuk i bënte Stefani, po unë që isha i apasionuar pas "Apolonisë". Po nuk kishin punë me mua, po me Stefanin e zi. U revoltuam si kolektiv dhe, për të mbështetur kolegun tonë, bëmë tri letra: një për redaksinë e "Bashkimit" ( kërkonim që gazetari të vinte të kërkonte ndjesë!), një seskionit dhe një ca më shumë: komitetit të partisë së rrethit. Letrat i shkrova unë dhe i firmosën që të gjithë anëtarët e kolektivit. Bujë e madhe. Brriti shpura nga rrethi. Ç'është ky"grupazh antiparti" dhe kush e ka shkruar letrën. Përfaqësuesi i  Komitetit të partisë,i komitetit ekzekutiv, i seksionit dhe mbledhje  rrufe. Së pari, takim me drejtorin e shkollës. Drejtori ( u bëfsh 100-vjeç o i ndershmi, Kozma Blido !), ua preu: - Ja çelsat e zyrës. Unë nuk hyj aty se kolektivi do më akuzoj se do i pres në besë. Jam me kolektivin dhe me çfarë është shkruar në letër. Dhe nuk hyri. S'hyri drejtori, po hyri Loni (kot nuk qe syri e veshi i partisë?!). Duket ua numëroj një për një dhe për mua që" bëja vezë të kuqe". Filloi mbledhja (pasi qe rrëfyer Loni,de), por ata,të ardhurit, nuke bënë veten. Urtë e butë e plot tiganin.

-Kini bërë një letër! Kini shqetësuar partinë e pushtetin. Jemi të interesuar se kush është autori i letrës. Frrap, nga fundi, u ngrit një grua trimëreshë, Elsa  Papuçiu. Ajo e dinte mirë që unë qeshë me "qere" në biografi dhe mori zjarrin mbi vete. Elsa qe nga një familje dëshmorësh dhe burri i saj qe kryeigjinier i Azotikut. Unë e kam shkruar letrën,- ngulmoi ajo. "Shpura" po skërmitej. Loni po futej si doku në ujë: po si mos dali emri i Papit,atij që bënte "vezën të kuqe?!"".

U ngrita unë. Priste "shpura". E kam shkruar unë. Pse si mendoni që  30 e ca veta do kapnin penën sikur të qe hosten dhe të shkruanim këtë letër. Rëndësi ka e vërteta në letër dhe a është firmosur nga të tërë. Dhanë e morën dhe nuk dolën dot në kut. I njderi Stefan shpëtoi dhe u transferua në një shkollë tjetër. Loni si Loni. Tetë në qesetë. Se jam i profeionales unë e tërrti-mërti. Fitoi përbuzjen e të gjithëve.

*    *    *

Epo erdhi radha që t'i themi të gjitha. Për shtëpi të tij, Loni qe i zoti. Nuk e linte shtëpinë  në të keq. Edhe kur njerëzia, sidomos në fshat, jetonte në zgrip, Loni si i gjallë që qe,e bënte ferk. Sado që shtëpinë e kishte ngjitur me  qytetin, mbante në haurin e shtëpisë një lopë. Siguronte qumësht për vete dhe shiste. Natën si firar sulej andej nga parcelat e fermës dhe sguronte haje për lopën. Qe pajtuar tek  Loni dhe  blinte qumësht dhe drejtori i shkollës. Çmimi si në shtet,por shpëtonte nga ato radhët aq të mudnimshme për një shishe qumësht. Drejtori,njeri i aftë dhe i përgatitur, e quant drejtorllëkun si një samar që nuk e mbante dot mbi kurriz. Iu bë ferrë atyre të seksionit që ta hiqnin. Dhanë e dhanë dhe një ditë e hoqën. E kujtoj mirë atë ditë. Ka qenë e shtunë (punohej dhe të shtunave në atë kohë). Pra,e zëvëndsuan me një tjetër po nga kolektivi.

Të dielën në mëngjes i hipa biçikletës dhe në Fier (banoja në fshat tri-katër km larg Fierit). Kur mu aty ku fillon rruga e dekovilit (në të hyrë të Fierit kur vjen nga Lushnja), ballë për balë me drejtorin (tani ish drejtor). Zbrita nga biçikleta,u takuam dhe e pyes: -Ku po shkon me këto dy shishe qumështi bosh?

-Tek Loni se do marrë qumësht. Ti e di që jam i pajtuar atje.

-Ore, i them, ke qenë pajtuar. Po ti nuk  je më drejtor dhe,po të dha Loni qumësht sot, unë po të pres këtu dhe do të jap një drekë në turizëm.

-Ore, Papi, pse kaq poshtë të ketë rënë Loni?

-Shko,- i thashë,- por ato që ka thënë ndjesë pastë e ëma, nuk e luan topi.

Shkoi dhe unë u ndala për ta pritur. As dhjetë minuta nuk ishte larg. Po kthehej.Qe nxirë si ditë me shi dhe nuk e donte veten...

-E ka tharë qumështin lopa...

Ishdrejtori shfrynte: - Po kaq nuk mbajti vlag,xhanëm ?!!!

Për Lonin ka dhe të tjera, por edhe kaq them mjafton. Dhëntë  Zoti që mos kini patur të tillë e sa për mua, unë jam me turqit që thonë: " Njeriu është dhe shejtan,dhe melaqe. Siç të bën të mirën,ashtu të bën dhe të keqen ". Loni është një "prerje" pak e veçantë apo kështu më duket mua.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx