E hene, 05.05.2025, 03:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Vladimir Muça: Ese në vend të një dialogu

E hene, 15.07.2013, 07:36 PM


Një ese në vend të një dialogu

(Refleksione  nga  libri “ …edhe kuajt bëjnë dashuri”  të Vasil Premçit )

Nga Vladimir Muça

Në një bisedë  mes miqsh, ku si gjithmonë ekspresiv reagoi dhe Vasil Premçi , mbi ardhmërinë dhe perspektivat e prozës tregimtare “ si mbretëreshë e prozës” sipas Vasil Premçit , unë bëra një paralele gjykimore ndërmjet thënieve dëshpëruese të tij dhe George Steinerit  me “ Lamtumirën e muzave’’ :

“ Nuk mund të gjëndet as edhe një hop i vetëm në historinë e artit dhe të letërsisë , ku ushtruesit  dhe kritikët e këtyre arteve të mos kenë pikasur shenja të rënies , shpërbërjes dhe farën e vulgaritetit… Çdo epokë është përpjekur të mbajë vesh lamtumirën e muzave.” ( Revista Aleph Nr 15 , Tiranë 2004)

Por sapo mbaron së lexuari librin “ …edhe kuajt bëjnë dashuri” , jo që konceptet e shprehura verbalisht nga Premçi mbi tregimin shqiptar e largimin e muzave, m’u përmbysën , por krijova një parafytërim të ri, të një lirizmi paksa të egër në natyrën e autorit, po aq të mbarsur me nocione të kapërcimeve moderne pindarike të situatave dhe fenomeneve, po aq dhe dostojevskiane me një vullkan llave ambicjeje në narracion.

Në mendje na fiksohen toposë letrarë të cilët kanë lënë ujemet e tyre në mendjen dhe shpirtin e autorit, ndaj dhe çdo gjë na ravijëzohet si  një antropologji letrare e re , por me themeli të forta, diku, thellë në muzat e klasiçizmit rus. E interpretuar sipas Umberto Ekos: “ Se një  karakteristikë e së ashtuquajturës postmoderne është të jap vepra që tërheqin një publik të gjërë, megjithëse kanë referime të ngritura dhe zgjidhje stilistike të “ lëvruara” ose ( në raste më të mbara,U. E.) nëse dimë të shkrijmë bashkë përbërësit në mënyrë jo tradicionale” ( U.Eko “ Për letërsinë”  Dituria, Tiranë, 2007 )

E kundërt me atë çka biseduam në mënyrë të hapur , në përfytërimet e mia estetikore, Premçi m’u gjend  i  rreshtuar si  një “ ushtar”  i disiplinuar në radhët e kapitenit eseistik me kundërshtitë mendimore të Wallas Stevens –it , i cili përkundrejt koncepteve të Stajnerit , proklamon e gjykon me forcë, me elementët iracionalë,  rilindjen e muzave në formatura e konceptologji ndoshta dhe të re.

Pa bërë analizën e koncepteve të Stevensit , por me një letrarizim në dukje modest , të koncepteve mbi muzat , Vasil Premçi , duke marrë proçese të veçanta iracionale , na i sjell në mendjet e personazheve dhe lexuesit , si racionale  të dëshirueshme  , si pjesë e pandarë e jetësimit , sepse sipas Stevensit : “ Iracionalja ka të njejtën  mardhënie me racionalen ,ashtu si  panjohura me të njohurën.”

Veçori themelore e tregimtarisë e përfitimi i një racionaliteti nga një iracionale është qëmtimi që i bën autori detajeve , imtësirave të  “ parëndësishme “  jetësore, fenomeneve shoqërore  e përfitimi prej tyre i rolit katalizator në proçesin tregimtar.

Duke evidentuar rolin e detajeve , valencat e imtësirave, onomanenë popullore të përditshmërisë si dhe lidhjet integrale dhe rolin  protonik në rritjen e  valencave artistike në një vepër , Umberto Eko i përbashkon në një të përbashkët  “Mballomat artistike” fonosimbolike, duke i dhënë konceptualitetin e Luixhi Paraisonit, ; “ Si një armë të dukshme “  “ për të treguar  një mballomë estetike .”

Në vlerësimin e rolit e rritjen e besueshmërisë të tregimtarisë, ndikimin që ajo luan në tërësinë narrative Eko i referohet  sërishmi Paraisonit , duke rrëmitur në “ Estetikën “ e tij, ai evidenton :“

Paraisoni  po na thotë se mballoma ( detajet , imtësirat, sentencë, fenomat popullore, V.M.) është një arificë që lejon një pjesë të lidhet me tjetrën, është bashkues qenësor” ( U. Eko  “ për letërsinë” Dituria, Tiranë 2007). Siç duket këto konceptualitete të Paraisonit  dhe të Umberto Ekos   janë zhvilluar si praktikë letrare në qëmtimin  narrativ , në vëllimin me tregime “ …edhe kuajt bëjnë dashuri” .

Sikundër në tregimin “ Hingëllima e kalit Plak”  dhe në shumë të tjera, përdorimi gjërësisht i sentencave, aforizmave dhe i  fenomave popullore , ja ka rrit ndjeshëm vlerat artistike narracionit,  ka krijuar një lidhje permanent e  ndërmjet filozofisë tregimtare dhe subkoshiencës së lexuesit , duke i “ trupëzuar”  në një , si një pjesë e  qenësisë jetësore. Si në këtë tregim dhe tek tregimi “ Laku i dashurisë”  lexuesi ngarkohet me doza të thekura  emocioni, jeton në një fiksion nga sharmi tregimtar e pathosi poetik, i cili e përshkon si  një fasho drite strukturën e detajuar gjer në intimitete. Kjo plotësohet nga paralelizmat figurative të tipit andriçian, ku panaromika shpirtërore vishet mirë e bukur me panaromikën natyrore. Ku : “ Tek kundroj drurët e zhytur në një heshtje të paqtë iu bë sikur kishte përpara ca balerinë kërcimtarë që mezi presin  veshëngritur tingullin.”

Duke  e trajtuar mballomën artistike si një element esencial , si një domosdoshmëri në tregimin “ Profecia”  ku gjyshja me librin antikuar që : “ Përballë meje- thotë autori – qëndronte koha që nuk flinte” në atë libër të Gooetës së Madh. Apo lypsi  me inspektorin tek tregimi “ Përrallë moderne” me një kontrapunt shoqëror në tregimin “ Shpërblimi i një gruaje të bukur”  , ku futja e pasazheve , sentencave të Zhan Zhak Rusoit dhe e proklamatit të futuristit Tomas Marineti, janë nëntekste modeste në tërë linjën  narrative , në zhvillimin e intriges  tregimtare të profesor Duran dhe zonjës Klara.

Këto “ mballoma “ artistike, si artifica jetësore, në tërë linjën tregimtare përbëjnë dhe  veçoritë narrative, i japin tonalitetin  dhe shprehitë e një moderniteti i cili ndjehet në kovalishencë në këtë natyralizim me habitatin shqiptar.

Habitati shpirtëror shqiptar, ambjentet shoqërore  ku u rrit dhe u formua autori , janë elementë që kanë suportuar këtë risi. Ata vinë si element  të patjetërsueshëm të ideve që e kanë stërmunduar , ndaj ai përqaset si një tregimtar në lirizëm pak sa i egër me temperament shpërthyes, njëkohësisht ndjenjësor, me një botë të pasur mendimi ku hera herës dhe rakinë , nuk e pi me  gotë qelqi por me kaush speci   djegës si dikur Dritëroi i madh .

Këto veçori tregimtare , elementët që i suportojnë , vinë natyrshëm  si  element plotësues të ideve madhore e jo thjeshtë si përbërës shumatorë. Ky është dhe mekanizmi fundamental që kërkon sharmi tregimtar.

***

I nderuar Vasil!

Tani kur po të shkruaj këtë ese në vend të një debati , të jesh i bindur se edhe unë , nën dritësirën e këtyre “ amendamenteve” të korifejve  të estetikës, ashtu sikundër ju në këtë libër , bëj katarsis ndaj bindjeve estetike që na diktoi soc – realizmi, por  njëkohësisht  , miqësisht ju këshilloj:

“ Përkushtimet  tregimtare për ndodhitë e ngjarjet nga më aproksimativet e jetës, zhargonet e saj, mund të jenë më përgjithësuese. Tipikja është rezultante e njëmijë e një tipeve. Me këtë  kam parasysh Maksim Gorkin i cili na mëson : “ Të marrësh një bakall dhe  ta hedhësh në letër  ke bërë një fotografi , por të marrësh cilësi, virtute nga pesëdhjetë bakallë e t’i transplantosh në një këpucar, ke bërë vepër arti.” ( Alfred Uçi “ , Estetika, jeta, arti” f 182.) “

Tregimet e këtij vëllimi janë një mbështetje e  letrarizuar e koncepteve të Wallas – it mbi rilindjen e muzave, me një fytyrë të re , me nocione të një moderniteti të ri, në bashkëudhëtim me dukuritë e reja të ciberias kohore, aq shumë e domosdoshme në reçesionin e sotëm narrativ.

Në veçantitë e saj  kjo narrativologji, përbën në vetvete nënshtresat  ideore  e qëllimore më shumë se  një emocion telegrafik  të një libri të zakonshëm. Tregimet të mbajnë në fiksion e të fusin në labirinthet e qenësisë njerëzore.

Duke vazhduar me veçantitë e saj kjo kriptologji tregimtare përmbledh copëra nga i njejti trupëzim i produktit krijues , i mendjes të rrahur nga trokashka bredharake e ushtarakut, por që gëlltiten ëmbëlsisht , pa sforco nga lexuesi i një kategorie dhe pak i arsimuar sepse ai në to gjen fonema të jetës së tij, gjen hera herës dhe vetveten të strukur diku mes reshtave.

Në një sentencë Flobert na mëson : “ Se letërsia është organizim i detajeve”. Për autorin e këtyre prozave , marrë nga kalendari i jetës  , detajet mbartin kuptime e  ide të mirfillta.Çlirimi i prozaizmit nga ngërçet letrareske , ndërlidhjet detajore e subjektiviste, gërshetimi i tyre , krijon një botë sa ekzistenciale aq dhe reale, duke dhënë çdo gjë që është fshehur diku në absurdin e plagëve të kohës. Me një stil të tillë, paradoksi i kohës dhe i plagëve të saj, bëhet gati  gati një kategori konceptuale, me plot levizshmëri , shpërthime ambicjesh  llave plotë e tkurrje ndjenjësore nga tregimi në tregim .

Tek tregimi “ Magdalena” dhe tek tregimi “ Shiu që lag të gjallë e të vdekur” ndjehet një ngrohtësi intimiteti, i cili rrjedh nga një lakonizëm prozaik mbarsur me një lirizëm të këndshëm. Shkallmimi i pancirit të një autoçensure, ndjenjësore, mendimore, ku gjithçka merrte forma  apokrife. Njeriu nga ky shi që lag të gjallë e të vdekur kthehet në një qenie polifeme. Në kontravers, me një psiko-analizë të dy personaliteteve  brenda një karakteri , vjen bindshëm në tregimin “ Kur erëmonin  petalet e karafilave”, një tregim i bukur, etalon i ndjesive shpirtërore, që të mbush me emocion,  me sharmin tregimtar, sa origjinal aq dhe ekzistencialist.

Në tregime të tilla përdorimi i kumteve pagane të shpirtrave në varrosjen e gruas të fshatarit ku shpirtërat -  zogj flatrojnë syve e mendjeve të lexuesit.

“ Ka një pjellori të shpresës – vërejti dikur Kafka – por asnjera nuk është për ne  ( ngulmon Steiner, V. M. ), - cituar nga “ Lamtumira e muzave”e George Steiner  Aleph Nr 15. –

Siç duket me tregimin “ Profecia” , Vasil Premçi rreshtohet në një llogore me Wallas Stevens –i n  në replikën pllenuese të muzave. Tregimi është një shembull tipik  i  një tregimi , ku mplekset iracionaliteti me racionalitetin , ku filozofikimi i narracionit ruan jo vetëm njëtrajtshmërinë dhe rrjedhshmërinë narrative. Në këtë pllenim muzash mbisundon një linearitet jetësor, mendimi e veprimi . Ajo çka del në evidencë :  është ajo çka i intereson lexuesit  si  një proces i veçantë i mendimit racional të përjetuar si iracionalitet i dëshirueshëm.

Iracionalja dhe racionalja , në interpretimin filozofik të jetës , në këtë tregim shihen jo në papajtueshmëri , por ata plotësojnë e unifikohen tek njera tjetra. Në saj të ringjalljes së muzave, në konceptin Lakan të letrarizimit filozofik , autori me anë të personazhit    të gjyshes  kur : “ Përballë meje qëndronte vetë koha që nuk flinte” , zgjon në mendjen e tij , të gjyshes dhe të lexuesit  thagmën e ruajtjes brez pas brezi të trashëgimnisë kulturore,  zgjimin e muzave.

Një konceptim i tillë në kërkimin e muzave, zgjojnë tek lexuesi imazhinizmin konkret   , mohim të mohimeve në pafundësi . Çdo gjë vjen në një natyrë racionale disi kursimtare duke shmangur proliksitetin . Njëherazi , autori stigmatizon me këtë stilistikë “ eksapansionin  shkronjor që ka përfshi  si një epidemi “ shkrimtarë “ të të gjitha llojeve si një “ liri “ e të shprehurit në pluralizmin krijues. “

Siç duket Vasili ka marrë nga Dr. Moikom Zeqo , i cili në një epistolare  të tij nënvizon : “ Jeta përballet nga një koleksion i gjallë dhe i lëvizshëm me të vërtetat  relative.”

Evidentimi i këtyre të vërtetave , instikti i zbulimit të enigmave të tyre , çlirimi nga humbja e kujtesave njerëzore siç duket është trilli tregimtar i kthyer në stil nga autori.

Në konceptin estetik ky libër përbën një antropologji  të kundërtash  njerëzore , ku njeriu i kërcënuar nga kalbëzimi i shpirtit cinik, i klonuar , ambicioz, kthehet në një vetvrasës  të shumëfishtë . Në substanceën e produktit tregimtar , më e dukshme në tregimet : “ Shiu që lag të gjallë e të vdekur” , “ Lamtumirë babuin “ , “ Laku i dashurisë “ , “ Dashuri” , “ Hetuesi “ , proklamohet se njeriu është e duhet  të jetë vetvetja. Duke krijuar me syrin e gjuhës së zemrës , të fshehtat e botës së brendëshme  të personazheve  janë si në infinite horizontesh. Trajtimi  i mikrokozmosit shoqëror, detajet tregimtare lëvizin  si neutronet duke interferuar me qenësitë trupore në gjithë produktin narrativ.

Gjithçka vjen natyrshëm , në statika zhvëllimore, me rimodelime realitetesh në hapësirë e në kohë., me frymën e një inteligjence të re tregimtare, kursimtare në narracion . Kjo ka ardhë në saj të përdorimit me efikasitet  të “ mballomave  artistike” e të një koncepti  të ri fjalë – formues , ku metasimbolika  qëndron si zonjë në onomanistikën nënkuptimore.

Duke copëzuar hera herës linearitetin e fjalisë, autori na jep konvencialitetin e mendimit dhe të idesë, pa kaluar në abstraksionin e zakonshëm  gjoja modern. Ritmet foljore të fjalëve e të fjalisë janë të çpenguara , të lira nga morfologjizmi klasik. Hera herë të shprehurit vjen në harmoni me muzikalitetin  tregimtar “ sipas vendit bëhet kuvendi” , tradicionit të personazhit dhe erudicionit të autorit.

Një  tregimtari e  tillë lojcake e jetës e cila të ndjek përditë, krijon arabeska mendimi , të cilat sillen si elektrone  në bërthamën e produktit letrar me cilësinë e një rrotori gjenerues.

Parë në kaleidoskopin e një psiko- analize në tregimet e vëllimit “ …edhe kuajt bëjnë dashuri” , ndjehet përpjekja e përgjegjësia koshiente  për psikologjinë bashkëkohore , duke u ndalur në ato motive që janë frenuese ose rrotorë të shoqërisë. Në to pasqyrohet qartazi mish – mashi shoqëror , suporti ekonomik  i  llumit të shoqërisë , në nivele të ndryshme shoqërore. Kjo  e bën këtë përmbledhje edhe një prozaizëm social të sheqerosur vende – vende si  te tregimet  “ Përrallë moderne”, “ Shpërblimi i një gruaje të bukur “ , “ Hetuesi “ pa teprime të notave groteske e njëkohësisht me paradokse të tejskajshëm.  Nga tregimi  në tregim autori vendos një  “ PSE “  e cila në mënyrë permanente zhvillohet në mendjet e lexuesve. Kjo  “ PSE “ spasiane , që merr fuqinë protone    në narracion e çon lexuesin në një  dualitet  të realiteteve që përjetojnë  dhe realitetit që ëndërrojnë.

Siç duket , Vasil Premçi qëndron mbi materialin e përzgjedhur , i përkulur si  një alkimist , duke veçuar elementët e mistershëm dhe absurd. Ai e kalon në një karantinë të plotë, atë që është delikatja, shoqërore , nga  e rëndomta , duke evidentuar të keqen shoqërore. Etalone tregimtare në këtë vëllim veçoj tregimet “ Profecia”,   “ Përrallë moderne” , “ Laku i dashurisë “  ku krahas dialogut e monologut domethënës në aspektin ideor , këto mbartin  struktura rrëfimore të thjeshta , por me një dëndësi ngarkesash filozofike.  Prania e një dramaciteti  psikologjik  e mban lexuesin  në fiksion permanent.

Ndosht ky është çelësi i artë i këtyre tregimeve të thjeshta. Ndaj në stilistikën ndërtimore , në reflektimin  artistik  në to ndjehet  flladi klasik gogolian e çehovian  në interpretimin tregimtar. Kjo ndjehet  më shumë tek tregimi “ Pylli oshëtin” , një tregim sa aktual, origjinal, me një kinematikë narrative të jetës së sotme.  Në këtë kinematikë librare “ Hijet e errëta të pemëve hidheshin si egërsira të frikësuara nga një rrezik i fshehtë. Pylli ziente brenda tij një  oshëtimë të thellë pakënaqësie “

e mbyll autori librin, si me dasht me paralajmëruar një hakmarrje  të botës së gjelbër ekologjike.

Këto tregime të kursyera , jashtë çdo shfaqjeje proliksiteti  e kanë kapërcyer me sukses pragun  e të qenit një qëllim më vete për autorin. Ata tashmë mund të quhen  pronë e të gjithë shtresave.

***

I dashur Vasil!

Koha  në të cilën po  jetojmë është koha e vlimit të imazhinizmit , e zgjimit të muzave sipas Wallas Stevens – it , e jo zhdukja e tyre sipas George Steinerit , e bisedën tënde më 6 korrik 2013.

Ky libër e kundërshton  konceptin tënd mbi ardhmërinë e tregimit.

Për imazhinizmin, Bodler  na mëson : “ Gjithë universi i dukshëm  nuk është gjë tjetër veçse magazinë imazhesh e shenjash, të cilave imagjinata do t’u japë vend e vlerë relative; kjo është dhe kullota të cilën imagjinata duhet t’a kullosë ( ta hajë) dhe t’a transformojë.”

Unë mendoj se kjo është dhe kullota jote tregimtare ku imazhinizmi yt, iracionaliteti i dëshiruar kthehet në një realitet përjetues, ku me shqisën e shpirtit çdo krijues , sidomos dhe ju, kullotni me thjeshtësinë tregimtare. Reshtimi në radhët e Wallas Stevens – it  ju jep shansin për një kërkim të mëtejshëm  të folesë së muzave , rritjen cilësore të të shkruarit me një stilistikë të veçantë të përveçme, me “ mballoma artistike” por pa klishera të huazuara.

Dyrrah , korrik  2013

E- mail : vladimir_muça@yahoo.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx