Kulturë
Halit Bogaj: Sinan Gashi - ''Përjetësi artistike''
E marte, 16.07.2013, 09:05 PM
SINAN
GASHI ‘’PËRJETËSI ARTISTIKE’’’’, kushtuar Bekim Fehmiut
Nga Halit Bogaj
Sinan
Gashi, krahas punës së tij të palodhshme në lëmin e letërsisë (ku arriti t’i
botonte 25 vepra letrare), këtë vit na e dhuroi edhe një libër biografik
kushtuar aktorit tonë të madh Bekim Fehmiu. Në librin e Sinan Gashit për Bekim
Fehmiun, dalin në shesh edhe mendime të shumta të njerëzve të artit dhe
letërsisë në mesin e të cilëve është edhe aktori me origjinë serbe Rade
Sherbexhia i cili duke mos mundur ta duronte regjimin e satrapit Millosheviq,
kishte ikur në perëndim, duke krijuar atje një karrierë mahnitëse. Nga respekti
që kishte për Bekim Fehmiun, Rade Sherbexhia e quante legjendë, mit, model dhe
vëlla, duke thënë se Bekimi nuk e bëri as gjysmën e asaj që mund ta bënte.
Megjithatë bëri më shumë se gjithkush tjetër nga këto hapësira. Përkatësisht
kur mendonte se nuk bëri aq sa mund të bënte, Sherbexhia e ka fjalën në kohën
kur Bekim Fehmiu në mënyrë demonstrative e kishte ndërprerë punën në teatrin
jugosllav, duke mos mundur t’i duronte të gjitha torturat që bëheshin mbi
popullin e tij të pambrojtur.
Edhe pas
disa vlerësimeve të tjera të cilat i bënë për aktorin tone të shquar,
Sherbexhia e përfundon se Bekimi ishte krah për krah me kolosët më të mëdhenj
të kinematografisë botërore. Pra dhembja ishte e madhe edhe për një aktor serb
që nuk mund ta duronte çmendinë totalitare të një udhëheqësi siç ishte
Millosheviqi. Për Bekim Fehmiun shprehet dhe regjisori i madh Piro Millkani i
cili na tregon se ëndrra më e madhe e Bekimit ishte ta interpretonte
Skenderbeun, duke e shprehur dëshirën e tij gjatë një vizite private që e
kishte bërë në Shqipëri në vitin 1972. Madje madje kjo ishte edhe ëndërra
kryesore e jetës së tij, por nga Shqipëria e asaj kohe asnjëherë nuk kishte
marrë ndonjë afirmin zyrtar. Brus Uilliams thot: ‘’Bekim Fehmiu ishte një nga
personalitetet më sfidante të shekullit njëzet që kishin të bënin me çështje të
gjuhës dhe të identitetit kulturor. Duke qenë tmerrësisht krenar për rrënjët e
tij shqiptare, ai nuk kishte dëshiruar kurrë ta ndërronte mbiemrin, as atëherë
kur e aktroi njërin ndër rolet kryesore në filmin ‘’Aventurierët’’.’’ Ndërsa
Faruk Begolli e kujton me dashuri dhe respect të madh duke thënë se për një
aktor siç ishte Bekim Fehmiu nuk ka nevoj as të flitet.
Milenko
Jergoviq thotë se Bekim Fehmiu për më shumë se një dekadë, në shenjë proteste,
larg syrit të publikut … dukej se hijshëm ishte plakur, duke na e përkujtuar
vetveten si njëri ndër simbolet më të adhuruara në opinionin tonë. Bekimi
kishte vendosur së pari në shenjë proteste për aktet e Serbisë ndaj shqiptarve,
por edhe për shumë arsye të tjera që nuk do të aktronte më, përfundon Milenko
Jergoviq.
Balsha
Bërkoviq: Bekimi herën e parë ‘’vdiq’’ para më shumë se 20 vitesh në kohën e
historisë anti-shqiptare, të cilën e bënte Beogradi. Aktori i madh u tërhoq nga
publiku. Dhe pikërisht nga ajo ditë kur u mor Autonomia e Kosovës, Bekim Fehmiu
nuk luajti më në filmin jugosllav.
Marko
Kostiq:’’ Madje edhe filmat më të varfër italo-amerikanë, në të cilët ka
luajtur, i takojnë ikonografisë që mahnitë regjisorët post-modernë. Ata janë
filma me buxhet të ulët, të pa suksesshëm në kohën e tyre, por të cilët
njëkohësisht paraqesin pasuri të grupuar të historisë së filmit. Me fjalë të
tjera, aty ku ai ka luajtur, ai gjithmonë nuk e ka treguar talentin e tij, as
nuk e konfirmonte suksesin e tij, por e mbante statusin e tij të kultit.’’
Pra, sa
ishte gjallë, por edhe pas vdekjes, u bë objekt trajtimi i edhe i disa poetëve
tanë të afirmuar dhe i atyre që i bënin hapat e parë të poezisë.
E pashë
Bekimin të bisedonte (me perënditë Ilire), i cili e arsyeton edhe vdekjen e tij
tragjike, kur e kishte zgjedhur vetëvrasjen, thotë Ali Podrimja. Ai thotë se
edhe guximi është një hap në jetë (shpërblehet me përjetësi ).
Madhështine
e aktorit e sheh dhe e trajton edhe Musa Ramadani, i cili ishte mik i madh i
aktorit. Humbja e Bekimit ishte dy here më e madhe për poetin nga se e kishte
njohur për së afërmi i cili e quan ‘’maratonist i pafrenuar hapësirash’’, kurse
Çun Lajqi na e përkujton se ‘’të nemur mbetën të gjithë ata që s’të deshën,
flakë në Romë, shqiptar në
Poeti
patriot Sabit Rrustemi sjell vargje të fuqishme duke iu drejtuar aktorit me
fjalët : nuk të njohëm sa të patëm, nuk
të deshëm kurrë si sot. Kurse Musa Jupolli e quan i madhi ikonë e
kinematografisë etj.. Janë të bukura dhe të prekshme edhe vargjet e Valentina
Saraçinit, kurse Faruk Tasholli shprehet: Itaka ime të jetë muji i mesdheut ku
prehet dhe bën dritë, shpirti i drobitur i Odiseut. Janë mbresëlënëse edhe
vargjet e Nebil Bunjakut: shkëlqimi i plisit në Amerikë, për dikë jetë, për
dikë thikë. Pallat zemre ngrite në Kanë, Holivudin kopsht shtëpie, si Zeusi
majë Olimpi, ligjerove art magjie.
Gjatë
viteve të suksesit të tij opinioni jugosllav, në një anë krenohej me Bekim
Fehmiun kurse në anën tjetër e urrenin që e theksonte me aq ngulm origjinën e
vet shqiptare të cilën e deshi aq shumë, ashtu si edhe Aleksandër Moisiu në
kohën e tij.
Janë
kuptimthella edhe vargjet e Sidorela-Doli Kryeziut: kudo që shkove, në zemër
dhe në shpirt, shqiptar qëndrove. Duke shkuar kah përfundimi i librit, është e
pamundur që të mos na sfidojnë edhe vargjet e Nezir Prokshit: gjithë jetën të
lagu shiu, vetëtimat t’i ngrohën damarët, rrebeshet dhe erërat akull, të
ndiqnin, dhe kurrë nuk veshe pelerinë, shtatë dekada bëre udhë.
Dhe në fund duhet theksuar se ky libër kushtuar Bekim Fehmiut është një e arritur tjetër kushtuar jetës dhe veprës së aktorit tonë të shquar, vdekja e të cilit vërtet na befasoi të gjithëve.