E hene, 05.05.2025, 12:30 AM (GMT+1)

Kulturë

Ali Jasiqi: Anton Nikë Berisha - ''Bimorja''

E merkure, 17.07.2013, 08:09 PM


DRAMA E ZHVARRIMIT NË SHTJELLIM POETIK TË NGRITUR

Anton Nikë Berisha “Bimorja”. Botimi i dytë i përpunuar. Botoi “Faik Konica”, Prishtinë 2012.

Nga Ali D. Jasiqi

Jeta, veçmas veprimtaria politike, atdhetare, kulturore dhe fetare e figurave të shquara kombëtare, në të shumtën e rasteve, ka shërbyer si frymëzim për krijues të ndryshëm, shkrimtarë, muzikantë, piktorë ose skulptorë. Për ta janë shkrua poezi, tregime, drama e romane, pastaj janë këndua këngë ose janë realizuar punime të arteve vizuale, ku pasqyrohen aspekte të veprave dhe të bëmave të veçantive të jetës së tyre. Një numër i krijuesve që janë marrë me këtë lloj krijimi e kanë përshkrua jetën e personit të caktuar, duke u nisur nga jeta për të dhëne kështu një biografi letrare. Të tjerët pikënisje në vështrimin e lëndës së veprave të tyre kanë marrë ndonjë detaj nga jeta e protagonistit për të përftuar poezi, tregim, dramë apo edhe roman.

I kësaj natyrë është edhe romani i Anton Nikë Berishës “Bimorja”, që i kushtohet Ipeshkvit, Pjetër Bogdanit.

Berisha nisët nga një detaj i jetës së Bogdanit: zhvarrosja e kufomës së ipeshkvit nga ushtarët e Perandorisë Otomane. Përfaqësuesit e Portës së Lartë vendosin që Për të mirën e Perandorisë, kufoma e arqipeshkvit, Pjetër Bogdanit, të nxirret nga dheu e t’u qitet qenve… te Sheshi i tregut!

Po theksoj se botimi i parë i këtij romani qe bërë në vitin 1993 nga Shtëpia botuese “Rilindja”.

Botimi i dytë është i përpunuar, për të mos thënë, i shkruar rishtas, sepse shumë gjëra ndryshojnë nga botimi i parë. Në këtë variant autori i ka kushtuar rëndësi të veçantë gjuhës dhe shtjellimit shprehës poetik, që janë sa të veçantë po aq të pasur ; autori ka përdorur figura poetike të zgjedhura dhe gjithësi të qëlluara, gjë që e bën romanin pothuajse vepër të re.

Duke e trajtuar temën, përkatësisht zhvarrosjen e kufomës së Pjetër Bogdanit, Berisha e ka pasqyrua mjeshtërisht edhe veprimtarinë e tij prej patrioti, duke i bëre të ditur lexuesit përpjekjet e këtij prelati të lartë për të mirën e popullit shqiptar, pavarësisht nga përkatësia fetare. Autoritetet otomane kishin të dhëna për vdekjen e Ipeshkvit, të marra nga Spitali i Prishtinës, por nuk e dinin vendin se ku ishte varrosur. Pra, sapo ta mësonin këtë gjë, do të ndërmarrin aktin e tmerrshëm: zhvarrosjen e trupit të Bogdanit dhe hedhjen qeneve të uritur. Mirëpo, ky veprim nuk mund të bëhej aq lehtë siç kishin paramenduar pushtetarët, nga se në varrezat e qytetit s’kishte ndonjë shenjë (pos dy shkronjave mbi varrë P. B) që do të provonin me saktësi varrin e tij. Pra, zbulimi i varrit të Bogdanit u del, siç thuhet, “arrë e fortë”, prandaj Koprylu Fayi Ahmet Pasha i drejtohet vetë Sulltanit për ndihmë se si duhet të vepronte më tej.

Ndërkohë, nëpunësit otomanë do t’i shfletojë dosjet e Vilajetit të Perzerendit (kështu e quan Prizrenin autori i veprës) për të mësuar më shumë të dhëna për veprimtarinë e Pjetër Bogdanit, sidomos për bëmat e tij patriotike e fetare. Për t’ia arritur qëllimit sa më mirë dhe sa më shpejt, përfaqësuesit e Portës së Lartë ndërmorën aksione të ndryshme në vetë qytetin e Prishtinës për të zbuluar vendin ku ishte varrosur. Kështu, përgjuesve dhe njerëzve që mblidhnin të dhëna të ndryshme, u ngarkuan detyra të caktuara. Kështu, Lekë Marini u dërgua në Prezerend, në Kishën e Ngjitjes së Shën Mërisë në Qiell, ku do të gjurmonte dhe zbulonte të dhënat e nevojshme. Ai tregohet mjaft dinak në biseda me eprorët e kësaj kishe, duke u paraqitur se ishte njeri i kishës dhe besimtar i devotshëm. Mirëpo, zbulohet se kishte ardhur të mësonte se ku ishte varrosur Ipeshkvi. Pas këtij zbulimi, prifti, don Drenekurt, i thotë “I qofsh falë kishës dhe punës që bëj, përndryshe do ta kisha hequr kokën si pulës në cung! “.

Natyrisht, përfaqësuesit e pushtetit otoman i vazhdojnë përpjekjet në forma të ndryshme dhe me njerëz të tjerë për të përmbushur qëllimin e tyre. Atë, që nuk u shkoi për dorë shumë të tjerëve, e arriti fallxhesha, përkatësisht shortarja Ruivë, duke e “tërhequr në kokrra” siç thuhet, Drinoren e Tushit të familjes Gjinaj. Me dredhitë e saj Ruiva e mashtron gruan dhe mëson se trupi i ipeshkvit, Pjetër Bogdani, është varrosur në varrezat e qytetit të Prishtinës dhe se në kryqin e varrit tij janë shënuar të dy germat e para të emrit dhe të mbiemrit të ipeshkvit. Dhe e entuziazmuar ajo i bën të ditur Pashait, i cili menjëherë zë dhe e përgatit planin e zhvarrosjes së trupit të Bogdanit. Dhe që të arrihet efekti edhe më i madh, ai urdhëron që qentë që do ta copëtonin kufomën e Bogdanit të lihen shumë kohë pa ngrenë në mënyrë që të uritur t’i vërsuleshin asaj sa më egërsisht, gjë që edhe ndodh.

Romanin e cilëson një dramë e vazhdueshme; rrëfimi ka një ritëm të veçantë dhe një veprim dinamik. Skenat ndonjëherë janë të pazakonshme. Autori me qëllim synon që dramën dhe tragjiken e zhvarrimit të Pjetër Bogdanit ta shprehë në mënyrë sa më poetike nëpërmjet shpalimit të botës së brendshme të pushtuesit dhe të të pushtuarit. Në mënyrë të veçantë, Berisha gërmon dhe ndriçon shpirtin e personazheve për arsye se përmes tyre depërton në thellësinë e gjërave dhe të asaj që rrëfen. Kjo vërehet fund e krye veprës, po merr një dimension më te thellë në kapitullin e tetë – kur: “Agu i ditës së diel, i ngrysur dhe i përgjumur, mezi lindi nga pesha e rëndë e natës barsë. Dukej i turpëruar si i gjetur në ndonjë punë që e nxin nderin. Edhe pse nata dëgjoi gjithë çka u fol te Kadiu i qytetit, e ndryni në zemrën e saj të errët dhe nuk ia tha agimit që lindi i mbytur në mëdyshje; ajo nuk pëshpëriti as për rojet që do të vendoseshin tek varrezat e qytetit që në fërk, as për njësitin e ushtarëve që duhej ta rrethonin Sheshin te tregu dhe në shenjën e parë, në rast nevoje, të vepronte rrufeshëm; nuk i tha as për njerëzit që do të groponin varrin dhe do ta zhvarrosnin Arqipeshkvin, as për bartësit e arkivolit prej varrezave deri te Sheshi, ku para qytetarëve të mbledhur do të lexohej letra e Portës...”

Dy personazhet vendas, që caktohen të gërmojnë varrin e ipeshkvit, Buzëlythi dhe Vetullpreri, rrogarë të Kadiut të Prishtinës, të udhëhequr nga Mustafa Ogurllu, naibi kryesor i Kadiut, edhe pse nuk dinë se varrin e kujt e hapnin, gërmojnë në dhembjen dhe në fatkeqësinë e tyre, por edhe të vetë banorëve të qytetit dhe me gjerë. Atë që përjetojnë ata, është sa rrënuese, aq dhe e papërsëritshme:

“As vetë (Buëlythi) nuk ia doli të shpjegonte se si me të ngulur kacinë në dheun e varrit, dy lot iu shkëputën nga sytë dhe, duke i rrëshqitur nëpër faqet e ftohta, iu përplasën te këmbët. Mos vallë e kishte futur kacinë në fatkeqësinë e vet? Njerëzit me përvojë thonë se kush prek në varr prek në Perëndinë ose ai që prish qetësinë e të vdekurit e ngacmon gjarprin, fillon lojën me kobin, flaka e të cilit do të shpërthejë edhe kur mund ta ketë harruar veprimin e vet! Derisa mendonte kështu kundrimin e pikasi në vendin ku e nguli kacinë; iu bë sikur atë e kishte futur në ublën e lotëve. Të vjetrit thonë se varri rri i mbushur me lot dhe posa dikush e prek, nga ai shpërthejnë lotët, që burimin e kanë në lotoren, enën prej druri, të cilën të vdekurit ia qesin në varr për t’i mbledhur e bashkuar lotët. Dhe, sa herë që lotorja afrohet të mbushet, dheu e thith atë lëng të dhimbjes dhe rreth e përqark varrit çdo gjë ujitet me të, prandaj thonë se çdo varr ka lumthin e vet të lotëve, që rri i fshehur dhe i ndryrë nën dhé dhe, posa t’i çelet shtegu të dalë jashtë, vërshon me dhembë e pikëllim”.

*

“Ndërkohë Vetullprerit i shkrepi mendimi tjetër, që duhet të jetë i vjetër sa edhe vetë varrezat: ai që prek varrin do të shitohet; do t’i merren këmbët, duart; do ta lënë sytë, veshët; kur të martohet do t’i lindin fëmijët gjysmakë, të cilët s’do të jenë as njerëz as kafshë, po vetëm frymorë që të tmerrojnë sa t’ua lëshosh sytë! Kush prek varrin i shuhet ora e tij dhe e familjes; hedh zjarr e prush në nderin dhe jetën e fisit; me dorën e vet zhbën çdo gjë të vlefshme që e ka të veten e të gjakut të tij!

Duke bluar në kokë këtë ujem të frikshëm, Vetullpreri pa veten të marrë duarsh e këmbësh; mezi ecte duke u zvarritur si fëmija që ende thith gjirin e nënës. Bënte të çohej, po këmbët nuk e dëgjonin; ato i ishin shtangur dhe kur bënte t’i lëvizte, ndiente dhimbje të pathënë. Sa donte ta zgjate dorën, hetonte se dorën nuk mund e lëvizte as një grimë! As sytë nuk i bënin dritë. Synonte të shihte përpara, anash, prapa, po në të gjitha anët shihte terr, terr e vetëm terr! Sa më shumë që e thadronte shikimin, errësira i shpifej gjithkah thuajse çdo shkëndijë drite ishte shuar! Dhe kur shqisa e të dëgjuarit i mbeti e vetmja shpresë e gjallimit, përgjoi gjatë, po vërejti se as veshët nuk po i nënshtroheshin bindjes së tij: edhe ata kishin pushuar së dëgjuari dhe ai jetonte në gurëzim të plotë”!

Romani “Bimorja” nuk përfundon me përfundimin e zhvarrimit të trupit të Bogdanit për arsye se Berisha me mjeshtri e ka dhënë, të them, “prapaskenën”, e asaj që ndodh pastaj, qoftë kur Mati Buka e mendon ritin e varrimit të Ipshkevit sipas traditës së lashtë (është një rit i shprehur në mënyrë shumë funksionale dhe i shprehur me shumë shkathtësi), duke rrëfyer se se efekti i këtij akti ishte i kundërt me atë që kishin synuar pushtuesi. Jo vetëm pse ata që morën pjesë në aktin e zhvarrosjes, por e pësuan edhe të tjerët. Kështu rrogëtari i kadiut, Buzëlythi, i cili mori pjesë në zhvarrimin e Ipeshkvit, e këputi me sëpatë një gisht të dorës së djathtë kur mësoi se kënd e kishte zhvarrosur, kurse rrogëtarin tjetër, Vetullprerin, të alivanosur , gjysmë të vdekur, e dërgojnë në Tyrben e Sulltan Muratit ”e dikush kishte porositur që ta çojnë edhe në Kishën e Ngjitjes së Shën Mërisë në Qiell, në Perzerend. Ndoshta Shën Mëria , që ngjitet në qiell, kishin thënë, do t’ia kthejë mëndet e kresë“. Flitej po ashtu se edhe Dinorja e Tushit e kishte pre gjuhën për shkak të dëshpërimit të fjalëve që i kishin shpëtuar dhe të cilat i kishte shfrytëzuar fallxhesha, e angazhuar nga udhëheqësit otomanë që të zbulojë vendvarrimin e Ipeshkvit.

Zhvarrosja e Ipeshkvit bën një ndikim më të madh se që pritej, për të mos thëne se e bën të kundërtën e asaj që pritej. Pikërisht skenar makabre e copëtimit të kufomës i bën të pranishmit të kuptojnë grackën dhe mundësinë e pasojave të mëdha (tek Shesh i tregut kishin dalë shumë banorë) e mëdha, prandaj përmbahen; dhembjen dhe tmerrin i ngujojnë brenda tyre dhe tërhiqen nga Sheshi si të pashpirt.

Më vonë, në pjesë të qytetit të Prishtinës dhe të katundeve për rreth fillojnë të këndojnë këngë për Pjetër Bogdanin, si, fjala vjen vargjet:

Ashtë tërbue dhelpna plakë

zien përmbrenda sikur flakë!

Po don dielli me na e zânë,

krejt jetimë ne me na lânë!...

T’hoqen vorrit me t’çnderue,

me t’përbuzë e me t’poshtnue.

Por s’çnderohet burri burrë,

ai që jetën s’kurseu kurrë

për të mirë të pop’llit t’vet...

herë me shpatë e herë me letër,

t’kemi pasë të madh, o Pjetër!

Lindja e këngëve e detyron Pashain të ndërmerrte veprime të reja për t’i ndaluar ato. Mirëpo, sa më shumë që përpiqet, aq më shumë ato përhapen dhe bëhen më gjallërike. Kështu, duke mos mundur të ndalonte këngën e Gjat Fusharit, Kadiu e urdhëron Mustafa Ugurllun “ Burgoseni atë të marrë!”- i vetëdijshmen se “Kënga është si zjarri!…”

Me këtë mënyrë të konceptimit dhe te shprehurit të dukurisë, “Autori u jep rëndësi të veçantë figurave të këngëtarëve/bardëve popullorë, plakut Lul Vatë Gurmadhi që tërheq këmbën zvarrë, plakut që shoqërohet nga fëmija, Mati Bukës të paralizuar etj. sikur të dëshironte të shprehë vazhdimin bergsonian të së kaluarës që gërryen në të tashmen e projekton gjithçka në të ardhmen....”,  siç thekson me të drejtë studiuesja, Albana Alia.

Me masat drastike pushtuesi nuk mund ta ndalonte entuziazmin e shqiptarëve që të vazhdojnë të thurin këngë për Ipeshkvin.

Çka del edhe më e rëndë për otomanët ata nuk mund ta ndalojnë dukurinë e pagëzimit të fëmijëve të porsalindur me emrin Pjetër, gjë që i trondit edhe me shumë Kadiun dhe sundimtarët e tjerë. Këtë, as që e kishim menduar para se të ndërmerrnin vendimin për zhvarrosjen e Bogdanit, i cili vazhdon të jetojë në kujtesën e banorëve.

Marrë në përgjithësi, “Bimorja” është një vepër me vlera të larta artistike, që do të mbetet një ndër romanet më të realizuar në letrat shqipe.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx