E diele, 04.05.2025, 11:58 PM (GMT+1)

Kulturë

Poezi rumune - Ioana Trica

E enjte, 18.07.2013, 07:22 PM


(Fragment nga vëllimi Nata e gjarpërit,

Përktheu B. Ymeri, Amanda Edit, Bukuresht 2013)

Komunikim me shpirtin përmes zjarrit kosmik

Edhepse ka botuar pak, poezia e zonjës Ioana Trica mund konturohet si një vizion specifik ndaj botës. Vizioni lirik i saj zhvillohet ndërmjet dy koordonatave: njëra kosmogonike, duke u ndërlidhur me shenjtërinë pagane, krepuskulare, blagiane, tjetra iniciuse, duke kundruar metempsikozën vetjake të mitologjive e doktrinave indiane dhe tejet orientale. Bota, e pastër në gjenezë, është zhdukur sistematikisht nga inkoshienca e njeriut që përpiqet t’i konkurojë shpirtligësisë së Demiurgut egoist, si pasojë e së cilës po afrohet apokalipsa.

Purifikimi i njeriut mund të realizohet përmes zjarrit kosmik, në flakën e të cilit brambullit kujtimi, duket i padobishëm për sakrificën mistike: „dhe sot në natën e Kërshëndellave// faniten dritat/ duke u djegur/ ngadalë mbi shtëpi”, e ndjekur nga një gjenezë e re. Porsi në mitilogjinë indiane, pas ciklit të fundit dhe një apokalipse shkatërrimtare, universi rikrijohet, pas të cilit degradimi rifillon pashmangshmërisht: „isha qenja e fundit dhe e parandjeja fillimin// me kokën e përkulur prisja/ të rrjedhin të gjitha mëkatet në lumin/ që derdhet në detin e madh”.

Në universin që shkon duke u shprishur, për shkak rë intervenimit tonë distruktiv, aventura e poetes bëhet e trishtë dhe solitare: „Në liqenin e mendimeve të mia notojnë të harruara/ trishtimet e vogla./ Shqetsimet i derdhin retë nga nënqielli i bardhë/ i mëngjezit// në liqenin e mendimeve të mia hedh enë ngjyrash/ nëpër të cilin shkrepëtima hapsirash të zvogluara në një pikë/ trazohen/ po në liqenin tim me ujë të qartë.” Poezia nuk sjell shkrepëtima nga efemerja, por fjalët-bërthama, ofrojnë iluzionin e një „ishulli në mes të vjeshtës”: ajo që bëj unë tani/ është të hedh fjalë si do/ bërthama/ të ngrira në natë/ e të ndjej veten/ si një ishull në mes vjeshtës/  kuptimi i së cilës/ është të vdesë së bashku me mua”.

Momenti i frymëzimit poetik ofron rastin e komunikimit me shpirtin e artistes, në linjë të inkoshiencës kolektive, me një entitet tjetër human, duke reflektuar edhe përmes kësaj rruge unitetin e qenjes: „dikush tjetër ma përshkruan këtë këngë/ dikush tjetër m’i fshin kujtimet/ që pasonte t’i kemi/ në një qiell tjetër/ në një tjetër univers”.

Poezia e dashurisë së zonjës Ioana Trica t’i përkujton çiltritë vegjetale me heshtjen. Delikatesa e gjesteve e rishenjtërojnë sentimentin e kundërmuar me atë shqetsim të cilin Eminescu e cilëson me të drejtë si „dhembshurisht e ëmbël”: „Dashuria është si një zbraztirë/ ku kthehen ujërat/ dhe shirat e suspenduara në re/ lëre shpirtin/ të shkelë mbi të e të të dhembë/ pastaj do të vij të të shëroj/ me shirat e mia të çiltra/ që vathët të të tringëllijnë në veshë/ ndjej përqafimin tënd nga larg/ dëshirën tënde të ashpër e të gjallë./ Prite lindjen e hënës/ të rritet drita në trupin tënd/ mu atëherë/ të më ftosh rrëshqitshëm si një shelg/ i heshtur e i vetmuar./ Të vërtitem rreth teje/ si një furtunë e lehtë/ si një lule që hapet ngadalë”.

Nuk është nënvizuar sa duhet aspekti social në poezinë e zonjës Ioana Trica, e prekuar nga takimi i saj, në cilësi të përkthyeses, me poezinë e Amerikës Latine: „Ne, të shumtë dhe anonimë/ dimë kush janë të shenjtërit tanë/ dhe kush janë katilat./ E dimë mirë cilët janë/ tradhëtarët dhe cilët/ janë martirët tanë”. Nën aspekt stilistik, lirika e zonjës Ioana Trica ngërthen, paralelisht me përfytyrimet e panjohura, edhe një muzikalitet të veçantë. Aliteracionet dhe rimat e rralla i qartësojnë mendimet. Në regjistrin aluziv, nga poema në poemë, poetja rritet me „një gjysmë hijeje”. Kritika letrare do të duhej ta vërejë këtë. (Lucian Gruia)

 

 

 

 

NJË ISHULL NË MES TË VJESHTËS

 

Ajo që po ngjet

Në kohën tënde

Në atë vend si një sy

Dëbore

Me askend nuk ka lidhje

 

Në lëkurën e grisur të akullit

Mbi të cilën ngjiten dritat

 

Ajo që bëj unë tani

Është të hedh fjalët si do

Bërthama

Të ngrira në natë

Dhe të përfytyrohem

 

Si një ishull në mes të vjeshtës

 

Kuptimin dhe domethënia e së cilës

Të vdesë së bashku me mua

 

KOHA ME FYTYRË TË HUAJ

 

Ishte një rrugë e përdredhur si një

Përkujtim

Mbi të cilin përkulemi çdo mbrëmje

 

Ngjyra guri e druri

Vizatonin hije

Përmbi faqen e lumit

Të mbërthyer në këndet lëvizëse

Të kohërave

 

Një ëndërr e mbyllur në një guacë

Të akullt

 

Në largësi

Koha me fytyrë të huaj

Më kundron nga një vend i huaj

 

REKVIEM PËR USHTARËT E DRITËS

 

Ndoshta duke e kërkuar spektrin

E ndritur të ngjeshur mes

Fletëve të librit

Do të kullohesh deri në

Degdisjen mes një mjegulle amneziane

 

Dhe do të vijnë

Ushtarët e Dritës në një

Rrëshqitje të kulluar ujërash –

 

Atëherë do të gjunjëzohesh mbi shkallët e verbëta

Që ata të kalojnë nëpër ty

Pa u ndalur

Në anën tjetër të botës

 

Ndoshta ashtu do të kthehen

Netët e dhjetorit

Dhe të gjithë ata që kanë vajtur së bashku me ta

Pa emër, pa kryq,

Pa identitet

Si do ushtarë të përjetshëm të Dritës

 

FILLIMI

 

Isha krijesa e fundit

dhe e parandjeja fillimin…

Me kokën përulur prisja

të derdhen krejt mëkatet

Në ujin e madh

që derdhet në detin e madh

 

Por mëkatet e mia

derdheshin përmbi kullosë e lule

Ua thanin rrënjët

dhe nuk e kuptoja përse

vdisnin kërminjtë në kopsht

 

Dhe dikurë vonë isha qiell

dhe isha hënë

Rrëshqisja sëbashku me retë

përmbi detra përbmi liqenj

përmbi kështjella të shuara me shekuj

 

Derisa nga një re

zbriti

një Njeri i madh

në një zabel të madh

me një sopatë të madhe…

 

GËZIMI

 

E mbëltova gëzimin….

E ngultfata mureve

Të dhomës sime

Atje ku dremit ombrella

Në shtratin

Ku flej vetë

 

E mbëltova lumturinë

Porsi një sëpatë

Në rrugën e hijeve të natës

Porsi një fryt i çnamatisur

I shkëputur nga druri i dritës.

 

GRUAJA E DETIT

 

Vetë

Nëpër natën e guacave

Gruaja e detit

E përfshin me krahët plot shkumë

Bregun dhe plazhin

E mbështet fytyrën hatashëm

Për një shkëmb

Dhe shikon e menduar kah qielli

 

Dita lartësohet

Në zemër të detit

Dhe e thith diellin

Dhe erën gjetheshkundur

Pastaj zhytet në humnerë

Dhe e mbëlton detin

Me peshq

E me anije

Të humbura.

 

TJETËRKUSH

 

Tjetërkush ma namatis kohën

Tjetërkush mi thith shikimet

 

Zytem nëpër mbrëmjet e ngrotha

Derisa e harroj vetveten

Harroj se ekzistoj

Shikoj përmes dritaret e kohës

Tjetërkush shikon përmes meje

Nxjerr kokën nën strehën e natës

Dhe e kërkoj yllin

Yllin e fatit tim

 

Është një yll i bardhë

Në një mjegullnajë të huaj

Nga një qiell i huaj

I një universi të huaj

 

Tjetërkush ma shkruan këtë këngë

Tjetërkush mi fshin kujtimet

Të cilat pasonte t’i kem

 

Në një tjetër qiell

Të një universi tjetër.

 

MBRETI  I  ZOGJVE

(Attarit, poet persan i shek XIII-të)

 

I mbështjellë në dritën e tij

Flen Simurgu

Mbret përmbi tre botë :

Prej zjarri ajri e zogjsh

 

Mbret përmbi diellin

E mesverës

Së mesnatës

Përmbi bregun e askundshmërisë

Dhe asnjanshmërisë

 

Simurgu

Nuk t’i zgjat flatrat e hatashme

Përmbi qiellin tim

Lërma një kënd të shikoj

Lindjen e yjeve

Vallen në qarkun e kohës

Dhe të stinës sime

 

E mbështjellë me flatrat e dritës

Flen Simurgu

Mbret dhe zog përmbi tre botë

Prej zjarri e ajri dhe njerëzish

 

Flen Simurgu

Zotërues

Përmbi qiellin e fundit.

 

PYETJE  PËR  VETMINË

 

E pyeta shpirtin

Përse ka nevojë për vetmi

Dhe nuk m’u përgjigj

 

I pyeta hapat

Përse më mbajnë

Rrugëve të shkreta

Dhe aq larg prej teje

Dhe nuk m’u përgjigjën

 

Një ditë në portën e shpirtit

Do të rrahë një e huaj

Dhe nuk do ta njohë askend.

 

BURRA TË VETMUAR

 

Burra të vetmuar

Nga druri i rrapit / dru mani

Në gjuhën amtare të botës

Po kthehen

Nën qiellin e parë

Dhe

Qiellin e fundit

Me shikimet plot perëndim përballë

Dhe lindjen e thatë

 

Nurra të majit

E të qershorit

 

Të ndritur / transparentë / të vetmuar

Rrëshqasin heshtas kah krojet

E panisura.

 

ATDHEU I FEMRAVE

 

Na ishte një herë atdheu i femrave

I afërt dhe i largët

I paprekur nga koha

Apo nga vdekja

Duke e strehuar syrin e argjentë

Të burimeve

 

Atdheu i fluturave të bardha

Të lënduara nga fryma e errët

E dëshirave tona

Atje ku dremit e harruar

Dega e mollës

 

Rrota stuhishë të thella

Kalojnë nën breun e hijes

Rrethepërqark hënës

 

KUAJT E EGËR

 

Dikush më pëshpërit në veshin e djathtë:

 

Në një jetë të pakuptimtë

Mund të të shpëtoj

Duke e ndjekur

Lëvizjen e vazhdueshme

Të vetëvetes nga qendra

 

Përrteh vërtiteshin sfera

Shkëputeshin hapësira

Karbonizoheshin dëshira

 

Tymi dhe hiçi i çastit të sotëm

E terratiste

Kujtimin e një kohe

Ku

Kuajtë e egër kullosnin lirisht

Kullosën me shije prej prushi

 

PESHKATAR ËNDRRASH

 

Jam peshkatari i ëndrrave

Banoj në brigjet e natës

Nëpër harta e grumbuj plastikësh

Dhe prushit të pashuar të Luciferit

 

E mbështjellë në heshtjen tënde

Me vetë lëkurën time

Pres agimet e shkrira në

Jelet e erës

S’është askush pos mendimit të murosur

Në pragun e djeshëm

 

Pikojnë çastet nga ora e ujit

Nga kjo natë kush

Më shpëton?

 

LINDJA E PARË NGA KRIJIMI I BOTËS

 

Në një pasdite plot

Ngrica

Ngjyrash të vetmisë

Hapeshin kah një dimension i ri

 

Në kraterin e stinës

Pështjelleshin qarqe të nxehta

Të shkëlqimit

 

Mbeturina të lindjes

Së parë

Nga krijimi i botës

 

Vendi nuk ishte i njohur nga askush

Por rigjendej

Në ëndrrën e çdokujt

Dhe në ujërat e hënës së kuqe

 

Edhe sot në natën e Kërshëndellave

Duken dritat

Duke u djegur

Ngadalë përmbi eshtra

 

ATDHEU IM I LUMTUR

 

Atdheu im i lumtur dhe përfytyrimi i tij

I përgëzuar

Në këto kohët e fundit

Duke udhëtuar

Drejt një caku të pacaktuar

 

Përfytyrimi

I përkënduar gjatë i dridhur

I atdheut tim

Deri tejmatanë epokës së gurit

Bluhet vetë në mijëra ashkla

 

Dhe secili prej nesh

E mban nga një

Në trupin e tij

 

DHE DO TË JEMI TË HARRUAR

 

Dhe do të jemi të paprekshëm

E do të jemi të harruar

Ne qytetarët e fjalës

Të acarit të brendshëm

Të dëborave që i bien përrreth

Pa mëshirë

Hënës së verdhë

 

Koha është tjetra, koha

E ndryshon dritën dhe ujërat

Porsi gjarpëri lëkurën

 

Dhe do jemi të dëbuar nga

Ëadrat e ashpra të ditës

Drejt bregut që është

Gjithmonë yni

Atje ku lind

Dielli i bardhë i fjalës

 

RRUGËVE TË BUKURESHTIT

 

Nëpër rrugët e Bukureshtit

Dritat digjen në ajrin e zbraztë

Kalojnë gra me sy të mëdhenj prej mjegulle

Si do vjollca ndërmjet

Plepave të levarashtë

Tani kur mungesa ime e atjeshme

Lë gjurmë

Të ngushtuara në mendim

Më duket se jetoj

Jashtë kohës

Duke tubuar mbetjet e nxehta

Të dyshimit

Rrugëve të Bukureshtit

Hapat e mi mungestarë shkëndija në

Globet e arta

Të përfytyrimit

 

BIOBIBLIOGRAFI

Ioana Trica u lind në lokalitetin Grindu, rrethi i Jallomicës. Studime universitare në Bukuresht, specializimi rumanisht-frëngjisht. Poete dhe përkthyese (profesoreshë e gjuhës rumun, boton në revista dhe vëllime, përkthime nga frëngjishtja, sidomos poezi kontemporane (Robert Desnos, Jacques Prévert, Corinna Bille, Maurice Chappaz, etj.), si dhe në retrorumanishte. E joshin gjuhët romake (latine) dhe kërkon rrënjët e përbashkëta. Përmes një rasti të shortit, rizbulon dhe fillon të mësojë retrorumanishten, një idiom latin që flitet në Zvicër, sot një gjuhë e rrallë me rreth dhjetë mijë vetë. E përvetëson këtë gjuhë dhe fillon të botojë pas vitit 2000, përkthime nga  Luisa Famos, Peider Lansel, Andri Peer, Leo Tuor, Hendri Spescha, Leta Semadeni etj. Udhëtime dokumentimi (2000-2012) në Zvicër, në zonën e banuar kompaktësisht me retrorumunë, sidomos në Engadina.

Debutimi në poezi në revistën Viata Romaneasca, më 2004. Është prezente me poezi origjinale në revista dhe antologji nga vendi e Franca, Kanada, Argjentina, Qili, Spanja. Ka botuar disa vëllime me poezi dhe përkthime, ndër të cilat Tjetërkush (Muzeu i Letërsisë Rumune, 2005), Luisa Famos, Poesias-Poezii (përkthim i përfshirë në indeksin Unesco, Kriterion, 2005), Kontinente të suspenduara (deliana 2008), El tiempo con rostro extra?o (Koha me fytyrë të huaj, Obsidiana Press 2008, USA). Versioni spanjolisht François Szabo, Kryqëzatat e gjumit (Eikon, 2011), Një ishull në veri, 2013. Është laureate e Çmimit për poezi Naji Naaman, 2009, për dorëshkrimin Burra të vetmuar/ Des hommes seuls dhei Diplomës së Shkëlqesisë (SIMFEST, 2005) për përkthimin e vëllimit të Luisa Famos – Poesias / Poezi. Është aktiviste në qarqet letrare nga Rumania dhe Franca, Zvicra. Ka marrë pjesë në festivale dhe kongrese poetike në Francë, Yvicër, Greqi, Meksiko. Anëtare e PEN klubit francez më 2008, prezente ma vargje në disa antologji të përbashkëta edhe në gjuhën shqipe.

REFERENCA KRITIKE

Kur në një botë letrare prezantohen gjithfarë maskarrallëqesh banale dhe të ashtëquajtura “lirike”, paraqitet një poet i pastërt e i sinqertë. Kështu thënë, zonja që ua prezantojmë, e shpreh vetëveten në fjalë dhe metafora të freskëta e të patrilluara. Ky fakt duket në të vërtetë i pabesueshëm. Ky është një rast i mirëseardhur, jo shpesh i hasur në poezinë tonë të viteve të fundit. Fjala është për Zonjën Ioana Trica. (Florentin Popesku, 2006)

Parashtrohet pyetja kush është Tjetërkush? Nuk është  autorja dhe as uni i sja, por i huaji, i paparashikueshmi, edhepse jo aq e shkuara dhe as e ardhshmja... Frika nuk i përket tjetrit, i unit tënd të dyfishtë është, por i tjetërkujt (...). Me këtë tjetërkend pason të miqësohesh pa dashje (...). Që nga faqja e parë e deri te ajo e fundit, ky libër është një “remember” për çastin e dymbëdhjetë, për të cilin nuk jemi pregaditur ashtu siç as drita s’është e pregaditur për acarin ksomik. (Monika Mureshan, 2007)

Ioana Trika shkruan një poezi të qartë dhe misterioze në të njëjtën kohë, me aksente jo pak herë orakullare/profetike (si në apokalipsën në mbarim të librit). Një poezi e çuditshme, aq e çuditshme sa që duket se lindet nga një vizion i fshehtë, nëse jo i një të iniciuari në një doktrinë ezoterike, madje të njërit që ia ndjen erëtimën. (Stefan Ioanid, 2008)

Çdo poemë nga Kryqëzatat e gjumit zbulon një univers të veçantë të ngjeshur në disa vargje. Forca e sugjestionit del në pah. Shikojmë në pasqyra të magjepsura urat simbolike të do ideve fluide. Vlen të theksohet universi paradigmatik i gjendjes emineskiane me vargje si “Pushka e mbushur/ me diamante” prej 48 karatesh etj. (...) Poezia e Ioana Trikës u mvishet plagëve me vlera estetike në një pjesë të vjetër të vetmisë së ndritur ngadalë... (Octavian Mihalcea, 2012)

Në fjalën hyrëse të librit Gid shpëtimi nga obskuriteti, autorja relaton se si poemat e tubuara autorja relaton se si poemat e tubuara në vëllimin Kryqëzatat e gjumit. Inicialisht ka mbledhur disa fjalë/bërthama, të ardhura nga askund, të cilat, duke iu qasur papritmas në kujtesë, kanë krijuar ide të materializuara në përfytyrime dhe simbole konvergjente. Nëse e largojmë obskuritetin, që sot na largon nga e vërteta dhe sakraliteti, na shpalohet esenca e botës, e vendosur tejmatanë dukjeve. Kështusoj thënë, poezia e Joana Trikës përfaqëson një rrugë depërtimi drejt botës së përjetshme. (Lucian Gruia, 2012)

Vlera e poemave të Joana Trikës është e nënvizuar edhe nga mënyra mahnitëse, thuajse unike, për të konvertuar universin në gjendje dhe sentiment, mu për të nënvizuar madhështinë e qenjes. Kam fuqi për të përmbyllur duke thënë se vëllimi Kontinente të suspennduara është një fitore e shpirtit të kësaj poeteshe të jashtëzakonshme, ajo që din të modelojë vetmitë dhe fshehtësitë, në një kushtrim ndaj fjalëve të pamundura. (Mihai Antonescu, 2008)

Nëpërmjet përmasave të depërtimit në universin liric të zonjës Ioana Trica, zbulon se gjendesh përballë një poezie të “rrumbullaktë” dhe sado që të flasish për të, diçka mbetet pashmangshmërisht e pathënë. Peceta e konceptualizimit e bën të ndjeshme prezencën, duke u gërshetuar me vlera progressive. Ioana Trika afrohet përmes ndjeshmërisë poetike, përmes një shpirti modern të poezisë së madhe të botës, duke u përcaktuar – jo me domosdoshmëri livreske – filiacione të mirëfillta me eksperiancat lirike të konsakruara. (Victor Sterom, 2010)



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx