Faleminderit
Don Lush Gjergji: Anton Çetta - ''Babai i Pajtimit''
E marte, 18.06.2013, 05:06 PM
ANTON ÇETTA – ''BABAI I PAJTIMIT''
Nga Don Lush GJERGJI
Falja e
gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë,
sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe
demokraci të mirëfilltë.
Me shumë
bindje dhe kënaqësi mund të them se pata fatin, rastin, dhuratën dhe hirin e
Zotit që të isha një ndër bashkëpunëtorët e të palodhshmit, të papritueshmit
dhe të pavdekshmit prof. Anton ÇETTA në lëvizjen e madhe të pajtimit të
gjaqeve. Ai gjatë tërë jetës dhe
veprimtarisë së tij të mëhershme ishte “Bleta” që mblodhi
“nektarin” më të mirë të popullit shqiptar, me
letërsinë dhe traditën gojore, etnografike dhe folklorike, me
grumbullimin dhe sistemimin e thesarit të rëndësishëm dhe të çmuar popullor për
ne dhe për brezat e ardhshme. Kështu Prof. Anton Çetta kishte zbuluar dy damarë të rëndësishëm të
komunikimit me popullin shqiptar, atë të mendjes, arsyes, kulturës dhe
traditës, si dhe atë të zemrës, ndjenjave, përjetimeve. Mu për këtë mendoj se
ishte një ndër njohësit më të mirë të “gjakut tonë të shprishur”, si thonë
Arbëreshët, të mendjes dhe zemrës arbërore.
E tërë
kjo punë, lëvizje, gjurmim ndër popull dhe me popull, si duket ishte
parapërgatitja ose “uvertura” për kryeveprën e tij jetësore, pajtimin e gjaqeve
gjatë vitit 1990, aq sa më të drejtë mund ta quajmë, ishte e mbetet “Babai i Pajtimit”.
Kudo që
shkonim dhe kalonim, Antoni ynë kishte
ndonjë shok, mik, dashamirë, gjithnjë me ndonjë ngjarje apo përjetim nga e
kaluara, me kujtime të freskëta dhe
thënie popullore, me mençuri dhe butësi shembullore, me tregime tronditëse dhe
mahnitëse, të cilat bashkëbiseduesit i detyronin në vëmendje dhe heshtje, në
vrojtime dhe mendime, shpesh edhe në “dorëzime”, deri te shtrirja e dorës së
pajtimit.
Në
shoqëri me Bacën Anton, si e thirrnim gati të gjithë me nderim dhe me dashuri,
kishim çka të përjetojmë, dëgjojmë dhe mësojmë, sepse ai e krijonte ambientin e
takimit, bisedës, ndejës, kënaqësisë së
shoqërisë dhe shoqërimit ndërnjerëzor, aq sa çdo herë ishim të mahnitur
nga arti i tij në komunikim. Ishte vërtet Mjeshtër i Popullit dhe për Popullin!
Anton
Çetta, ndoshta më mirë se askush prej nesh, e njihte fare mirë dhe për së
afërmi, në brendi e thellësi shpirtin e
lënduar dhe të robëruar të popullit shqiptar nga vuajtja, skamja, kërcënimi dhe
robërimi shekullor, shpesh i stërngarkuar edhe nga vetmia, izolimi, kërcënimi i
gjak – hakmarrjes dhe shumë baticave dhe zbaticave tjera, veçmas i ndarjeve dhe
përçarjeve, që për sundimtarët ishte arma më e lehtë e sundimit dhe robërimit
tonë.
Shi për
këtë ai ishte tejet i motivuar, gjithnjë i frymëzuar më tepër se kurrë në këtë
nisje fatbardhe dhe të bekuar, do të thosha edhe më tepër, providenciale.
Thoshte
kështu: “Populli shqiptar është i mirë dhe bujar, por ka ra pre nën ndikimin e
së keqes, është robëruar nga shumëkush dhe shumëçka, e ne, bijtë dhe bijat e
tij, duhet ta “zgjojmë” nga kjo kllapi, ta lirojmë nga ky robërim dhe kushtëzim
i traditës së keqe, e cila nuk është e jona, mbi të gjitha është shumë e
dëmshme dhe vdekjeprurëse, sepse vëllaun e shndërron në vrastar, mikun në
armik, jetën në vdekje, dashurinë në urrejtje, lirinë në robëri...”.
Së bashku
me rininë tonë, me botën e kulturës dhe të artit, me krijuesit e profileve të
ndryshme, me hoxhallarë dhe meshtarë, me një fjalë me të gjithë, kishte krijuar
një “orkestër” unik të pajtimit të gjaqeve, të cilin ai e “dirigjonte” me shumë
mjeshtri dhe me dashuri.
Pranvera
e madhe e vitit 1990 me Pajtimin e Gjaqeve, me Shoqatën Humanitare Bamirëse të
Kosovës “Nëna Tereze”, Luftën kund Analfabetizmit, që shprehej me krijimin e
sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, e kishte vetëm një Protagonist,
Popullin Shqiptar, një Prijës dhe Frymëzues dhe Babë, Prof. Anton Çettën, një
qëllim dhe përcaktim, takimin, afrimin dhe bashkimin e mbarë popullit rreth një
ideje dhe ideali tejet të lartë, gati edhe mitik dhe utopik për atë kohë, atë LIRISË DHE PAMVARËSISË.
Synimi
ishte i qartë, mposhtja dhe sh’ rrënjosja e gjakmarrjes një herë e
përgjithmonë, si parakusht qenësor për paqe dhe pajtim, për liri dhe demokraci,
për një të tashme dhe ardhmëri më fatbardhe.
Ja si e
përshkruante Anton Çetta këtë lëvizje: “Në fillim të shkurtit 1990, disa
studentë të Pejës me disa mësimdhënës kishin themeluar “Këshillin e Pajtimit”
për ta pajtuar popullin. Tentimi i parë ishte disi i suksesshëm, kemi pajtuar
një rast vrasje, ndërsa në pesë raste tjera kemi marrë “besën” për tre muaj.
Fillimi ishte në fshatin Lumbardh dhe Raushiq afër Pejës... Rinia ka punuar
shumë me javë të tëra për t’i zbuluar këto raste, për t’i përgatitur njerëzit
për paqe. Sipas mendimit tim janë katër arsye kryesore të pajtimit. Në rend të
parë ishte një propozim human dhe kishte për qëllim kryesor “paqen mes
njerëzve”. Në rend të dytë propozimi ishte në duar të njerëzve të vlefshëm, të
rinisë dhe të inteligjencës... Populli fill e përqafoi këtë propozim... S’duhet
harruar edhe momentin historik të ngjarjeve si dhe domosdoshmërinë e pajtimit
për krijimin e shoqërisë pluraliste dhe demokratike...” (Valentino Salvoldi –
Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex-Jugoslavia, EMI,
Ja përshkrimi
i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore
të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës
sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite.
Arsyeja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen,
sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës...”
(Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la
riconciliazione, EMI,
Ja edhe
shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve:
“Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së
gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër
fisnike, vetëm një gjest i përvujtërisë dhe shpirtmadhësisë së popullit tonë...
Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi me njëri-tjetrin?... Jo, duhet të jemi si kurrë
më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe
të ndryshme edhe më të mëdhaja...” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush
Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, fq. 48: Më
gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. fq. 31-105).
Falja dhe pajtimi - parakusht jete,
paqeje dhe qytetërimi
Njeriu
dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe
dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo
përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e
keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e
pamundshme, pasi që i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe
pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore
nuk mundet e keqja e urrejtës, mënisë, gjak apo hakmarrjes.
Këtë e ka
vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe
përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen,
tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi.
Pa këto
elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike,
shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karrierizmit,
materializmit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë
si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimjes, shpifjes,
përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që
fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne, edhe pas
arritjes së lirisë, demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.
NJERIU
ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë
për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për
dashuri.
Kjo
ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithë
njerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që
e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
Urrejtja
është djallëzore, vdekjeprurëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa
dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e
krahason edhe me verbëri, terr: “
Jezusi
thotë: “Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që
ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju
mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre…
Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos
gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe
do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse
njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq,
pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë
vitit 1990?
Gabimi i
parë, më duke mua, është në edukimin e
rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër
ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh
shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe
shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në
marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë
së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja
dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja.
Gabimi i
dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk
është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim
me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë
“garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i
frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë
potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve.
Bota, të tjerët janë fajtorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime,
prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të
dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët.
Gabimi i
tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale,
pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e
fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim,
ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë
atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve.
Ne
Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar,
bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit
turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të
jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve,
i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe
vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin,
orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare.
Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të
tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa
sot, është ndryshe.
Falja tek
ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si
trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi
familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimtë: gjaku nuk falet as
nuk tretet kurrë!
Në
tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza,
piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes,
dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane,
bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.
Trimëria
më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të
tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË!
Prandaj,
para çdo veprimi, pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti
historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave
tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe
ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira.
Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë
që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë
– marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së
përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria.
Sot
hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë
kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe
gjakun!
ÇDO HAK
APO GJAK-MARRJE SOT ËSHTË SË PARI
VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT.
Pa
vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e
shoqërisë shqiptare në ditët tona.
Duhet
gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe
mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi
pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe: “Mjerë ajo shtëpi që s’ka pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam
dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja?
S’ka
njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të
afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila
mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton
kulturën e jetës me QYTETËRIMIN E DASHURISË.
Dhe së
fundi disa parime të shëndosha, do të thosha edhe të shenjta, për pajtimin e
gjaqeve:
• Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë
në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të
gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë,
për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë.
• E keqja kurrë nuk e mund të keqen,
por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na
ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje.
• Falja e gjakut është trimëri kulmore,
kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj
dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë.
• Me falje dhe pajtim ne më së miri i
nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së
përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para
sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin.
• Ata që falin janë “heronjtë e ditëve
tona”, paralajmëruesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e
qëndrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit
• “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar
parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin
kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe
jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në
përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe
aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike.
Fatkeqësisht
edhe pas kaq viteve ende nuk kemi asnjë studim të mirëfilltë ndërsciplinor
rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor,
etiko-moral dhe fetar. Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita,
drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe
dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe
asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studiohet, paraqitet
nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt
që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie,
si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.
Disa kujtime dhe përjetime
Baca
Anton ishte dukshëm i lodhur, por edhe i disponuar. Më tha kështu: “Don Lush,
prekma pak shpinën. A kam ende shpinë?”.
Unë iu
përgjigja: “Si jo, në shpinën tënde është mbarë Kosova, edhe më tepër, populli
shqiptar!”.
Ai si në
hoka më tha: “Nuk e di a kam më shpinë, aq jam këputur... A ka ndonjë vend ku
mund të mbështetemi pak para se të dalim para popullit në kremtimin e pajtimeve
të gjaqeve?”.
Dhe u
mbështetem në një odë të madhe, ai me një skaj, unë dhe bashkëpunëtorët tjerë,
në një skaj tjetër, diku afro një ore.
Pas këtij
pushimi kaq të nevojshëm, baca Anton më tha: “Tash mund të qëndroja në bisedime
edhe për ndonjë ditë dhe natë... Ja, kështu është puna me popull dhe për
popull. Njeriu i tejkalon edhe nevojat biologjike, çdo pengesë... Këtë e kemi
sprovuar shpeshherë gjatë pajtimeve të gjaqeve... Motivimi dhe dashuria bëjnë
mrekulli!...”.
Ishte 9
maj 1990, festa e “Shën Kollit” në Sellagrazhd të Velezhës, komuna e Prizrenit.
Kishim vendosur që për këtë festë të kremtonim edhe pajtimin e gjaqeve në ato
hapësira, së bashku shqiptarët katolikë dhe myslimanë. Kjo e kishte “turbuar”
Serbinë, sidomos pas ngjarjes historike të Verrat e Llukës /1 maj 1990/, ku
NDODHI POPULLI.
Më 3 maj 1990 Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë me dekret e kishte ndaluar pajtimin e gjaqeve në Kosovë dhe më gjerë me këto arsye:
• Sepse populli shqiptar nuk ka
traditën e faljes së gjaqeve, (gjë kjo që nënkuptonte dëshirën e tyre: le ta
vazhdojnë traditën e vrasjeve! (vr.
ime).
• Këtë lëvizje e udhëheq Anton Çetta,
me “njëfarë” prifti katolik shqiptar, Don Lush Gjergji, edhe pse shumica e
shqiptarëve janë myslimanë;
• E tërë kjo lëvizje është kryekëput kundër popullit serb në Kosovë dhe kundër Serbisë.
Prof.
Anton Çettën e kishin ndalur dhe burgosur, mua më kishin kërcënuar deri me
vdekje dhe me pushkatim, popullin e kishin keqtrajtuar në format më të vreshta,
por kot, sepse tashmë Shqiptarët e shijonin pajtimin, vëllazërinë
gjithshqiptare, bashkimin në dallime.
Meshën e
kam kremtuar i rrethuar me një mori populli nga viset e ndryshme të Kosovës,
ndërsa mbi kokat tona fluturonin helikopterët ushtarak, qarkullonin taksat,
dëgjohej kudo fyerja dhe sharja. Populli
ishte një mendje dhe një zemre në
lutje, këndonte, falënderonte Zotin,
përjetonte praninë dhe dashurin e Tij në një qetësi dhe siguri që
dukshëm shqetësonte armiqtë tanë.
Porosia e tij nga takimi im i fundit me të para se të kalonte në amshim ishte kjo: “Nëse vdes pa e parë dhe përjetuar lirinë dhe pavarësinë, së paku një gisht i imi do të jetë jashtë vorrit, mbi të. Atë ditë që do të agojë liria, eja, e shtjere edhe gishtin tim në varr, që të pushojë në qetësi në tokën time të shtrenjtë, të shenjtë dhe të lirë!”.
Ky gisht
nuk ishte drejtuar kah të tjerët për t’i sulmuar, fajësuar, por u bë simboli i
shtrirjes së dorës së pajtimit, vepër kjo pa dyshim, e pëlqyeshme para Zotit, e
domosdoshme për popullin shqiptar. Me pajtimin e gjaqeve ne e përforcuam
vëllazërinë tonë gjithshqiptare, krijuam kulturën e jetës dhe qytetërimin e
dashurisë duke ia plotësuar testamentin e fundit Nënës Tereze.
Ajo më
dorën e saj kishte shkruar këtë porosi: “Gjithmonë shpirtërisht jam e lidhun më
uratë dhe në dashni me popullin tem shqiptar, sidomos në kohë të vështira. Mbas
shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamasë lajmi i pajtimeve. Urime rinisë
shqiptare kosovare që e nisi kët vepër, si dhe të gjithë astyne që marrin pjesë
në këtë punë të madhe dhe shenjte...
Dëshiroj të festojmë së bashku Pajtimin e mbarë
popullit tem shqiptar...” (Bukuresht, 3 maj 1990).
Prof.
Anton Çetta, ishte dhe mbeti Njeriu i provanisë së Zotit dhe Popullit Shqiptar,
ai i cili diti ta jepte “pjesën më të mirë të vetvetes” me shumë maturi,
përkushti dhe dashuri, i cili e gjeti “damarin” e popullit për një komunikim të
drejtpërdrejt në odën e madhe që ishte e tërë Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,
diaspora shqiptare në Evropë dhe në Amerikë.
“Sofra e
Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më
vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e
strategjisë paqësore dhe jodhunore në krye me Presidentin historik të Kosovës,
Dr. Ibrahim RUGOVËN, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s,
në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi
dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë, të pavarur dhe demokratike, model
bashkëjetese dhe integrimin ndër ne dhe më gjerë.
Prof. Anton Çetta vuri gurthemelin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, edhe pse ai këtë gëzim dhe ndodhi fatkeqësisht nuk e priti dhe përjetoi. Të tillë janë flijimtarët e mëdhenj dhe të mirëfilltë, që kanë jetuar dhe vepruar me përcaktime dhe vizione largpamëse, për Popullin dhe me Popullin, për të mirën e të gjithëve.