E shtune, 27.04.2024, 10:32 PM (GMT+1)

Mendime

Xhemail Ahmeti: Shqiptaria, Shkupi, Islami dhe Kimi

E shtune, 30.03.2013, 07:43 PM


Shqiptaria, Shkupi, Islami dhe Kimi

Nga Xhemail Ahmeti/Historian

-Kim Mehmeti, mu në zemër të Prishtinës, i lëshoi dy teza në eter: Njëra ahistorike, tjetra nënçmuese. Tekstualisht tha (video): «Islami e ka shpëtuar shqiptarinë» dhe pandehu se një pjesë e kosovarëve t’i sulmojnë gjithë ata (duke aluduar logjikisht në botën islame) për të cilët i urdhërojnë amerikanët. Reagimet pro et contra ishin të paraprogramuara. Dhe shkrimtari nga Shkupi reagoi duke thënë se nuk debaton me «buzhalla dhe budalla». Formë e re komunikimi ndërintelektual nga Shkupi?

Para se të hulumtojmë falsicitetin apo vërtetësinë e tezave më të fundit të autorit pak biografi nuk na tmerron edhe më shumë.

KIM MEHMETI

Shkrimtari i lindur në Grçec të Maqedonisë, sipas bibliografisë së tij, deri më 1997 ka botuar vetëm serbokroatisht dhe maqedonisht. Në bazë të veprave që kishte shkruar ishte adresa më e preferuar e fondacioneve dhe projekteve ndërkombëtare që kishin të bëjnë me përparimin e marrëdhënieve ndëretnike shqiptaro-maqedonase.

Qysh në kohën sa ishte Jugosllavia, një grup i ngushtë letrarësh e intelektualësh kosovarë bënin çmos që ta «shqiptarizojnë». Arsyet konkrete nuk i dimë. Ndoshta nga frika mos ia lënë një shkrimtar të vyeshëm (ashtu siç do ta kenë vlerësuar ata) në duart e të tjerëve? Sido që të jetë, letrarët dhe intelektualët kosovarë e lidhën dhe e mbështetën për të depërtuar edhe në Shqipëri, duke ia siguruar autoritetin e shkrimtarit kombëtar. Lidhjet dhe ndikimet janë konkrete dhe dihen. E mbuluan me çmime dhe lëvdata. U përqendrua në Shkup me projekte, gazeta dhe revista. Viteve të fundit bie në sy për agjitimin e një «doktrine» konfuze të shqiptarizmit. Ide e propozime që i distribuon edhe në gazetën e tij ditore «Lajm» si dhe televizionin «Top Channel», përfaqësues i të cilit është në Shkup.

PYETJET

Në ç’mënyrë konkrete mbrojti Islami shqiptarët në Maqedoni apo diku tjetër? Sa hoxhallarë u arrestuan dhe u masakruan sepse besonin në Islam? Sa xhamia u mbyllën në kohën e Titos? Sa të burgosur politikë shkuan në burgje se duke u falur në xhami donin ta mbronin identitetin e tyre kombëtar? Sa vetë u vranë se kërkonin lejimin e Kuranit e jo të shkollave shqipe? Në cilën kohë? Në bazë të cilave fakte konkrete flet autori në fjalë, i cili krahas polemikës, si duket pavetëdije përforcon edhe lokalizmin ndërshqiptar kur kërkon që Shkupi ta marrë timonin kombëtar? Pyetjet që pjell implikimi: kush e mbrojti shqiptarizmin para epokave islame? Kush e mbrojti shqiptarizmin në Shqipërinë «ateiste» të Enver Hoxhës? Kush e ruajti në histori e kush e ruan shqiptarizmin në diasporat shqiptare?

Para së gjithash: Cili është qëllimi i Kim Mehmetit?

FAKTE

Për ne historianët me profesion, nuk ka asnjë dilemë faktografike se përhapja e Islamit në Ballkan u bë nëpërmjet invadimit osman. Ashtu siç nuk ka dilemë rreth periudhave, fazave dhe metodave që u përdorën nga osmanlinjtë për të thyer identitetin e shqiptarëve si dhe kontributin e mëvonshëm të shqiptarëve brenda kësaj perandorie. Është pasojë e drejtpërdrejtë e këtij sundimi që shqiptarët mbetën populli më i vonuar në institucionalizimin e identitetit, gjuhës dhe kulturës së tyre në Ballkan. Trashëgimi konkrete të kësaj periudhe kemi qytete e fshatra që edhe pse shqiptarë për nga origjina dhe gjenealogjia flasin turqisht e nuk dinë shqip ose shumë keq; kemi arkitekturën, sjelljen sociale, ca nga zakonet, doket dhe mendësinë orientale që dominon në ato pjesë ku myslimanizmi është më i theksuar. Dhe shumë relikte të tjera jetëbërëse.

Shkupi në historinë osmane - shqiptare luan një rol shumë të rëndësishëm. Për këtë arsye kronistët e sulltanëve regjistronin gjithçka çka zhvillohej aty. Falë këtyre kronikave ne sot kemi dëshmi të mjaftueshme për atë se si u «avulluan» nga aty sidomos popullata katolike dhe ajo hebrenje.

Në luftërat ballkanike e deri në shpalljen e Maqedonisë si Republikë nga Titoja dhe Dimitrovi në Shkup do të nisë një rikonfigurim i ri demografik në dëm të elementit shqiptar. Shqiptarë themi e jo myslimanë sepse nga Bosnja dërgoheshin atje edhe boshnjakë myslimanë. Religjionet në kohën e ish-Jugosllavisë shpejt u futën ose nën kontrollin e diktatit parakomunist ose u toleruan me kushtin që të vegjetojnë. Si të tilla ato ishin në shërbim të sistemit e jo problematik për të.

Duke filluar nga vitet e 60-ta e deri sot Shkupi nuk ka luajtur asnjë rol historik në lidhje me ruajtjen e identitetit shqiptar në Maqedoni. Këtë e dëshmojnë edhe statistikat. Lufta antikomuniste kryesisht prirej nga njerëz të rrafshit të Pollogut dhe Kërçovës. Lidhja e tyre me Shkupin: aty u varën. Po të bastisim listat e të burgosurve politikë, organizatave ilegale dhe iniciativave kolektive proshqiptare gjatë kohës së ish-Jugosllavisë të konstatojmë se mbi 99 % e aktivistëve kombëtarë dhe të burgosurve politikë nuk ishin nga Shkupi. Në fund të viteve të 80-ta kishte në Idrizovë një grup të burgosurish politikë nga Manastiri, mirëpo jo nga Shkupi. Kjo shpjegon edhe faktin se pse Shkupi as sot nuk është qendër as politike, as partish e as lëvizjesh të etnisë shqiptare. Etnia tjetër bën ligjin aty. Kim Mehmeti shikuar sipërfaqësisht, me ato forca intelektuale që ka, donë ta ndryshojë këtë gjendje. Nisma vetëm në stadin e propozimit duket fisnike, mirëpo asaj ia bën atentatin elementi islam, që Kimi e merr si bosht «doktrinar» të «shqiptarizmit» të tij.

ISLAMI DHE SHQIPTARËT

Problemet e inkompatibilitetit të Islamit dhe Shqiptarizmit (të dyja si filozofi identiteti) shpërthyen qysh në «Lidhjet e Prizrenit». Edhe pse nuk mund të mohohet roli i ca imamëve të Karadakut në luftën kundër komunizmit (të cilët nuk thirreshin në emër të fesë por kishin pretendime balliste) shtresa intelektuale që e pësoi rëndë ishin klerikët katolikë, ata që bënë alfabetin në Manastir, që u pushkatuan nga Enveri me qindra dhe që vdiqën Burrelit, Spaçit e gjetiu.

Që nga vitet 1945 e deri më 1990 xhamitë në Maqedoni nuk kanë luajtur asnjë rol qoftë edhe simbolik duke u vënë në anën e mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve atje. Mbrojtjet publike vinin nga Prishtina ashtu siç vinte literatura indoktrinare e Enver Hoxhës bashkë me listën për UDB-në se kush do t’i merrte ato. Përkundrazi xhamitë ishin më të disiplinuara ndaj pushtetit se sa kishat ortodokse. Imamët ishin kryesisht informantët e shërbimeve sekrete që denonconin njerëzit që kishin prirje «separatiste, nacionaliste dhe irredentiste».

Duke filluar që nga «lufta» e fundit ndërmjet dy etnive në Maqedoni shënohet një radikalitet i besimit, i cili merr konturet e një doktrine edhe politike, ashtu siç e njohim në Turqi dhe vendet arabe. Për këtë sensibilizim kujdesen kolegjet turke dhe subvencionet nga Arabia Saudite që shtohen për çdo ditë e më shumë. Përderisa turqit thirren në ato fshatra të Gostivarit që flasin vetëm turqisht (edhe pse nuk janë turq porse kanë ruajtur gjuhën për t’u dukur gjithmonë bejlerë), arabët vëllazërinë e shohin tek besimi. Cilat janë qëllimet e Ankarasë dhe Riadit në këtë ekspansion hë për hë kulturor e religjioz si duket nuk i di as Kim Mehmeti atje. Siç nuk ka lidhje ai me faktet lartë, me historinë ashtu siç mund të dokumentohet.

KULTURA SHQIPTARE DHE BESIMI

Për historinë dhe identitetin e ruajtur kombëtar shqiptar kështu siç është islami as ka luajtur e as që luan sot ndonjë funksion konstruktiv apo konstitutiv. Gjuha, Kultura, Letërsia, Artet shqiptare kanë një dozë fare të parëndësishme islamizmi qoftë historikisht e qoftë aktualisht. Në dy a tre gishta i numërojmë shkrimtarët dhe intelektualët në përgjithësi që i bien tabanit islam gjatë krijimit apo ekspozimit të tyre. Për çka flet atëherë Mehmeti kur shohim se as në histori, kulturë e as në politikë Islami nuk luan rol kur bëhet fjalë për shqiptarizmin. Në asnjë cep «të shqiptarisë» së tij.

Ka kohë që Kim Mehmeti është duke notuar këtyre ujërave që ua përdhosin edhe frizurën përpos mjekrës radikalëve islamistë ndër shqiptarë. Paradokohe në një mënyrë jashtëzakonisht paushallë tha se «Nënat tona në Maqedoni me qëllim janë mbyllur me havale e brenda mureve për mos na lënë neve meshkujve që shëtisnim botën të asimilohemi». Paradoksi ta paralajmëron infarktin. Nuk e dimë se për cilat nëna e kishte fjalën Kim Mehmeti, mirëpo sigurisht jo për ato që i njohim edhe ne, pasi edhe ne vijmë nga andej, dhe të cilat ende mbeten të diskriminuara dhe janë të detyruara të bëjnë jetën e qenieve të kafazuara e mumiezuara.

GJENDJA SI ËSHTË

Islami është besim, të cilin shqiptarët sot e praktikojnë. Është elementi që vonë i është instaluar identitetit shqiptar. Shqiptarët si shqiptarë – që të mos spekulojmë për lashtësitë – ekzistojnë edhe para daljes në skenë të profetit dhe shumë shekuj para ardhjes së osmanëve në Ballkan. Islami pra është një element që shqiptarët e kanë marrë duke qenë shqiptarë e jo duke qenë myslimanë. Kjo hierarki është nëna e fakteve. Tjerat janë spekulime ahistorike. Tash a është mirë apo jo që shqiptarët janë besimtarë islamë? Do e shohin si protezë, do si kancer e do si Kim Mehmeti. Mirëpo ne kësaj pyetjeje as që kemi nevojë t’i përgjigjemi deri në atë moment kur Islami është besim i njerëzve tanë e jo synim politik i ndonjë qendre ekspansioniste. Domethënë ne na pengon instrumentalizimi i tij për t’i dërmuar edhe më shumë se sa që janë shoqëritë shqiptare.

«URTIA» E ARROGANCËS

Në fund fenomeni Kim Mehmeti: Pse ky instrumentalizim i besimit islam nga një shkrimtar që ka shëtitur botën e paska harruar të lexojë historinë e kombit në emër të të cilit flet. Duket sheshazi se «paradigmat» e Mehmetit, të cilat i shpërndan edhe nëpërmjet gazetës «Lajm» dhe «djemve» të tij aty, kanë një synim: duan të bëhet lider i shqiptarëve të Maqedonisë? Dakord pse jo. Ama mos ta bëjë këtë duke falsifikuar historinë, sepse nuk ia del asnjëherë dhe humb edhe atë copë autoriteti – potencojmë: të fituar në sajë të qarqeve të caktuara kulturore kosovare – që ka qendrave shqiptare.
Është e tejdukshme që Mehmeti përdor radikalizmin islam për ndonjë plan egocentrik.

Dhe këtë mos e harrojmë: Është më se arrogante të shkosh në Prishtinë dhe t’iu japish kosovarëve (që bënë Kimin) leksione mbi shqiptarizmin duke iu thënë mos të jenë marioneta të SHBA-ve, një nënçmim që nxjerr në sipërfaqe akuzën kosovarët të mos kenë aftësi në mendim dhe frymë të pavarur. Për ta thënë këtë Kim Mehmeti jo vetëm historinë por edhe shqipen duhet ta mësojë edhe ca më mirë.

*Ndër të tjera autori është edhe historian në Universitetin e Freiburgut të Zvicrës. Autor studimesh të publikuara (kryesisht në gjermanishte) mbi shoqëritë e Evropës Juglindore, Shqiptarët, Kosovën dhe Maqedoninë.



(Vota: 37 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora