Mendime
Kabil Bushati: Lan Duraj - i veshi shkodranët bukur
E premte, 29.03.2013, 07:29 PM
Lan Duraj
- mjeshtri që i veshi shkodranët bukur
Nga Kabil Bushati
Eshtë një
njeri në Shkodër që vite më parë ka pasë një famë të pa diskutueshme. Emri i
tij lakohej kudo dhe kurdo në çdo ambjent. Ai sot është pensionist i thjeshtë,
i pa fjalë, nuk kërkon status trajtimi të vecantë, nuk kerkon pension special
dhe titull "Mjeshtër i Madh" dhe nuk thotë nëpër rradha:
"hapuni, jam une". Ai eshtë i thjeshtë deri në madhështi. Ai quhet
Lan Duraj, mjeshter rrobaqepes ne specialen "Moda", njesi në atë kohë
famoze në Shkodër që përfshihej brenda kooperativës së artizanatit. Ai nuk
ishte diplomuar jashtë shtetit , në salonet e modës ne Venezia apo ne Paris ,
por kishte mesuar zanatin nga mjeshtrat e vjetër shkodranë dhe kishte arritë të
bëhej i përmendur në tërë Shkodrën e më gjërë. Kishte arritë majat në
profesionin e tij, zenitin e lakmueshëm. Ky qytet kishte pasë rrobaqepës të
vjetër, të diplomuar jashtë shtetit si Sait Mujaxhi që kanë lënë gjurmë të
pashlyera për qytetarinë shkodrane. Ata, në një vend të dukshëm mbanin vjerrë
diplomat që posedonin. Specialja "Moda" ishte në fillim të Pjaces ku
më parë kishte qenë "Shtëpia e Gruas". Rinia shkodrane kur bënte në
Pjacë xhiron e darkës, këthnte kokën nga ai dhe e pershendeste gjithë respekt
dhe njekohësisht i tregonin atij se si ju kishin ra kostumet, pantollat a
ndonjë veshje tjetër. Ishte nje tip i veçante "parakalim mode" para
zanatlijeve që i kishin berë. Për dekada me radhë Lan Duraj përfaqësonte
elegancën, hijeshinë dhe impozancën e shkodranëvet, në ato vite të egra të
diktatures. Të shumë ishin ata të rinj që kostumet e dasmave të tyre i qepnin
tek rrobaqepsia "Moda" ku spikaste dora mjeshtërore e Lan Durës.
Pothuaj të gjithë nga brezi ynë jemi martuar me kostumet e Lanit. Ishte korrekt
në afatet dhe ditën e dasmës i kishim gati kostumet për t'i veshë. Në datën e
caktuar gjeje kostumin gati dhe të qepur plot andje. Aty beheshin të gjitha
porositë edhe kostumet e perdita edhe pantollat etj. Aty vinin edhe porosi nga
të medhejtë e Tiranës.
Ishin
fillimvitet 60-të kur kjo rrobaqepësi u bë më e njohura në Shkodër e më gjerë.
Në ato vite ky lokal numëronte 28 rrobaqepës profesionistë të nivelit të lartë.
Punonin nga mëngjesi deri në darkë, me një pushim dreke sa për të ngrënë dhe
dilnin përsëri që të vazhdonin punën që e kishin me aq zell. Rreth kësaj njësie
u grumbulluan rrobaqepës me emër si Bahri Luli, Sulë Danoviqi, Brahim Dajti,
Qemal Kraja, Amir Rrashketa etj. Këta kishin kryer shkollat në Tiranë dhe
kishin marrë ekperiencë nga rrobaqepësit e vjetër. Ishin vitet e prishjes me
Bashkimin Sovjetik, dalëngadalë vendi ynë po vetëizolohej. Kjo reflektonte edhe
në njësinë e "Modës" e cila nuk kishte ku të merrte katalogjet për
modelet. Deri at'herë kishin pasë modele të bollëshme për të ju servirur klientave.
Ata i kishin aty në tavolinat e hollit me dhjetra katalogje te huaja dhe
klientët nuk hezitonin të bënin porositë. Tashti u ndërpre ardhja e katalogjeve
nga firmat e huaja. Ketu qëndron merita e mjeshtrit-përgjegjës Lan Duraj. Ai
dijti të bënte kombinimin e katalogëvet që kishte gjendje me modën e kohës. Mos
harroni se ishin vitet kur në Shqipëri në përgjithësi dhe në Shkodër në veçanti
akoma nuk kishte hyrë televizori. Pra ishte nderprerë çdo mjet komunikimi me
jashtë shtetit dhe brenda vendit po ashpërsohej lufta kundër çfaqjeve të huaja.
Organizatat e Frontit nëpër lagje ishin vënë në lëvizje dhe denonconin çdo
çfaqje te huaj e moderniste në modë. Ishin bërë me zarar qepjet e guximshme me
modë të huaj dhe shumë rrobaqepes e pësuan më punë në ndertim pallatesh me
kontribut vullnetar ose me pune të rëndë në NSHN. Shumë rrobaqepës u bënë pre e
vigjilencës së organizatave të frontit demokratik dhe keshillave popullroe të
lagjeve gjatë atyre viteve.
Më
kujtohet dhe dua ta them se çfarë më tha e motra e Pjeter Arbnorit vite më
parë. Ishim në Pallat të Kongreseve, në promovimin e librit "Mugujt e
mesjetës" që kishte shkruar Mandela shqiptar. Aty ishte edhe e motra e
Pjetrit, Gjystina që kishte ardhë për të marrë pjesë në gezimin e të vëllait.
Ishte i fuar edhe i gjithë trupi diplomatik. Unë, për të ndezë pak bisedën i
them Gjystinës. "Ju ka ardhë hakut Partia e Punës...", dhe ajo mu
përgjegj "Nuk na ka ardhë hakut
partia sa na ka ardhe kojshija. Në ato vite unë punoja si punëtore në Uzinën e
Fermentimit të Duhanit. Kisha rrogën e vogël dhe kisha për të mbajtur edhe
vëllain në burg. Me ndihmue rrogën, kisha një maqinë qepse të vogel doret me të
cilën punoja në shtëpi dhe nxirrja ndonji lek. E me ato lek unë blija ushqimet
dhe shkoja e shihja vëllain në burgun e Burrelit. Një ditë më thërrasin në
zyrat e lagjes dhe polici i plotfuqshm më thotë të mos qepja më rroba se ishte
e ndaluar. Mirpo unë përsëri vazhdoja tinëz me qepë natën. Përsëri më thirri.
Unë fillova me qa. Ai më tha përsëri mos me qepë rroba. Mirpo nevoja nuk ka
gjyq, unë përsëri vijova të punoj natën me maqinën e dorës. Një pasdreke më
vjen në shtëpi i plotfuqishmi i lagjes dhe kur e pau gjendjen time familjare
vuri dorën në zemer dhe më tha se më
padiste kojshia dhe ai nuk kishte çfarë të bënte. Më tha që në penxhere të
vendosja një batanije dhe ta mbyllja mirë pamjen nga jashtë. Dhe kështu bëra,
kojshia nuk i dëgjoi më krismat e maqiës sime, sepse unë bërë batanizimin e
dritares...". Këtu përfundoi Gjystina,motra e Pjetër Arbnorit dhe kishte
të drejtë në arësyetimin e saj. Polici e kishte falë por nuk e kishte falë
kojshia. (!?). Sa qesharake!
Edhe
nëpër lagjet e qytetit ishin hapë robaqepësi ku spikatinin rrobaqespës më
përvojë e të talentuar si të pa harruarit Qerim Curri, Faik Kalaja, Selim
Krymi, Novruz Kalaci, Shyqyri Reçi, Sulë Hyseni etj. Por mbi të gjithë
qëndronte rrobaqepësia "Moda". Në atë kohë filluan të dilnin
pantollat kao-boj të cilat rrobaqepesit i qepnin nëpër shtëpia pas orarit të
punës. Futja e telvizorit dhe antenave kishte bërë të mundur depërtimin e modës
së huaj edhe në Shkodër. Rina shkodrane në ato vite të vështira skamlleku
ekonomik dhe survejimi në çdo rrugë e rrugicë mundohej me shpirt të vishej
bukur dhe me sqimë. Kishe qejf të shikoje rininë e Shkodrës gjatë mbremjeve te
shtetitjes ne Pjace. Ishte një lloj paradë mode që bëhej në ato vite. Sidomos
mbremjeve të shtuna dhe të diela dilte në shetitje gjithë Shkodra. Dhe Lan
Duraj u mundua me të gjitha forcat të ia plotësonte deshirat të rijvet, pavarsisht
barrikadave që vendoste rregjimi. Ku kishte shkodran në atë kohë së paku pa një
kostum të mirë. Megjithë çmimin e shtrënjtë të stofit, ku për një kostum duhej
të shpenzohej mesatarisht rroga e një muaji dhe për ta qepur shkonte paga e një
pesëmbdhjetëditëshit, prapë se prapë të rinjtë kishin qef të bënin kostumet tek
Lani. Lokali i tij vlonte nga nga puna. Konfeksionet që shiteshin nëpër dyqanet
e shtetit, nuk preferoheshin, pasi ishin të gjitha uniform, të prera pa shije,
të qepura me normë dhe të rrinin në trup si thes.
Dhe
kështu vazhdoi për vite e vite saloni i "Modës". Me ardhjen e
demokracisë erdhën edhe në Shkodër modele të huaja bashkëkohore. Dalngadalë
këto njësi u shkrinë për të dalë privat. Tashti Mjeshtri Lan Dura ka dalë në
pension ,është plakë dhe ka arritë moshën tetëdhjetëvjeçare por trupin e ka të
drejtë si qiri. Ai nuk punon më. Del nganjerherë nëpër rrugët e Shkodrës me një
bicikletë dhe përshendetet me të gjithë. Të gjithë e respektojnë dhe i flasin
me zë të lartë:"ku je Lan Durra". Edhe unë që po shkruaj keto radhë,
në emër të gjithë Shkodrës e falenderoj mjeshtrin e vjetër Lan Duraj dhe të
gjithë ata rrobaqepës që përmenda më lart dhe që janë akoma gjallë. Ata që në
ato vite të vështira na bënë të dukemi të bukur.