Mendime
Alfred Lela: Pushtimet nuk janë kafe turke
E premte, 29.03.2013, 03:04 PM
Rishkrimi i historisë; pushtimet nuk janë kafe turke me pak
Nga Alfred Lela
Një
tulatje që vjen nuk dihet nga ku e nga se e përshkon një pjesë të miletit shqiptar kur bëhet falë për
Turqinë; kjo huti vjen kryesisht prej
bombardimit religjiozo-ekonomiko-arsimor. Është një lloj pakti pragmatist për
të cilin shqiptarët shquhen. Më shumë se mënyrë
të qeni, është mënyrë të kaluari:
kompromis afatshkurtër ose afatmesëm, duke besuar se në afat të gjatë, të tjera
rrethana do të kërkojnë të tjera pakte e aleanca.
Në Kosovë
e Maqedoni ahti është edhe më i madh. Turqia, për të cituar shkrimtarin Kim
Mehmeti, ose më saktë islamizmi i ardhur prej saj, e ka shpëtuar shqiptarinë. Deklarata e Mehmetit,
rastësisht ndoshta, vjen pikërisht kur në Kosovë është në pik debati për
rishikim të teksteve të historisë, sipas një kërkese të autoriteteve turke, të
cilat ndjehen ‘të keqpërfaqësuara’ nga vështrimi historik i paraardhësve të
tyre, osmanëve, në librat e shkollave shqipe. Gazetat kanë shpërndarë edhe një
manual të fjalive e termave që duhen rishikuar, por edhe të zëvendësve të tyre.
Për shembull, për fjalinë: Perandoria
Osmane përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, ka
vrarë, ushtruar dhunë dhe ishte e ashpër, propozohet varianti Perandoria Osmane
përgjatë shekujve të pushtimit të viseve të banuara me shqiptarë, ka sunduar,
burgosur dhe ka ushtruar ndërhyrje ushtarake.
Një
ushtri mesjetare që ndërhyn, por pa ushtruar dhunë!
Groteske
nuk është vetëm gjetja e implanteve, por sidomos trashësia dhe intoleranca e
kërkesës. Për t’i bërë një studim ADN-së së pranisë turke në viset shqiptare
dhe asaj nëse ajo ka qenë e butë, e mesme, apo e fortë, si të ishte një kafe
turke e jo pushtim, duhet interpretuar kërkesa aktuale e Ankarasë zyrtare. Ajo
është të paktën intolerante. Nëse një shtet modern, që për vite me radhë i ka
mbajtur sytë nga klubi europian dhe vlerat perëndimore, shfaq shenja të
intolerancës, që rrjedhin me sa duket prej njëfarë supremacie ekonomike dhe
dëshirës për t’u shtrirë me soft power,
çfarë mund të thuhet për paraardhësin e tij? A është abuzim të konsiderohet si
intolerant, i ashpër, pushtues, dhunues e të tjera? Edhe në mungofshin
dokumentet që e dëshmojnë intolerancën, të cilat në fakt nuk mungojnë, lind e
drejta e supozimit se një shtet nuk mund të ketë qenë më tolerant në shekujt
15, 16, sesa në shekullin 21.
Çka është edhe më keq për ta: nëse turqit kërkojnë t’ua imponojnë shqiptarëve, një kombi tjetër, shkrimin e historisë sipas midesë së tyre, mund të thuhet se këtë intolerancë e kanë projektuar edhe në shkrimin e historisë së shtetit të tyre. Që do të thotë, projektimi në histori i sjelljes së shumicës turke ndaj pakicave etnike. Kosova, të paktën, e di se ç’do të thotë të jesh pakicë e shtypur. Shqipëria po mban kafenë turke e rakinë, por këtë eksport nuk ua do.