E diele, 28.04.2024, 08:12 AM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Në Shqipërinë e monstrave

E enjte, 21.03.2013, 08:09 PM


NË SHQIPËRINË E MONSTRAVE, QË I HA FËMIJËT - POLITIKANËT DELIROJNË NË EUFORI NDËRSA SHOQËRIA HESHT

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Opinioni shqiptar e ka ndjekur herë pas here kronikën e zhdukjes të djalit 10 vjeçar Julian Çela, deri tek pretendimet e policisë se „djali është larguar me dëshirë nga shtëpia“. Kur në vend të këtyre absurditeteve do të duhej të ngrihej menjëherë gjithë shteti dhe shoqëria në këmbë në shpëtim të jetës të fëmijës.

Për institucione profesioniste që merren me hetimin e krimit dhe kapjen e kriminelëve në rastin e Julian Çelës pistat kryesore të hetimit do të duhej të ishin dy. Duke u nisur nga fakti se i jati i djalit, zoti Skënder Çela është nëndrejtor i antiterrorit në SHISH, zhdukja e fëmijës do të duhej të hetohej si akt terrorist i segmenteve mafioze që i bëjnë presion shtetit. Opinioni  shqiptar duhet ta mbajë mend vrasjen terroriste të shoferit të ish-kryeprokurorit të Shqipërisë në sytë e të bijës minorene dhe të shoqes së këtij të fundit.

Pista e dytë, do të duhej të ishte rreziku prej pedofilëve. Policia e shtetit do të duhej të kontrollonte listat e pedofilëve dhe në mënyrë të menjëherëshme të ushtronte kontroll tek personat me precedentë të tillë. Meqë monstra Prenjasi banonte pikërisht në rrethinat ku banonte edhe vogëlushi, policia do të duhej të kishte shkuar menjëherë tek krimineli. Sepse Ardian Prrenjasi, ishte i skeduar i policisë dhe rezultonte  „i dënuar“ nga (pa)drejtësia shqiptare.

E kam vendosur në thojza fjalën dënuar, sepse pedofili Ardian Prrenjasi i kapur në flagrancë në vitin 2008 rezulton të jetë dënuar vetëm me një gjobë si nga organi i akuzës, ashtu nga gjykata, duke u konsideruar prej tyre „i parrezikshëm për shoqërinë“. Merrni me mend, një kriminel që dhunon fëmijët nga drejtësia shqiptare konsiderohet i parrezikshëm dhe po ashtu shihet si një person që nuk përbën shqetësim për policinë e shtetit edhe kur lajmërohen raste të zhdukjes të fëmijëve!!! Tmerr i vërtetë.

Nisur nga rasti Ardian Prrenjasi del qartë se si policia e shtetit ashtu dhe drejtësia kanë falimentuar, sepse e kanë lënë jashtë vemendjes një person që rezultoi të jetë me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë shqiptare.

Kjo paaftësi e lartë e organeve që mbrojnë rendin kushtetues dhe të drejtësisë shqiptare, të cilat duhet të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe ta mbrojnë atë nga kriminelët dhe keqbërësit është e pajustifikuar.

Zhdukja e vogëlushit Julian Çela, të birit të nëndrejtorit të terrorit në SHISH, mosgjetja e fëmijës dhe moszbardhja e krimit hedh hije të forta dyshimi, se institucionet e shtetit ose se janë të paafta ose se janë të kapura nga krimi.

Sepse nëse jeta e fëmijëve të zyrtarëve më të lartë të institucioneve të inteligjencies dhe sigurisë të shtetit është e rrezikuar, dhe organet e sigurisë të shtetit nuk arrijnë që të sigurojnë jetën e familjes dhe familjarëve të tyre, atëherë ju lutem më thoni se në ç’nivel sigurie mund të jetë jeta e qytetarëve të thjeshtë.

Nëse fëmija e një zyrtari të lartë të SHISH është zhdukur prej nëntorit 2013 dhe që sot rrezikon të ketë humbur jetën, kjo do të thotë se organet e sigurisë në vend janë të rrezikuara dhe nuk e kryejnë dot funksionin që kanë.

Të mos harrojmë një fakt, se më 1997 shteti i sulmua nga kriminelët e burgjeve, të tipit të Zani Çaushit. Kjo hedh pistë dyshimi tek Ardian Prrenjasi, i cili si një person i skeduar mund të përdoret nga segmente kriminale brenda institucioneve të sigurisë të vendit.

Kohët e fundit, në Shqipëri janë vrarë tre kryekomisarë dhe sot rezulton i zhdukur një vogëlush 10 vjeçar që është i biri i një zyrtari të lartë të antiterrorit.

Këta fakte alarmi, duhet të ngrenë në këmbë shoqërinë shqiptare dhe t’ia venë këmbën në një këpucë politikës shqiptare, e cila ka dështuar sepse në vend që të merret me plagët e shoqërisë që janë krijuar prej paaftësisë të institucioneve shtetërore, merret me prognozat e fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.

Ku janë deputetët e parlamentit të Shqipërisë kur zhduket një fëmijë, si mund ta bëjnë gjumin e qetë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë kur vriten kryekomisarë, si mund të komprometohet deri në këtë gradë misioni i përfaqësuesit të popullit duke u konformuar deri në degradim për një karrike pushteti!

Duke mos patur asnjë reagim nga politika jemi përballë një cinizmi brutal dhe të frikshëm të saj i cili duhet të marrë fund menjëherë. Shoqëria shqiptare duhet të ngrihet në këmbë, jo me akte rebelimi dhe dhune, por përmes mundësive të panumërta që siguron demokracia, përmes shoqërisë civile dhe mediave të cilat flenë, sepse thonë me mendjen e tyre se janë të sigurta  duke mbyllur sytë sepse kështu sigurojnë jetën e qetë të tyre dhe të familjeve të tyre. Në fakt, gabojnë dhe falimentojnë edhe me heshtjen e tyre edhe me mënyrat infantile si analizojnë faktet, të cilat kanë qëllim vetëm largimin nga e vërteta.

Kur vriten kryepolicë dhe kur zhduken fëmijët e zyrtarëve të lartë të antiterrorit në SHISH – do të thotë se shoqëria shqiptare dhe vendi janë në rrezik. Mjaft me eufori dhe lluks!



(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora