| E enjte, 21.03.2013, 07:09 PM |
NË SHQIPËRINË E MONSTRAVE, QË I HA FËMIJËT - POLITIKANËT DELIROJNË NË EUFORI NDËRSA SHOQËRIA HESHT
NGA ELIDA BUÇPAPAJ
Opinioni
shqiptar e ka ndjekur herë pas here kronikën e zhdukjes të djalit 10 vjeçar
Julian Çela, deri tek pretendimet e policisë se „djali është larguar me dëshirë
nga shtëpia“. Kur në vend të këtyre absurditeteve do të duhej të ngrihej
menjëherë gjithë shteti dhe shoqëria në këmbë në shpëtim të jetës të fëmijës.
Për
institucione profesioniste që merren me hetimin e krimit dhe kapjen e
kriminelëve në rastin e Julian Çelës pistat kryesore të hetimit do të duhej të
ishin dy. Duke u nisur nga fakti se i jati i djalit, zoti Skënder Çela është nëndrejtor
i antiterrorit në SHISH, zhdukja e fëmijës do të duhej të hetohej si akt
terrorist i segmenteve mafioze që i bëjnë presion shtetit. Opinioni shqiptar duhet ta mbajë mend vrasjen
terroriste të shoferit të ish-kryeprokurorit të Shqipërisë në sytë e të bijës
minorene dhe të shoqes së këtij të fundit.
Pista e
dytë, do të duhej të ishte rreziku prej pedofilëve. Policia e shtetit do të
duhej të kontrollonte listat e pedofilëve dhe në mënyrë të menjëherëshme të
ushtronte kontroll tek personat me precedentë të tillë. Meqë monstra Prenjasi
banonte pikërisht në rrethinat ku banonte edhe vogëlushi, policia do të duhej
të kishte shkuar menjëherë tek krimineli. Sepse Ardian Prrenjasi, ishte i
skeduar i policisë dhe rezultonte „i
dënuar“ nga (pa)drejtësia shqiptare.
E kam
vendosur në thojza fjalën dënuar, sepse pedofili Ardian Prrenjasi i kapur në
flagrancë në vitin 2008 rezulton të jetë dënuar vetëm me një gjobë si nga
organi i akuzës, ashtu nga gjykata, duke u konsideruar prej tyre „i
parrezikshëm për shoqërinë“. Merrni me mend, një kriminel që dhunon fëmijët nga
drejtësia shqiptare konsiderohet i parrezikshëm dhe po ashtu shihet si një
person që nuk përbën shqetësim për policinë e shtetit edhe kur lajmërohen raste
të zhdukjes të fëmijëve!!! Tmerr i vërtetë.
Nisur nga
rasti Ardian Prrenjasi del qartë se si policia e shtetit ashtu dhe drejtësia
kanë falimentuar, sepse e kanë lënë jashtë vemendjes një person që rezultoi të
jetë me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë shqiptare.
Kjo
paaftësi e lartë e organeve që mbrojnë rendin kushtetues dhe të drejtësisë
shqiptare, të cilat duhet të sigurojnë jetën e qytetarëve dhe ta mbrojnë atë
nga kriminelët dhe keqbërësit është e pajustifikuar.
Zhdukja e
vogëlushit Julian Çela, të birit të nëndrejtorit të terrorit në SHISH,
mosgjetja e fëmijës dhe moszbardhja e krimit hedh hije të forta dyshimi, se
institucionet e shtetit ose se janë të paafta ose se janë të kapura nga krimi.
Sepse
nëse jeta e fëmijëve të zyrtarëve më të lartë të institucioneve të
inteligjencies dhe sigurisë të shtetit është e rrezikuar, dhe organet e
sigurisë të shtetit nuk arrijnë që të sigurojnë jetën e familjes dhe
familjarëve të tyre, atëherë ju lutem më thoni se në ç’nivel sigurie mund të
jetë jeta e qytetarëve të thjeshtë.
Nëse
fëmija e një zyrtari të lartë të SHISH është zhdukur prej nëntorit 2013 dhe që
sot rrezikon të ketë humbur jetën, kjo do të thotë se organet e sigurisë në
vend janë të rrezikuara dhe nuk e kryejnë dot funksionin që kanë.
Të mos
harrojmë një fakt, se më 1997 shteti i sulmua nga kriminelët e burgjeve, të
tipit të Zani Çaushit. Kjo hedh pistë dyshimi tek Ardian Prrenjasi, i cili si
një person i skeduar mund të përdoret nga segmente kriminale brenda institucioneve
të sigurisë të vendit.
Kohët e
fundit, në Shqipëri janë vrarë tre kryekomisarë dhe sot rezulton i zhdukur një
vogëlush 10 vjeçar që është i biri i një zyrtari të lartë të antiterrorit.
Këta
fakte alarmi, duhet të ngrenë në këmbë shoqërinë shqiptare dhe t’ia venë këmbën
në një këpucë politikës shqiptare, e cila ka dështuar sepse në vend që të
merret me plagët e shoqërisë që janë krijuar prej paaftësisë të institucioneve
shtetërore, merret me prognozat e fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013.
Ku janë
deputetët e parlamentit të Shqipërisë kur zhduket një fëmijë, si mund ta bëjnë
gjumin e qetë deputetët e Parlamentit të Shqipërisë kur vriten kryekomisarë, si
mund të komprometohet deri në këtë gradë misioni i përfaqësuesit të popullit
duke u konformuar deri në degradim për një karrike pushteti!
Duke mos
patur asnjë reagim nga politika jemi përballë një cinizmi brutal dhe të
frikshëm të saj i cili duhet të marrë fund menjëherë. Shoqëria shqiptare duhet
të ngrihet në këmbë, jo me akte rebelimi dhe dhune, por përmes mundësive të
panumërta që siguron demokracia, përmes shoqërisë civile dhe mediave të cilat
flenë, sepse thonë me mendjen e tyre se janë të sigurta duke mbyllur sytë sepse kështu sigurojnë
jetën e qetë të tyre dhe të familjeve të tyre. Në fakt, gabojnë dhe
falimentojnë edhe me heshtjen e tyre edhe me mënyrat infantile si analizojnë
faktet, të cilat kanë qëllim vetëm largimin nga e vërteta.
Kur
vriten kryepolicë dhe kur zhduken fëmijët e zyrtarëve të lartë të antiterrorit
në SHISH – do të thotë se shoqëria shqiptare dhe vendi janë në rrezik. Mjaft me
eufori dhe lluks!