Mendime
Xhelal Marku: Ja pse PD dhe Berisha do të fitojnë
E premte, 15.03.2013, 09:13 PM
Ja pse
Partia Demokratike dhe Berisha, do të fitojnë edhe një mandat të tretë
qeverisës
Nga Xhelal Marku, gazetar
Kanë kaluar pak më shumë se 22 vjet, që nga koha kur lindi Partia e Parë Opozitare e Shqipërisë, të cilën themeluesit e pagëzuan me emrin e bukur, që ajo mban – Partia Demokratike, shkurt PDSH. Ajo doli në skenën politike, si një Parti e shpresave të mëdha për këtë vend të shumëvuajtur e të varfër, ku e zhyti rregjimi më i egër diktatorial i Kontinentit, diktatura komuniste e Enver Hoxhës. Një parti e re, me emra të rinj në drejtimin e saj, me një anëtarësi të re, por mbi të gjitha me një program të ri, që kishte në prioritetin e vet integrimin e vendit, zhvillimin e ekonomisë së tregut dhe garantimin e lirive e të drejtave të njeriut, sipas standardeve ndërkombëtare. Ishte pikërisht kjo forcë politike e sapolindur, që do ta nxirrte vendin nga vetizolimi gjysëmshekullor i së kaluarës. Ndaj, ajo, për të përmbushur misionin e saj historik - përmbysjen e atij sistemi diktatorial, u vu menjëherë në krye të Lëvizjes Antikomuniste Mbarëpopullore, për të organizuar, drejtuar e realizuar rrëzimin e sistemit më të egër diktatorial të Kontinentit, rregjimin komunist të Hoxhës. Ishte lideri i dhjetorit, Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari, që u shfaq si figura përfaqësuese e kësaj Lëvizje të fuqishme, që nisi me protestat studentore dhe që do t`i thoshte: “JO!” komunizmit në Shqipëri. Dhe pikërisht, në atë fund shekulli, kësaj Lëvizjeje Mbarëpopullore, do t`i bashkohej me shpejtësi edhe një armatë e madhe intelektualësh, ndër më të zgjedhurit në të gjithë vendin, të guximshëm e trima, të vendosur e të matur, inisiatorë e të përkushtuar, për t`i dhënë fund njëherë e përgjithmonë sundimit 50 vjeçar komunist në Shqipëri. Në vijën e parë të kësaj Përmbysjeje të Madhe, tashmë prinin emra të rinj politikanësh, të papërvojë e të panjohur më parë, por që shumë shpejt u bënë lider të saj, shpresa dhe besimi i këtij vendi, për integrimin e Shqipërisë. Ata ishin personalitetet e reja të politikës shqiptare, që po afirmonin veten dita ditës në opinionin vendas. Ata ishin përfaqësuesit e Klasës së Re Politike, që po lindte në atë fillim të shekullit të ri për shqiptarët, të cilët do t`u dilnin zot fateve të këtij vendi të shumëvuajtur. Midis tyre u lartësua me veprën dhe përkushtimin e tij, emri i themeluesit të Partisë Demokratike, i liderit historik të saj, Z. Sali Berisha, që bashkë me politikanë të tjerë, si: Eduart Selami, Neritan Ceka, Gramoz Pashko, Arben Imami, Genc Ruli, Teodor Keko, Genc Pollo, Pjetër Arbnori, Aleksandër Meksi, Dash Shehi, etj, do të shembnin Murin e Madh të Izolimit, që kishte ngritur diktatura komuniste, gjatë sundimit të saj dhe do të vendosnin sistemin Demokratik në Shqipëri, një ëndërr shekullore kjo për të gjithë shqiptarët. Kështu lindi dhe u rrit Partia Demokratike, si Partia e parë opozitare në Shqipëri, e cila më 22 Mars të vitit 1992, shënoi fitoren e saj historike në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe drejtoi vendin për pesë vite rradhazi. Ajo njihet tashmë edhe si themeluese e shtypit të lirë në Shqipëri, me gazetën e saj të parë opozitare “RD”, të cilën e drejtoi me kompetencë e profesionalizëm, gazetari me përvojë, Frrok Çupi, tashmë një publicist e komentator i njohur i Medias së shkruar e vizive. Kontributet e Partisë Demokratike në politikën shqiptare përgjat këtyre 22 viteve të veprimtarisë së saj, janë të mëdha, të jashtëzakonshme, të dukshme, por dhe të njohura brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo sot, është Parti në pushtet, e cila po qeveris vendin në dy mandate rradhazi, që nga viti 2005 e në vazhdim. Me emrin e Partisë Demokratike, si forca politike më e madhe dhe progresive e vendit, janë të lidhura të gjitha zhvillimet ekonomike dhe integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatllantike. Gjatë qeverisjes së saj, ajo i dha vendit një infrastrukturë të re e moderne, siç është Rruga e Kombit dhe shumë rrugë të tjera të ndërtuara në të gjithë territorin e vendit, hapi perspektiva të mëdha zhvillimi për bujqësinë, industrinë, turizmin, arsimin, shëndetësinë e sektorë të tjerë, realizoi ëndërrën shekullore të shqiptarëve për të lëvizur të lirë dhe pa viza në të gjithë hapsirën Shengen të vendeve të BE, e bëri Shqipërinë anëtare të NATOS dhe plotësoi të gjitha kushtet për të marrë edhe Statusin e Kandidatit për në BE, qysh në prag të Festës së 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Këto dhe arritje të tjera të mëdha të Shqipërisë, janë vlerësuar dhe janë bërë të ditura herë pas here edhe nga ndërkombëtarët dhe institucionet që ata përfaqësojnë, ku vendi ynë ka shënuar progres e stabilitet ekonomik edhe në kushtet e krizës botërore. Sot marrja e statusit të Kandidatit të Shqipërisë për në BE, po mbahet peng nga opozita (PS), e cila pa asnjë arsye dhe argument logjik, por vetëm për karriken e kryetarit të saj, z. Edi Rama nuk pranon të votojë tre ligjet e përcaktuara si kushti i vetëm nga BE, që kërkojnë votim të cilësuar. Lind pyetja: Pse e bën këtë? Kuptohet qartë, se, në kushtet e mungesës së alternativave konkuruese, për të ardhur në pushtet, Partisë Socialiste dhe Edi Ramës nuk u ka mbetur gjë tjetër, veç politika e bllokimit. Një qëndrim krejtësisht antikombëtar e antiintegrues ky për vendin, të cilin me siguri shqiptarët do ta ndëshkojnë me votën e tyre të 23 qershorit 2013. Por, duhet theksuar, se edhe në këto kushte, Partia Demokratike si dhe Lideri i saj historik, kryeministri aktual i Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha, po bëjnë përpjekje maksimale për të rrëzuar murin e bllokimit të Partisë Socialiste e të Edi Ramës, duke kërkuar deri referendum për miratimin e këtyre tre ligjeve, që siç e thamë më lart, janë dhe kushti i vetëm për marrjen e statusit të Kandidatit për në BE. Si Parti e mbajtjes së premtimeve e të fjalës së dhënë, Partia Demokratike shkon në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2013-tës me besim të plotë në fitore, për të siguruar një mandat të tretë qeverisës për vendin, për të garantuar integrimin e Shqipërisë në BE, për të modernizuar më tej infrastrukturën, për të zhvilluar ekonominë dhe për të rritur në një nivel më të lartë standardin e jetës së shqiptarëve. Ndaj, në politikë, kot mundohen ta konkurojnë Berishën, tashmë një politikan vlerash, i afirmuar dhe me përvojë, i cili gëzon besimin dhe respektin e të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë, por dhe në arenën ndërkombëtare, ku njihet si figura më e besueshme e politikës shqiptare, me një karrierë të gjatë pune, që nis qysh me rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri, themelimin e Demokracisë e të shtypit të lirë, e deri në ditët e sotme, ku vendi ynë pas anëtarësimit në NATO, po integrohet me plot dinjitet edhe në BE. Kurrë ndonjëherë në historinë e vet mijravjeçare, Faktori Shqiptar nuk ka qënë më autoritar dhe më prezent në arenën ndërkombëtare se sa sot. Dhe në këtë drejtim, kontributi i Berishës dhe i Partisë Demokratike, gjatë këtyre viteve të Demokracisë në Shqipëri, ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme në politikën shqiptare, si Lider historik i Partisë Demokratike (aktualisht në pushtet), si ish President i Vendit, si Kryeministër i Shqipërisë në dy mandate të suksesshme të qeverisjes së tij (2005 - 2013), por tashmë i afirmuar dhe i njohur edhe si Lider historik i të gjithë shqiptarëve. Ai është politikani i vetëm në Shqipëri, që flet e përgjigjet me vepra, me fjalën e mbajtur para elektoratit, ndaj është dhe më i besueshmi e padyshim edhe më i votuari prej tyre. Janë shumë vepra e premtime të mbajtura nga Berisha në mandatet qeverisës 2005 – 2013, duke filluar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhënien e statusit të Lëvizjes së Lirë pa viza të Shqiptarëve në të gjithë hapsirën Shengen të vendeve të BE-së, Përmbyshja e standarteve për të marrë Statusin e Kandidatit për në BE, ndërtimi i Rrugës së Kombit, Tuneli i Madh i Kalimashit, Tuneli i Krrabës, Unaza e Madhe e Tiranës, infrastruktura e re rrugore në mbarë vendin, ekonomia shqiptare, që po shënon progres edhe në kushtet e krizës botërore, zhvillimi i arsimit, shëndetësisë, veprat energjitike, përdorimi masiv i internetit, rritja e vazhdueshme e pagave dhe pensioneve për çdo vit, ritmet e larta të zhvillimit të turizmit shqiptar dhe imazhi i ri i këtij sektori jetik të ekonomisë së vendit, të cilit i përket e ardhmja, etj. Dhe, për të gjitha këto, Berisha vlerësohet e votohet nga shqiptarët, të cilët e besojnë dhe me siguri do ta rivotojnë sërish edhe në të ardhmen. Dhe këto arritje marrin një vlerësim të veçantë edhe për faktin, se ato janë shënuar duke përballuar edhe politikat frenuese e bllokuese të Partisë më të madhe opozitare, PS. Kuptohet, se po të ishte bashkëpunimi dhe mbështetja e Partisë Socialiste në opozitë, për interesat kombëtare të vendit, padyshim që arritjet e Shqipërisë për këtë periudhë, do të ishin shumë më të larta se kaq. Por, fatkeqësisht, dihet, se Opozita në këto tetë vite të qeverisjes së Partisë Demokratike, nuk ka qënë aspak bashkëpunuese për interesat kombëtare të vendit, ndoshta për xhelozitë e saj, që e kanë çuar atë deri në qëndrime bllokuese e sabotuese të politikave integruese të Shqipërisë, vetëm e vetëm për interesa të karrikes e të pushtetit të tyre. Dhe janë pikërisht politikanë të tillë, të papërgjegjshëm e antishqiptarë, që me politikën e tyre fatkeqe e të qëllimshme, vazhdojnë të pengojnë edhe sot integrimin e Shqipërisë në BE. A nuk e shpreh këtë qëndrim mosvotimi i tre ligjeve të vëna si kushtin e vetëm nga BE, për marrjen e Statusit të Kandidatit nga Shqipëria? Kjo tashmë është e lexueshme qartë jo vetëm nga shqiptarët, por dhe nga institucionet ndërkombëtare dhe krerët e tyre, të cilët çuditen me qëndrimin e opozitës shqiptare, me politikën e saj konfliktuale, por dhe me guximin që ajo shpreh, duke frenuar me qëllim proceset integruese të vendit, në një kohë, që ajo pretendon për të marrë pushtetin. Në këto kushte, gjithkush shpreh çudinë, se kush mund t`i votojë akoma, këta njerëz me qëndrime të hapura antishqiptare. Madje veprimi i tyre bllokues nuk është as i pari në këto njëzet e dy vjet Demokraci. Shpresojmë, që 2013-ta, politikanëve të tillë, t`u japë ndëshkimin e rradhës, atë që kanë merituar realisht prej vitesh, me qëllim që ata të mësojnë, se në pushtet nuk mund të vijnë asnjëherë me dhunë dhe me politikat bllokuese të integrimit të vendit, por as me thirrjet e liderit të së Majtës Europiane për të bërë Ramën kryeminister. Më është dukur e çuditshme kjo thirrje, e dalë nga goja e një lideri të përmasave të tilla, që nuk ka turp, kur bën fushatë elektorale që nga Brukseli, kur në krah të tij kishte Ramën dhe një megalloman të tij, një tip të neveritshëm dhe i papërgjegjshëm për mbarë opinionin shqiptar, fatkeqësisht deputet i PS, Taulant Balla. Thua të ishte i paguar për një thirrje të tillë, ky njeri, që në këtë rast, nuk pyet se me këtë thirrje, ai shkel zyrtarisht ligjet dhe normat morale të institucionit që përfaqëson!!!? Mendoj, se këtë veprim, ky lider europian e bën sa për të larë gojën, sepse ai e din mirë se për zgjedhjet në Shqipëri vendosin shqiptarët me votën e tyre të lirë. Me këtë thirrje, lideri i së Majtës europiane, bëhet kontradiktor edhe me vetë institucionin e BE-së, i cili si pengesë të vetme për integrimin e Shqipërisë, ka parë e vlerësuar opozitën shqiptare dhe Ramën, që me gjithë thirrjet e herë pas hershme për mbashkëpunim të Berishës, si dhe të vetë krerëve të BE-së, edhe sot vazhdojnë të refuzojnë votimin e tre ligjeve të përcaktuara për marrjen e Statusit të Kandidatit të BE-së. Ndaj, shumica e shqiptarëve, vazhdojnë ta vlerësojnë shumë lart emrin dhe figurën e politikanit Berisha, vazhdojnë ta besojnë dhe ta votojnë atë, si politikani i veprave të realizuara, larg retorikës e fjalëve boshe, i cili suksesin e tij e synon gjithmonë, vetëm nëpërmjet konkurimit me alternativa më të mira dhe me premtime të mbajtura para elektoratit. Ata e votojnë Partinë Demokratike, pasi janë të bindur, se me Berishën Kryeministër, Shqipëria ka dhe do të ketë, më shumë fat, më shumë progres në zhvillimin ekonomik të vendit, më shumë vepra energjitike, më shumë rrugë e tunele të rinj, që i afrojnë shqiptarët me njëri tjetrin, më shumë zhvillim turizmi, arsimi, shëndetsia dhe mbi të gjitha rritet standarti i jetesës së shqiptarëve, për të cilën ata kanë ëndërruar në shekuj. Pra, Berisha është nga ata politikanë, që ende i mungon konkurenti në Shqipëri. Kështu, me Berishën, shqiptarët shkojnë të sigurtë në Europë, duke konkretizuar edhe slloganin e famshëm të viteve `90-të: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Ndaj, do apo nuk do dikush për ta vlerësuar këtë realitet politik në vend, Ai (Berisha) është dhe do të mbetet një figurë gjigante e politikës shqiptare, më i votuari, më i besuari dhe më vizionari për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë. Pse ka nevojë Shqipëria për Berishën, shqiptarët do ta rivotojnë sërish atë në krye të Qeverisë Shqiptare, me qëllim që të tjera projekte të mëdha, të promovojë vendi ynë gjatë katër viteve të ardhshme (2013 – 2017). Ai tashmë, ka në krah edhe një tjetër figurë madhore të Partisë Demokratike, ish themeluesin dhe kryetarin e saj, Z. Eduart Selami, i cili pas 17 vjetësh punë dhe kualifikim në SHBA, ka vendosur t`i rikthehet me plot pasion e përkushtim veprimtarisë politike brenda PD-së, si anëtar e drejtues i respektuar i saj, i munguar për shumë vite. Kështu rritet e forcohet vazhdimisht Partia Demokratike dhe Lideri i saj historik, Prof. Dr. Sali Berisha, kryeministri aktual i Shqipërisë, mes miqësh të sinqertë, të rinj e të vjetër qofshin ata, të cilët gjatë këtyre më shumë se dy dekadave demokraci, Ai (Berisha) diti t`i bashkojë e të bashkëpunojë me ta për realizimin e programeve të mëdha e ambicioze, në rrugën drejt sfidave të reja të së ardhmes së Shqipërisë. Ja pra, pse fiton Berisha dhe Partia Demokratike edhe një Mandat të tretë qeverisës, me qëllim që punët e nisura t`i çojë deri në fund, sepse ai konkuron në emër të një forcë politike të besueshme e fjalëmbajtëse, e cila forcohet çdo ditë, që ka në programin e saj alternativa konkuruese dhe që synon forcimin e Partisë me rritjen cilësore të drejtimit e të anëtarësisë së saj dhe jo me politikën e përjashtimit të mendimit ndryshe, siç ka ndodhur këto vitet e fundit me PS-në në opozitë. Ndaj, Berisha shkon në zgjedhje me besim në fitore dhe nuk bërtet si kundërshtari i tij Rama, se po më vjedhin votat, po manipulojnë zgjedhjet, e teori të tjera tashmë bajate, të përdorura për çdo fushatë, por dhe pas zgjedhjeve, me të cilat ai mundohet të justifikojë humbjen e rradhës të Partisë që drejton. Është kjo arsye, që Z. Rama, duke e ndjerë humbjen e zgjedhjeve të 2013-tës, ka nisur të thërrasë me të madhe qysh tani, se po përgatitet vjedhja e zgjedhjeve të 23 qershorit, me qëllim që të parapërgatis, siç veproi me zgjedhjet e tjera, teorinë e dështuar të mosnjohjes së humbjes. Thua të jenë kaq naivë drejtuesit dhe forumet e Partisë Socialiste, që të mos i lexojnë këto manovra të kryetarit të tyre? Nuk besoj një gjë të tillë, por ndoshta heshtin, që të mos pësojnë përjashtimin nga Partia, siç ka ndodhur me disa përfaqësues të mendimit ndryshe, ish themelues të PS-së. Pra Berisha fiton në zgjedhjet e 23 qershorit, jo vetëm se nuk ka konkurrent, por për arritjet e mëdha të shënuara gjatë qeverisjes se tij, si dhe për mbajtjen e premtimeve para elektoratit. Ndaj, i bindur se shpreh dëshirën e shumicës së shqiptarëve, unë i uroj Z. Berisha dhe PD-së, suksese dhe punë të mbarë në drejtimin e këtij vendi, si dhe një fitore bindëse në zgjedhjet e reja parlamentare të 2013-tës!