Mendime
Blerim Ramadani: Kërçova - Beteja që ndanë dy botë!
E marte, 19.03.2013, 10:50 PM
Kërçova:
Beteja që ndanë dy botë!
Nga Blerim RAMADANI
Lufta
politike për të korrur fitore në zgjedhjet lokale të 24 marsit në Kërçovë, tash
e etiketuar dhe e përfolur në qarqet politike, si “beteja e përplasjes etnike”,
ka nxitur urrejtje dhe tension ndër-etnik jashtë normave morale dhe politike.
Është trishtues fakti kur edhe Kryeministri i vendit vendoset në krye dhe i
paraprin këtij karvani anti-shqiptar edhe pse kjo nuk është hera e parë që në
këto hapësira shohim diçka të tillë. Deklaratat e pamatura të kryeministrit në
mitingjet e VMRO-DPMNE-së dhe takimet që zhvillon me qytetarë të vendit,
nxjerrin në pah edhe njëherë, një gjuhë
të urrejtjes ‘ndaj palës tjetër’ siç u prononcua ai në Strugë dhe Kërçovë.
Qytetarët e shpërngulur të Kërçovës, të cilëve u referohet kryeministri siç
shprehet ai “ të shpërngulur para 10, 20 dhe 30 viteve dhe duan të marrin
Kërçovën”, janë pikërisht ata qytetarë të cilëve u është mohuar e drejta e
punësimit në institucionet dhe ndërmarrjet e ndryshme të shtetit, pikërisht nga
e njejta politikë anti-shqiptare që vazhdon edhe në ditët e sotme. Për këtë
arsye ato i’a mësynë rrugës së kurbetit për një jetë më të mirë. Kjo mund të
arsyetohet me fakte bindëse. Të kujtojmë, kryeministrin se në Termoelektranën e
Osllomesë, janë të punësuar mbi 3000 maqedonas (jo banorë të komunës), ndërsa
përbërja demografike është me mbi 90% shqiptarë. Nuk ndryshohet struktura
demografike siç pretendon kryeministri por kthehen shqiptarët etnik për të
dënuar një politikë etnocentrike. Dëshira dhe ndjenja patriotike e diasporës
shqiptare për t’u kthyer dhe për të votuar në vendlindje është pikërisht
rezultat i frymës dhe politikës antishqiptare dhe majorizimit të tyre që u
është bërë ndër shekuj dhe tash fatëkeqësisht aktualizohet në mënyrë të hapur,
pa fijen e përgjegjësisë politike nga qeveritarë dhe funksionarë të lartë, duke
u bërrë thirrje maqedonasve për front ndaj shqiptarëve. Formula “Kërçova ka
qenë dhe do mbetet e maqedonasve”, nuk vlen përshkak se këtë e mohojnë
argumentet shkencore-historike. Fjalime të tilla shqetësuan rëndë edhe
komunitet tjera që jetojnë në këto hapësira, turqit dhe romët. Vazhdimi i politikës së këtillë edhe në
shekullin e 21, politikë konfliktuoze që prodhon destabilitet sërish tregoi
fytyrën e vërtetë. Kjo sështë gjë tjetër përveq se një mesazh që pushteti nuk
mund të durojë asgjë që ka gjurmë shqiptare. Fjalimet me tone të këtilla nuk
shprehin asgjë përveq një ndjenjë frike nga politikanët maqedonas, tash të
çorientuar dhe bindur se humbasin pushtetin lokal.
Përfshirja
e institucioneve në shkeljen e ligjeve
Fushata elektorale filloi me tensione dhe shkelje të rënda të ligjeve. Pjesë e të cilës shfaqje janë edhe institucionet e shtetit. Presionet e fundit që bënë Ministria e Punëve të Brendëshme ndaj komunitetit rom në Kërçovë, nuk prodhon asgjë tjetër përveç se tension dhe pasiguri. Në opinion jepet alarmi se institucionet nuk janë në gjendje do të mundësojnë kushte për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike. Institucionet që janë kompetente për mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike, janë duke dështuar plotësisht. Të kujtojmë shkeljet që i’u bënë Kodit Zgjedhor. Ndërhyrjet juridikisht i dhanë mundësinë vetëm LSDM-së me partitë tjera që ka në koalicion dhe asnjë subjekti tjetër, të dorëzojnë listën e këshilltarëve”. Është më shqetësues fakti kur Gjykata Administrative shkel rëndë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke pranuar listën e përbashkët të VMRO-DPMNE dhe LSDM-së. E gjitha kjo nënkupton edhe njëherë se Gjykatat dhe intitucionet e Maqedonisë janë të politizuara dhe nën ndikim të madh të shumicës, me çka rëndë dëmtojnë imazhin e shtetit. Pala maqedonase nëpërmjet “kalit të Trojës” dëshiron të mbajë ate që sështë e saja. Sundimi i së drejtës dhe gjyqësor i pavarur, si kritere të kërkuara nga organizatat ndërkombëtare vihen në pikëpytje. Kësaj ndodhie më së shumti i shkon përshtat fraza e Nikola Makiavelit ‘qëllimi arsyeton mjetin ’!